Shkruan Prof. Zymer Mehani
Shkrimtari Viktor Canosinaj lindi në vitin 1960 në Durrës.
Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në qytetin e Durrësit. Pas studimeve universitare ne Gjuhë – Letërsi, punoi mësues letërsie, gazetar dhe përkthyes. Në vitet ‘70 publikonte poezi dhe vjersha të shkurtra. Ndërsa në fillim të viteve ‘80 botoi librin e tij të parë për fëmijë, duke ndjekur me botimin e tij të parë për të rritur në vitin 1989. Viktor Canosinaj e nisi aktivitetin letrar në moshë të re, duke botuar vjersha e tregime. Libri i tij i parë, një novelë për fëmijë, u botua në vitin 1981. Në vitin 1984 u pasua nga një roman me temë historike po për fëmijë. Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, Viktor Canosinaj i rikthehet përsëri letërsisë, kryesisht në romanin për të rritur dhe për fëmijë.
Ai boton disa romane për të rritur dhe rreth 20 libra për fëmijë e të rinj, duke u bërë brenda pak viteve një nga autorët më të lexuar në vend. Tani drejton shtëpinë botuese “Dyrrah”.
Viktor Canosinaj është gjithashtu autor i studimit “ Nga Liza te Harri Poteri”, kushtuar letërsisë për fëmijë. Ai ka përkthyer nga anglishtja dhe italishtja letërsi për fëmijë dhe të rritur.
Ndërsa për fëmijë e të rinj ka përshtatur romanin “Don Kishoti i Mançës”. Po ashtu, shkrimtarin e ndeshim hera-herës edhe si përkthyes: përmendim këtu shqipërime (nga anglishtja): nga autori Juri Orlev: Egërsia nën krevatin tim (roman1998), nga Elvin B. Uajt:
Mrekullia e Sharlotës [roman i përshtatur 2007], nga Xhon Raskin: Mbreti i lumit të artë – 2007, nga Lyman Frank Baum: Magjistari i Ozit – 2007, nga Ferenc Molnar: Ushtari i lavdishëm Nemeçek – 2008, (“Djemtë e rrugës Pal”, përkthim nga italishtja).
Është një shkrimtar që ka lëvruar në gjininë e prozës dhe kryesisht në prozën e gjatë. Romanet për fëmijë dhe të rinj i përkasin moshave 9 -16 vjeç dhe kanë tematikë të gjerë e problematikë të larmishme përsa u përket temave bashkëkohore.
Këto tema e probleme që bëhen lëndë edhe për romanet e tij, autori mundohet t’i vështrojë e t’i trajtojë me syrin e fëmijëve dhe të të rinjve. Është një shkrimtar që duhet përgëzuar sa për romanet e shumtë që u ka dhuruar lexuesve fëmijë, aq dhe për cilësinë e krijimit.
Kështu “Biri i erës”, i llojit fantazi dhe aventurë, është libër që ka pasur sukses dhe vazhdon të mbetet një ndër më të lexuar të autorit. Romani shtjellon fatin e një kali të rritur në liri, që bie rob te njerëzit, të cilët e shesin dhe e shfrytëzojnë gjatë gjithë jetës, për punë dhe për luftë. Kali njeh mizoritë njerëzore, sidomos ato të luftës. Ëndrra e madhe e lirisë e çon kalin me emrin Biri i Erës drejt arratisë bashkë me shokët e një cirku shetitës, ku ai punonte prej disa vjetësh.
Mesazhi që përçon te lexuesi ky roman është i qartë: Çdokush duhet të luftojë në jetë për të qenë i lirë. Ja një fragment i librit: Diku, patjeter do te gjendet nje vend i lire, mendoi Biri i Eres duke marre rrugen per t’u kthyer te shoket e cirkut. Edhe po nuk u gjet, ne do te luftojme perseri per lirine tone, deri ne frymen e fundit. Erdhem te lire ne kete bote dhe te lire duhet te vdesim…
Ndërsa romani “Ata kërkonin lumturinë”, është i llojit të problemeve shoqërore, i gërshetuar me aventurë. U botua në vitin 1997 dhe pati një sukses të menjëhershëm. Ai ka njohur disa ribotime nëpër vite dhe mbetet një nga romanet më të lexuar të autorit Viktor Canosinaj.
