SHPËRNGULJA E ARRNAUTËVE

0
681
A. Ashiku

Abdurrahim Ashiku

Një material që e vlen të lexohet mendueshëm…

Veçanërisht këto ditë kur Kosova është vënë në grykën e topit të shpifjeve për gjenocid, e luftëtarët e çlirimit të saj janë vënë padrejtësisht në bankën e të akuzuarve.

Rastësisht, midis materialeve të jetës sime, shumë prej të cilëve humbën në udhëtimin larg vendlindjes, rrugëve të mërgimit të detyruar, në një dosje gjeta dy nga tre leksionet që në vitin 1981, në kohën kur gjakosej Kosova nga serbosllavët në agoninë e shpërbërjes së Jugosllavisë. Fjala është për dokumentin “Shpërngulja e Arnautëve” dhe një studim për gjenocidin e pashembullt serbosllav ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, shqiptarëve në Kosovë, Serbinë e Ngushtë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Materiali i tretë me pasuritë e mëdha ekonomike të Kosovës, panoramë e një vendi që këto pasuri po të viheshin në hulli të popullit do ta bënin Kosovën një nga vendet më të begata të Evropës, më ka humbur.
Prej asaj kohe ruaj një bllok shënime të veçanta për Kosovën marrë nga libri i Hivzi Islamit “Popullsia e Kosovës”, libër në fondin e bibliotekës “Haki Stërmilli” të Peshkopisë, si dhe të dhëna të tjera të asaj kohe.

Të tre materialet janë lexuar para popullit të mbledhur në të gjithë fshatrat e Dibrës, në brigada e sektorë pune, që asokohe ishin në gatishmëri për gjithçka.

Ishte koha kur dibranët, të lidhur ngushtë në gjak e në marrëdhënie ekonomike me Kosovën e viset e tjera shqiptare ndarë me sëpatën e kasapëve të Londrës, si edhe të gjithë shqiptarët, e jetonin me ankth atë çka ndodhte në Kosovë dhe ishin me shpirt e zemër atje.

Referati “Shpërngulja e Arnautëve” është plan gjenocidi dhe shpërnguljeje masive i antishqiptarit të madh Vaso Çubrilloviçi.

Po kush është Vaso Çubrilloviqi?
Dr. Vaso Çubrilloviçi ka lindur në vitin 1897. Qysh në vitin 1914 ka qenë anëtarë i organizatës “Bosnja e re”. Si anëtar i kësaj organizate nacionaliste serbe më 23 gusht 1914, në Sarajevë të Bosnjës, merr pjesë në atentatin për vrasjen e trashëgimtarit të fronit austriak Franc Ferdinandit.

Që nga viti 1930 ka qenë asistent docent dhe profesor në fakultetin filozofik të Beogradit.
Më 7 mars 1937, në Beograd, i paraqet Klubit Kultural Serb planin në formë referati “Shpërngulja e arnautëve” (shqiptarëve) i cili u miratua nga ky institucion dhe u konsiderua si platforma, programi më i përpunuar për ç ‘kombëtarizimin, kolonizimin e serbizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.

Dr. Vaso Çubriloviç ka qenë këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore

Referati “Shpërngulja e arnautëve” origjinali i të cilit ruhet të Institutin Ushtarako-historik XI”, siç do ta lexoni në 19 faqet e tij mbyllet me shprehjen e egër…politikën tonë të kolonializmit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim konkluzione dhe të shpejtojmë derisa akoma ka kohë të korrigjohemi…

Abdurahim Ashiku, 20 tetor 2014

SHPËRNGULJA E ARNAUTËVE

Problemi i shqiptarëve në jetën tonë nacionale e shtetërore nuk është i tanishëm. Ky problem ka luajtur një rol të madh në mesjetë, por mori rëndësi vendimtare nga fundi i shekullit të 17-të, në kohën kur masat serbe u shpërngulën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Rashkës dhe në vend të tyre u vendosën malësorët shqiptarë. Ata gradualisht zbresin nga malet e tyre dhe vendosen në fushat pjellore të Metohisë dhe Kosovës dhe, duke depërtuar në veri, përhapen në drejtim të Moravës Jugore e Perëndimore, nëpërmjet maleve të Sharit zbresin në drejtim të Pollogut e prej andej në drejtim të Vardarit. Në këtë mënyrë, deri në shekullin e 19-të u krijua trekëndëshi shqiptar, i cili, duke u mbështetur në boshtin e vet Dibër-Rogozna në prapavijën e vet armike, u fut thellë deri në Nish dhe i ndau tokat tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe lugina e Vardarit.

Kjo politikë shqiptare e populluar me elementë anarshistë shqiptarë, në shekullin e 19-të pengoi çdo lidhje të fortë kulturore, arsimore dhe ekonomike midis tokave tona veriore e jugore. Kjo ishte arsyeja kryesore që Serbia vetëm më 1878, nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi të Shkupit krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë e të ketë atë ndikim kulturor e politik në Luginën e Vardarit ashtu siç pritej. Bullgarët, megjithëse më vonë e filluan jetën shtetërore se sa serbët, në fillim patën rezultate më të mira. Këtë pykë shqiptare filloi ta copëtojë Serbia qysh në kryengritjen e parë, duke i dëbuar banorët më verior shqiptar që nga Jagorina.

Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar e kishte për detyrë ta shpartallojë shteti ynë i sotshëm nga 1918 e këtej, por ai nuk e bëri këtë. Janë disa arsye për këtë, por ne po përmendim vetëm ato më të rëndësishmet:

1.- Gabimi themelor i funksionarëve kompetentë të asaj kohe, është se në Ballkanin e shqetësuar e të përgjakur, deshën që zgjidhjen e çështjeve të mëdha etnike ta arrijnë me anën e metodave perëndimore. Turqia solli në Ballkan zakone të marra nga Sheriati, sipas të cilit me fitoren e luftës dhe pushtimin e një vendi, fitoret e drejta mbi jetën dhe pasurinë ndaj shtetasve të nënshtruar. Nga ata, edhe të krishterët ballkanas mësuan se fitohet me ndeshje jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe pasuria. Më 1912 e këtej, i kanë zgjidhur ose janë në rrugën e zgjidhjes të çështjeve të pakicave nacionale me anë të shpërnguljes, ne kemi qëndruar në metoda të ngadalta e të plogëta të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj ishin negative. Rritja natyrale e shqiptarëve është më e madhe se sa numri i përgjithshëm i rritjes sonë natyrale bashkë me kolonistët (nga viti 1921 deri më 1931 shtesa e shqiptarëve ka qenë 68.060 ndërsa e serbëve 58.745 frymë, ndryshimi është 9315 në favor të shqiptarëve). Duke pasur parasysh pjellorinë, rritjen e theksuar të shqiptarëve, si dhe konditat gjithnjë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky disproporcion gjatë kohës do të bëhet gjithnjë e më i madh, dhe në fund do të vejë në pikëpyetje edhe ato pak suksese kolonizuese që kemi arritur nga 1918 e deri sot.

