Shkuar 6 vite më parë…
Po e përcjell në frymë të fjalës së kryeministrit sot, premtimit se do ti shkulë nga rrënjët gjithçka që është ndërtuar pa leje, që shkatërron mjedisin dhe prish ato bukuri që natyra ia ka dhënë Shqipërisë me bollëk.
Në mbyllje të shkrimit shënoja:
Por unë jam skeptik për bregdetin. Detit i janë marrë jo një pëllëmbë, as edhe një pashë…
Kam frikë se deti, me atë që i është bërë dhe me atë që do të bëhet do të na përgjigjet një ditë jo me pashë por me milje…
Mbase këtë herë kryeministri e ka me gjithë mend…
Mbase këtë verë do shohë se “Çibanët e Malit të Robit” janë shkulë…
Mbase…
Skeptik vazhdoj të jem…
Abdurahim Ashiku
14 maj 2021
Populli thotë se po i more detit një pëllëmbë ai të merr një pashë. Këtë aksiomë të marrëdhënieve të njeriut me detin, lumin, me natyrën populli e ka zgjidhur duke iu bë krah natyrës. Për tu mbrojtur nga dallgët e detit, nga vërshimet e lumit, nga shfryrjet e përrenjve, ai ka mbjellë pisha, plepa, shelgje, fara e fidanë pyjorë nga fondi i madh i natyrës. Pishat e plazhit të Malit të Robit thonë se janë mbjellë në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar me punë vullnetare…
Ditë më parë, në rrjetet sociale dhe në dritaret e vogla të televizioneve kombëtarë, sinjali i të cilëve nëpërmjet satelitit shkon në shtëpitë e shqiptarëve edhe në anën tjetër të botës, pashë në sinkron, me zë dhe figurë dy ministra të “Rilindjes” zotërinjtë Koka dhe Ahmetaj të veshur “me të bardha”, midis vullnetarëve të pastrimit të plazhit të Golemit…
Pamja më ktheu më se tri dekada më parë kur telekronisti i qytetit tonë e përqendronte fokusin mbi sekretarin e parë dhe kryetarin e komitetit në “aksionet me goditje të përqendruar”…
Bëra një shënim mbi fotoreportazhin e përcjellë në facebook. I ftova të shkojnë pak më tej bregut të detit, pesëqind apo më shumë metra më tej, për të “mbledhur” gurët dhe mbeturinat e betonit të hedhura në det në linjë lineare nga pronarë hotelesh e lokalesh të cilëve u rrezikohej biznesi nga deti.
Populli thotë se po i more detit një pëllëmbë ai të merr një pashë. Këtë aksiomë të marrëdhënieve të njeriut me detin, lumin, me natyrën populli e ka zgjidhur duke iu bë krah natyrës. Për tu mbrojtur nga dallgët e detit, nga vërshimet e lumit, nga shfryrjet e përrenjve, ai ka mbjellë pisha, plepa, shelgje, fara e fidanë pyjorë nga fondi i madh i natyrës. Pishat e plazhit të Malit të Robit thonë se janë mbjellë në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar me punë vullnetare. U rritën dhe u shumuan fidanët e vegjël në tokë të vet për të pas brezi i ri pas dyzet vjetësh një pyll nga më të bukurit e vendit, një vend ku këndojnë bilbilat e notojnë mbi valët e kaltra të detit Zanat.
Të parët që u vunë në cung sharrën pishave për të ndërtuar vila ishin njerëzit e veshur me pushtet për tu pasuar nga njerëzit e veshur me para të nxjerra nga kanale “ujërash të zeza”.
Të parët që i vunë prita detit ishin pushtetarët…
Në breg të detit në plazhin e Malit të Robit nga “Pishat e buta” e deri sa të kap syri tutje në plazhin e Qerretit vështrimin ta mbërthen një pamje që nuk e ka shoqen në botë.
Pamja nuk përshkruhet me fjalë…
Pamja nuk tregohet me fotografi…
Shëmtimin nuk e arrin ta kapë as kamera filmike…
Thonë se i pari që e ka sulmuar detin në plazhin e Malit të Robit ka qenë një ministër i mbrojtjes. E sulmoi me të gjitha mjetet e rënda që mbretëria e tij kishte në inventar. Me kamionë të rëndë, buldozerë, vinça të mëdhenj…
Betonoi bregun aq sa nuk mbeti rrip toke për të kaluar nga njëra anë e plazhit në anën tjetër.
Më pas i hyri detit “pash më pash” duke hedhur çfarë dilte nga mali e çfarë rrëzohej nga pallatet. Gurë ciklopikë, betone të nxjerra nga gërmadhat e shtëpive të shkatërruara, trarë betoni, kupola të përmasave të ndryshme nga fondi i madh i istikameve të diktaturës.
