SHKRIMTARËT DHE TERRORI I KUQ

0
655
Islami - komunizmi, signs
Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Periudha e pas Luftës së Dytë Botërore për shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë qe bërë një apokalips. Veçanërisht vuajtën shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane. Krerët komunistë fortesën katolike e quajtën çerdhe të reaksionit. Diktatorët paralajmëruan se udhëheqësit kishtarë, “para gjyqit të popullit, do të marrin shpërblimin e merituar”.

U ekzekutuan:

Prifti katolik nga Shkodra Ndre Zadeja (1891-1945) ishte dramaturg i suksesshëm. Lindi më 3 nëntor 1891. Ndoqi kolegjin jezuit në Shkodër. Për kualifikim fetar u dërgua në Insbruk. Me t’u kthyer në Shqipëri u emërua sekretar i kryepeshkopit të Shkodrës, Jak Serreqi. Më vonë qe famullitar në disa fshatra të Shqipërisë së veriut. Ka shkruar poezi. Një pjesë e tyre është botuar. Është botuar edhe poezia me 291 vargje drejtuar bashkëkohësit të vet, studiuesit jezuit Fulvio Kordinjano (Fulvio Cordignano, 1887-1952). Është autor i pjesëve teatrale me frymë kombëtare me tema nga historia e nga legjendat që në vitet ’20 e ’30 të shekullit XX u vunë në skenë në Shkodër. Ndër to janë melodrama “Ora e Shqipnis” (1919); “Hijet e zeza” (1921), legjendë që u shfaq më 1921; “Ruba e kuqe” e shfaqur më 1937; melodrama “Rozafa” e shfaqur më 1936; pjesa me temë patriotike “Rreth flamurit”; “Shpella e Bogdanit”; “Rrethimi i Shkodrës 1477-1478” e shfaqur më 1937. Zadeja u arrestua më 4 shkurt 1945. U ekzekutua në oborrin e kishës më 25 mars 1945.  

Lazër Shanto (1892-1945) ishte poet dhe eseist nga Shkodra. Lindi në 2 shtator 1892. Studioi teologjinë në Insbruk. Më 1920 u shugurua prift. Botoi artikuj në revistën Ora e maleve të themeluar më 1923 nga Ernest Koliqi (1903-1975) dhe nga Anton Harapi (1888-1946). Në dhjetor 1924 me grusht shteti erdhi në fuqi Ahmet Zogu. Lazri iku në mërgim në Austri. Që andej vajti në Zvicër. Është autor i disa prozave, si p. sh. “Grueja”. Poezitë lirike i botoi në Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout dhe Leka. Botoi me pseudonim edhe disa tingëllima dashurie. Është autor i përmbledhjes humoristike “Për natë kazanësh”, Shkodër 1919. Përktheu nga gjermanishtja Fridrih Shilerin (1759-1805), pjesë nga “Fausti” i Johan Volfgang fon Gëtes (1749-1832). Më 1940 Shantoja u kthye në Shqipëri. Më 1944 autoritetet komuniste e  arrestuan dhe e pushkatuan më 1945.

Ati françeskan Anton Ndue Harapi (1888-1946) nga Shkodra është autor i romanit të shkurtër “Valë mbi valë” të botuar në disa numra të revistës Hylli i Dritës në vitet 1939-1942 dhe i prozës “Andrra e Pretashit”, Romë, 1959 (pas vdekjes). U ekzekutua në Tiranë më 19 shkurt 1946.

At Gjon Shllaku (1907-1946) ishte frat françeskan, arsimtar dhe publicist. Drejtor i Hyllit të Dritës. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1907. Filloren dhe gjimnazin e ulët i kreu në vendlindje. Pasi kreu liceun Illyricum, u dërgua në Holandë për teologji. Në vitet 1936-1937 doktoroi për filozofi në Universitetin e Sorbonës në Paris. Pas studimeve u kthye në atdhe. Në janar 1946 u arrestua nga regjimi komunist. U pushkatua në Shkodër më 4 mars 1946.

Botuesi dhe juristi arbëresh Terenc Toçi (Ternzio Tocci, 1880-1945) lindi më 9 mars 1880 në Strigar (ital. San Cosmo Albanese), ku kishte lindur edhe poeti lirik Zef Serembe (1844-1901). U arrestua nga regjimi komunist dhe u pushkatua në Tiranë më 14 prill 1945.

Gazetari i njohur Nebil Çika lindi në Borsh në vitin 1903. Drejtoi gazetën Arbëria dhe revistën Minerva. Pushteti komunist e pushkatoi në Tiranë më 17 nëntor 1944.

Shkrimtari bektashian Baba Ali Tomori (Ali Tyrabiu) lindi në fshatin Shalë të Tepelenës më 1893. Regjimi komunist e akuzoi si bashkëpunëtor të anglezëve. Më 1947 u dënua me vdekje. U pushkatua më 14 janar 1948.

Manush Peshkëpia (1910-1951) lindi në Vlorë. Ishte punëtor finance, poet dhe publicist. ishte anëtar i Ballit Kombëtar. Poezitë e tij u botuan nëpër revista në vitet ’30, sidomos në Përpjekja Shqiptare. Nën akuzën “armik i popullit”, më 13 prill 1945 u dënua me 5 vjet burg. Pas katër vjetëve u lirua. Më 20 shkurt 1951 u arrestua sërish. Tani për incidentin në Ambasadën Sovjetike. Në të gdhirë të 27 shkurtit të po atij viti u pushkatua pa gjyq, bashkë me 21 intelektualë të tjerë. Që të gjithë u hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës. Linguisti dhe albanologu austriak Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963) e përfshiu në “Antologjinë e poezisë shqipe” (Albanishes Lesebuch) të botuar në Lajpcig më 1948. Nga Presidenti i Republikës u nderua me titullin “Nderi i Kombit”.

