SHKURTE FEJZA DHE MERMERI MONUMENTAL I MUZIKËS POPULLORE SHQIPTARE

0
1246
Shkurte Fejza

(Skicë për një monografi që mungon)

Xhemail Ali Peci Shkruan: Xhemail Peci

1.

Në kujtesën e adhuruesve të shumtë të këngës popullore, shpaloset gjithmonë në sfondin e kohës një portret që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në këngën shqipe. Një portret që flet me brezat dhe me kohët, me të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë.

Një pamje e një moshe të re e cila në fotografinë e fillimit të rrugës së saj artistike, në vete shpaloste krenarinë e saj të ligjshme, por edhe mallin dhe shqetësimin për fatet e popullit, e mbi të gjitha dashurinë për këngën shqipe, për këngën të cilës ia fali hovet rinore, me të cilën u mishërua aq shumë dhe me të cilën u bë bashkudhëtare e brezave, u bë kështu pjesë e pandashme e jetës shqiptare, brenda dhe jashtë atdheut.

Shkurte Fejza theu barrierat e prishi kufijtë artificial. Hyri në mendjet dhe në zemrat e njerëzve të cilët tek kënga e saj shihnin shpresën e ngjallur, agimin e ri dhe pranvern e re.

Këngëtarja e re po hynte në jetën e kulturës së një populli duke i kënduar lirisë së shumëpritur, duke ndezur mall e duke shuar plagët e pritjes së gjatë. Ajo shquhej për guximin e saj të veçantë, për ritmin e pasur e këngën burimore shqipe. Ajo do të këndonte gjithmonë shqip. Do t’u këndonte trimave të lirisë, Kosovës së robëruar dhe shpresës se ardhmja një ditë patjetër do të vinte.

E gjithë jeta e saj është këngë. Dhe se në rrugën me sfida dhe sakrifica të shumta, ajo arriti dhe e ngriti më lart këngën shqipe.
Edhe kur këndon për lirinë, për mallin, për kurbetin, për dashurinë, për trimërinë, për rininë dhe për ardhmërinë e saj, Shkurte Fejza e dëshmon se kënga është kryefjala e saj, sepse ajo në këngë ka shkrirë jetën e saj dhe se me jetën e saj ajo e ka mishëruar aq shumë këngën e saj, e cila gjithmonë ka rrjedhur si një krua i pashterrshëm galdimi e frymëzimi.

Duke u shquar gjithmonë me modestinë e saj, por gjithsesi edhe për guximin e saj, ajo kishte kohë që ishte bërë një simbol shprese e një frymëzim brezash, të cilët tek kënga shqipe kanë parë dhe kanë përjetuar gjithmonë ardhmërinë dhe krenarinë e tyre të ligjshme.

Tek Shkurta Fejza, u mishëruan aq vetvetishëm, aq bukur dhe aq madhërishëm, portreti i një vajze të re dhe dëshira për një këngë të re lirie, ambicia dhe frymëzimi për t’u dhënë hov shpresave të masës së gjërë, e cila në heshtjen e vet të gjatë po kërkonte shkëndijat e një zëri që do të vinte, që do të lindte aq natyrshëm, dhe që do të ndizte shpresat, do të ngjallte ëndrrat se pas këngës dhe rimit të saj popullor, do të vinin ditë më të mira, ditë më të bardha.