2.- Edhe vetë mënyra e kryerjes së kolonizimit sipas metodës së përdorur nuk u zbatua si duhet. Më e rëndësishmja është se në një problem të tillë me aq rëndësi nuk ekzistoi një plan i caktuar shtetëror, të cilit duhej ti përmbahej e zbatonte çdo regjim. Punohej copë-copë, sot për nesër, çdo ministër prishte të vjetrën, atë të paraardhësit të tij, duke mos krijuar edh ai vetë diçka solide. Ligjet e rregullat ndryshoheshin, por edhe ashtu të dobëta nuk viheshin në jetë. Disa, sidomos deputetët, po të ishin nga vise të vjetra, kur nuk mund të fitonin mandatin në krahinën e vet, shkonin poshtë në Jug dhe kërkonin mandatin nga kombësia e tyre, duke sakrifikuar kështu interesat e mëdha nacionale e shtetërore. Aparati i kolonizimit qe mjaft i shtrenjtë, i fryrë dhe i mbushur me njerëz jo vetëm të papërgatitur nga ana profesionale, por edhe shpesh mendjemëdhenj e të paaftë, kështu që puna e tyre përbënte një pikëpyetje në vetvete.

3.- Edhe ato disa mijëra familje që u vendosën nga lufta e këtej nuk zunë rrënjë në vendin ku u vendosën. Në Kosovë pati sukses më shumë, sidomos në luginën e Llapit, ku topliçanët depërtuN VETË NGA VERIU NË JUG. Këtu janë kolonitë më të vjetra të përziera me elementë nga krahina tona të ndryshme, ndërsa në Drenicë e Metohi, si krahina më të qëndrueshme, nuk patëm sukses. Asnjëherë nuk duhet bërë kolonizimi vetëm me malazezë. Jo për shkak se ata janë element i keq kolonizues, por për arsye të prirjeve të tyre prej blegtori, sepse kjo ka të bëjë vetëm me gjeneratën e parë. Gjenerata e dytë është krejt ndryshe, më aktive dhe më praktike. Fshati Petrovë në Miroç, sipër Danubit, që është i banuar vetëm me malazezë, është fshati më i përparuar në Krajinë. Dhe sot, në Serbi, mund të gjenden me mijëra familje të përparuara, veçanërisht në Toplicë e Kasanicë, që janë malazezë të gjeneratës së parë dhe u përzien me elementë përparimtarë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Metohinë, ku mbështetja direkt me vatrën e vjetër bënë të mundur ruajtjen e zakoneve e shprehive të vjetra. Pikërisht për këtë arsye ka pasur kaq pak sukses kolonizimi në gjithë Metohinë. Duhet pranuar se të gjitha kolonitë kanë qenë vendosur mjaft keq, nëpër toka kodrinore me driza dhe jo pjellore, si dhe gati krejtësisht të të pa furnizuara me mjetet më të domozdoshme bujqësore. Ndërkohë ata duheshin ndihmuar shumë më tepër, mbasi janë koloni me elementin më të varfër malazez.

4.- Padyshim, shkaku kryesor i mossuksesit të kolonizimit tonë në ato vise ishte se tokat më të mira mbetën në duart e shqiptarëve. E vetmja mënyrë e mundshme e kolonizimit tonë në masë, në ato vise, ka qenë marrja e tokave shqiptarëve. Mbas luftës, në kohën e rebelimit dhe të aksioneve të komitëve, do të dëboheshin lehtë një pjesë shqiptarësh për në Shqipëri, duke uzurpuar e shpronësuar meratë e tyre të pa ligjëruara. Përsëri detyrohemi të kthehemi këtu në gabimin trashanik të konceptit tonë të mbas luftës mbi të drejtën e posedimit të tokës. Në vend që të shfrytëzonim konceptin e vetë shqiptarëve lidhur me pronësinë e tyre mbi tokën e uzurpuar dikur, gjë që rrallëkush prej tyre ka pasur tapinë e Turqisë dhe këtë mund ta kenë pasur vetëm për tokën e blerë, neve në dëmin tonë nacional e shtetëror, jo vetëm që ligjëruam të gjitha ato uzurpime, por akoma edhe më keq, i mësuam shqiptarët me idetë e Evropës Perëndimore mbi posedimin e pronës private. Në këtë mënyrë ua dhamë vetë këtë armë në dorë, me të cilën do të mbrohen, t’i mbajnë tokat më të mira dhe të na e bëjnë të pamundur nacionalizimin në favor tonë të viseve më të rëndësishme.

Nga gjithë këto që u tha më lart del se metodat e deritanishme të politikës tonë të kolonizimit në Jug, nuk kanë dhënë ato rezultate të cilat në të vërtetë duhesh t’i arrinim dhe tani qëndron si detyrë e jonë e madhe shtetërore. Këto metoda nuk i kemi kritikuar për hir të kritikës, por që në bazë të eksperiencës të gjejmë rrugët e drejta për zgjidhjen e kësaj çështje.

PROBLEMET E KOLONIZIMIT TË KRAHINAVE JUGORE

Ky bllok shqiptarësh për rreth maleve të Sharit është i një rëndësie të madhe nacionalo-shtetërore e strategjike për shtetin tonë.

Blloku shqiptar, nga ana ushtarako-strategjike, zë një pozitë nga më të rëndësishmet në vendin tonë, vend-shpërndarja e lumenjve ballkanikë në drejtim të Adriatikut, Detit të Zi dhe Egjeut. Mbajtja e kësaj pozite strategjike vendos, në një masë të mirë, fatin e Ballkanit qendror, sidomos fatin e komunikacionit të rëndësishëm ballkanik Moravë-Vardar. Nuk jamë të rastit zhvillimi shpesh herë këtu i luftërave vendimtare për fatin e Ballkanit, prandaj është detyrë imperativë për të gjithë ne që këto pozita kaq të rëndësishme strategjike të mos i lëshojmë që të na i mbaj në duar elementi i huaj dhe armik. Aq më tepër përderisa ky element ka mbështetjen e shtetit nacional të së njëjtës gjini. Ai sot është i pafuqishëm, por edhe si i tillë është bërë bazë e imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai synon të depërtojë në zemrën e shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjeti më i sigurt është elementi ynë, i cili do të dojë e do të dijë të mbrojë pronën shtetin e vet.

Mendoj përveç këtij blloku prej 18 rrethesh, shqiptarët dhe pakicat e tjera nacionale në krahinën jugore jetojnë të shpërndarë dhe prandaj nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë nacionale e shtetërore.

Kolonizimi nga veriu duhet pakësuar në krahinat e kolonizuara me Maqedoninë. Në këto krahina edhe tokë ka pak, janë krahina pasive dhe për këtë ata janë të ndjeshëm nga prurja e kolonistëve nga Veriu. Aq më tepër në këto veprime ata shikojnë me mosbesim tek ne. Është e vërtetë se edhe ai kolonizim i pakët, më tepër dëmton se sa sjell dobi. Nëse do të dërgohen poshtë, në jug të Malit të Zi, të Shkupit duhen çuar Vranjanët, Leskoviçanët, që afrojnë me ta në mentalitete dhe kulturë dhe në asnjë mënyrë Dinarikët me temperamentin e tyre të papërmbajtur, të ashpër e të padurueshëm, mbasi tek vendasit, me elementë të tillë shkaktohen të këqija dhe gjak.

Problemi i Sanxhakut të Novi-Pazarit po zgjidhet vetvetiu dhe nuk lot më atë rol për jetën tonë shtetërore, të cilën e luajti deri më 1912. Vetëm do të përmendim që me shpërnguljen e shqiptarëve, ndërpriten lidhjet e fundit ndërmjet myslimanëve tanë në Bosnjë e të Novi-Pazarit, si dhe me botën tjetër myslimane. Fakti që ata shndërrohen në
Përmbledhje pakicë fetare, e vetmja pakicë në Ballkan, do të shpejtojë nacionalizimin e tyre.

