“SHOQET TONA MËSUESE” dhe “GRUA” – poezi nga Pajtim Xhelo

0
520
lule

SHOQET TONA MËSUESE

Të brishta si mimozat e janarit
Të çiltra si një flladitje në agim,
Të heshtura si netët e beharit,
Të turpëshme si diell në perëndim.
Latë qytetin, ëndrrat dhe rininë,
Dashuritë të gjitha i latë pas,
Si Prometeu që dha diturinë,
Varfëri dhe dhembje pranuat me gas.
Të thjeshta, sirena, valëza deti,
Si xixëllonja Atdheut u shpërndatë,
Gonxhe të paçelura, po vullneti
Ju bëri stuhi, ju bëri shtrëngatë.
Nuk kishit parfum, nuk kishit stolira,
Pa buzët tuaja mbollën dituri,
Shpesh s’patët kohë as për dashurira,
Rrugët tuaja në borë e në shi.
Zjarr për vocërrakët, zjarr si Promete,
Flakadanë errësirës në malsi,
Zanat, të mirat shoqet tona atje,
Dhatë dhe morët sa shumë dashuri!
Ndonjë vocërrak sillte dru në votër,
Shpesh herë gështenja gjenit në shtëpi,
Ishin për ju si vëlla e si motër,
Ju ishit për ta si një diell i ri.
Mijëra dallëndyshe shoqet tona,
Pranverë përhapën kudo në Atdhe,
Të shenjtat mësuese si jehona,
Mbetët zemër varfërie, Promete.

Pajtim Xhelo


GRUA

Edhe ty të solli në jetë një tjetër grua,
Që kjo botë të vijonte si zjarr i pashuar,
Me mijëra herë ke menduar dhe thua.
“Jeta! Vargmale rëndese, rrugë e pashtruar?”
Është ashtu mikja ime, nuk është lëndinë,
Ku pranvera harliset nëpër lule si bletë,
Një pemë është, mbirë në shkëmb, në pjerrinë
Dhe diellin herëherë ia fshehin retë.
Pa dhe supet e një gruaje janë të brishtë,
Të jetës vargmale rëndese s’mund t’i mbajnë,
Nga deti stuhitë përplasen në ranishtë,
Me gurë të ndezur meteorësh ato ngjajnë
Si një bimëz rrënjëcekët në atë ranishtë,
Nuk do t’i trembesh asnjëherë lubi oqeanit?
Gruaja që të lindi, të pa ashtu, të brishtë
Të tha: “Mos e humb, qëndroi përballë tufanit!”
Pa të trembën netëve të dimrit shkrepëtimat,
Rrugëve të pashtruara njohe dhe egërsi,
Njohe zjarret, përmbytjet, tërmetet, oshëtimat,
Mësove se dhe liria nuk është pakufi.
Kjo jetë të rëndoi mbi supet sa vargmalet,
Paçka,si nëna jote do ta doje dhe ti,
Katër shtylla do ndërtoje për dertet, për hallet:
Familje, shoqëri, miqësi, dashuri.

Pajtim Xhelo