Vdiqën në burgje:

Bernardin Palaj (1894-1947) është poet françeskan. Ishte i dhënë pas folklorit. Lindi më 2 tetor 1894 në malësinë e Shllakut. Filloren e kreu në shkollën e etërve françeskanë në Shkodër që më vonë u njoh me emrin Collegium Illyricum të drejtuar nga Gjergj Fishta. Shkollën e mesme e vazhdoi në Salzburg të Austrisë. Shkollimin fetar e ndoqi në Insbruk. Me t’u kthyer në Shqipëri punoi si prift famullie në malësi. Më pas punoi si mësues i shqipes dhe i latinishtes në Collegium Illyricum. Gjatë udhëtimeve nëpër malësi, sikur Vinçenc Prennushi dhe Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), mblodhi këngë popullore. Shkroi artikuj për letërsinë gojore gegërishte dhe për zakonet fisnore. Këngët kreshnike, cikli i epikës heroike të Mujit e Halilit, i botoi në Tiranë më 1938 bashkë Donat Kurtin (1903-1969). Shkroi edhe lirika klasike dhe elegjiake që i botoi kryesisht në revistën françeskane Hyllin e Dritës. Poezitë e tij dëshmojnë për përfytyrimin atdhetar mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar dhe të përkujtojnë poezitë e poetit italian Xhozue Karduçi (Giosue Carducci, 1835-1907). Poema “Valët e një shpirti” (1934) u kushtohet perandorëve romakë me prejardhje ilire, p. sh. Konstandinit të Madh (mbretëroi në vitet 307-337) i cili futi krishterimin në Evropë. Më 1937 botoi poemën “Moskë – Alkazar”. Vijojnë himne kombëtare “Vorreve të flamurit” dhe “Kuq e zi”. Më 1938 shkroi poemën “Ndërmjet të Shën Gjergjave”. Me rastin e vdekjes së mësuesit të tij Gjergj Fishtës, shkroi elegjinë “Kah nata e vetme”. Gjatë luftës botoi studime etnografike për kanunin, mitet dhe legjendat. U arrestua në Shkodër nga tiranët komunistët, u keqtrajtua dhe u dënua me vdekje për tradhti. Vdiq në dhjetor 1947 në një burg të Shkodrës.

Vinçenc Prennushi (1885-1949) është poet, folklorist dhe përkthyes. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Studioi në kolegjin katolik në Austri. Më 25 mars 1908 u shugurua prift françeskan. Më 1940 u emërua kryepeshkop i Durrësit, duke u bërë kështu një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri. Mblodhi këngë popullore nga fiset veriore të Shqipërisë. Përmbledhjen e një materiali folklorik ia botoi arkeologu dhe historiani austriak, një prej profesorëve të Eqrem Çabejt (1908-1980) – Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) në “Kangë popullore gegnishte”, Sarajevë 1911. Prennushi botoi artikuj në shtypin katolik të kohës si Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit, Hylli i Dritës, Posta e Shqypniës dhe Zani i Shna Ndout. Më 1924 botoi në Shkodër vëllimin me poezi lirike “Gjeth e lule”. Përmbledhja përmban gjashtëdhjetë e pesë poezi me frymëzim kombëtar e fetar.

Përktheu në shqip romanin me temë nga historia romake “Quo vadis?” (1894-1896), Shkodër 1933, të shkrimtarit polak, fituesi i Çmimit Nobel (1905) Henrik Sjenkjeviç (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916). Përktheu edhe krijues gjermanë e italianë. Ndonëse nuk ishte aktiv në politikë, u arrestua nga autoritet komuniste, u torturua dhe si armik i popullit u dënua nga një gjykatë ushtarake në Durrës me njëzet vjet burg e punë të rëndë. Kryepeshkopi 63-vjeçar vdiq në spitalin e burgut më 19 mars 1949.

Prozatori dhe botuesi dom Ndoc Nikaj (1864-1951) u quajt baba i prozës gege të shekullit XX apo edhe baba i romanit shqiptar. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Studioi në kolegjin jezuit Kolegjia Papnore Shqyptare në Shkodër. Midis krijimeve letrare mund të përmendet “Shkodra e rrethueme” Shkodër 1913. Është një histori në formën e një romani të shkurtër për rrethimin e Shkodrës gjatë luftës ballkanike të vitit 1912. Më 9 shtator 1946, mu në ditën e kryengritjes së Postribës, në moshën 82-vjeçare,  arrestohet në Shkodër nga regjimi komunist. Nën akuzën e të qenit pjesë e kryengritjes së sipërthënë, dënohet me pesë vjet heqje liri. Vdes në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.

*   *   *

Gjatë gjuetisë së shtrigave në vitet 1946-1947, u arrestuan dhe vdiqën në burg shumë shkrimtarë dhe intelektualë.

Dramaturgu Kristo Floqi (1873-1951) lindi në Korçë më 24 maj 1873. Pas luftës u arrestua. Vdiq në burg më 1951 pas shtatë vjet qëndrimi në ferr.

Dramaturgu dhe poeti Etëhem Haxhiademi (1902-1965) lindi në Elbasan më 8 mars 1902. Pas luftës u arrestua dhe u dënua me vdekje. Dënimi me vdekje iu zëvendësua me burg të përjetshëm. Vdes në burgun e Burrelit më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes.

Shkrimtari dhe botuesi hafëz Ibrahim Dalliu lindi në Tiranë. U arrestua dhe vdiq në burg më 25 maj 1952.

Juristi dhe publicisti Mirash Ivanaj (1891-1953) lindi më 12 mars 1891 në Podgoricë (Mal të Zi). Studimet universitare i kreu në Romë. Në vitet 1933-1935 ishte ministër i arsimit. Arrestohet më 1946 si agjent i anglezëve dhe dënohet me shtatë vjet heqje lirie. Në burgun e Tiranës kryen përkthime për nevojat e regjimit. Vdes më 22 shtator 1953 në spitalin e Tiranës 12 ditë para se të lirohej.

Viktimë e sundimtarëve të rinj anti-intelektualë do të jetë edhe poeti Gjergj Bubani (1899-1954). Njihej edhe si Jorgji Bubani. Lindi më 20 janar 1899. Studioi në Athinë. U shpërngul në Rumani. Përktheu pjesë teatrore e tregime nga rusishtja dhe rumanishtja, sidomos vepra të dramaturgut rumun me prejardhje shqiptare Viktor Eftimiut (1889-1972). Më 1945 u kthye në Shqipëri, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Vdiq në burg më 28 shkurt 1954. I biri i tij është poeti Dionis Bubani (Bukuresht, 1926 – Tiranë, 2006).

*   *   *

Vuajtën dënime me burg:

Shkrimtari i prozës së shkurtër Mitrush Kuteli (1907-1967), pseudonim i Dhimitër Paskos, lindi në Pogradec më 13 shtator 1907. U shkollua në Bukuresht për ekonomi. I dha tonin zhvillimit të tregimit të shkurtër në letërsinë shqipe. Në vitin 1943 vizitoi Kosovën. Në fund të Luftës së Dytë Botërore Kuteli ishte funksionar në Bankën e Shtetit Shqiptar. Ishte figurë kryesore në letrat shqiptare. Ishte anëtar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e ngritur nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës, më 7 tetor 1945. Kuteli është autor i disa krijimeve letrare.