Kohët e fundit, Mali i Zi, u bë problem mjaft i rëndë, vend i varfër dhe nuk është në gjendje të ushqejë popullsinë e vet, por me gjithë shpërnguljet, ai nga viti 1912 e deri më 1931 u shtua 16 për qind.

Përmbledhje:
Shqiptarët është e pamundur të zmbrapsen vetëm me anë të kolonizimit gradual, ky është i vetmi popull që arriti gjatë një mijëvjeçarit të fundit jo vetëm të mbahet në bërthamën e shtetit tonë, Rashkës e Zetës, por edhe të na sjellin dëme, duke shtyrë kufijtë tanë etnikë në drejtim të veriut dhe të lindjes. Ndërsa kufijtë tanë etnikë në mijëvjeçarin e fundit shtriheshin në veri deri në Suboticë; në veriperëndim deri në Kupa; shqiptarët na shtynë nga krahina e Shkodrës, kryeqytet i dikurshëm i Budinovit, nga Metohija dhe Kosova.

E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror, gjë që ne kemi qenë gjithnjë mbi ta. Qysh nga 1912 e këtej nuk kemi pasur suksese në luftë me ta. Faji për këtë është i yni, mbasi këtë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet. Për ndonjë nacionalizëm të tyre në dobi tonë as që mund të flitet, por përkundrazi duke u mbështetur tek Shqipëria, zgjohej ndjenja e tyre nacionale e në se nuk do t’i qërojmë hesapet me ta, ose ia lemë kohës, për 20-30 vjet do të kemi një irredentizëm të tmerrshëm. Gjurmët e të cilit tashmë po duken dhe në mënyrë të pa evituar do t’i vejë në pikëpyetje të gjitha posedimet tona në Jug.

PROBLEMI NDËRKOMBËTAR I KOLONIZIMIT

Por të nisemi nga pikëpamja se ngushtimi gradual i shqiptarëve me anë të kolonizimit tonë të ngadalshëm është i pa efektshëm, atëherë na mbetet e vetmja rrugë, shpërngulja në masë. Në këtë rats kemi parasysh dy shtete – Shqipërinë dhe Turqinë.

Shqipërinë me popullsi të rrallë, me moçale të shumta ende të pa thara dhe lugina shterpë të pa sistemuara, do të ishte në gjendje të pranojë disa qindra mijëra nga vendi ynë. Turqia moderne me sipërfaqe të mëdha në Azinë e Vogël dhe Kurdistan, akoma të pabanuara e të papunuara, krijojnë mundësi të pakufizuara për kolonizim të brendshëm.

Më parë theksojmë se nuk duhet të kufizohemi në përçapjet diplomatike vetëm me Ankaranë, por duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve. Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, sepse Italia do të pengojë këtë proces, por të hollat luajnë rol të madh në Tiranë.

Turqia është dakord që, fillimisht, të pranojë rreth 200 mijë të shpërngulur tonë, duke cilësuar që këta të jenë shqiptarë, e kjo është forma më e pranuar për ne. Dëshirën e Turqisë duhet ta pranojmë me të dy duart dhe ta shfrytëzojmë sa më parë Konventën për shpërngulje. Gjatë shpërnguljes duhet studiuar konventa, të cilën ajo, vitet e fundit e ka përfunduar për të tilla çështje me Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, duke pasur kujdes në dy gjëra: nga ajo të kërkohet të pranojë një kuotë sa më të madhe, ndërsa nga ana financiare i duhet edhe një ndihmë sa më e madhe, sidomos për rregullimin e çështjes së transportimit sa më të shpejtë. Padyshim që ky problem do të ngjallë sadopak shqetësime ndërkombëtare, gjë që është e paevitueshme në këto raste.

Në këtë rast tani mund e duhet punuar për përfundimin e një konvente me të për këtë problem. Në qoftë se nuk do t’ia arrijë qëllimit, atëherë të paktën të arrihet aq sa për çështjen e shpërnguljeve në Turqi të heshtin. E përsërisim se ndjeshmëria e veprimit në Tiranë dhe të hollat e përdorura në mënyrë racionale do të mund të luanin rol vendimtar në këtë çështje. Shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarësh nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore. Vetëm organet kompetente duhet të dinë se çfarë e nevojshme dhe të luftohet me këmbëngulje për realizimin e saj, duke mos u bazuar në pengesat e mundshme ndërkombëtare. Italia padyshim do të nxjerrë pengesa të shumta, por ajo sot është tepër e zënë me problemet e saj lidhur me Abisininë dhe Austrinë sa të goxojë të shkojë aq larg në kundërvënien e saj.

Me thënë të drejtën rreziku më i madh qëndron në atë që mund të përzihen në këtë çështje aleatët tonë të mëdhenj Franca dhe Anglia. Në këtë rast, atyre u duhet përgjigjur me gjakftohtësi dhe vendosmëri, sepse është në interesin e tyre sigurimi i linjës Moravë-Vardar, gjë që u pa edhe gjatë luftës së madhe të fundit dhe kjo do të jetë më e sigurt për ne dhe për ata, vetëm atëherë kur ne do të sundojmë plotësisht këto vise rreth malit të Sharit e në Kosovë.

MËNYRA E SHPËRNGULJES

Tashmë kemi theksuar se është efikase vetëm shpërngulja në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. E që të arrihet një shpërngulje në masë, si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme, e cila mund të krijohet me shumë mënyra.

I.- Dihet që masa myslimane shumë shpejt i nënshtrohet influencimit, sidomos fesë, besojnë shpejt e me fanatizëm, prandaj në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e shqiptarëve të bëjmë për vete klerin e tyre dhe njerëzit me influencë, me para ose me shtrëngim. Duhet të gjenden sa më parë agjitatorët të cilët do të propagandojnë për shpërnguljen, mirë do të ishte që të na i jepte Turqia këta. Ata duhet të përshkruajnë bukuritë e viseve të reja në Turqi, jetesën e lehtë dhe të këndshme atje, të ndezin në masë fanatizmin fetar dhe tu zgjojnë krenarinë shtetërore turke.

II.- Mjet tjetër do të ishte shtrëngimi nga aparati shtetëror. Ai duhet të shfrytëzojë ligjet deri në fund, me mënyra që ta bëjnë sa më të padurueshme qëndrimin e shqiptarëve tek ne: gjoba, burgime, aplikime të kontrabandës, prerjen e pyjeve, përvetimeve, lëshimin e qeneve në oborret e shtëpive, të detyrojnë sa më shumë njerëz të punojnë angari dhe të merret çdo masë tjetër që mund të praktikojë një polici me përvojë; masa ekonomike, mosnjohja e tapive të vjetra, në punët e kadastrës në këto vise, duhen të përfshihen menjëherë vënia e taksave të pamëshirshme, detyrimi i shlyerjes së borxheve private e publike e kullotave shtetërore e komunale, zhveshja nga koncesionet, heqja e lejeve afariste për kafene, dyqane tregtare, marrja e lejeve për monopole, pushimi nga puna shtetërore, private, vetadministruese etj.