Shkurte Fejza u bë kështu pjesë e pandashme e jetës së popullit të vet. Në agimet me sogjetarë të shumtë amshimi, në muzgjet e portokallta të atdheut të saj e në lëvizjet e mëdha studentore që i paraprinë marrshit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në portet dhe në aeroportet, në lëndinat e lotëve ku priste dhe sërish pret ndarja si dikur në Fushën e Korabit, në dhomat e errëta me grila që ndanin lirinë nga robëria, në konviktet e studentëve e në zgafellat e minatorëve të galerive të minierave, në horizontet e atdheut e në vijat e kufirit, në shtigjet e luftës e në logun e betejave, në uzina dhe në kombinate, në auditoret e fakulteteve e në sheshet dhe kuadratet e jetës së re, në Kosovën e pavarur dhe në të pritmen tonë, me zërin e saj dhe me këngën e saj, me zërin i zemrës së saj që buroi nga thellësitë e një shpirti të madh prej një këngëtareje të madhe që këngën e ka pasion, si dhe me gjenialitetin e lindur të cilin ia ka falur natyra shqiptare, ajo diti dhe arriti që këngën ta kthejë në një art të mirëfilltë popullor, duke e bërë këngën e bukur shqipe një himn dhe frymëzim për brezat.

Që nga kënga e cila këndohej për trimat e mençur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga kënga për marrshin historik të Minatorëve të Trepçës, kënga për Mitrovicën, për heronjtë e kombit e të adheut, kënga për levendët e lirisë së Shqipërisë; kënga e kryekrenarisë të cilën e shkruan me gjakun e tyre më të kulluar fatosat e kombit të prirë nga kryekomandanti legjendar Adem Jashari (i cili në Prekazin historik i ra me zë gjaku Trumpetës së Krujës), e deri tek këngët e ditëve të sodit në të cilat lartësohet trimëria dhe guximi, mençuria dhe lavdia e heronjve dhe dëshmorëve të epopeve çlirimtare në të cilat xhamadani vija-vija me zë gjaku i flet qiellit duke i dëftuar njëkohësisht botës se sa natyrale është Shqipëria, në të cilat u këndohet breznive orëmira – për të cilat krenaria vlente gjithmonë më shumë se sa lumturia, Shkurte Fejza ia fali këngën e zemrës së saj, popullit dhe atdheut të saj.

Shkurte Fejza ka kënduar dhe këndon me gjithë qenien e saj, me dashuri dhe me përkushtim, me pasion dhe me modesti, por edhe me krenarinë e ligjshme prej një këngëtare prijatare sepse pas zërit të saj, turma gjithmonë e ndjeu ritmin e kohës, masa gjithmonë e pa shkëndijën e shpresës së re, agimin e një dite të bekuar.

Ajo është këngëtarja e madhe e cila e vuri zemrën në këngë e këngën e shkriu ndër zemra. Ajo hyri në mënyrë aq të natyrshme dhe origjinale në rrjedhat e këngës shqipe, dhe me zërin e saj prej një kanarine ajo diti dhe arriti të hyjë nëpër stendat e muzeve të krahanorëve, nëpër këndet e dhomave të errëta e të shtëpive të vogla si kaike, por për të cilat ajo gjithmonë ushqeu dhe ndjeu dashurinë prej këngëtareje të madhe, e vetëdijshme se pas zërit të këngës shqipe, si nuse malesh gjithmonë do të vinte liria.

Origjinale në mënyrën e të kënduarit shqip, krenare për të kënduarit shqip, lajmëtare lirie me të kënduarit shqip, madhështore me modestinë e saj por edhe aq profesionale me zërin e saj dhe me rimtin e këngës së saj, ajo e bëri këngën shqip një përmendore kohe, një shpërthim zemre, një mishërim hovesh dhe vrullesh rinore të brezit të saj e të kombit të saj martir, por gjithmonë krenar në të qenunit shqiptar.

Ka më shumë se dyzet vjet që zëri i zemrës së saj nuk ndalet. Ka më shumë se dyzet vjet që ajo këndon për trimat që ranë ndër male, por edhe për një det me halle që nuk iu nda truallit tonë e tokës sonë bujare. Ka përmbi dyzet vjet që zëri i saj u nis si një pikëllim zemrash e erdhi si një frymëzim kohësh.