Në vitet 1945-1947 komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë kishin raporte të mira. Ishte propozuar që midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë të bëhet bashkimi monetar e doganor, gjë që Kuteli nuk e kishte miratuar. Ka që thonë se burgosje të caktuara në Shqipëri bëheshin me urdhra të Dushan Mugoshës (1914-1973) dhe të Milladin Popoviqit (1910-1945). Si anëtar i një delegacioni zyrtar Kuteli vizitoi Jugosllavinë. Thuhet se ka shprehur qëndrim kritik ndaj ripushtimit serb të Kosovës. Këtë qëndrim e kishte pasqyruar edhe më parë në veprën “Poem kosovar” të botuar më 1944. Poema është e ndarë në pesë këngë dhe ka 352 vargje. Me t’u kthyer në Shqipëri, u burgos më 16 maj 1947 për agjitacion e propagandë. Ka mendime që thonë se Kuteli është akuzuar “për përfshirje në armatën fashiste rumune.” U dënua si armik i popullit me 5 vjet heqje lirie. Ka që thonë se është dënuar më shumë se kaq. Dosjes së tij iu humbën gjurmët. Dy vitet e para të burgut (prill 1947 – prill 1949) i kaloi në një kamp pune afër Korçës, ku të burgosurit bënin punë të detyruar për të tharë kënetën e Maliqit. Pas Rezolutës së Informbirosë, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit u prishën. Në maj 1949 Kuteli u lirua nga burgu me falje.

Pas kësaj iu ndalua të merrej me shkrime. Iu lejua, sikundër Lasgush Poradecit (1899-1987) të merrej me përkthime letrare në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Pranoi në heshtje të përkthente autorë sovjetikë realizmit socialist si Maksim Gorki (1868-1936), Aleksej Tolstoj (1882-1945), Konstantin Paustovski (1892-1968), Aleksandër Aleksandroviç Fadjejev ( 1901-1956) dhe Nikollaj Ostrovski (1904-1936). Arriti të botojë edhe disa përthime të autorëve rusë të shekullit XIX si Nikollaj Gogol (1809-1852), Ivan Turgenjev (1818-1883), Ivan Krillov (1769-1844) dhe Mihail Salltikov-Shçedrin (1826-1889). Përktheu nga rumanishtja Mihai Emineskun (1850-1889), Mihail Sadoveanun (1880-1961), nga spanjishtja Pablo Nerudën (1904-1973) dhe nga frëngjishtja Andre Moruan (1885-1967) dhe Pol Elyarin (1895-1952). Njeriu që e bëri tregimin e shkurtër zhanër popullor në Shqipëri, vdiq në Tiranë më 4 maj 1967 pa e pasur respektin dhe nderin që i takonte.

Shënim: Biroja Informative Komuniste (Informbiro ose Kominform) u themelua nga Stalini më 27 9. 1947 pas shpërbërjes së Kominternës më 1943. Anëtarë të Kominformit ishin   shtetet e Evropës Lindore në krye me Bashkimin Sovjetik. Ishte edhe Shqipëria. Në vitet 1947-1948 selia ndodhej në Beograd, ndërsa në vitet 1948-1956 – në Bukuresht. Më 28.6.1948 Kominformi miratoi një rezolutë që kishte të bënte me politikën jugosllave. Josip Broz Tito nuk iu bind rezolutës. Si rrjedhojë, marrëdhëniet midis shteteve anëtare të Kominformit dhe Jugosllavisë, u prishën. Më 1955 marrëdhëniet midis Moskës dhe Beogradit u normalizuan, ndërsa Kominformi pushoi së ekzistuari.

*   *   *

Në fillimet e rendit komunist, përkatësisht në vitin 1947 u arrestua në Tiranë shkrimtari që çau rrugën drejt bashkëkohësisë para Kadaresë, Petro Marko (1913-1991). U lirua më 15 maj 1950, pas rënies së Koçi Xoxes (1917-1949). Nga mjaft kritikë është konsideruar si një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare. Romani i tij “Një emër në katër rrugë”, Tiranë 1973 që shtjellon ngjarje nga periudha e Ahmet Zogut, u ndalua dhe u dogj. Më 1973 autori humbi të drejtën e botimit për një periudhë prej tetë vjetësh. Ishte kohë e spastrimeve Paçrami dhe Lubonja. Filloi të botojë përsëri më 1982. Më 1975 u dënua me gjashtë vjet heqje liri i biri Jamarbër Marko. Sipas porosisë së lënë, Petro Marko u varros pa ceremoni.

Poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971) vinte nga krahina e Përmetit. Një pjesë të mirë të jetës e kaloi jashtë vendit. Studioi për mjekësi në Itali. Më 1924 u bë sekretar personal i Fan Nolit (1882-1965). Ishte një idealist i majtë. Më 1943 u kthye në Shqipëri. Ministër i kulturës në qeverinë e përkohshme të komunistëve. Më 7 tetor 1945 organizoi kongresin e parë të shkrimtarëve shqiptarë. Me këtë rast u themelua edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Shqipërisë, me 74 anëtarë. Më 1946 u akuzua për oportunizëm dhe devijim të djathtë. U përjashtua nga organet e larta të Partisë. U internua për dy a tre vjet në Ballsh. Pastaj e kaloi jetën në internim të brendshëm si magazinier në Fier. Vdiq më 11 qershor 1971 nga apendiciti në një vetmi të papërfytyrueshme. U varros në prani të së motrës, varrmihësit dhe dy agjentëve të Sigurimit. Pjesën më të madhe të poezive i shkroi në mërgim me pseudonimin Lame Kodra.

Musine Kokalari (1917-1983) është e para shkrimtare femër në Shqipëri dhe e vetmja deri në vitin 1960. Lindi në Adana të Turqisë. Vjen nga një familje atdhetare me prejardhje nga Gjirokastra. Familja u kthye në Shqipëri më 1920. Më 1938 vajti në Romë për të studiuar letërsinë. Studimet i kreu më 1941. Në qytetin e përjetshëm mori njohuri të mëdha. Shkroi prozë të shkurtër. Më 12 nëntor 1944 komunistët ia ekzekutuan pa gjyq dy vëllezërit, Mumtazin dhe Vejsin. Më 1944 ishte e lidhur me Partinë Socialdemokrate Shqiptare të sapoformuar dhe me organin e saj Zëri i lirisë. U arrestua më 17 janar 1946. Më 2 korrik 1946, nën akuzën sabotatore dhe armike e popullit u dënua me 20 vjet heqje lirie. Qëndroi 18 vjet në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua në vitin 1964. Pas vuajtjes së dënimit e internuan në Reshen. Aty punoi si fshesare. Pas kësaj punoi 11 vjet në ndërmarrjen e ndërtimit. Më 1979 i mbaroi internimi. Vdiq më 14 gusht 1983.

