Shkreptimë e Agimit të Prizrenit

0
146
Nexhat Halimi - Shkrepëtimë e agimit

Kaltërina Meka

Doli nga shtypi libri më i ri i Nexhat Halimit “Shkreptimë e Agimit”, i cili merr në shqyrtim disa ngjarje, data e çaste të rëndësishme të kohës nëpër të cilat ecën njerëzit e fortë të Kryeqytetit tonë kulturor e historik, Prizrenit. Autori lidhet me momentet e prekshme të atyre që luftuan për Prizrenin dhe Kosovën. Ngjarja fillon me Ymer Prizrenin, me Sofrën e tij të shtruar sot në fshatin e lindjes së tij – në Zgatar, e përfundon me vdekjen e të njëjtit në Ulqin të Malit të Zi. Ndërmjet futen ngjarje të rënda të aktivitetit të tij në krye të Lidhjes Shqiptare, me theks të veçantë Në njëqind vjetori e ngjarjes më të madhe shqiptare të Lidhjes së Prizrenit.

Autori thekson se ”isha këtu, i vetëdijshëm, se koha i merr njerëzit, por mbesin gjurmët e tyre, mbesin datat, mbesin çastet, ngjarjet, pikat e gjakut që do të shënojnë një pikë drite të popullit të robëruar atëherë nën Turqi. Autori tregon për përpjekjes e bëra, që të shkruante një fejton, por nga një kënd tjetër, jo ajo rrjedhë që e ka shkruar historia, veç në biseda me njerëzit që kishin afër njëqind vjet dhe mbanin mend ndonjë gjë nga kjo ngjarje tepër e madhe e popullit shqiptar.

Dhe, ia arriti të shënoj tridhjetë e gjashtë rrëfime të tridhjetë e gjashtë njerëzve që ishin në moshë të shtyër rreth njëqind vjeçar apo dhe mbi njëqind vjeç, të cilët më rrëfenin për çaste e momente për tubimin e madh të bërë në Prizren. Për luftimet ballë për ballë, për vdekjet heroike, të cilat tri vjet rresht e mbajtën gjallë Lidhjen e Prizrenit të organizuar atëherë në një shtet të vogël, për të reaguar ndaj Evropës se kjo tokë ka zot.

Atëherë qe reporter i Gazetës Rilindja dhe bisedat që i bëri i shënoi në një volum prej treqind faqesh, natyrisht që ai material kaloi nëpër duart e redaktorëve, pësoj një shkurtim gati pesëdhjetë për qind. Megjithatë, shënoi mendime të njerëzve të atij brezi, mendime të tridhjetë e gjashtë njerëzve të moshuar atëherë kur bisedoi me ta. Njëri prej tyre ishte Xhemajl Limani, i cili thoshte se: -Brenda mureve të kështjellës qe vet vdekja, dhe e mendonte Abdyl Frashërin në pranga, të burgosur në një çeli.

Lidhja u shua me gjak. Më vonë do të radhiten ngjarje të rënda. Do të mbahet Konferenca e Bujanit, do të bisedohet dhe fati i Kosovës, a do t’i bashkohet Shqipërisë apo Jugosllavisë- Serbisë, Do të vriten shumë njerëz me në krye Shaban Polluzhës, do të të ndodh dhe dërgimi i rekrutëve nëpër Shqipëri, ku do të ndodh Masakra e Tivarit dhe më pastaj do të mbahet Kuvendi i Prizrenit, ku delegatët do të japin votën që Kosova të mbetet nën Serbi. Ata që nuk do t’ia japin votën siç do t’i udhëzojnë serbosllavët, do të vriten e do të burgosen përjetësisht…

Përkrye këtyre persekutimeve, do të kanë vullnet aktivistët të gjejnë zjarr brenda gjakut dhe do t’ia nisin të nisin rrjedhën e jetës. Përsëri do të lind dielli, do të themelojnë Agimin, e në kuadër të tij do të veprojë Klubi letrar, do të hidhet vallja popullore shqipe, do të dëgjohet Kori dhe do të organizohen drama e ekspozita.

Dhe, siç ndodhi me shkrimin e fejtonit për lidhjen shqiptare të Prizrenit, prapë edhe këtë herë redaktori dhe kryeredakori i “Rilindjes,” Maksut Shehu, do të më përcaktojë të shkruajë për ata që e nisën rrjedhën e “Agimit”, të cilën gjë do ta bëj me vullnet të veçantë, thotë autori i librit, i cili zhvilloi kohë më parë njëzetedy biseda me anëtarët e “Agimit” dhe ta botojë Librin “Shkreptimë e Agimit” për t’i përkujtuar vuajtjet dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Shoqëria Kulturore e Artistike e Prizrenit, për t’i dhënë vulë kohës së rëndë dhe tejet të guximshme dhe për ta krijuar rrugën e krijimit të zgjimit shpirtëror ndër ne, të ndjekurit e të persekutuart për një kohë kaq të gjatë.

Botimin e Librit e mundësoi Shoqëria kulturore-Artistike “Agimi”.