Kjo do të shpejtojë procesin e shpërngulës; masa sanitare, zbatimi me dhunë i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpia, prishja e mureve dhe e gardheve rreth shtëpive, zbatimi rigoroz i masave veterinare gjë që do të pengojë nxjerrjen e bagëtive në treg, etj. Gjithashtu duhen aplikuar edhe masa praktike me efikasitet. Kur është fjala për fenë, shqiptarët janë shumë të ndjeshëm, prandaj edhe këtu duhet të preken. Kjo mund të arrihet me keqtrajtimin e klerikëve, me prishjen e varrezave, me ndalimin e poligamisë dhe sidomos me zbatimin e pamëshirshëm të ligjit për dërgimin e detyruar të vajzave në shkollat fillore kudo që ato ndodhen.

Edhe iniciativa private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Kolonistëve tanë, në rast nevoje, duhet tu shpërndajmë armë. Medoemos duhet lëshuar një valë malazezësh prej bjeshkëve që të shkaktojnë konflikte të gjera me shqiptarët në Metohi. Ky konflikt duhet të përgatitet nëpërmjet njerëzve të besuar, të nxitet dhe t’i jepet hov, në mënyrë që të krijohet një psikozë e vërtetë, sikur shqiptarët kanë ngritur krye dhe nga ana tjetër, krejt ngjarja duhet paraqitur me keqardhje si konflikt vëllezërish e fisesh dhe, në rast nevoje, mund t’i jepet karakter ekonomik. Në fund të fundit, mund të nxiten edhe turbullira lokale, të cilat do të shtypen në mënyrë të përgjakshme me mjetet më efikase, por jo aq me ushtri sa me kolonistë, me fise malazeze dhe me çetnikë.

III.- Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur në mënyrë shumë praktike pas vitit 1878 duke djegur ilegalisht fshatra dhe blloqe qytetesh shqiptare.

ORGANIZIMI I SHPËRNGULJEVE

Në hartën e bashkangjitur shihet se cilët rrethe duhet të shpërngulen.
Këto janë: Dibra e Sipërme, Pollogu i Poshtëm, Pollogu i Sipërm, Mali i Sharit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterna, Stavica, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Gjakova, Podgori, Gora, Podrimja, Gjilani dhe Kaçaniku.

Nga këto rrethe që së bashku përbëjnë pykën shqiptare për ne, aktualisht, më të rëndësishëm janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora (Dragashi), Shari, Podgori, Istogu dhe Drenica – në Veri të malit të Sharit. Këto janë rrethe kufitare dhe duhen shpërngulur me çdo kusht. Rrethet në thellësi si i Kaçanikut, Gjilanit, Nerodimës, Graçanicçs, Llapit, Vuçiternës, etj. mundësisht duhen dobësuar, sidomos ai i Kaçanikut, Vuçiternës dhe i Llapit, ndërsa të tjerët duhen kolonizuar gradualisht e sistematikisht dhe kjo duhet të realizohet gjatë dhjetëvjeçarit.

Gjatë shpërnguljeve të para duhen pasur parasysh këto gjëra:
Në radhë të parë të kihet parasysh shpërngulja e fshatrave dhe mandej e qyteteve. Fshatrat janë më kompaktë, prandaj paraqesin rrezik. Nuk duhen shpërngulur vetëm të varfrit, por edhe njerëzit e mesëm dhe të pasur, të cilët përbëjnë kolonën vertebrale tek çdo popull. Të varfrit duke qenë pa mbështetje ekonomike nga bashkatdhetarët përulen shpejt. Kjo është një çështje me shumë rëndësi dhe këtë e theksoj me qëllim, mbasi është nga shkaqet kryesore për mossuksesin sa duhet të kolonizimit tonë në Jug, sepse i shpërngulëm të varfrit, kurse të pasurit mbetën dhe kështu qëndrojmë në të njëjtën gjendje, ku si rezultat, shumë pak sipërfaqe toke u përfitua për vendosjen e kolonistëve tanë. Gjatë përgatitjes së psikozës për shpërngulje, duhet bërë çmos që të largohen fshatra të tëra, në fund të fundit familje të tëra.

Me çdo kusht duhet pasur parasysh që të mos mbeten këtu pjesë familjesh të shpërngulura. Shteti ynë nuk duhet të shpenzojë miliona për tua lehtësuar jetën shqiptarëve, por për ti hequr qafe sa të jetë e mundur më parë. Për këtë duhet penguar patjetër blerja e pasurisë së shqiptarëve që shpërngulen nga ata që mbeten tek ne. Bashkë me këtë duhet kombinuar shpërngulja e individëve dhe e fshatrave të tërë, në qoftë se dëshirojmë të kemi lehtësira gjatë procesit të shpërnguljes.

Sapo të bien dakord për tu shpërngulur, duhet tu jepet ndihmë e gjithanshme. Tu paguhet menjëherë pasuria dhe të shpëngulen nga ana administrative, dokumentet e udhëtimit tu jepen pa asnjë formalitet, të ndihmohen për të shkuar deri në stacionin e parë hekurudhor, duke iu vënë në dispozicion trena deri në Selanik dhe prej aty të çohen menjëherë në vapor për në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi të jetë i rehatshëm dhe pa shpenzime. Udhëtimin me tren mundësisht ta bëjnë pa pagesë, njëkohësisht të ndihmohen edhe me ushqime, mbase nga kjo varet shpërngulja në masë apo jo. Frika e vështirësive për udhëtim është pengesë kryesore e lëvizjeve të tyre.

Për këtë arsye është e domosdoshme të evitohen vështirësitë, duke i zgjidhur shpejt e në mënyrë energjike punët rreth udhëtimit të tyre. Duhet pasur kujdes që ata të kenë sa më pak telashe rreth udhëtimit, mbasi njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi, prandaj është e nevojshme, tu mësohet sistemi i transportit të punëtorëve nëpërmjet agjencive të mëdha dhe ato të përdoren. I shpërnguluri duhet të kalojë nga dora në dorë, duke mos e ndjerë peshën e kësaj lëvizje. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet lumi i shqiptarëve të shpërngulur i cili do të boshatisë Jugun tonë nga shqiptarët.

POPULLARIZIMI I KRAHINAVE TË SHPËRNGULURA

Problemi i vendosjes së kolonëve në vendet e boshatisura, nuk është më i vogël nga largimi i shqiptarëve.

Pyetja e parë që shtrohet është: Cilët duhen vendosur atje?. Më e natyrshme është që atje të vendoset elementi ynë nga krahinat pasive, në radhë të parë malazes, hercegovinas, liçanas dhe kraishnicas. Malazezët janë më të përshtatshëm për shumë arsye, mbasi Metohia, Drenica dhe Kosova janë vendet më të natyrshme, ku vërshojnë nga malet e tyre të varfra. Shtimi i popullsisë në Mal të Zi ka sjellë varfri, gjë që kohët e fundit ka shkaktuar lëvizje të vazhdueshme docialo-politike, jo të favorshme për pushtetin tonë shtetëror dhe mjaft të rrezikshme për sa i përket rendit e qetësisë në të ardhme. Nuk na intereson që atyre tu japim misër e pensione, për këtë e vetmja zgjidhje është çuarja e tyre në krahinat pjellore të Metohisë, Drenicës e Kosovës, sepse afrohen më mentalitet e temperament me shqiptarët.