Arshi Pipa (Shkodër, 1920 – Uashington D. C. 1997) është poet, studiues, kritik letrar, përkthyes. Studioi filozofinë në Universitetin e Firences. Përpos shqipes, fliste italisht, frëngjisht dhe anglisht. Kishte një vëlla dhe katër motra. U arrestua më 27 prill 1947. U akuzua se “gjatë luftës kishte drejtuar revista me ideologji fashiste…”. U dënua me 20 vjet heqje lirie. Vuajti nëntë vjet burg. U lirua më 26 prill 1956. Më 1957 arratiset bashkë me të motrën Fehime. Vendoset në Sarajevë. Që andej emigron në ShBA.

U dënuan: poeti bektashian Ibrahim Hasanaj (1912-1995); poeti lirik i viteve ’30 dhe ’40 Nexhat Hakiu (1917-1978) nga Vlora, i njohur me pseudonimet Ali Dervalla dhe Nexhat Mahmut Hakiu; dhe romancieri e botuesi Anton S. Frashëri (1892-1965).

Andrea Varfi (1914-1992) lindi në Qeparo të krahinës së Bregut. Ishte poet, prozator dhe publicist. Me profesion agronom dhe përkthyes. Nga një raport i datës 24 janar 1948 shihet se ka qenë i ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit për të përcjellë dhe për të raportuar për Eqrem Çabejn (1908-1980). Më 1957 arrestohet dhe vuan dy vjet burg. Më vonë u bë ndër poetët kryesorë të realizmit socialist.

Përkthyesi Jusuf Vrioni (1916-2001) lindi në Korfuz. Studimet i kreu në Francë. Më 1939 kthehet në Shqipëri. Më 13 shtator 1947 arrestohet. Akuzohet për spiunazh, agjitacion dhe propagandë. Në periudhën shkurt 1949 – prill 1950 qëndron në njërën prej 17 qelive të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 dënohet me 15 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e vuan në Burrel. U lirua më 3 dhjetor 1959. Sipas disa të dhënave është liruar në fund të vitit 1958. Më 1960 u ngarkua me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës. Përktheu në frëngjisht Migjenin (1911-1938) dhe disa vepra të Kadaresë (1936). Vdiq në Paris në vitin 2001.

Përkthyesi dhe poeti Pashko Gjeci (Shkodër, 1918 – Tiranë, 2010) ndoqi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Atje vajti më 1938, ndërsa diplomoi më 1942. Po atë vit u kthye në atdhe. Përpos shqipes, njihte greqishten e vjetër, latinishten, italishten, frëngjishten, gjermanishten. Më 4 shtator 1947 u arrestua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit popullor”. U dënua me pesë vjet heqje lirie. Vitet e burgut i kaloi në Burrel, Spaç, Maliq, Beden. U lirua më 1952. E përktheu “Komedinë hyjnore”Dantes (Dante Alighieri, 1265-1321) e cila doli nga shtypi më 1962. Sjell në shqip “Odisenë” e Homerit, e cila del e botuar më 1976. Autoritetet italiane e nderojnë me çmimin “Ordine della stella, della solidarieta italiana”. Sjell në shqip pjesën e parë të “Faustit”Gëtes (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) dhe tragjeditë “Andromaka” e “Atalia”Zhan Rasinit (Jean Racine, 1639-1699).      

Shkrimtari Mustafa Greblleshi (1922-1986), autor i romanit sentimental “Gremina e dashurisë” u arrestua më 1947 (sipas disa të dhënave arrestohet më 1946) me akuzën “armik i popullit”. Qëndroi në burg 19 muaj. Pasi u lirua, punoi disa vjet si mësues. E larguan nga kjo detyrë, kështu që deri në vitin 1974 punoi si punëtor krahu në kombinatin “Josif Pashku” ku ngrinte thasë me çimento. Punoi edhe si lyerës. Vdiq nga një sëmundje e rëndë.

Gjykata ushtarake e Shkodrës, për “krijim dhe drejtim të Organizatës Demokristiane”, më 16 janar 1947 e dënoi me 20 vjet heqje lirie e dënoi publicistin Dionis Miçaço të lindur në Bukuresht më 1908.

Poeti Kudret Kokoshi (1907/8 – 1991) lindi në Vlorë. U arrestua më 5 qershor 1945. U dënua me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar. Më 1 tetor 1945 dënimi iu zëvendësua me 25 vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit. Vuajti 19 vjet. U lirua më 25 dhjetor 1964.

Mid’hat Araniti (1912-1992) ishte jurist, shkrimtar, publicist i viteve ’40. U shkollua në Austri, në shkollën italiane të Korfuzit, në Pisa dhe në Romë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Zagrebit. Njihte gjashtë gjuhë të huaja. U arrestua bashkë me babanë dhe vëllain më 21 nëntor 1944. U dënua si figurë e Ballit Kombëtar. Rreth një vit qëndroi në burgun e Burrelit. Mbi nëntë vjet qëndroi në burgun e Tiranës. U lirua në prill të vitit 1954. Periudhën e viteve 1954-1960 e kaloi në internim. U angazhua në përkthime. Ka përkthyer veprat e gjuhëtarit austriak-gjerman, i quajtur baba i albanologjisë Han (Johan Georg von Hahn, 1811-1869), të albanologut austriak me prejardhje hebraike Jokl (Norbert Jokl, 1877-1942), të historianit dhe politikanit kroat, i cili u mor edhe me albanologji Shuflaj (Milan Šuflaj, 1879-1931). Me rastin e vrasjes së Shuflait, Ajnshtajni (Albert Einstein, 1879-1955) i dërgoi letër Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Gjuhëtari dhe albanologu nga Kosova Selman Riza (1909-1988) lindi në Gjakovë. U shkollua në Tiranë dhe në Korçë. Në periudhën e viteve 1932-1935 studioi në Universitetin e Tuluzit në Francë. Kreu gjuhën dhe letërsinë franceze si dhe drejtësinë. Më 1942 u kthye në Kosovë. Që andej vjen në Shqipëri. Arrestohet nga komunistët në Tiranë. Pas tre muaj qëndrimi në burgun e Tiranës, me kërkesën e autoriteteve jugosllave, transferohet në burgun e Prishtinës për t’u gjykuar si armik i Jugosllavisë. Pas kësaj golgote përsëri vjen në Shqipëri ku merret me veprimtari shkencore. E largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Më 1970 e nxjerrin në pension të parakohshëm. Botimi i veprave të tij u ndalua.