Është historia e një grupi fëmijësh shqiptarë që ikin në Itali fshehurazi, në kërkim të një jete më të mirë dhe atje ndeshen me një sërë ngjarjesh që as nuk i kishin çuar nëpër mend, si shfrytëzimi i fëmijëve për lypje dhe prostitucion, trafikimi i tyre etj. Miqësia e ngushtë me njëri-tjetrin bën që ata të mbeten të bashkuar dhe në fund të vendosin për t’u kthyer përsëri në shtëpi.
Nuk mund të lëmë pa përmendur romanin aq të dashur për fëmijë dhe të rinj sot “Meriyll”. U botua në vitin 2000. Roman i llojit të problemeve shoqërore. Që në rreshtat e parë ndeshemi me Meriyllin, e cila qëndron e ulur pranë nënës së saj të sëmurë.
Romani fillon me ngjarjen e dhimbshme të vdekjes së nëns së Meriyllit. Fatkeqësia që godet Meriyllin të bën të ndjesh dhembushuri për këtë personazh. Meriyll është vetëm 13 vjeçe dhe supet e saj të brishtë do të duhet të mbajnë peshën e humbjes së njeriut më të shtrenjtë, nënës, pikërisht në momentet kur ajo do të kishte më shumë nevojë për të…
Vajza ende e parritur do të duhet të zbatojë amanetin e nënës, të kujdeset për vëllain dhe motrën e vogël. E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, vuajtjes së saj i shtohet edhe babai, i cili gjen ngushëllimin tek alkoli. Sa shumë durim, forcë dhe besim do t’i duhet Meriyllit t’ i kapërcejë të gjitha këto… Duke pasur brenda vetes mirësinë, virtytet edhe njëkohësisht duke qenë e ndihmuar edhe nga miku i saj më mirë, Sidriti, ajo arrin t’i kapërcejë e t’ia dalë mbanë.
Motivi që përshkon këtë roman është sa i dhimbshëm, aq dhe real i jetës së përditshme, sa dinamik aq dhe intrigues për vetë faktin se si rrjedhin dhe zgjidhen ngjarjet. Problemet sociale, shoqërore dhe kurthet që u ngre realiteti adoleshentëve, si shoqëria e keqe, droga, janë pasqyruar e konceptuar më së mirë në roman, duke vënë përballë personazhin e Meriyllit dhe të Sidritit, si një forcë kundërshtuese, si një shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë.
Mesazhi që përcjell ky roman është mjaft domethënës dhe me një forcë të madhe jetësore, ku fatkeqësitë, varfëria, kurthet e jetës nuk duhet të mposhtin, por gjithsecili duhet të gjejë forcën brenda shpirtit, brenda vetes, për të dhënë zgjidhje dhe për të gjetur më të mirën.
Në roman çdo personazh është ndërtuar për të përcjellë e realizuar mesazhe dhe elemente jetësore mjaft të rëndësishme për çdo adoleshent.
Personazhi kryesor, Meriyll, është një figurë mjaft e arrirë, tek e cila çdo vajzë adoleshente mund të gjejë veten. Karakteristikat dhe virtytet e saj paraqesin një model i cili duhet të frymëzojë jetën e një adoleshenteje. Sidritit, gjithashtu, është shembull i shpirtit fisnik, një djalë, i cili edhe pse i ka të gjitha nga jeta, nuk ngurron të ndihmojë shoqen e tij duke iu bërë krah në vuajtjet e saj.
Përballë këtyre dy personazheve që reflektojnë mirësi kemi Klarën, një personazh negativ, mendjelehtë që joshet nga vogëlsirat pa shpirt, objektet, e nëpërmjet saj autori përcjell anët e errta që mund të paraqiten në jetën e një të riu kur gënjehet lehtë. Dhe që këtej përcillet një mesazh mjaft i rëndësishëm: Mos kërko të arrish lehtë të mirat e jetës, duke zgjedhur rrugën e gabuar. Ato arrihen veç me punë e mund.
