26 Shkurt 2020
Letër e Drejtorit të Shkollës së Mesme “Volta” (Milano), drejtuar nxënësve të tij:
“Shpëtoni nga sëmundja jetën tuaj shoqërore!”.
Kjo është letra mjeshtërore, që drejtori i shkollës së mesme “Volta” në Milano, Domeniko Skuilace u shkroi të gjithë nxënësve të shkollës dhe e publikoi në faqen e internetit të shkollës. Merrni disa minuta për ta lexuar sepse është një kryevepër.
Studentëve aktualë
“Murtaja, që gjykata shëndetësore kishte frikë se mund të hynte në Milano nëpërmjet bandave alemane, në të vërtetë kishte hyrë tashmë, duke mos u ndalur deri në zhdukjen e gjysmës së popullsisë italiane”.
Fjalët që sapo përmendëm, janë ato që hapin kapitullin 31 të veprës “Të fejuarit”, një kapitull ky, që së bashku me të tjerë i dedikohet tërësisht epidemisë së murtajës, që goditi Milanon në vitin 1630. Bëhet fjalë për një tekst që të hap sytë, me modernizëm të jashtëzakonshëm që ju këshilloj ta lexoni me vëmendje, sidomos në këto ditë kaq të pështjelluara.
Brenda atyre faqeve ekziston tashmë gjithçka, kanosja e rrezikut nga të huajt, përplasja e dhunshme mes autoriteteve, kërkimi spazmatik për të ashtuquajturin pacientin zero, përbuzja për ekspertët, gjuetia për ata që përhapën sëmundjen, zërat e pakontrolluar, mjetet më absurde, bastisja për nevojat themelore, urgjenca shëndetësore e të tjera si këto…
Në ato faqe do të hasni, ndër të tjera, emra që, me siguri i njihni duke frekuentuar rrugët përreth shkollës sonë të mesme që, le të mos harrojmë, qëndrojnë aty ku ka qenë spitali për sëmundjet infektive i Milanos; emra si Ludovik Setala, Aleksandër Tadino, Feliçe Kasati e të tjerë. E thënë me fjalë të tjera, më shumë se nga romani i Manzonit, ato fjalë duket se kanë dalë nga faqet e një gazete të ditëve të sotme.
Të dashur fëmijë! Nuk kam asgjë të re në këtë botë që mund të them, megjithatë shkolla e mbyllur kërkon që unë të flas. Shkolla jonë është një nga ato institucione që me ritmet dhe ritualet e saj shënon kalimin e kohës dhe shpalosjen e rregullt të jetës civile, jo rastësisht mbyllja me forcë e shkollave është diçka që autoritetet e përdorin në raste të rralla dhe me të vërtetë të jashtëzakonshme.
Nuk më takon mua të vlerësoj përshtatshmërinë e masës, nuk jam ekspert dhe as nuk pretendoj të jem, i respektoj dhe i besoj autoritetet dhe respektoj deri në përpikëri drejtimet që na kanë dhënë. Ajo që dua t’ju them është që të jeni gjakftohtë e të mos lejoni që të tërhiqeni nga mashtrimi kolektiv, që ju privon për të vazhduar – me masat e duhura paraprake – për të bërë një jetë normale. Përfitoni nga këto ditë për të bërë shëtitje apo të lexoni ndonjë libër të mirë.
Nuk ka asnjë arsye – nëse jeni mirë – të qëndroni të mbyllur në shtëpi. Nuk ka asnjë arsye të mos shkoni në supermarkete dhe farmaci: maskat u jepen atyre që janë të sëmurë dhe janë vetëm për ta. Shpejtësia me të cilën mund të lëvizë një sëmundje nga një skaj i botës në një tjetër është bijë e kohës sonë dhe nuk ka asnjë mur që mund ta ndalojë. Shekuj më parë këto sëmundje lëviznin në të njëjën mënyrë, veçse me ritme më të ngadalëta. Një nga rreziqet më të mëdha në ngjarje të tilla, ku na e mësoi Manzoni dhe mbase edhe më shumë Bokaçio, është helmimi i jetës shoqërore, marrëdhëniet njerëzore, dhe barbarizimi i jetës civile.
“Instinkti atavistik” (i paraardhësve) kur ndiheni të kërcënuar nga një armik i padukshëm, është ta shihni rrezikun kudo, duke bërë që ta shikojmë secilin nga shokët tanë si një kërcënim dhe si një agresor të mundshëm. Në krahasim me epidemitë e shekujve të katërmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë kemi në anën tonë ilaçet moderne dhe, më besoni, kur them se kjo nuk është pak, duke përmendur përparimin dhe siguritë e këtyre ilaçve. Le të përdorim mendimin racional që është thelbi për të ruajtur pasurinë më të çmuar që zotërojmë: strukturën shoqërore dhe njerëzimin tonë. Nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë murtaja do të ketë fituar me të vërtetë.
Ju pres së shpejti në shkollë,
Domeniko Skuilaçe
Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi