SHKRIMI I EMËRVENDEVE NË FORMË TRADICIONALE, OBLIGIM GJUHËSOR E KOMBËTAR

0
123
Pika e kalimit Triesh-Grabom

Foto: Tabela e cila dëshmon deformimin e toponimit në gjuhën shqipe në vendkalimin e përbashkët kufitar Cemi i Trieshit-Grabom

Tema dhe dilema

Duke marrë parasysh se çështja e shkrimit të emërvendeve nuk është private apo e subjektëve të ndryshme, duhet të reagojmë jo vetëm si qytetarë, sepse kemi të bëjmë me mbrojtjën e gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, ku si shëmbull tipik kemi së fundmi deformimet gjuhësore në mbishkrimin e vendkalimit kufitar Cemi i Trieshit-Grabom, që ka irrituar opinionin shqiptar

Dr. Nail Draga Dr. Nail Draga

Në këtë aspekt çështje të veçantë paraqesin emërvendet, përkatësisht shënimi dhe shkrimi i tyre si në administratë apo në komunikimin publik. Një dukuri e tillë është specifike sidomos në vendet shumëkombëshe, ku në përdorim janë disa gjuhë dhe shkrimet e tyre. Në vendet me traditë demokratike siç janë p.sh. Zvicra, Belgjika etj., çështjet e tilla janë zgjidhur konformë standardëve ndërkombëtare në favor të barazisë gjuhësore të popujve përkatës, të cilat duhet të jenë model edhe për vendet nga ish kampi socialist.
Mali i Zi bashkësi e popujve

Në këtë aspekt Mali i Zi paraqet mjedis specifik, sepse është bashkësi e popujve të ndryshëm, të cilët dallohen me gjuhën dhe shkrimin e tyre. Pasi në këtë mjedis shqiptarët janë të vetmit si popullsi autoktone jo sllave, ata kanë të veçantë gjuhën dhe shkrimin e tyre.

Kushtetuta e Malit të Zi (2007) i ka kushtuar kujdes barazisë së gjuhëve, ndërsa në përdorim zyrtar janë edhe gjuha shqipe (neni 13), që për të parën herë ka një definitim të tillë. Fjala është për ata mjedise ku popullsia shqiptare është në shumicë apo me pjesëmarrje të konsiderueshme, që si minimum është përcaktuar 5% në popullsinë e përgjithshme. Në këtë aspekt çëshje të veçantë paraqet realizimi praktikë i të drejtës së garantuar sipas kushtetutës dhe ligjit, sepse nga shumë individë apo subjekte qeveritare e jo qeveritare nënçmohet një mundësi e tillë, e cila ka të bëjë me identitetin dhe barazinë kombëtare.

Por, për të ndaluar abuzimet e tilla, duhet të ekzistojë mekanizmi mbrojtes i gjuhës shqipe në nivel lokal dhe shtetëror. Vetëm me një mekanizëm të tillë do të eliminoheshin deformimet dhe abuzimet me barazinë gjuhësore, në të kundërtën mundësitë e keqpërdorimit do të vazhdojnë si deri më tash, që nuk është në favor të barazisë qytetare e kombëtare.

Vendkalimi i ri kufitar Cemi i Trieshit-Grabom

Ndonëse nga viti 2017 ishin përfunduar punimet për hapjën e vendkalimit të përbashkët kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, në sajë të sjelljeve byrokratike të palës malazeze, më së fundi ky vendkalim kufitar u hap me 3 gusht 2021. Kemi të bëjmë me VKK në Cemi i Trieshit- Grabom, i cili është vendkalimi i katërt ne mes dy vendëve, që është në favor – të integrimit të zonës kufitare.

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me zonën e Kelmendit (Shqipëri) që ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e Malësisë së Madhe, përmes hapjës së këtij vendkalimi komunikimi do të zhvillohet pa pengesa në favor të popullsisë vendore, por edhe të tjerëve që do të kalojnë tranzit sidomos nga Plava e Gucia për në Podgoricë.

Mbishkrimi në shqip me gabime gjuhësore

Ndonëse ceremonia zyrtare e hapjës së vendkalimit kufitar ka kaluar sipas protokollit, ku kanë marrë pjesë kryeministrat e të të dy vendëve, ka rënë në sy mbishkrimi i tabelës në gjuhën shqipe qe ka irituar opinionin shqiptar. Fjala është të shënimi i vendkalimit kufitar jo në formën e gjuhës shqipe, Cemi i Trieshit por vetëm në ate sllave, përkatësisht malazeze, si Zatrijebaçka Cijevna për të dy gjuhët shqip e maleze, që është në kundërshtim me normën elementare të shënimit të emërvendëve, sipas standardëve ndërkombëtare. Madje emërvendi Cemi i Trieshit në formën sllave është shkruar edhe në gjuhën angleze(!), që është paradoks i llojit të vet.

Jo vetëm, kaq, por edhe emërvendi Grabom, është i deformuar i shkruar si Grabon, që nuk përkon me formën tradiocionale të popullsisë vendore. Gabimi i tillë nuk mund të arsyetohet me asgjë por me injorancë nga ata të cilët kanë marrë obligim të shënojnë mbishkrimin në tabelën publike në këtë vendkaiim të përbashkët kufitar. Pasi të shqiptarët ky emërvend njihet si Cemi i Trieshit, si i tillë është dashur të shkruhet në shqip, e jo të shënohet në formën sllave, sepse si i tillë nuk njihet të shqiptarët, andaj defektët e tilla duhet të eliminohen sa më parë.

Në lidhje me ruajtjën dhe shënimin e emërvendëve në formën tradicionale, dëshmohet edhe nga angazhimi i OKB-së e cila në vitin 1967, në Gjenevë ka mbajtur Konfrencën në lidhje me stadardizimin e emërtimeve gjeografike, ku janë aprovuar gjthsej 20 rezoluta, ku në rezolutën numër 4, në mes tjerashh shkruan se “për çdo emërtim është e nevojshme forma e shkruar dhe e folur e emërtimit dhe kuptimi i tij në gjuhën e popullatës vendëse”.
Çdo devijim në këtë drejtim është mosrespektim i aktëve ndërkombëtare në lidhje me standardizimin e emërtimeve gjeografike, që është obligim për të gjithë shtetet e OKB-së, ku Shqipëria dhe Mali i Zi nuk mund të bëjnë përjashtim.

Irritim i opinionit jo vetëm në Malësi

Në lidhje me këtë çështje që ka irituar opinion shqiptar në Malësi ka reaguar Lidhja Demokratike Shqiptare(LDSH) përmes një kumtese ku thuhet se “LDSH, si subjekt i përgjegjshem politik, dhe mbrojtëse e promovuese e të drejtave kombëtare, reagon ashpër, lidhur me mbishkrimin në tabelen e pikës së përbashkët kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, “Cemi i Trieshit-Grabom”.

Së pari, ky është një deformim i gjuhës shqipe, përkthim skandaloz i kuptimit, e sidomos i toponimisë, të mos themi edhe tendecioz, nga pala malazeze. Çudisin me këtë rast insitucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë të pranojnë, dhe të legjitimojnë një diskriminim të tillë të gjuhës shqipe, përmes përdorimit të të njëjtit mbishkrim diskriminues, në anën shqiptare, me ç’rast paraqiten tejet inferior ndaj emertimit sllav të këtyre trojeve etnike shqiptare.

Dhe në fund cekin se “kërkojmë nga institucionet e Shqipërisë, e pastaj edhe të Malit të Zi, që të reagojë, dhe ky “gabim” të ndreqet urgjentisht. Nëse nuk e dini, toponimi i saktë, në gjuhën shqipe është Cemi i Trieshit, e jo Cijevna Zatrijebaçka!”.

Gjuha mision kombëtar

Duke marrë parasysh se dukuri të tilla ka pasur edhe më herët në vendbanimet apo viset ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, ata janë të dëmshme dhe irituese për opinion shqiptar. Si të tilla duhet eliminuar gabimet qofshin ata me apo pa qellim, duke respektuar formën tradicionale të emërtimeve në gjuhën shqipe sipas popullsisë vendore. Një veprim i tillë praktik është në favor të barazisë qytetare e kombëtare në çdo mjedis e sidomos në vendet shumëkombëshe sikurse është Mali i Zi.

Pa marrë parasysh përgatitjen shkollore dhe arsimore shkrimi i drejtë i emërvendve në hapësirën etnogjeografike shqiptare është obligim qytetarë për çdo shqiptarë, çështje e cila nuk mund të trajtohet personale por ndjenjë e identitetit kombëtar.

Respektimi i toponimeve(emërvendeve) tradicionale paraqet pasuri në leksikun gjuhësor, por edhe në aspektin gjeografik e historik, duke qenë pjesë e indit te traditës popullore në mjedisin përkatës.

Në mungesë të ekzistimit të një mekanizmi mbrojtës është obligim qytetar dhe intelektual për të reaguar ndaj deformimeve të tilla, sepse mbrojtja e gjuhës shqipe dhe e shkrimit të saj është obligim moral e kombëtar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(18 gusht 2021)