Malazezët janë arma më e përshtatshme për mposhtjen dhe largimin e Shqiptarëve. Në radhë të parë ata duhen përdorë në viset shqiptare në veri të malit të Sharit, por krahas tyre duhen kolonizuar edhe me një sasi liçanas, krashnicas, serbësh, çaçakas, uzhiçanash dhe topliçanas. Kjo është e nevojshme për të krijuar tek ata shprehitë e punës dhe të organizimit, për të thyer psikologjinë e tyre nomade-kolektive prej malësorësh, me qëllim që të neutralizojmë këtë psikologji me anë të përzierjes dhe martesave nga vise të ndryshme dinarike, kështu do të arrihet të krijohet një tip i ri malazezi më pak lokal dhe më tepër i ngjashëm me serbët.

Kurbetlive serbojugorë, në jug të malit të Sharit, duhet tu krijohen kondita të përshtatshme, me qëllim që të arrijnë të fusin në dorë toka pjellore. Ky do të jetë një kontingjent i ndershëm e punëtor, i cili do t’i jetë për tërë jetën mirënjohës këtij shteti, në rast se do t’i krijohen kushte të këndshme për jetën në fshat. Përgjithësisht fshati i serbëve të jugut ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë kujdes e preokupacion se sa po i kushtojmë sot. Kolonizimi me anë të këtyre varfanjakëve në Pollog (të Epërm e të Poshtëm) e në Dibër, si dhe dhënia e kullotave këtyre në vend të shqiptarëve, do të bëjë që të kuptohet se ky shtet është i tyre, si dhe do të dinë t’i mbrojnë kufijtë me gjak.

Pranë tyre, në jug të malit Shar dhe të Malit të Zi të Shkupit mund të kolonizohet me vranjanët, leskovçanët, pirotasit dhe vllastiçanët, , sidomos ata të fshatrave malore pasive. E përsërisim edhe njëherë se dinarikët nuk duhen lejuar në jug të Malit të Zi të Shkupit e të malit të Sharit.

Kryesore – dhënia e menjëhershme e tapive…

Gjatë kolonizimit të fshatrave të lëna nga shqiptarët, duhet evituar avashllëku burokratik e cikrimtar. Kryesore në radhë të parë është dhënie e menjëhershme e tapive kolonistëve për pronat ku do të vendosen, sepse një nga shkaqet kryesor të mossuksesit të kolonizimit tonë të sotshëm ka qenë ai, se kolonisti nuk e ka ndie veten të sigurt në pronën ku është vendosur, mbasi nuk i është dhënë tapia menjëherë dhe kështu ishte i ekspozuar para batakçillëqeve të shumta të nëpunësve dhe politikanëve të pandërgjegjshëm. Fshatari e ndjen veten të sigurt në pronën që posedon vetëm atëherë kur e din se askush nuk mund ta lëvizë nga ajo, prandaj duhet ti jepet menjëherë kjo garanci. Por, në të njëjtën kohë, paraqet rrezikshmëri edhe dhënia kolonistit e të drejtave e të drejtave të plota mbi zotërimin e pronës.

Në parim pronat e kolonistëve, në radhë të parë kanë misionin e tyre shtetëror e nacional dhe ai që i merr duhet të kryej këtë mision, prandaj ai nuk mund ta posedojë në mënyrë të pakufizuar këtë pasuri, mbasi midis tyre ka shumë njerëz të ndryshëm si proletar të fshatit që e kanë humbur ndjenjën për tokën ose blegtorinë, të cilëve u duhet bërë shprehi ekonomia fushore, kështu që me forcën e ligjës duhet të lidhen mbas tokës. Kjo me qëllim që të ambientohen dhe ta duan krahinën dhe vatrën e tyre, e në rast se nuk ia arrijnë ata, atëherë të paktën fëmijët e tyre. Për këtë, jo më pak se për 30 vjet, duhet tu ndalohet me ligj kolonistëve zotërimi i plotë mbi tokën, edhe pse u jepen menjëherë tapitë si posedues të saj.

Tek ne gruaja nuk gëzon të drejtën e trashëgimisë mbi tokën, prandaj për të evituar copëzimin e tokave dhe posedimet e vogla, duhen përjashtuar gratë nga trashëgimia e tokës së kolonizuar, përveç rasteve kur kolonisti nuk ka fëmijë meshkuj dhe mendon të sjellë dhëndrin në shtëpi. Posedimet që u janë dhënë kolonistëve deri tani kanë qenë të vogla. Duke marrë parasysh mënyrën ekstensive të punimit të tokës, rënien e çmimeve të prodhimeve bujqësore, si dhe përbërjen e madhe (patriarkale) të familjeve koloniste, ekonomia prej 5-10 hektarësh nuk u siguron kolonistëve kushte për zhvillim dhe jetës të mirë.

Është më mirë që në një krahinë të vendoset një numër më i vogël kolonistësh me kushte më të mira zhvillimi, se sa një numër i madh me gjendje gjysmë proletare fshati. Është ky edhe një nga shkaqet e mossuksesit të deritanishëm të kolonizimit në Jug e në Veri.
Rrallë ndonjë popull ka një element adapt për kolonizim në kushte kaq të vështira, siç e kemi ne. Edhe këto pak suksese që kemi në kolonizim u arritën nëpërmjet të këtyre cilësive kolonizuese të racës sonë. Vetëm fshatari ynë, i përplasur me prozhme e në toka djerrë, nga një ambient në tjetrin, qe në gjendje që të jetojë në rrethana aq të vështira. E çfarë s’do të bënte ai, në rast se shteti do t’i jepte ato që kishte për detyrë t’ia jepte.

Plani i Knjaz Nikollës për kolonizimin e trojeve shqiptare

Më 10 shkurt 1865, qeveria e Knjaz Mihajllos nxori ligjin “Mbi kolonizimin e të huajve në Serbi”. Sipas tij, qeveria serbe u jepte kolonistëve të varfër të krahinave përqark 3 jutra (Një jutër baras me 6 dynymë) tokë të punueshme dhe 3 jutra të pa punueshme, shtëpinë, dy qe, një qerre, dy dhi ose dele, një dosë, mjetet e nevojshme për punë dhe 120 grosh para në dorë. Përveç këtyre, vetëkuptohet,, edhe misër deri në korrjen e parë. Në çdo dy familje jepej një plug. Pasuria e tundshme dhe e patundshme u jepej kolonistëve për shfrytëzim pa të drejtë shitjeje për 15 vjet. Mbas këtij afati bëhej zotërimi i i plotë i tyre mbi pronën.

Kolonistët për pesë vjet përjashtoheshin nga të gjitha llojet e taksave ndaj shtetit, për dhjetë vjet nuk i nënshtroheshin detyrimin ushtarak të ushtrisë së rregullt dhe për 5 vjet ushtrisë popullore. Jehona qe e tillë, sa për disa muaj u plotësuan të gjitha vendet e boshatisura nga shqiptarët me kolonistë të ardhur nga të gjitha anët, aq tepër u kolonizua sa një gjë të tillë ne nuk mundëm ta bëjmë për disa vjet mbas luftës. Po t’ua vente shteti këto favorizime kolonistëve pas 1918-tës, ndryshe do të qëndronin sot me kolonizimin si në Vojvodinë, ashtu edhe në Sebinë Jugore. Kështu duhet vepruar në të ardhmen, në qoftë se dëshirojmë të kemi sukses.

Vetëm duke ndjekur këtë shembull dhe duke ditur se çfarë kërkohet, duke mos u kursyer as me gjak e as me para, shteti ynë do të mundë të krijojë nga Kosova e Metohija një Toplicë të Re.