Gati gjysëm shekulli këndon Shkurte Fejza, këndon rreth sofrës bujare. Këndon tek vatra shqiptare e me zërin e saj kohës i falë trëndafila, zemrave u ngjallë shpresa e buqeta me lule vë në çdo fjalë, në çdo ritëm, në çdo tingull.

Në çdo këngë ajo falë dashurinë dhe frymëzimin e saj. Ajo dhe kënga e saj bëhen pjesë e pandarë e jetës sonë dhe e kohës sonë. Ajo bëhet kështu bashkudhëtare në rrugën krenare prej një këngëtareje të madhe, me një zë gjithë melodi, me një zemër gjithë bujari e fisnikëri, prej të cilës kumbon sot e mot, si një himn i zjarrtë atdhedashurie emri i atdheut dhe liria e tij e shumëpritur.

Shkurte Fejza është dëshmi e qartë se natyra shqiptare është treguar aq duarlirë në faljen e talenteve të reja e të të mëdha. Zëri i saj është gjithashtu dëshmia më e bukur se natyra dhe arti kanë bërë një marrëveshje mes tyre, për ta bërë një zë sa më të zjarrtë që do të ushqejë gjithmonë himne lirie e përlavdie.

Për gati gjysëm shekulli kjo këngëtare e madhe e kjo shqiptare krenare, na fali zërin e zemrës së saj, me të cilin i këndoi lirisë dhe ushqeu shpresat për lirinë.

Prandaj, në modestinë tonë, por edhe në krenarinë tonë të ligjshme, i falim buqeta lulesh e buqeta fjalësh: në shenjë nderimi dhe respekti, mirënjohjeje dhe falenderimi pa kufi, sepse ajo na dha zemër e na fali zërin e saj, sepse ajo na ushequ ëndrra e na ngjalli shpresa lirie, sepse ajo u bë bashkudhëtare dhe bashkëmendimtare në rrugën tonë të madhe, sa herë që këndoi shqip, sa herë që me zërin e këngës së saj, ajo bekoi shqip, sa herë që kur ishte e hidhur jeta – ajo me këngën shqip lirisë së shumëpritur, i tha:
Tungjatjeta!

2.
E lindur dhe e rritur në Mushtisht, një fshat që shtrihet rrëzë maleve të Sharrit, fshat që ka frymuar dhe gjakuar gjithmonë shqiptarisht, njerëzit e të cilit me guxim dhe trimëri, gjithmonë kanë shpalosur gjoksin përballë armëve dhe plumbave të armikut, fshat që gjithmonë e ka sfiduar prapambeturinë duke u përpjekur me mish e me shpirt për lirinë; rrjedhimisht e lindur dhe e rritur në një fshat në julglindje të Therandës, një qytet që ka qëndruar gjithmonë stoikisht, qytet ku burrat dhe gratë e tij gjithmonë e kanë mbajtur gjallë flakën e lirisë, në një qytet ku lokemadhet kanë përkundur djepat me shqiponjën dykrenare sipri, dhe ku burrat kanë tundur malet për lirinë e shenjtë të atdheut; një qytet me traditë dhe me kulturë, djemtë dhe vajzat e të cilit kanë nxjerrur gjithmonë gjoksin përballë topave dhe tankeve të regjimeve shekullore, Shkurte Fejza është mishërim sa i një tradite të lashtë e fisnike familjare, po aq edhe i traditës së pasur kombëtare.

Në rrugëtimin e saj prej këngëtareje me një talent të rrallë sa dhe të jashtëzakonshëm, me një sa melodioz po aq edhe nostalgjik, një zë sa lirik po aq edhe epik, Shkurte Fejza përshkoi një rrugë e cila nuk ishte e shtruar me lule dhe me trëndafila, por një rrugë që kishte përplot sfida, sakrifica dhe ndeshtrasha.