Përballë kësaj vjen i qartë dhe i fortë mesazhi që përçoi Meriyll tek të rinjtë adoleshentë: Gjej forcën, ki durim, ec drejt në rrugën tënde të jetës, pa hequr vëmendjen nga gjërat që kanë vërtet vlerë në jetë.
Gjithashtu nëpërmjet figurës së plotësuar të Sidritit, shkrimtari Viktor Canosinaj përcjell mesazhin: Ji fisnik, shpirtgjerë, edhe pse jeta është treguar e mirë me ty, Jepi dorën atij që ka nevojë për të, Mëso dhe ji i palodhur sepse kështu lehtësohet mendja dhe shpirti. Në sajë të mbështetjes së Sidit, vajza me emrin Meriyll arrin t’ia dalë mbanë dhe të shpëtojë nga trafikimi.
Në personazhin e gjyshes, përcillet dashuria e dhembshuria e të urtave gjyshe, si një ilaç i pakrahasueshëm në kohën e duhur, për të lehtësuar dhimbjet që jeta të sjell herë pas here.
Me teta Bardhën, shoqen e mamasë së Meriyllit, pasqyrohet dëshira për të ndihmuar. Dora e ngrohtë dhe e butë, e cila të jepet në momentet kur ti ndjen se po fundosesh.
Babai i Meriyllit paraqet tablonë e prindit që humbet rrugën prej dëshpërimit, por e gjen dhe e rimerr përsëri atë, me anë të ndihmës që i jepet nga njerëzit që e duan.
Nëpërmjet këtij personazhi, autori përcjell këtë mesazh: Mos u mposht prej dëshpërimit, kërko rrugën e duhur dhe luaj rolin që të kërkon jeta.
Ndërsa babai i Sidritit, na vjen si shëmbëlltyrë e urtësisë, thjeshtësisë, zotësisë, virtyte që e përmbushin portretin e një prindi të dhembsur. E kundërta ndodh me mamanë e Sidritit, ku autori ndalet dhe përcjell këtë mesazh të fuqishëm: Mirëqënia nuk duhet t’i bëjë njerëzit t’i gjykojnë keq, që nuk janë në një nivel me ta.
Nëpërmjet figurës së mësueses kujdestare të Merit, paraqitet mësuesja e mirë, e dashur që ka dëshirën t’i mirëkuptojë nxënësit e saj.
Mësuesja i hodhi krahun dhe u mundua ta qetësonte…Kishin rënë shirat e parë të vjeshtës dhe gropat e shumta qenë mbushur me ujë. Nga gërrmimet dhe ndërtimet e reja, asfalti i mbetur pothuaj qe mbuluar nga balta. Megjithatë, ajo rrugë iu duk Merit më e dashur se kurrë. Ishte rruga e shtëpisë.
Përballë figurës së modeluar më së miri të mësuese kujdestare, na paraqitet një portret i vrazhdë, mendjemadh e arrogant, e mësueses së anglishtes, e cila përcillet nëpërmjet rolit të saj, si një demaskim për të gjithë mësuesit e tillë.
Mozaiku i personazheve bën që të ketë dinamikë, larmi dhe elemente jetësorë të pasura. Të gjitha këto bëjnë që lexuesi të vihet përballë karaktereve dhe situatave të ndryshme. Gjuha e përdorur në roman është e thjeshtë, mjaft e qartë për moshën e lexuesit që i dedikohet dhe rrjedh fluide edhe nëpërmjet dialogëve të shumtë midis personazheve, që e bën romanin të këndshëm dhe të realizuar. Dinamika e ndodhive e bën lexuesin të ndihet i tërhequr prej tyre, për të marrë vesh rrjedhën e ngjarjes. Ky roman përcjell vlera njohëse, edukative, udhërrëfyese për moshën e adoleshencës, që është në një fazë kritike të zhvillimit të të rinjve.
Paraqitja reale e ngjarjeve, koherenca e problematikës, dhënia e konfliktit në disa linja: mirëqënia kundrejt varfërisë, rruga e lehtë e gabuar kundrejt rrugës së vështirë, por të ndershme, bëjnë që lexuesi të reflektojë me optimizëm mbi fenomenet jetësore që ndodhin përreth tij.