Pra, kolonistëve u duhen siguruar të gjitha kushtet e jetesës për disa vjet, në se dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pa mëshirë duhet të shuajmë çdo spekulim që bëhet me shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruaj për vete të drejtën e pakufizuar të disponimit të pasurisë së tundshme e të patundshme të të shpërngulurve dhe menjëherë pas largimit të tyre, të vendosë aty kolonistët e vet. Kjo duhet bërë me qëllim mbasi rrallë ka ndodhë që të shpërngulet tërë fshati me njëherësh. Në këto fshatra duhet në radhë të parë të vendosen malazezë si njerëz arrogantë të papërmbajtur dhe të paarsyeshëm, të cilët me sjelljet e tyre do ti detyrojnë shqiptarët e ngelur që të shpërngulen e mandej të sillen në këto vende kolonistë nga vise të tjera.

Jo më pak i rëndësishëm për ne ështëproblemi i Vojvodinës, sidomos trekëndëshi hungarez në Baçka, Senta Kulla, Baçka-Topalla. Të shkatërrosh atë në Vojvodinë, do të thotë është njësoj sikur të shkatërrosh bllokun shqiptar rreth malit të Sharit. Këta punëtorë dhe posedues të vegjël hungarezë, bile edhe gjermanë, duhen çuar pjesërisht në Jug, mbasi në Baçka, në kufi me Hungarinë, ata paraqesin rrezik, aq më tepër kur serbët në Baçka përbëjnë vetëm 25 për qind të popullsisë. E po të vendosen në Serbinë Jugore, duke ruajtur pronat e tyre nga Shqipëria, do të shndërrohen në posedues të mirë, do të shkrihen me masën tonë dhe ajo që ka më tepër rëndësi, janë më të ngritur se sa tonët nga pikëpamja kulturore dhe do të shërbejnë si shembull në punimin e përparuar të tokës.

TENIKA E KOLONIZIMIT

E një rëndësie të veçantë Për zgjidhjen e çështjes së polemizuar, është ekzistenca e një aparati i cili do të drejtojë të gjitha punët. Si rezultat i punës së keqe të aparatit të deritanishëm të politikës sonë të kolonizimit, qëndron një pjesë e mirë e mossukseseve tona të deritanishme,. E që kjo në të ardhmen duhen bërë riorganizime.

Asnjë çështje nuk kërkon aq vazhdimësi e kujdes për tu vënë në jetë se sa kolonizimi. Ne kemi theksuar se një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë në Jug dhe në Veri, është puna jo sistematike e drejtimit dhe ndryshimi i politikës sipas ndërrimit të qeverive.

Kolonizimi t’i besohet Shtabit të Përgjithshëm…

Që të evitohet kjo në të ardhmen kolonizimit i duhet besuar Shtabit të Përgjithshëm. Sa sepse: Thjesht për arsye mbrojtëse. Ushtria jonë është e interesuar që në kufijtë, sidomos në sektorët delikatë, të vendosë elementin e vet. Për këtë, ajo do të bëjë çmos që të sigurojë kufijtë me një kolonizim sa më të fortë. Shtabi i Përgjithshëm si institucion primar i mbrojtjes së interesave nacionale, mund t’i japë shumë gjithë politikës sonë të kolonizimit. Shtabi i Përgjithshëm do të dijë më së miri të mbrojë zbatimin e kolonizimit nga ndërhyrjet private, të mbrojë politikën e kolonizimit nga interesaxhinj të organizuar dhe nga influenca e jashtme, duke vënë kështu në jetë politikën e drejtë të kolonizimit tonë. Ka rëndësi edhe fakti se si do ta ketë më lehtë për t’i bindur institucionet përgjegjëse për rëndësinë e çështjes dhe për t’i çuar në marrjen e vendimeve efikase. Edhe Skupshtina Popullore do t’i besojë më shumë atij dhe do t’i japë kreditë e nevojshme.

Këshill Shtetëror për kolonizimin

Në krye të Inspektoratit të Kolonizimit do të qëndronte Inspektori i Përgjithshëm, i emruar me dekret, me propozim të Ministrit, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit: E gjithë puna Tërë kompleksin e punës, Shtabi i Përgjithshëm, do të mund ta drejtonte nëpërmjet një Këshilli Shtetëror për kolonizimin. Ky këshill do të ishte krejtësisht autonom, duke qenë drejtpërdrejt nën urdhrat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe do të kishte nën pushtetin e vet të gjithë organizmat e kolonizimit tonë. Në këtë Këshill duhet të hyjnë përfaqësues të disa ministrive të interesuara, të shoqërive nacionale, organizatave teknike dhe të institucioneve shkencore.

Gabimi më i madh i politikës sonë të kolonizimit qëndron në faktin që, fjalën kryesore në të e kishte burokracia e pa specializuar, e cila i zgjidhte çështjet të copëzuara e pa u thelluar në to. Le të kujtojmë vetëm kolonizimin e optimasit tonë nga Hungaria në Ovçe Pole me kadrifikovet ose emigrantët nga Istra dhe Gorica të vendosura rreth Demir-Kapisë. Për këtë është e nevojshme lidhja organike në politikën tonë të kolonizimit ndërmjet pushtetit shtetëror, iniciativat private dhe institucioneve shkencore. Iniciativat private mund të veprojnë në shumë drejtime si p.sh:

“Mbrojtja Popullore” – (Ushtri civile e ngritur nga shteti)
“Sokollashat” – (Organizatë terroriste civile serbe e padeklaruar, e organizuar, armatosur e udhëhequr nga shteti për kundër shqiptarëve. Këta vepronin gjysmë ilegalisht, duke bastisur fshatrat shqiptare natën, duke djegur dhe duke vrarë)
“Çetnikët” – Çeta kriminelësh civilë të armatosur nga shteti të destinuar për krime të vazhdueshme të shumëta që lindin gjatë procesit të kolonizimit tonë.
Edhe shoqatat kulturore si “Prosfeta” (aesimi) në Sarajevë, “Matica Srpska” (shoqata letrare serbe) në Novi Sad, shoqata “Sv.Sava” (Shën Sava) në Beograd etj kanë gjithashtu detyrat e tyre lidhur me këtë çështje.

Krijimi i Institutit të Kolonizimit…

Padyshim në institucionet tona të larta shkencore kanë nisur të humbasin prestigjin që kanë pasur dikur. Shkaku për këtë është se Universiteti dhe Akademia e Shkencave, gjithnjë e më shumë largohen nga jeta reale dhe po lënë pas dore detyrën kryesore që ata kanë në një vend relativisht të prapambetur, siç është vendi ynë: hapja e shtigjeve për aplikimin e arritjeve shkencore të shekullit XX. Shumë miliarda do të kurseheshin në këtë vend, shumë gabime do të evitoheshin në politikën tonë shtetërore, si dhe në atë të kolonizimit po qe se më parë problemet do të studioheshin seriozisht dhe objektivisht nga punonjësit shkencorë të interesuar para se ata ti nënshtroheshin zgjidhjes. Edhe në politikën tonë të kolonizimit do të fitohej më shumë seriozitet, kontinuitet në punë dhe efikasitet në vënien në jetë, po të ishin marrë më parë mendimet e specialistëve dhe të punonjësve shkencorë.

Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave dhe Universiteti i Beogradit, më të interesuarit, të ndërmarrin iniciativën për një organizim shkencor të punës së kolonizimit tek ne. Kjo do të ishte e mundshme për shumë arsye. Në universitetet kemi specialistë për çdo çështje që lidhet me kolonizimin. Pedagogët e universitetit dhe akademikët janë punonjës shkencorë të pavarur, që i nënshtrohen më pak influencës së politikës së jashtme. Ata, tashmë kanë një eksperiencë të mirë për të tilla punë dhe njohuritë e tyre shkencore janë garanci objektive, prandaj ata duhet të marrin iniciativën për të krijuar një Institut Kolonizimi, detyra e të cilit do të ishte marrja me studimin e kolonizimit. Pushteti shtetëror nga ana e tij, do të veçojë nga disa ministri dhe nga të gjitha institucionet që janë marrë deri tani me këtë çështje organizma dhe do të krijojë një institucion të veçantë, “Inspektoratin e kolonizimit”.

Në krye të Inspektoratit të Kolonizimit do të qëndronte Inspektori i Përgjithshëm, i emruar me dekret, me propozim të Ministrit, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit. E gjithë puna në Institutin për Kolonizim, si dhe në Inspektoratin për Kolonizim do të vihesh në jetë me udhëzime dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit Shtetëror, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm do të varej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Instituti për Kolonizim do të ndahej në seksione:
1. Seksioni i Organizimit.
2. Seksioni i Arsimit dhe i Kulturës
3. Seksioni i Financës
4. Seksioni i Bujqësisë
5. Seksioni i Ndërtimit
6. Seksioni i Higjienës…etj.

Seksionet në marrëveshje me shoqatat dhe institucionet tekniko-shkencore, si edhe me shoqëritë kombëtare, do të studiojnë probleme të kolonizimit, formulojnë direktiva etj. duke i dhënë kështu politikës sonë të kolonizimit një material me vlerë, të përpunuar dhe shkencor për të marrë vendime. Në krye të këtij Instituti do të vihen njerëz nga Këshilli Shtetëror, të përbërë nga përfaqësues të Ministrive përkatëse, përfaqësues të Universitetit, të Akademisë së Shkencave dhe të atyre organizatave private, nacionale dhe arsimore-kulturore, të cilat do të zgjidhen ose emërohen në këtë Këshill. Në këtë rast do të kihet kujdes që të mos sillen njerëz dosido, por njerëz që kanë njohuri dhe pasion për këtë punë të madhe.

Drejtuesit dhe nëpunësit e Institutit të zgjidhen me konkurs. Instituti do t’i servirë Inspektoratit për Kolonizim, materiale të përpunuara shkencërisht për zbatimin e politikës së kolonizimit. Në rast mosmarrëveshjesh në mendime midis Inspektoratit për Kolonizim dhe Institutit në fjalë, për ndonjë çështje themelore, fjalën vendimtare e jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Inspektorati për kolonizim, duhet të ketë organet e tij ekzekutive në teren, të zgjedhur këta nga njerëz të frymëzuar e të gatshëm për këtë punë, pavarësisht në se janë apo jo në punë shtetërore. Prandaj, mundësisht këta duhen zgjedhur me konkurse dhe të emërohen me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa të komprometuarit dhe njerëzit e paaftë, të hiqen. Gjatë punës, Inspektoriati dhe organet e tij, duhet t’i evitojnë gjithnjë e më tepër formalitetet burokratike, duke pasur parasysh vetëm një gjë: shpërnguljen sa më parë të shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë menjëherë.

Aparati policor do të luaj një rol mjaft të rëndësishëm në këtë çështje. Për këtë është e nevojshme të zgjidhen nëpunës nga më energjikët e të ndershëm dhe të dërgohen atje. Transferimi i tyre duhet të bëhet me pëlqimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe për një punë kaq të vështirë duhen shpërblyer nga kreditë sekrete. Duhen marrë masa të rrepta kundër cilitdo prej tyre që bën edhe lëshimin më të vogël lidhur me zbatimin e rregullave. Për të gjithë territorin e përmendur prej 18 rrethesh, duhet emëruar komisar i posaçëm, i cili do të zbatonte urdhrat e inspektorit shtetëror për kolonizimin. Kryetarëve të rretheve u duhet dhënë plotfuqishmëri të veçanta dhe instruksionet përkatëse për këtë çështje. Partive tona politike u duhet thënë në mënyrë të prerë se u ndalohet kategorikisht mbështetja për rivalitet në zgjedhje në këto rrethe dhe se u ndalohet deputetëve çdo ndërhyrje në favor të shqiptarëve.

Vetë teknikën organizative të shpërnguljes të shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë, do ta përpunojë Instituti Shtetëror dhe dhe Inspektorati për Kolonizim. Ndoshta nuk do të ishte keq, që përveç këtyre dy institucioneve shtetërore, të krijohet edhe një organizatë private, e cila do të mbështetej nga shoqatat ekzistuese dhe do të kishte për detyrë që me vetë iniciativat private të ndihmonin në zbatimin e politikës sonë të kolonizimit. Më mirë do të ishte sikur këtë punë ta merrte përsipër Lidhja e shoqërive tona kulturore-arsimore. Ajo do të interesohej për koordinimin e punës së shoqërive private me punën shtetërore të kolonizimit dhe do të shërbente si ndërlidhëse midis tyre dhe Institutit për Kolonizim.