Vetë portreti i saj shpalos tiparet dhe virtytet më të larta fisnikërisë e të bujarisë, të dashurisë ndaj lirisë dhe të adhurimit ndaj artit. Ajo është frymë e gjallë e kulturës muzikore të një populli. Si e tillë ajo bart përmbi shpatullat e saj një mision tepër të rrallë duke shpalosur kështu në vijimësi, një vizion në të cilin kënga popullore shqipe mishëron një perlë të veçantë në zërin e saj si një margaritar tepër i rrallë.

E dalluar për dhuntinë e saj muzikore të lindur, prej dy korifejve të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, nga poeti liberator Jusuf Gërvalla si dhe nga ideologu Ukshin Hoti, e adhuruar aq shumë nga publiku brenda dhe jashtë kufijve të tokave shqiptare, Shkurte Fejza u bë sinonim i një zëri brilant, u bë mishërim i një kënge popullore në të cilën një këngëtare me zemër të madhe gjithmonë diti dhe arriti t’i falë asaj sa shkëlqim, po aq edhe gjakim e përjetësim.

Me një paraqitje gjithmonë modeste e me një elegancë të theksuar në ritme dhe lëvizje, ajo sa këngëtare është po aq edhe artiste. Ajo i ka kënduar sa Kosovës po aq edhe Shqipërisë, ajo është sa kosovare po aq edhe krutane, sa dardane po aq edhe shkodrane, e cila me zërin e saj, me timbrin e zërit të saj, me nuancat e zërit të saj, me meloditë e zërit të saj, me hijeshinë, me bukurinë dhe me magjinë e zërit të saj, ka bërë gjithmonë për vetë zemrat e adhuruesve të saj të shumtë. Vetë zëri i saj është një shkollë në vetë, një akademi muzikore në vetë, një zë i papërsëritshëm sa dhe i vetvetishëm, që del aq natyrshëm nga thellësitë e zemrës së saj të madhe, ashtu siç dalin edhe vetë krojet dhe gurrat e muzikës popullore, ku ajo piu ujë e u frymëzua aq shumë. Me zërin e saj ajo përkulë majat e maleve dhe rrëketë e ujëvarave, sepse zërit të saj ia kanë lakmi jo vetëm zogjtë por edhe dhe kanarinat. Ajo është motra binjake e këngëtares së madhe e të papërsëritshme të muzikës popullore shqiptare, Nexhmije Pagarushës.

Shkurte Fejza është një zë që ka kënduar dhe këndon për shekujt që shkuan dhe për shekujt që vijnë. Ajo ka kënduar për ardhmërinë dhe për lirinë e kombit të saj martir, ajo ka ushqyer ëndrrat dhe shpresat e brezave dhe të gjeneratave të atdhetarëve shqiptarë, ajo është bërë pjesë e pandashme e muzikës sonë popullore po aq sa dhe bashkudhëtare në rrugën tonë të madhe. Ajo u ka dhënë zë zemrave sepse ajo ia ka falur gjithë qenien e saj këngës shqipe. Me flatrat e zërit të saj të mrekullueshëm sa dhe nostalgjik, ajo ka ngjallur sa dhembshuri po aq edhe krenari, ajo ka përhapur dritë dhe ka mbjellur dashuri mes vëllezërve dhe motarve të një gjuhe dhe të një gjaku. Shkurte Fejza është një jetë e shkrirë në këngë. Me gjithë talentin e saj, me gjithë magjinë e zërit të saj, me gjithë fuqinë e zemrës së saj, me gjithë madhështinë e shpirtit të saj prej këngëtareje, ajo i është falur këngës shqipe. Përmasat e një përkushtimi të tillë sa janë gjakim po aq janë edhe mishërim që mëton të arrijë deri në përjetësi. Në modesti ajo shpalos madhështi, në dhunti ajo shpalos mrekulli, në melodi ajo shpalos magji.

Patjetër që duhet rikthesuar se jo gjithkujt natyra ia ka falur këto thesare të cilat ajo i shndëron në visare të mirëfillta kombëtare. Jo gjithmonë natyra është treguar kaq dorëlirë duke na e falur një këngëtare me zërin prej kristali e me këngën shqipe kaq të bukur, kaq të dashur, kaq të dlirë, kaq të papërsëritshme sa dhe të mrekullueshme.