Një temë tjetër e prekshme në ditët e sotme është edhe trajtimi i problemit tragjik të gjakmarrjes dhe të ngujimit të fëmijëve ne novelen Lulet e përgjakura të 7 Marsit, e botuar në vitin 2001. Në qendër është një djalë 12-vjeçar, i cili detyrohet të ngujohet për shkak të gjakmarrjes, ndërkohë që i ati është larguar drejt Greqisë në emigracion. Gjakmarrësit janë familja e një shoku klase të djalit të ngujuar. Gjakmarrja eshte nje ndër plagët më të hershme të Shqipërisë. Ajo është si një oqean, i cili gllabëron pa mëshirë çdokënd sido-kurdo të lëvizë nëpër të.
Viktor Canosinaj është shkrimtar i periudhës së letërsisë në vitet e tranzicionit, ndaj është e kuptueshme që trajton probleme aktuale të shoqërisë sonë në tranzicion dhe si bosht kryesor ka problemin e edukimit të brezit të ri, probleme të edukimit të fëmijëve në familje, në shkollë e kudo. Kështu ndodh dhe me romanin Monstrat e Rrugës së Mimozave, i cili të tërheq nga titulli misterioz e i frikshëm, por edhe për vlerat që përcjell.
Në fakt, shkrimtari nuk na e rrëfen menjëherë fabulën e ngjarjes, por, ka vendosur që ngjarjet të zbulohen përmes veprimit, duke bërë që tensioni i situatave të ndryshme të vijë duke u rritur.
E strukturuar si mozaik, pjesët e tregimit zbërthehen përmes personazheve që janë skalituar aq bukur nga shkrimtari, saqë në përshkrimin dhe veprimet e tyre të nxit përfytyrimin ku secili nga fëmijët gjen veten, kuptohet me problemet e moshës. Në qendër të romanit është një fëmijë i zgjuar e harrakat, pa përkrahje sipas botës dhe mendimit të tij. Njerëzit që e rrethojnë, prindërit, mësuesit, nuk e kuptojnë. Romani nis që në fillim me personazhin Andi Tomorrica, i cili papritur kthehet në një hero të vërtetë.
Dhe telashet nuk kanë të sosur: problemet që hasen në familje, komunikimi dhe reagimi i prindërve, situatat e ndryshme, i ashpërsojnë më shumë kontradiktat me Andin.
Autori futet shumë në botën e brendshme të fëmijëve, sidomos të atyre të lënë pas dore nga prindër, të cilët janë të marrosur nga paraja dhe bota materialiste duke harruar gjënë më të shtrenjtë, fëmijët. Janë fëmijë që kanë nevojë për ngrohtësi, mbështetje, komunikim dhe dashuri. Janë fëmijë që kanë nevojë për lojërat dhe çapkënllëqet e tyre. Ky fëmijë, Andi, mbetet i zhgënjyer nga të rriturit që e rrethojnë, i pëlqen bota e tij. Ai ishte i zhgënjyer nga të rriturit që e rrethonin.
Ata nuk e kuptonin. Nxënësi im ishte në kërkim të vetvetes. Ai donte të ishte vetevetja, gjë që për shumë fëmijë shpesh është shumë e vështirë, sidomos në vendin tonë ku prindërve akoma u pëlqen vetëm të japin mend e të urdhërojnë. Prindërit kishin plane të tjera për djalin e tyre, dëshira që Andi nuk i pëlqente. Është një fëmijë krejt i zakonshëm, 12-vjeçar, nuk do të shtiret e të llastohet nga prindërit. Duan ta bëjnë muzikant, violinçelist.
Kjo situatë e bën Andin një fëmijë të mbrapshtë dhe të pasjellshëm në situata të caktuara, por në thelb, është një djalë zemërmirë dhe ka dëshirat e tij. Djalit i pëlqejnë kafshët, qentë, ëndërron të bëhet pilot. Jul Çezari, qeni i tij, ndryshe i thërrisnin Gjeneral, bëhet miku më i mirë i tij.