MJETET FINANCIARE

Sa herë që është kritikuar politika jonë e kolonizimit për mossuksese, mbrojtësit e saj gjithnjë janë ankuar për mjetet e pakta financiare që ka vënë shteti në dispozicion për këtë punë. Nuk e mohojmë se nuk është kështu deri në një farë mase, por duhet pranuar se më tepër është shpenzuar për mbajtjen e këtij aparati dhe për një punë jo racionale, se sa për vetë kolonizimin. Megjithatë, në rast se shteti nuk ka dhënë aq sa duhet të jepte, duhet kuptuar se çdo shtet ka interesat e tij primare dhe sekondare. Në interesat primare futet, padyshim, edhe detyra e shtetit që të sigurojë vetveten në krahinat e pasigurta nacionale, të kolonizuara me elementët e vet. Para kësaj detyre dhe këtij preokupacioni, bien poshtë të gjitha angazhimet tjera. Për këtë problem, të hollat, mund e duhet të gjenden. Po Jugosllavia jonë e sotme, mos vallë nuk është në gjendje të bëjë një sakrificë të tillë? Po, ajo mundet e duhet ta bëjë këtë. Pra nuk është e vërtetë që ajo nuk ka mjete për këtë. Para së gjithash le të përllogarisim aproksimakisht se sa do t’i kushtonte shtetit tonë shpërngulja e 200.000 shqiptarëve dhe vendosja e një numri po aq të madh kolonistësh tanë.
Shpërngulja e 40.000 familjeve shqiptare, duke e llogaritur mesatarisht një familje prej 5 anëtarësh dhe shpennzimet prej 15.000 dinarë për çdo familje, do të kushtonte në maksimum 600.000.000 dinarë. Shpenzimet e kolonizimit për vendosjen e 40.000 familjeve tona mund të arrijnë në maksimum 200.000.000 dinarë. Për gjithë këtë punë, në asnjë rast, nuk do të shpenzohen më tepër se 800.000.000 dinarë, dhe ja sepse:
1.- Shqiptarët e shpërngulur do të lenë jo vetëm tokën, por edhe shtëpinë dhe veglat e punës. Kështu, jo vetëm që do të mund të vendoset pjesa më e madhe e kolonistëve tanë në shtëpitë e shqiptarëve por me një ndihmë sadopak të vogël në bagëti dhe ushqime, këta do ta marrin veten nga ana ekonomike dhe do të bëhen të pavarur. Për këtë, edhe këtu po nënvizojmë se nuk duhet lejuar në asnjëmënyrë spekulimi privat me pasuritë e lëna nga shqiptarët, ato duhet t’i marrë shteti në fillim dhe pastaj t’ua japë kolonistëve.
2.- Gjatë krijimit të kolonive të reja, atje ku e lyp nevoja, duhet të përdoret forca ushtarake, ashtu siç ka qenë përdorë gjatë ndërtimit të Sremska Raqes dhe të rindërtimit të fshatrave të shkatërruara nga tërmeti në vitin 1931 në Jug. Për një punë të tillë, t’i jepet ushtrisë e drejta dhe mundësia, që me thirrjen e rezervistëve në stërvitje ose në zgjatjen e afatit të shërbimit ushtarak, të krijojë një lloj shërbimi të detyrueshëm pune për qëllime publike. Do të ishte mirë që në këto detyra të ngarkonin rininë tonë të profilizuar mbas mbarimit të universitetit, Atëherë, duke punuar në një punë konstruktive në interes të përgjithshëm, shumë prej tyre do të bëheshin të ndërgjegjshëm dhe më realisht do t’i shikonin gjërat. Kjo do të arrihej më së miri, kur të rinjtë të porsa ardhur nga universiteti, tu vihej si kusht, që për të filluar punën shtetërore, më parë duhet të kalojnë një kohë të caktuar në punët e kolonizimit tonë. Me këtë do të ngushtohej edhe papunësia e inteligjencës sonë të re e cila gjithnjë e më tepër po bëhet një problem social i vështirë tek ne.
3:- Në marrëveshje me organizatat dhe shoqëritë e specializuara duhen kërkuar rrugët më pak të kushtueshme për hapjen e tokave nga shkurret, vaditjen, tharjen e moçaleve etj. si dhe për ndërtimin e shtëpive: Ndërmarrjet private duhen vënë në dijeni, se gjatë grumbullimit të materialeve të nevojshme, shteti i ndihmon ato me doganime, në tarifa hekururdhore, kredira e mjete të tjera, dhe se shteti nga ana e tij, ka të drejtë të kërkojë prej tyre, që për një punë kaq të rëndësishme, të furnizojnë me materiale me çmim sa më të ulët. Çështja e furnizimit me materiale duhet bërë me anë kartelimesh e pastaj, shteti, në marrëveshje me to, do të caktojë sasinë, kualitetin dhe çmimin e materialeve pa pazarllëqe fiktive. Ndërmarrjet shtetërore, hekurudhat dhe sidomos ndërmarrjet pyjore, si SHIPAD etj. duhet të vihen plotësisht në dispozicion të Këshillit Shtetëror për kolonizimin.
4:- Gjatë kolonizimit, shteti, mund tu japë kolonistëve prona me krediose me para në dorë. Do të ketë mjaft nga ata që do të blejnë toka në vise të reja dhe që do t’i shesin pronat e tyre në vendlindje. Nga kjo, shteti do të marrë një pjesë të mirë të parave që u ka dhënë. Theksojmë se, toka mund t’i shitet vetëm atij që vendoset përfundimisht në të dhe që garanton se do ta punojë atë. Toka e dhënë me kredi nuk duhet të jetë e shtrenjtë, kamata duhet të jetë minimale, koha e shlyerjes së kredisë duhet të fillojë disa vjet mbas vendosjes së kolonialistit, d.m.th. kur të jetë fuqizuar ai nga ana ekonomike.
Duke marrë këtë si bazë, shteti mund të gjejë mjete nga dy burime:
Të gjithë shpenzimet për administrimin e kësaj pune, shteti, duhet t’i marrë përsipër e t’i mbulojë ato me të ardhurat e tij të zakonshme, duke çliruar fonde të panevojshme dhe jo të ngutshme nga sfera të tjera.
Burimi tjetër financiar do të jetë huaja, të cilën do ta japin bankat shtetërore vetë ose bashkërisht me kapitalin tonë privat nëpërmjet të një huaje të brendshme të detyruar. Si mbështetje e kësaj do të shërbejnë detyrimet e dhëna nga shteti, si dhe të ardhurat e kolonistëve, kur ata të bëhen të pavarur.
Të marra së bashku, shumë prej disa qindra miliona dinarësh, nuk është ndonjë shpenzim i madh për shtetin, në krahasim me përfitimet që ai do të ketë në fakt. Sigurimi i pikave tona më nevralgjike në Jug, me vendosjen e elementit tonë nacional, ne, kursejmë në rast lufte disa divizione. Duke vendosur disa dhjetëra mijë familje si kolonistë nga krahinat tona pasive, sidomos nga Mali i Zi, lehtësohet kriza e rëndë ekonomike në ato vise dhe nga ana tjetër, si rezultat i punës së madhe që do të hapet gjatë kolonizimit, do të bëjë të mundur vendosjen në punë të 10 mijë punëtorëve, duke i dhënë kështu një nxitje ekonomisë tonë.
Për një detyrë të tillë nacionale, strategjike-ushtarake dhe ekonomike, shteti e ka për detyrë dhe duhet të sakrifikojë disa qindra milionë dinarë. Në një kohë kur është në gjendje të shpenzojë miliarda dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga Subotica deri në Caribrod, nga e cila, ndoshta, vetëm në një të ardhme të largët do të kemi përfitime reale, ai mund e duhet të gjejë disa qindra milionë dinarë. Që do të na kthejnë përsëri në djepin e shtetit tonë.

K O N K L U Z I O N

Duke marrë parasysh të gjitha sa u thanë më sipër, nuk është e rastit që gjatë shqyrtimit të çështjes së kolonizimit në Jug, nisemi nga pikëpamja se mënyra e vetme më efikase e zgjidhjes së këtij problemi, është shpërngulja e shqiptarëve në masë. Kolonizimi i shkallëzuar, ashtu si dhe në vende të tjera, nuk ka pasur sukses tek ne. Kur pushteti shtetëror dëshiron të ndërhyjë në interes të elementi të vet, në luftë për tokën, mund të ketë sukses vetëm se vepron brutalisht.

Përndryshe, vendasi i rrënjosur në vendlindjen e tij dhe i aklimatizuar, është gjithnjë më i fortë se kolonisti. Kjo, në rastin tonë, duhet pasur sa më parë parasysh, se kemi të bëjmë me racë të varfër, me rrënjë dhe pjellore, për të pat thënë i ndjeri Cviviq, se është më ekspansivja në Ballkan. Kështu më 1918, Polonia, e mori përsëri Poznanin e vet. Statistikat tona të viteve 1921-1931, të cilat tashmë i kemi përmendur, tregojnë se edhe politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim konkluzione dhe të shpejtojmë deri sa akoma ka kohë që të korrigjohemi.

E gjithë Evropa ndodhet në një gjendje kaotike. Ne nuk dimë se ç’na sjell dita e nata. Nacionalizmi shqiptar edhe në viset tona po rritet. Ta lesh gjendjen kështu siç është, do të thotë, të lejosh që në rast të një konflikti botëror ose të ndonjë revolucioni social, që në një të ardhme janë të mundur edhe njeri edhe tjetri, do të thotë të vesh në pikëpyetje të gjitha posedimet tona në Jug. Pra, qëllimi i këtij referati është që të evitohet kjo.