Filip Fishta (1904-1973) lindi në Shkodër më 28 prill 1904. Për vitin e lindjes ka edhe të dhëna të tjera. ishte studiues i letërsisë, bibliotekist, bibliograf, përkthyes, njohës arkivash. Studioi në Fakultetin filologjik të Universitetit të Beogradit. Pati për profesor ballkanologun Henrik Bariq (Dubrovnik, 28.1.1888 – Beograd, 3.4.1957). Në arkivat dhe në bibliotekat e Evropës gjurmoi historinë shqiptare. U arrestua më 19 janar 1945. U akuzua si “kriminel lufte dhe armik i popullit i cili me artikujt e vet kishte përhapur ide fashiste në mbarë Shqipërinë”. Më 11 qershor 1945 u dënua me 30 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

Prifti françeskan Atë Donat Kurti (1903-1969) ishte folklorist. Hans Kristian Anderseni i shqiptarëve vdiq në burgun e Burrelit. (Hans Christian Andersen, 1805-1875, poet, dramaturg, romancier dhe udhëpërshkrues danez, por në radhë të parë shkrimtar i madh dhe i paarritshëm përrallash dhe tregimesh).

Folkloristi Stavro Thoma Frashëri (1902-1965) lindi në Korçë. Xhaxhain e tij Gaqo Dhamo Frashërin Andon Zako Çajupi (Sheper, 1886 – Kajro, 193) e quajti me nofkën përbuzëse “Doktor Adhamudhi”. Në saje të një burse, studio inxhinierinë në kolegjin amerikan “Robert College” në Stamboll. Në vitet 1927-1928 qëndroi  në Angli. Punoi në shkollën e Malit të Robit afër Kavajës. Më 1947 Gjyqi ushtarak e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 1952, pas pesë vjet vuajtjeje dënimi. Pasi doli nga burgu punoi si inxhinier mekanik në Durrës. Veprat e tij në fushën e folklorit u lanë në harresë. Vdiq në Durrës.

Shkrimtari Lazër Radi (1916-2016) lindi në Prizren. Familja e tij, për t’iu shmangur dhunës serbe, në vitin 1938 vjen në Shqipëri dhe vendoset në Shkodër. Në vitet 1942-1944 studioi drejtësinë në Romë. Në vitin 1940, Ministria e Jashtme e Italisë, shkrimet e tij i botoi në Tiranë në një vëllim me titull “Fashizmi dhe fryma shqiptare”. Libri ka parathënien e Vangjel Koçës. Radi u arrestua më 23 nëntor 1944 sapo forcat komuniste kishin hyrë në Tiranë. U dënua me 30 vjet heqje lirie. Ka qenë në një qeli me Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin. Nën regjimin e ri, autoritetet komuniste krijuan një grup përkthimi.   Sektorin, me zyrat në burgun e Tiranës, e drejtoi Lazër Radi. Në prill 1954 u lirua nga burgu, për t’u dënuar sakaq me 20 vjet internim. Internimin e kaloi në Shtyllë afër Fierit, Kuç të krahinës së Kurveleshit, në Gradishtë, Çermë dhe Savër të fushës malarike të Myzeqesë afër Lushnjës. U lirua më 1991 pas 46 vjet burgimi e internimi.

Shënim: Vangjel Koça (1900-1943) krahas Branko Merxhanit (1894-1981) ishte themelues i Neoshqiptarizmit. Kishte përkthyer në shqip filozofin stoik grek Epiktetin (Epictetus, Hierapolis, Turqi, 50 – Nicopoli, Greqi, 135), satirikun grek Lukianin (121 – pas vitit 181) dhe filozofin francez Dekartin (René Descartes, 1596-1650). Pas pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939, u bë udhëheqës i Partisë Fashiste. U mbyt më 7 gusht 1943, kur po orvatej të arratisej në Itali. Neoshqiptarizmi qe një rrymë intelektuale filozofike që lindi në shoqërinë shqiptare aty nga viti 1928. Qe një lëvizje kulturore, jopolitike me ideologji nacionaliste. Këtë lëvizje duhet parë në kontekstin e ideologjive nacionaliste që lindën në Evropë në vitet ’20 e ’30 e që u shkrinë për të formuar fashizmin evropian.

*   *   *

Shkrimtari Pjetër Arbnori (1935-2006) lindi në Durrës në një familje shkodrane. Është autor i shtatë romaneve dhe i mbi njëqind tregimeve të shkruara në burgun e Burrelit. U arrestua më 1962 me akuzën se “kishte dashur të formonte një parti socialdemokrate”. U dënua me 25 vjet heqje lirie. Pas 18 vjet vuajtjeje dënimi, u dënua edhe me dhjetë vjet të tjerë. Para përfundimit të dënimit, u dënua për së treti, po me dhjetë vjet heqje liri. Në gusht 1989 u lirua, pasi kishte qëndruar 28 vjet në Burrel.

Shkrimtari Kin Dushi (1922-1994) lindi në Shirokë të Shkodrës. Më 1942 u arrestua nga forcat pushtuese dhe u dërgua në kampin e Prishtinës. Vitet 1942-1943 në kamp i pasqyroi në romanin “Në gojën e ujkut”. Në vitet 1949-1952 studioi letërsinë në Bashkimin Sovjetik.   Për romanin “Një emër në mes të yjve”, Tiranë 1964 u kritikua për “deheroizëm”. U arrestua më 3 tetor 1967 për t’u dënuar si armik i popullit me tetë vjet heqje lirie. Shkrimet e tij u hoqën nga qarkullimi. Më 1975 lirohet nga burgu që e vuajti në Burrel. Punoi si punëtor ndërtimi në ndërtimin e hotel “Tiranës”. Rreth vitit 1989 ishte në prag të një lirie të re.