Deti nuk është sulmuar kaq fort, kaq ashpër dhe me kaq sende të vdekura mbartur nga qenie lëvizëse të rënda.
Deti u egërsua…
Sulmoi rërën…
Sulmoi rrënjët e pishave…
Përgjigja erdhi e menjëhershme. Në tre-katër vite Plazhi i Malit të Robit u shpërfytyrua. Rripa disa metra të gjerë me mbeturina ndërtimi në fillim e me ferro betone pistash më pas vijuan njeri pas tjetrit sulmin drejt thellësive…
Vitin e kaluar rripat, si këmbë oktapodhi kishin arritur deri tek hoteli “Elesio”. Ishin më se dhjetë “këmbë oktapodhi”…
Këtë vit, nga tetori në maj ishin shtuar edhe dy këmbë të tjera. Një përpara klubit Monaco dhe tjetri përpara “Pishave të buta”…
Vullnetarët që sakrifikojnë të dielën e çmueshme të pushimit, shoqëruar nga dy ministrat e qeverisë “Rilindja” panë dhe mblodhën mbeturinat mbi rërë, mbeturina që siç i pashë një ditë fillim maji tash po i mbledhin pronarët e lokaleve, plazheve private në interesin e tyre për të pritur pushuesit.
Ministrat, në këtë hapësirë kohore duhet të ishin marrë me pronarët që pushtuan detin, shkatërruan plazhin, ngritën prita detare pa asnjë plan, pas asnjë studim, pa asnjë lloj leje zyrtare shtetërore. Duhet të kishin çuar INUK-un për të detyruar inonduesit e detit për ta pastruar atë, për ta bërë siç e kishte lënë natyra.
Me sa duket, me sa kemi parë deri më sot, ndërtimet duke hyrë thellë detit, hedhja e mbetjeve të ngurta duke krijuar ngastra vetjake për pronarët e vilave në bregdet, nuk janë në vëmendjen e shtetit.
…Ka një rrugë që zbret nga rruga dytësore e autostradës tek Mali i Robit, rrugë që mban emrin e Heroit Kombëtar Skënderbeu, një rrugë qorre, qorruar nga ndërtimet pa leje, një rrugë që megjithëse u prishën disa ndërtime nuk ka arritur ende të takohet me bregdetin.
Rruga kur zbret, në të majtë të saj, ka një kanal që harkon e merr udhë e derdh ujërat e zeza në bregdet. Pikëderdhja është filmuar e anatemuar vit për vit nga të gjitha rrjetet televizive. Askush nuk ka vepruar. Ujërat e kanalit i pashë të derdheshin në det me të njëjtën ngjyrë të errët e me të njëjtën erë të rëndë…
Kanali, me sa pashë e me sa dëgjova edhe këtë vit fole mushkonjash do të mbetet…
Rruga “Skënderbeu” është e vetmja rrugë e pa asfaltuar, rrugë e ngushtë, me baltë në dimër e me pluhur në verë. Vetëm pesëqind metra e gjatë…
…Rruga në mos këtë verë, verat e ardhshme do të sistemohet. Mirë që nuk ndodh këto ditë zgjedhjesh se do të përfundonte si rruga që përshkon tërë plazhin e malit të Robit. Mbi të u hodh një “dorë beton elektoral” në qershorin e zgjedhjeve të vitit 2013. Tani rruga është copë-copë…
…Kanali, në mos këtë verë, verat e ardhshme do të futet në tuba betoni e uji i zi nuk do të derdhet në det…
Tash është kohë zgjedhjesh dhe krye komunari në largim e ka mendjen tek llogaritë bankare e jo tek hallet qytetare.
Mbase kandidati i ri për bashkinë e Kavajës do të udhëtojë këto ditë rrugës “Skënderbeu” dhe do të mbajë shënime për “verën që vjen”…
Për rrugët, kanalet, gjelbërimin e të tjera në tokë, mbase do të mendohet dhe veprohet në interes të komunitetit e të turizmit, një privilegj i veçantë për bashkinë e Kavajës.
Mbase…
Por unë jam skeptik për bregdetin. Detit i janë marrë jo një pëllëmbë, as edhe një pashë…
Kam frikë se deti, me atë që i është bërë dhe me atë që do të bëhet do të na përgjigjet një ditë jo me pashë por me milje…
Atëherë Mali i Robit do të jetë një “shkëmb” në bregdet, në mos një “ishull në det”…
Sot më 13 maj 2015 spikeri i televizionit lexoi një shkresë të ministrit Koka, drejtuar kryetarëve të komunave që të mbrojnë natyrën !!!
Nuk e di në se atë shkresë ia ka dërguar edhe detit në Malin e Robit dhe Adriatikut dhe Jonit nga Buna në Butrint për të “mbrojtur natyrën”???
Abdurahim Ashiku
Athinë, 13 maj 2015