Po ta shikosh me vëmendje portretin e saj, po ta dëgjosh me vëmendje fjalën e saj, po ta dëgjosh me vëmendje këngën e saj, po ta shikosh me vëmendje qëndrimin e saj, po ta kundrosh me kujdes veshjen e saj kombëtare, nuk është e vështirë të kuptosh se ajo shpalos sa perla të muzikës popullore, po aq edhe mençuri, po aq edhe fisnikëri, po aq edhe bujari, po edhe dashuri mes njerëzish, së bashku me krenarinë e saj të ligjshme.

Është thënë me të drejtë se në Greqinë antike, muzika është përdorur për të ndalur protestuesit që ngriteshin ndaj shtetit. Ndërkaq tek Shkurte Fejza kemi një fenomen tjetër. Zëri i saj dhe vetë kënga e saj ka qenë si vala e detit. Ao ka qenë sa këngë po aq edhe protestë, sa muzikë e mirëfilltë burimore shqiptare po aq edhe protestë, demonstrate, sfidë e papërkulur kundër pushtuesve e dhunuesve të tokave tona stërgjyshore.

Vetë Shkurte Fejza, me zërin e saj, me këngën e saj, me misionin dhe vizionin e saj, ka qenë qytetare e pabindur e një regjimi i cili me represionin dhe terrorin e tij ka dashur për ta ndalur, jo vetëm këngën shqip por edhe frymën shqiptare.

Veçmas me këngët e saj atdhetare, Shkurte Fejza e ka sfiduar pushtuesin e pagdhendur dhe e ka mbajtur të gjallë frymën e lirisë. Në këtë pikë tejet të veçantë, ajo është shumë më shumë se një këngëtare. Në këtë pikë e në kapërcyell shekujsh ajo nuk është thjesht vetëm një emër. Për më tepër se kaq ajo është një këngë e cila me zërin e saj të kristaltë, siç do të thoshte Fishta i madh: të kthjellët si gurrat e Jordanit, u bë këngë lirie e ëndërr përjetësie që hyri në çdo zemër që rrahu dhe rrah për të mirën e atdheut dhe të kombit. Si e tillë, ajo mishëron në vete jo vetëm frymën e këngës shqipe, por më shumë se kaq, ajo mishëron në këngët e saj frymën e paraardhësve tanë.

Zëri i saj sa kristal është po aq edhe universal. Për një mal me dhembje ajo shpalosi një det me këngë. Duke i kënduar atdheut gjithmonë me përdëllim dhe me aq përkushtim, ajo ngjalli gjithmonë frymëzim, këndoi në kohë dasmash e në kohë dhembjeje, në kohë paqeje e në kohë lufte, në kohë shtetrrethimi e në kohë shtetformimi. Kënga e saj, zëri i zemrës së saj, preku zemrat e ngjalli shpirtat, forcoi shpresat e ushqeu ëndrrat. Kënga e saj, herë si vala e Drinit të Bardhë e herë si kaltërta e Adriatikut dhe e Jonit, herë si era ledhatare e Valdanozit e herë si maja e Taraboshit, u bë pjesë e jetës dhe e rritës së një ideali që u la me gjak dhe u frymëzua, sa nga pena po aq edhe nga kënga. Kënga e saj u bë pjesë e pandashme e brezit të saj, e rinisë studentore, e hovit rinor dhe e vrullit të pandalshëm të pranverës së përgjakshme të Motit të Madh 1981.