Shkrimtari Astrit Delvina (1920-1990) lindi në Delvinë. Në vitet 1940-1943 studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Bolonjë. Pas luftës bashkëpunon me disa organe dhe revista ku dhe boton tregime e novela. Është autor i disa romaneve. Kur u arrestua Petro Marko, e largojnë nga redaksia e gazetës “Bashkimi”. Dërgohet në Shkodër dhe Ishëm për të punuar si ndihmësmjek. Për herë të parë arrestohet më 21 shkurt 1951. Më 8 gusht 1951, me akuzën  “agjitacion dhe propagandë dhe tentativë arratisjeje” dënohet me 5 vjet heqje lirie dhe punë të detyrueshme. Lirohet nga burgu më 1956. Caktohet punëtor krahu në një ndërmarrje të Tiranës. Më 1958 internohet në Libofsh dhe Levan të Myzeqesë. Më 16 shtator 1967 arrestohet për së dyti dhe i akuzuar për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dënohet me dhjetë vjet heqje lirie. Vendimi u ekzekutua më 12 korrik 1967. Dëmin e vuan në Spaç deri në vitin 1976. Pas kësaj e internojnë në Shtyllas të Myzeqesë ku punon si punëtor krahu. I sëmurë rëndë, në maj 1990 kthehet në Tiranë ku dhe vdes më 18 korrik 1990.

Mehmet H. Myftiu lindi në Tiranë më 1930. Në qershor 1965 u kritikua për romanin ”Shkrimtari” që qarkullonte në dorëshkrim. Vepra u cilësua si “antipartiake, antikomuniste dhe kundër pushtetit popullor”. Autorit iu hoq e drejta e botimit. Për 26 vitet e mbetura të regjimit komunist punoi si cigareshitës. Romani doli në dritë në Tiranë në vitin 1992.

Visar Zhiti (1952) lindi në Durrës. Ishte bir i aktorit të teatrit dhe poetit Hekuran Zhiti. U rrit në Lushnjë. Për veprat letrare jepeshin gjykime politike dhe jo vlerësime estetike. Për dorëshkrimin e përmbledhjes poetike “Rapsodia e jetës së trëndafilave” vlerësuesit partiakë thanë se “përmban gabime ideologjike të rënda dhe nxin realitetin”. Dorëshkrimi u interpretua si agjitacion dhe propagandë antikomuniste. Poeti u arrestua më 8 nëntor 1979 në Kukës ku qe mësues. Në prill 1980 u dënua me dhjetë vjet heqje lirie. U transferua në burgun e Tiranës e më pas në kampin e minierës së bakrit në Spaç si dhe në kampin malor të Qafë-Barit, ku dhe punoi derisa u lirua më 28 janar 1987. Më pas punoi në një fabrikë tullash në Lushnjë.

Publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja (1951) lindi në Tiranë. Më 1974 kreu në Tiranë studimet për fizikë. U akuzua për “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie. Më 1979, me akuzën “pjesëtar i një organizate kundërrevolucionare” u arrestua sërish dhe sërish u dënua, por tani me 16 vjet heqje lirie. U lirua më 1991, pas 17 vjet qëndrimi në burg.

Për ta paraqitur veten disidentë, brenda dhe nëpër vende të caktuara të Perëndimit, F. Lubonja dhe do “shkrimtarë” të tjerë, tentuan ta diskreditojnë personalitetin dhe veprën e Kadaresë, duke e quajtur atë “shkrimtar oborri”, “shovinist shqiptaromadh” dhe “racist antiserb”. Por, autori i “Pallatit të ëndrrave”, me veprën e tij të përkthyer në 45 gjuhë të botës, ka qenë dhe është e kundërta e asaj që kanë thënë të sipërthënët. Vepra e tij, me porosi thellësisht humane, paraqet stigmatizim dhe demaskim të diktaturës, të tiranisë, të despotizmit, të autokracisë, të autoritarizmit, të bolshevizmit dhe të totalitarizmit. Askush s’ka të drejtë të keqpërdorë statusin e ish-të burgosurit politik.

Gjuhëtari, historiani, përkthyesi i teksteve latine Nikollë Mazreku lindi në vitin 1912 Zhupë të Mazrekut. U arrestua më 11 maj 1946 dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie. Pas kësaj, deri në vitin 1955 qëndroi në internim në Tepelenë dhe Lushnjë. Më 1967 u arrestua sërish dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 1987. Vuajti  25 vjet burg dhe 12 vjet internim. Vdiq në Shkodër më 1996.

Mbledhësi i folklorit, historiani dhe shkrimtari Marin Sirdani (1885-1962) lindi në Guci (Mal të Zi). Studioi në Universitetin e Gracit. I përfundoi më 1909. U arrestua dhe u dënua me punë të detyrueshme. U burgos sërish për t’u liruar në fund të vitit 1959 apo në fillim të vitit 1960.

Kleriku Mark Harapi lindi në Shirokë të Shkodrës. U arrestua në vitin 1948. Në korrik të po atij viti u dënua me dhjetë vjet heqje lirie. Pasi vuajti dënimin u internua për pesë vjet. U kthye në Shkodër më 1965. Është vëlla i Atë Anton Harapit, i cili ishte ndër klerikët e parë që u pushkatua nga regjimi diktatorial.

Prifti jezuit Atë Daniel Dajani (1906-1946) lindi në Blinishtë të Zadrimës. U arrestua më 31 dhjetor 1945 bashkë me priftin jezuit nga Italia Gjovani Faustin (Beato Giovanni Fausti, Brozzo, 1899 – Shkodër, 1946). Më 22 shkurt 1946 Gjykata e Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje pushkatim. U Ekzekutuan në Shkodër më 4 mars 1946.

Filologu Viktor Volaj (1910-1995) ishte prift françeskan. Lindi në Shirokë të Shkodrës. ishte njohës i shquar i veprës së Gjergj Fishtës. Vitet 1949-1954 i kaloi në internim në Tepelenë, Lundërz, Kamzë.

*   *   *

Pushteti komunist iu vërsul edhe poetëve të cilët tanimë kishin vajtur në qiellin e dritës së amshueshme. Sapo erdhën në pushtet, iu  vërsulën varrit të zërit të kombit Gjergj Fishtës, të cilin Lamberci e cilësoi si “poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria”. Eshtrat e Homerit shqiptar apo Tirteut të lirikës së letrave shqipe i hodhën në lumë. Më 1941 Eqrem Çabej shkruan: “… Fishta u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë”.

