SHOQATA ATDHETARE “ZHEGRA” NGA GJENEVA, DY DEKADA NË PËRKUJTIM TË JETËS DHE VEPRËS SË HEROIT AGIM RAMADANI, DHE 113-TË BASHKËLUFTËTARËVE TË TIJ

0
772
Shoqata "Zhegra" kujton Agim Ramadanin

ARIF EJUPI

Aktivistë dhe anëtarë të Shoqatës Atdhetare “Zhegra” nga Gjeneva, me organizim të mrekullueshëm tash dy dekada përkujtojnë rënien heroike të bashkëfshatarit të tyre Agim Ramadani, dhe të 113-të të rënëve të tjerë të Betejës së lavdishme të Koshares.

Ky jubile i rëndësishëm i historisë sonë i njëzeti me radhë me titull domethënës “Ditët e Agimit” është mbajtur mbrëmë në sallën festive “Salle des Fetes des Avanchetes” të komunës Vernier, të Gjenevës.

Manifestimi si zakonisht nisi me intonimin e himnit tonë kombëtar. Me qëndrimin gatitu përveç të të rënëve në Kosharen legjendare, nga të pranishmit u nderuan edhe të gjithë të rënët e tjerë gjithandej trojeve tona.

Në kujtim të jetës dhe veprës së poetit, piktorit dhe oficerit të karrierës Agim Ramadani, me një fjalë rasti të përmbledhur mjaft mirë para audiencës u prezantua z. Rrustem Berisha, Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, dhe udhëheqës i zinxhirit komandues në Betejën e Kosharës, dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të heroit Agim Ramadani.

Ai vlerësoi lartë sakrificën e të gjithë atyre që ranë për liri dhe mëvetësi të Kosovës, dukë thënë se ata do të mbesin përherë në kujtesën e popullit shqiptar.
Falë gjakut të tyre dhe të rënëve të tjerë ndër breza më 17 shkurt 2008 u jetësua shteti i Kosovës, i njohur ndërkombëtarisht nga Aleati ynë i përhershëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe 114 vende të tjera të botës së qytetëruar.

Kurse kolegun e tij të profesionit dhe kryepersonazhin e Betejës së Koshares eprorin Agim Ramadani, e cilësoi si njeri të pendës dhe pushkës.
Ai në mes tjerash tha: ”Agimi profesionalizmin e tij prej ushtaraku e tregoi në Betejën e Koshares, duke treguar vendosmëri të paparë.
Përveç qëndrimit në vijën e parë të frontit ai të gjithë i motivonte për rezistencë dhe aksione.

Ata të rinj që dëshira e madhe për lirinë e Kosovës, i kishte radhitur në Brigadën tonë, Agimi i trajtonte me kujdes të posaçëm.
Po ashtu i këshillonte me fjalë shpirti dhe zemre duke u thënë: “vetëm me gjakun tonë rrëzojmë kufinj e murana të ngritura nga pushtuesit,që na ndanë në copa shekuj me radhë.

Andaj,rënia e Agimit u përjetua rëndë nga ne të gjithë,sepse humbëm një poet,piktor e ushtarak të pazëvendësueshëm.
Së bashku me Agimin në këtë Betejë ranë për të mos vdekur kurrë edhe 113 luftëtarë të tjerë.
Agim Ramadani i njohur në luftë me nofkën si Komandat“Katana”edhe nëpërmjet këtyre vargjeve epike shihet qartë se kishte bërë betimin që t’i dalë zot tokës së Kosovës.

Mu shterrshin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde me ëndërrue
Mallkue qoftë gjaku im
Nëse m’vrasin pa luftue

Berisha padashur të minimizojë heroizmin e treguar të luftëtarëve të tjerë në Betejat e tjera të zhvilluara në Kosovë,tha se në Koshare armikut iu shkakëtuan humbje të mëdha në njerëz dhe material. Kjo u arrit në saje të unitetit dhe zbatimit të urdhërave me përpikmëri.
Të habitur me qëndresën e djemve tanë eprorë dhe ushtarë serbë dezertuan nga ushtria e tyre.

Suksesin e Luftës sonë çlirimtare në fund të fjalës së tij Ministri Berisha,tha e finalizoi intervenimi ushtarak i NATO-s, si forcë e vetme mbrojtëse e të shtypurve dhe të robëruarëve.
Ekspozeu i Ministrit Berisha mbi Luftën vetëmbrojtëse të shqiptarëve të Kosovës,i bëri përshtypje dhe zotit Yvan Rochat, kryetar i komunës më të madhe Vernier të Gjenevës.

Ai për Luftën e drejtë të popullit shqiptar në trojet e ish-Jugosllavisë,ishte njohur shumë herët edhe nga ekologu dhe bashkëpartiaku i tij Ueli Leunberger,mik i madh i shqiptarëve që nga vitet e 60-ta.
Gjithashtu enkas nga Kosova dhe Shqipëria për të nderuar jetën dhe veprën e të rënëve në Betejën e Koshares kishin ardhur z. Anton Çuni deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së,njëherit dhe bashkëluftëtar i heroit Agim Ramadani.

Të rregullt në solemnitetet e organizuar në Gjenevë,për nderë të të rënëve të Betejës së Koshares janë dhe eprorët Feriz Tershnjeva, nga pjesa tjetër e atdheut Shqipëria, dhe Musa Gjakova, personalitet i njohur i luftës,dhe i strukturave më të larta të Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe pse nga kjo ngjarje kanë kaluar plot njëzet vjet Tershnjeva dhe Gjakova me emocion e dhembje rrëfejnë momente prekëse dhe interesante nga ajo periudhë.
Ata ndihen krenar që borxhin e tyre ndaj Atdheut e kryen në Kosharen e cilësuar nga historianë dhe analistë si Dritë që s’shuhet kurrë!
Në këtë tubim përkujtimor përveç të përmendurve merrnin pjesë edhe z. Islam Pacolli, deputet i legjislaturës aktuale në Kuvendin e Kosovës,nga radhët e Partisë Aleanca Kosova e Re.