Romani nxjerr në dritë disa probleme të shoqërisë sonë. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që përshkon romanin fund e krye, marrëdhënia prindër-fëmijë. Dhe kjo jo vetëm në familjen e Andit, por edhe në familjen e shoqes së tij moshatare Dea, vajzë “e persekutuar” nga prindërit, të cilët e detyrojnë të mësojë me kurse tri-katër gjuhë njëherësh. Të dy, të mërzitur e në shenjë proteste, ia mbathin nga familjet e tyre për disa ditë, në plazhin e Durrësit. Ndërkohë prindërit shqetësohen.
Reagojnë dhe bëhen më të arsyeshëm, i dëgjojnë fëmijët e tyre. Tensioni i ngjarjes vjen duke u rritur. Situata vështirësohet.
Andin e rrëmbejnë kriminelët. Vihet re përpjekja e shokëve të tij Madlit, Deas dhe qenit të tij besnik Gjeneralit, i cili jep dhe jetën për mikun e tij. Rrëmbyesit i kërkojnë para të madhe të atit, Gjergjit. Me ndërhyrjen e policisë dhe me veprimin e vetë fëmijëve, aksioni i tyre dështon. Duket si një skenar filmi, me aksione të njëpasnjshme e që të tërheqin.
Stili i shkrimtarit është i shkathët. Mjeshtëria e autorit të bie në sy në disa drejtime. Ligjërimi i romanit bëhet në vetën e tretë, me kapituj që renditen me numra. Kapitulli i parë na përshkruan menjëherë një episod interesant, një aksion që të intrigon, të hedh grepin, të mban të lidhur e të bën të mos e lëshosh më tej librin nga dora.
Duke thyer kompozicionin klasik, ekspozicioni jepet në faqen 26, jo në ligjërimin e autorit, por në vetën e parë, nga teto Meli, e punësuara në familjen Tomorica, një person shumë i dashur për Andin (i dukej si gjyshja e tij). Këto ndërkallje të herëpashershme (Tregon teto Meli, tregon Dea, tregon mësuesja e gjuhë-leximit…etj) janë pikërisht gjetje për të na dhënë edhe më mirë, në vetën e parë, përjetimin e çasteve. Por, në roman vihet re dialogu i shkathët dhe një gjuhë e pastër.
Një aspekt i veçantë në roman dhe që zë vend të rëndësishëm është dhe paraqitja dhe pozicionimi në shoqëri i figurës së mësuesit. Në roman, mësuesit e kanë marrë me sy të keq Andin (mësuesja e matematikës, apo ajo e kursit të frëngjishtes të Deas), i flasin me inat, nganjëherë dhe me përbuzje Këtu autori nxjerr në pah problemet e arsimit dhe gjithë stafit pedagogjik, që të sillen më mirë, më ngrohtë, t’i bëjnë për vete (sepse janë fëmijë), t’ i përkrahin dhe t’ i kthejnë në rrugë të mbarë e të drejtë.
Shkrimtari prek edhe një temë tjetër, diskriminimin racial, shoku më i mirë i Andit, gabeli Madli. Në fakt, gjuha në roman përdoret edhe si mjet individualizimi i personazheve. Duke e prekur këtë temë, autori i edukon ata me dashurinë për njëri-tjetrin. Në roman vihen re dhe momente të bukura të humorit, situata që krijon Andi si në klasë ashtu dhe në festën e viti të ri, apo në ditëlindjen e Deas. Një vend me rëndësi në roman zë dhe marrëdhënia e Andit me qenin e tij, Gjeneralin.
Kafshët janë të dashura, të kënaqin me lojërat e tyre, plotësojnë boshllëqet e fëmijëve, si në rastin tonë të Andit, ndaj prindërit nuk duhet ta shikojnë këtë një marrëdhënie të çuditshme, por t’i inkurajojnë fëmijët e t’i duan dhe ata kafshët. Një moment tjetër i rëndësishëm dhe i prekshëm është dhe marrëdhënia shoqërore që ka Andi me Dean në roman. Prindërit e shohin si një fantazëm, me frikë apo mosbesim këtë lidhje shoqërore. Duket sikur kanë gjetur veten, për shkak dhe të vetë probleme të ngjashme që kanë me familjet e tyre. Por nga ana e autorit, kjo lidhje jepet shumë bukur në botën e fëmijëve, shëtitjet e bukura në rrugën e Mimozave me qentë e tyre, ditëlindja e bukur e Deas, apo dhe momentin kur Dea shkon për të shpëtuar Andin.