*   *   *

U flakën nga plan-programet mësimore dhe studimore veprat e Gjergj Fishtës (1871-1940), të Faik Konicës (1875-1942), të Ernest Koliqit (1903-1975), të gjuhëtarit Namik Resuli (Berat, 1908 – Turin, Itali, 1985), të Martin Camajt (Temal, 1925 – Lenggries, Gjermani, 1992), të gjuhëtarit Karl Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, 1971), të albanologut italian i cili ndjehej shqiptar Zef Valentini (Padovë, 1900 – Milano, 1979), të Arshi Pipës (1921-1977), të publicistit e politologut Anton Logoreci (Shkodër, 1910 – Londër, 1990), të publicistit, përkthyesit e shkrimtarit Tajar Zavalani (Manastir, 1903 – Angli, 1966) etj.

Studiuesi françeskan Justin Rrota (Shkodër, 1889 – Shkodër, 1964) ishte personalitet i shquar i kulturës shqiptare. U mor me studimet e gjuhës. Studioi teologjinë në Villach të Austrisë. Njihte italishten, frëngjishten, gjermanishten, sllavishten, greqishten e vjetër, latinishten. Gjatë pushtetit të pasluftës vepra e tij ra në heshtje.

Ernest Koliqi ishte prozatori më i madh i letrave shqipe të periudhës midis dy luftërave botërore. Në antologjinë “Poetët e mëdhej t’ Italisë”, Tiranë 1932 dhe 1936 në dy vëllime i solli në shqip klasikët italianë: Dante Aligierin(1265-1321), Françesko Petrarkën (1304-1374), Ludoviko Ariosto (1474-1533) dhe Torkuato Taso (1544-1595). Në vëllimin e dytë përfshiu poetët italianë: Xhuzepe Parini (1729-1799),Vinçenco Monti (1754-1828), Ugo Foskolo (1778-1827) dhe Alesandro Manzoni (1785-1873). Gjatë pushtetit të pasluftës u anatemua.

*   *   *

Kujtim Aliaj u burgos në moshën 16-vjeçare dhe kaloi 31 vjet në burg. Poeti i cili solli në shqip vepra të letërsisë ruse Jorgo Bllaci (1938-2001) nga Gjirokastra, në vitet ’50 u dënua me dhjetë vjet heqje lirie. Në vitet 1964-1967 e dërgojnë të punojë si punëtor ndërtimi. Sipas disa të dhënave, ka vuajtur  plot 30 vjet burg. Poeti Viktor Qurku (1941-1983) nga Çorraj i Kurveleshit u kritikua për poemën “Shkëlqimi”. Vrau veten duke u hedhur nga një shkëmb. Fadil Haliti (1936) nga Lushnja, i lindur më 1936, u akuzua se në poemën “Dielli dhe rrëkerët” (1972) “nxin realitetin socialist dhe bën thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor”. U transferua në Shegan afër Fierit dhe me vite iu hoq e drejta e botimit. Poeti Zyhdi Morava   lindi më 1946 në Grace të Devollit. Më 1978 u dënua me tetë vjet heqje lirie. Periudhën mars 1978 – nëntor 1982 e kaloi në burgun e Spaçit.

Poeti Frederik Reshpja lindi në Shkodër në vitin 1941. Me akuzën se ka fyer figurën e Stalinit (Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953), periudhën e viteve 1972-1989 e kaloi në burg dhe në kampe të ndryshme.

Letrari Ferdinand Laholli lindi në vitin 1960. Gjithë jetën e kaloi në kampin e internimit në Savër të Lushnjës, për arsye se i ati, 15 ditë para se të lindte ai, kishte ikur në ShBA. Në korrik 1990 Laholli iku në Gjermani ku u mor me krijimtari letrare, duke botuar poezi e prozë.

U përndoqën: poeti Gjergj Komnino i lindur më 1918, nga Brezhani i Këlcyrës; Uran Kostreci (1938) nga Elbasani; Jozef Radi (1957); Shane Mudaj (1962) nga Peshkopia; Hydajet Bajri (1966) nga Buçi i krahinës së Tropojës; Daut Gumeni i lindur më 1943 në Gusmar të Tepelenës. Më 1967 arrestohet nën akuzën “agjitacion dhe propagandë lundër Partisë e pushtetit popullor”. Poezia e tij u cilësua si reaksionare dhe antikomuniste. Qëndroi në burg 23 vjet e gjysmë, deri në vitin 1990.

Ushtaraku, gazetari dhe poeti Trifon Xhagjika (Peshtan, 1932 – 1963) nga Përmeti. U shkollua në Normalen e Elbasanit. Në gusht të vitit 1963 u arrestua bashkë me një grup shokësh. Ishte vetëm 31-vjeçar kur u ekzekutua në dhjetor të vitit 1963. Në çastin e ekzekutimit recitoi poezinë e vet “Atdheu është lakuriq”. Vendvarrimi nuk i dihet.

*   *   *

Vilson Sami Blloshmi (1948-1977) lindi në Brëzeshtë të Librazhdit më 18 mars 1948. Nuk iu lejua të punonte si mësues. Punoi në Ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve në Stravaj. Pas kësaj punoi në kooperativë. U arrestua në Librazhd më 5 gusht 1976 dhe u dërgua në Tiranë. Më 1 qershor 1977 u nxor para Gjykatës Popullore së Rrethit të Librazhdit nën akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”. Më 13 qershor 1977 u shpall fajtor dhe bashkë me Genc Lekën  e dënoi me vdekje pushkatim e konfiskim të pasurisë. Vendimi u la në fuqi si nga Gjykata e Lartë, ashtu edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri për ekzekutim i Ministrisë së Brendshme. Dy poetët u pushkatuan në mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, pesë-gjashtë kilometra larg Librazhdit.

Më 1994, ditën e rivarrimit, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen “Martir i Demokracisë”. Më 1995, një shkollë 8-vjeçare në Librazhd u emërtua me emrin “Vilson Blloshmi”. Po këtë vit u dekorua me urdhrin “Mësues i Popullit”. Më 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në prani të Presidentit të Republikës, u përurua në Librazhd memoriali i dy poetëve, martirë të demokracisë – Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit. Po këtë ditë ata u shpallën “Qytetar Nderi” të Bashkisë së Librazhdit. Në janar 2009, për librin poetik më të mirë të vitit, iu dha postum çmimi “Lasgush Poradeci”. Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës i akordoi urdhrin “Nderi i Kombit”.