Zëri i saj dhe kënga e saj, hyri dhe mbeti përjetësisht sa në mendjet po aq edhe në zemrat e njerëzve të këtij dheut të lashtë e me plisa dheri sipri. Ky zë dhe kjo këngë u bënë himn lirie, i cili hyri në shkolla e në auditore, në sheshe e në kuadrate, në rrugë dhe në bulevarde, në uzina e në miniera, në fakultete e në universitet, në shtigje drite e në llogoret e luftës. Ky zë dhe kjo këngë, herë si sfidë kohësh e herë si piskamë shekujsh, herë si zemërthirrje e herë si zemërklithje, theu muret e ndarjes e çau muret e burgjeve ku regjimi barbar i Beogradit kishte ngritur bastijat e tij të shumta, duke besuar keq se me lak e me gjak, me topa dhe me tanke, me tmerr dhe me terror, mund ta vriste lirinë e një populli.

Në rrjedhën e kohëve Shkurte Fejza u bë një uragan i pandalshëm, e kënga e saj u bë flakë e gjallë lirie. Emblema e këngës shqipe, pjesa më e hirshma sa dhe më e papërsëritshme e saj, Shkurte Fejza hyri në sfondin e muzikës popullore shqiptare fare natyrshëm dhe pa imponime. Si e tillë, ajo mbeti sa origjinale po aq edhe prijatare. Ajo u bë shembull për simotrat e saj të shumta dhe nderoi e respektoi gjithmonë ata që lanë gjurmë e trasuan rrugë në muzikën popullore shqiptare, të cilën ajo gjithmonë e ruajti të paprekur nga çoroditjet e të shumta kohëve ziliqare.

Duke iu kthyer rrënjëve tona, Shkurte Fejza gjakoi e frymoi gjithmonë kah ardhmëria, sepse tek madhështia e artit të popullit të cilit ajo ka nderin t’i takojë, ajo pa, njohu dhe përqafoi artin e mirëfilltë. Duke pirë ujë tek gurra popullore, jo vetëm që u frymëzua por edhe u mrekullua nga ajo, duke e ngritur këngën shqipe si një përmendore të një tradite të lashtë sa dhe të begatë.

Të bëhesh kështu me zërin tënd dhe me magjinë e këtij zëri pjesë përbërëse sa dhe e gjallë e jetës së një kombi, të bëhesh me zërin tënd dhe me këngën e këtij zëri të papërsëritshëm pjesë e përditshme e ëndrrave dhe e agimeve të këtij kombi, të hysh me zërin tënd dhe me këngën e zemrës sate në zemrat e njerëzve të këtij kombi dhe të depërtosh me jehonën e atij zëri si dhe me jehonën e asaj kënge në shtresat më të thella shpirtërore si dhe në skutat më të errëta të jetës nën robëri, të depërtosh në çdo shtëpi apo edhe në çdo vatër, të bëhesh pjesë e sofrave dhe pjesë e votrave, si dhe pjesë përbërëse e ëndrrave të shumta të kalamajve të cfilifur të Kosovës martire-nën okupimin klasik, ta kthesh zërin tënd dhe këngën tënde në një shpresë dhe në një rreze drite për të ardhmen, të këndosh dhe të lartësosh me zërin tënd dhe me këngën tënde dëshmorët dhe heronjtë e kombit e të atdheut tënd, ta kesh zërin tënd dhe këngën tënde armë të përhershme në shtegun e dritës, të bëhesh pjesë e pandarë e marrshimit drejt lirisë dhe e zgjimit të një kombi, ta mbash gjallë flakën e pashuar të idealeve të tij dhe të besosh me tërë qenien për lirinë dhe ardhmërinë e këtij kombi, të sfidosh padrejtësitë e kohës dhe të besosh në triumfin e pandalshëm të këngës, të dëgjosh aq shumë zërin e kombit tënd dhe ta përçosh aq qartë zërin e zemrës sate si dhe flakën e këngës shqipe në dhomat e studentëve e në zgafellat e minatorëve (luanëve të nëntokës aq të begatë të këtij dheu aq të bekuar), të bëhesh me fjalën tënde, me zërin tënd, me këngën tënde si dhe me shembullin tënd pjesë e një lufte të pandërprerë sa me pushkë po aq edhe me penë, të bëhesh pra kështu pjesë e përhershme e një misioni sa fisnik po aq edhe e një vizioni kulturor e artistik, të nderosh brezat pararendës dhe të përkrahësh kaq shumë brezat pasardhës, të flasësh me aq pietet, me aq respekt (madje deri në përkulje) për emrat e mëdhenj të muzikës popullore foklorike, si dhe ta përfaqësosh me aq dinjitet dhe me aq afinitet këtë muzikë; të bëhesh kështu shembull i rrallë mirësisë, i njerëzisë, i vëllazërisë, i dashurisë mes njerëzve dhe i atdhedashurisë, shembull kaq i rrallë i fisnikërisë, i mençurisë dhe i bujarisë, don të thotë se je bërë kështu pjesë e pandashme e kulturës shpirtërore të këtij kombi, do të thotë se ke pasur një bekim sa të bardhë po aq edhe të rrallë, të cilin providenca hyjnore ia ka falur muzikës popullore, don të thotë se je bërë kështu pjesë e përjetshme e breznive orëmira, të cilat sot e mot, kanë pasur dhe kanë vetëm një qëllim: zgjimin e perëndive ilire në Gadishullin Ilirik.