Në këtë ngjarje historike dhe kulturore ishte edhe z. Arsen Shoshi, afarist dhe drejtues i shkollës alternative Benedict të Zvicrës. Po ashtu prania e z.Nazmi Jakurti, aktivist i AAK-së në Zvicër, dhe sindikalist me përvojë dëshmoi se kur janë në pyetje heronjtë interesi partiak nuk vije në shprehje.
Pjesa protokollare e kësaj Akademie u përmbyll me fjalën përshëndetëse të z. Avni Hasani, pjesë e statafit udhëheqës të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në Gjenevë të Zvicrës.

Program i pasur kulturor me artistë dhe këngëtarë të njohur nga Kosova dhe Zvicra
Aktori ynë i mirënjohur Çuni Lajçi lojën në teatër e film e ka ushqim shpirtëror.

Me talentin e tij dhunti nga zoti dhe përvojën mbi 50 vjeçare ai shikuesin e bën çdoherë për vete.Kështu ndodhi edhe mbrëmë kur nga opusi i tij i gjerë krijues prezantoi fragmente kushtuar Agim Ramadanit, dhe të rënëve të tjerë të Betejës së Koshares, pa përjashtuar edhe heronjtë e tjerë, të Kosovës, të cilët i quajti shqiponja në roje të Atdheut dhe kombit.

Prandaj lojës së tij të mrekullueshme dhe plot shije shikuesit i duartrokitën gjatë.
Unë si artikullshkrues mendoj që ndaj një artist dhe krijues të tillë si Çun Lajçi, shteti i Kosovës, duhet të tregojë më tepër empati dhe mbështetje materiale.
Kalimi nga një skenë tek tjetra s’është edhe aq i lehtë, kur dihen vuajtjet,mosha dhe përjetimet e këtij artisti të Madh.

Mirëpo,^Lajçi pavarësisht kushteve materiale s’do të ndalet. Ai si duket edhe vdekjen do ta bëjë në skenë.

Por, a thua me çfarë do ta mbulojnë turpin e tyre pseudo-intelektualët dhe zhvatësit e shtetit të Kosovës, të cilët as edhe njëherë të vetme s’bënë përpjekje për t’i krijuar kushte për punë dhe jetë të dinjitetshme këtij doajeni të artit skenik.

Këngët me motive patriotike u kënduan në mënyrë mjeshtërore nga këngëtarët tanë të mirënjohur Ilir Shaqiri dhe Edona Llaloshi, të specializuar në këtë zhanër të muzikës sonë tradicionale.

Ata me zërin e tyre të ëmbël bënë që këngën shqipe ta dëgjojnë me ëndje edhe disa të huaj, pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme.
Në ruajtje të këngës dhe të traditës sonë u shquan edhe Shoqëritë Artistike “Vatra” nga Cyrihu, dhe Ansamblet lokale të Gjenevës “Gëzuar” dhe “Rapsodët“.
Ato edhe pse veprojnë larg Atdheut me zell dhe fanatizëm kanë ruajtur të shprehurit e pastër në gjuhë,dhe këngë. Paraqitjet e tyre në këtë program u pëlqyen nga të gjithë, madje edhe u shpërblyen me aplaudime të pandërprera.

Të përhershëm në organizimet kulturore të mërgatës sonë në Gjenevë, janë edhe bashkëshortët këngëtarë Shpejtim dhe Afërditë Krasniqi.
Ata edhe kësaj radhe kanë interpretuar larmi këngësh kushtuar trimave tanë. Këngët e tyre në duet u pa haptas ç’janë të preferuara për të gjitha grupmoshat.
Ky përvjetor i rëndësishëm e veçanërisht pjesa e programit kulturor ka shtuar në vlerë edhe me paraqitjen e Grupit muzikor ”Nostalgjia” të udhëhequr nga zonja Mira Bregu.

Instrumentalistë dhe solistë entuziastë të këtij grupi performuan në kor me çfarë dhanë sinjal për një të ardhme të ndritur dhe premtuese.
Ndërsa këngë që burojnë nga thellësi e shpirtit e që nëpër shekuj u ruajtën edhe me gjak kanë kënduar Kudret Rrustemi, Ardian Dema dhe Xhelal Ramadani,si dhe vëllezërit Alimusaj.

Në këtë jubile përkujtimor ishte e pranishme edhe bashkëshortja dhe udhëtarja e vuajtjeve të përbashkëta me Agim Ramadanin, zonja Shukrije Dema Ramadani, kontribuuese në mbarëvajtjen e punë së Shkollës shqipe në kantonin e Cyrihut.

Para se të mbyllej ky manifestim në foltore doli z. Jashar Ramadani, vëlla i heroit Agim Ramadani.

Ai i vetëdijshëm se një ngjarje si kjo kërkon angazhim dhe kohë më fjalë të përzgjedhura në emër të familjes Ramadani falënderoi organizatorët.
Ai tha respektin për Agimin si vëlla e bashkëfshatar zhegrasit tash njëzet vjet e treguan në vepër.

Veç kësaj falë kontributeve të tyre Zhegra, dikur zonë rurale sot plotëson të gjitha kushtet e bërjes komunë e katërt e Anamoravës. Vetëm kështu të bashkuar tha z. Jashar Ramadani e çojmë në vend amanetin e dëshmorëve, zhvillojmë Kosovën, dhe krijojmë mirëqenie ekonomike për të gjithë.