Mesazhi është i qartë: Fëmijët duhet lënë të lirë, të mos i ndrydhim ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Duke lexuar librin, kush nuk do të donte një vëlla, një shok si Andi, kjo është mjeshtëria, thjeshtësia e të shkruarit. U desh kohë ta njihja. Nuk ishte nga ata fëmijë që janë të lexueshëm që në pamjen e parë, kishte botën e tij, ku, për të hyrë, duhet të zbuloje fillimisht kodin sekret (f. 64).
Portreti i tij fizik e moral është skalitur nga autori me mjaft dashuri, ngrohtësi e mjeshtëri artistike, duke e bërë atë një personazh të këndshëm e të admirueshëm për fëmijët. Dhe këtë autori e realizon shumë bukur, duke i lënë personazhet të veprojnë dhe të prezantohen vetë, ndërsa lexuesi e kupton mesazhin dhe reagon vetë. Romanin e bën më tërheqës edhe Gjenerali, qeni i Andit. Është një gjetje nga ana e autorit, pra “monstra” tjetër dhe kjo duket dhe në përshkrimin që i është bërë: Gazetari u tërhoq mbrapsht. Kurrë në jetën e tij nuk kishte parë qen të atillë.
Ishte një krijesë e rrallë, që kushedi nga duhej të kishte ardhur. Kishte një trup gjigand, gjoks të gjerë, një ngjyrë të zezë në gri, qime të shkurtëra e të rralla si të një qilimi tepër të përdorur. Koka e tij ishte tmerrësisht e madhe. Gjithçka në atë kokë ishte e varur; veshët llapush si degë palme, faqet, mjekra, madje edhe vetullat. Pa folur për turirin dhe gushën, që i binte palë-palë deri në gjoks si gushë elefanti. Goja nuk merrej vesh ku ishte. Dalloheshin vetëm disa dhëmbë të llahtarshëm që dilnin jashtë, ndonëse nofullat ishin të mbyllura si kapakë e një valixheje. –Ç’është kjo monstër?! – iu drejtua gazetari shoku të tij (f. 6). Dhe në fund ky “monstër” kthehet në një shpëtimtar: Arma u ngrit.
Gjenerali bëri një hap para, mblodhi të gjitha forcat, lehu njëherë kërcënueshëm, pastaj u lëshua drejt fytyrës së përgjakur të rrëmbyesit. Arma u zbras. Ai ndjeu në gjoks një therje të fortë dhe sytë iu errën. Megjithatë, arriti ta rrëzonte përtokë dhe t’i mbërthente me dhëmbë krahun ku mbante revolen ( f. 152). Nuk ka se si të mos prekesh nga një situatë e tillë, një qen që shpëton të zotin. Sigurisht të bie në sy heroizmi i këtij qeni të çuditshëm, në të cilën autori e përshkruan me një rrëfim fantastik dhe emocionues, duke e bërë të dashur në sytë e në mendjen e fëmijëve.
Shkrimtari Viktor Canosinaj ka krijuar tashmë stilin dhe individualitetin e tij krijues me vepra të shumta, të shkruara për fëmijë e të rinj213. Për tematikën e larmishme që trajton shkrimtari na shfaqet gjithnjë e më tepër shkrimtar i adoleshencës, për vetë problemet që shfaq kjo moshë delikate dhe që natyrisht është pjesë e shoqërisë. Është një shkrimtar që përcjell vlera artistike, edukative e pedagogjike, duke qenë në qendër të vëmendjes dhe një mesazh i mirë për edukimin, mbështetjen e edukimit të brezit të ri.
shum e bukur kjo faqja sidomos ai pershkrimi i “meriyll”
Komentet janë mbyllur.