Shkurte Fejza është sa e Kosovës po aq edhe e Shqipërisë, sa e Çamërisë po aq edhe e gjithë shqiptarisë, prandaj nuk është rastësi pse tek Shkurta Fejza shkrihen aq natyrshëm sa dhe vetvetiu e bukura dhe e madhërishmja e artit muzikor shqiptar: e djeshmja, e tanishmja dhe e përjetshmja. Tek ajo mishërohen aq bukur dhuntitë e falura nga natyra dhe nga vetë arti. Në zërin e saj ka pasion, në paraqitjen e saj ka shkëlqim, në këngën e saj ka një shpërthim ndjenjash e ngjallje emocionesh. Ky zë dhe kjo këngë është ura mes këngëtares dhe publikut. Lentat e zërit të saj janë dëshmi deri në përjetësi se ky zë, është si një ylber që ngjitet qiellit pas gjakimit shpirtëror që shëmbëllen aq shumë me shirat e prillit. Duke ia falur këtij zëri flatrat e fjalës shqipe, duke iu falur përmes këtij zëri kaq të dashur dhe kaq depërtues adhuruesve të panumërt të këngës së saj, Shkurte Fejza me tërë bardhësitë e zemrës dhe me gjithë fuqitë e shpirtit të saj të madh, ka shpalosur dhe shpalos mermerin më monumental të muzikës popullore shqiptare.

Vështirë se mund të ketë fat dhe privilegj më të madh se kaq për një këngëtare. Dhe jo më pak për një komb të lashtë sa dhe fisnik, i cili këtë emër e ka aq shumë për zemër.
Një fat dhe një privilegj i tillë, shaplos sa një portret të rrallë po aq edhe një monument të gjallë.

Pa dyshim, një zë si një margaritar tepër i rrallë!
Një bekim i bardhë të cilin na e fali vetë Zoti, dëshmi se politika shpesh edhe vonon, por është muzika ajo që si pjesë e artit dhe e kulturës shekullore, e bashkon një komb të tërë!
Shkurte Fejza lartëson dhe nderon një komb dhe një kulturë të tërë. Me këngën e saj dhe zërin e zemrës së saj, ajo na bënë të ndihemi krenarë.

Prandaj, këngëtarja e madhe shkodrane Violeta Zefi, i tha aq bukur, i tha për një komb të tërë:
Shkurte Fejza, feleminderit që ekziston!

Gjithsesi për të gjithat buqetat e këngëve shqipe, për këngët e mbushura përplot pranvera:
Shkurte Fejza, të këndoftë gjithmonë zemra!