Poeti Genc Bardho Leka (1941-1977) lindi më 23 mars 1941 në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Më 1950 i ati u arratis në Jugosllavi. Në vitet 1957-1961 ndoqi shkollën pedagogjike në Elbasan. Më 1960-1961 u emërua mësues në Zdrajsh të krahinës së Çermenikës. U arrestua më 31 gusht 1976. procesi gjyqësor u zhvillua në Librazhd prej 6 deri në 13 qershor 1977. Më 16 qershor 1977, bashkë me mikun e tij Vilson Blloshmin, u dënua me vdekje pushkatim. Më 16 korrik 1977 gjakpirësit e Presidiumit të Kuvendit Popullor refuzuan kërkesën e tij për faljen e jetës. Të nesërmen, më 17 korrik 1977 Ministria e Brendshme nxori urdhrin e ekzekutimit. Dy poetët u pushkatuan po atë ditë.

Poeti dhe arsimtari Havzi Nela (1934-1988) lindi më 20 shkurt 1934 në Kollovoz të rrethit të Kukësit. Jetoi në varfëri. Më 26 prill 1967, bashkë me gruan e vet Lavdien tenton të kalojë kufirin për të dalë në Kosovë. Ndalohet nga ushtarët jugosllavë dhe dërgohet në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967 autoritetet jugosllave Nelën dhe gruan e tij ua dorëzojnë autoriteteve të Shqipërisë. Më 22 maj 1967 u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Gruaja e tij u dënua me 10 vjet heqje lirie. Më 8 gusht 1975, Nelës iu shtuan edhe 8 vjet burg. Më 19 dhjetor 1986 u lirua. Pas një viti, përkatësisht më 12 tetor 1987 ai përsëri u arrestua dhe u internua në fshatin Arën. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohet me vdekje, ndërsa ekzekutimi të bëhet me varje.

Lavdie Nela bëri një kërkesë që burri i saj të mos dënohet me vdekje. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën e saj. Aktgjykimi i dënimit me varje u miratua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Nela u ekzekutua me varje më 10 gusht 1988, dy orë pas mesnate në mes të Kukësit. Mbetjet mortore të poetit u gjetën më 23 gusht 1993 pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg Kukësit. Me dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Hevzi Nelës iu dha titulli “Dëshmor i Demokracisë”. Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Nelës, Kadareja shkruan: “Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.

Kjo listë nuk ka të mbaruar.

*   *   *

Në vitet 1973-1975 parulla e Partisë ishte: “Të ngremë lart frymën revolucionare edhe në art”. Mbi shkrimtarët dhe intelektualët mbretëroi terrori. Kjo periudhë është krahasuar me spastrimet staliniste të viteve ’30. Këto vite qenë një hap prapa në zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Në pranverë të vitit 1973 130 shkrimtarë dhe artistë do të largoheshin prej qyteteve për të punuar në ara dhe kantiere ndërtimi me qëllim që t’i forconin lidhjet e tyre me masat punonjëse. Poetë e prozatorë duhej të dëshmonin zell revolucionar dhe të hidhnin poshtë ndikimet e huaja e liberale. Pothuaj të gjithë shkrimtarët kryesorë e patën nga një vepër të hequr nga qarkullimi e të kthyer në karton.

Për t’i trembur shkrimtarët dhe artistët u dënuan protagonistët e “lëvizjes liberale”, dramaturgu Fadil Paçrami (Shkodër, 1922 – Tiranë, 2008), i cili ishte sekretar i partisë për çështje ideologjike të Komitetit të Partisë të Tiranës dhe Todi Lubonja (1923-2005), i cili ishte drejtor i Radiotelevizionit. U akuzuan se “kishin nxitur që në kulturën shqiptare të depërtonin ide dhe ndikime dekadente perëndimore”. Që të dy u shpallën devijues dhe armiq të popullit. Lëvizja liberale u shtyp sakaq.

Më 27 korrik 1974, “për pikëpamjet dhe shijen estetike liberal-oportuniste” Todi Lubonja u dënua me 15 vjet heqje lirie. Pas 13 vjet vuajtjeje dënimi në burgun e Burrelit, u lirua më në qershor 1987, për t’u internuar në fshatin Malecaj afër Lezhës.

Fadil Paçrami ka qenë në detyra të larta partiake, deputet, ministër për Kulturë dhe Art (1965-1966), kryetar i Kuvendit Popullor (1970-1973). U arrestua më 20 tetor 1975 si armik i popullit. U dënua për “agjitacion dhe propagandë”. Dënimin e vuajti në Burrel dhe në burgun “Kosova e Madhe” afër Elbasanit. Qëndroi në burg 16 vjet. U lirua më 17 mars 1991, dy javë para zgjedhjeve të para pluraliste.

*   *   *

Piktorët si Maks Velo (1935-2020), Edison Gjergo (1938-1989) dhe Ali Oseku (23.02.1944-) u kritikuan nga komunistët dhe u dërguan në burgje e kampe përqendrimi, si në burgun e minierës së bakrit në Spaç. Artistët u akuzuan:

– ngase çmonin lart piktorët reaksionarë dhe modernistë Pablo Pikason (1881-1973), Salvador Dalin (1904-1989), piktorin ruso-francez, çifut i Bjellorusisë, i kubizmit dhe ekspresionizmit, Mark Shagalin (Marc Chagall, 1887-1985) dhe piktorin gjerman dadaizmit dhe të surrealizmit, i cili prej vitit 1948 jetoi në ShBA, ndërsa prej vitit 1958 – në Francë, Maks Ernst (1891-1976);

– ngase adhuronin muzikën e Betovenit, të Mocartit, të Bahut;
– ngase citonin ide të ekzistencialistëve Sratrit dhe Kamysë, si: Të jetuarit e njeriut nuk vlen për asgjë”;
– ngase nuk u pëlqente ari i realizmit socialist;
– ngase krijonin piktura “me përmbajtje reaksionare”.

Puna e tyre u cilësua si “krim, veprim antipartiak, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Ideologët stalinistë të kulturës erdhën në përfundim se Maks Velo ishte ndikuar nga piktorë reaksionarë. Vepra e tij ishte inspiruar nga Modiliani (Amadeo Modigliani, 1884-1920), piktor italian me prejardhje çifute; nga Zhorzh Brak (Georges Braque, 1882-1963), piktor francez dhe nga Pablo Pikaso (1881-1973), kubist, surrealist, ekspresionist dhe post-impresionist. Në vitin 1978 Maks Velo u dënua me dhjetë vjet burg. U lirua më 1986.

Edison Gjergo u arrestua më 15 janar 1975 dhe u dënua me tetë vjet burg. U lirua më 1982.
Në vitin 1975, me të njëjtat akuza, u dënua me tre vjet burg piktori Ali Oseku. U lirua më 1979.