SHKOLLA IME – POLITIKË

0
484
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

(VJERSHË PA NJË VARG)

Festave rri kaçaku në mes lulesh
Babi, ndal! Me këto vargje ku turresh?
Bustin dua të përqafoj fluturim
Zemër më jep, e më bënë trim!

Librave m’i zgjon vjershat kalavesh
Vocrraku një varg më tha në vesh:
Mua poetit faqja seç m’u lag
Vjershës sime i mungon një varg…

(VJERSHË E URTË)

Babin, e dua ta kem të lumtur
Nënën, të gëzuar, dhe të bukur!
Motrën, më të rritur, më bujare
Vëllain, më të ditur mbi abetare.
Këndimin me vjersha, tregime
Mësuesen në klasë, më trime.
Shoqet dhe shokët më besnikë
Librat në çantë, Lapsin pa frikë.

Hapin dua ta kem më të sigurtë
Vjershën, se dje: pak më të urtë…

(LEPUR S’JAM TË JETOJ ME FRIKË)

Babi, u lodha më si fëmijë
Çantën plot libra vijë më vijë:
Detyra shtëpe për çdo ditë
Njëshi, orë për orë në pritë.

Vjershat e gjata – zingjirë
Parulla të thata. Politikë.
Loja me lodra, aspak e lirë
Urdhërat, hiç fare pa pikë:
Lepur s’jam të jetoj me frikë…

(SHKOLLA IME – POLITIKË)

Babi, nga shtëpia dal plot frikë
Edhe shkolla ime u bë politikë.
Mësuesen ma marrin nga klasa
Polici, shpesh çirret te dërrasa.
Vjershën ma shajnë – këndimin
Armik, e shpallën xha Naimin.
Sytë u janë skuqur si bollat
Kosovës ia mbyllën shkollat.

Babai, nga shtëpia dal plot frikë
Edhe shkolla ime u bë politikë…

(SHAH – MAT BABIT)

Bani, pse ke ikur nga shkolla
Cucat i ke gjuajtur me molla?
Dyshat, i ke radhitur ditarit
Vjershën s’ia mëson shkrimtarit.
Librin e harron shpesh në klasë
Fjalinë e bënë të qaj në dërraë.

Babai, edhe ti s’e ke dashur mësimin
Gjyshes i je ankuar në xha Naimin.
Shoqet, i ke tërhequr për bishtash
Mësuesit, i ke ikur majë gishtash.
Xhaxhai me zor të ka marr për dore
Çantën ta ka bartur me libra, fletore.
Shkollës, mos ia marrish inatin
Fushës, malit ta shalosh Lapsin.

Gjyshja, qeshi matanë shtratit
Nipi, sot i dha shah – mat babit…

(VËLLEZËRISHT)

Rrugës, ma ndërsen qenin
Veten e lëvdon vazhdimisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!

Fajtor më bënë para nënës
Nga unë bënë me gisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!

Vjersha ime të zemron në libër
Faqeve i turresh egërsisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!

Banane për vete do çdo ditë
Mua lëvoret m’thua merri lirisht!
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!

Dita – ditës në shtëpi e shkollë
Lojën time e vjedh tinëzisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!…

(UJKU)

Gjyshe u bë, mashtroi Kësulkuqen
Cucë u bë, e këputi Lulëkuqen.
Mik u bë, kur i përqau qetë
Kau i madh e hanë barin vetë.

Gjykatës u bë vetë i pagjumi
Qengjin e gjykoi mu te lumi.
Mjek u bë, deshi t’shëroj kalin
Dhëmbët ia thyen, çuditi malin.

Budalla u bë, kur lëshoi këmbën
Dhelpëra e hutoi, rroku rrënjën.
Nënë u bë t’i mashtroj edhat
Bari u bë t’i kullosi shqerrat.
Këmbën me miell shtiu n’dritare
Përrallë e bënë, hyri n’abetare.

Vjershave gjithmonë del pa shokë
Ujku mbeti ujk, këmbë e kokë…

(VJERSHËN KUR MA PËRZUNË
NGA KËNDIMI)

Vjersha yte, kur çirrej si komuniste
Vjershën time: e shpallën nacionaliste.
Vjersha yte, plot “vëllazërim – bashkim”
Vjershën time, e dënuan për rebelim.

Vjersha yte, kur i këndonte Krajlit
Vjershën time, e ndiqnin majëmalit.
Vjersha yte, kur hante me dy lugë
Vjershën time, e shanin në rrugë.

Vjershës tënde, kur s’i pëlqente Naimi
Vjershën time: e përzunë nga këndimi…

(UJK DIKUSHI – UNË QENGJ
NË PËRRALLË)

Lis pas lisi ma sulmon punën
Verë e dimër ma hjek gunën.
Pusi, më vë, ma ndalë hapin
Gropën bën, mos e shoh trapin.
Ditën, do ta kaloj në gjumë
Hijes sime t’i sulem në lumë.
Dimrave me borë mos u bëj ballë
Ujk dikush, unë qengj në përrallë.

Librat sulmon, s’më njeh për djalë
Gjergj Elez Alitë s’i do me kalë…

(UJKU E DI NJË LOJË)

Lepuri, e dini pse fle me drojë
Ujku, thotë: e di vetëm një lojë.
Kësulkuqe kërkon ende malit
Edhat e vegjël të xha Balit.
Vetëm lodhet – i kërkon kot
Derën s’ia hapim, vdiq ai mot.

Lepuri, e dini pse fle me drojë
Ujku, thotë: e di vetëm një lojë.
Qengjin ta gjykojë te lumi
Natën ta zgjojë nga gjumi.
Majë malit ta shqyej ylberin
Xixëllonjës t’ia fik fenerin…

(KUR NUK FLEN DJALI
I MIRKO GASHIT)

Nëna, e përkund Djalin në djep
I këndon ninula ta zë gjumi: Biro,
Flej, se: Nëna të bën plak katundi!
Jo, nuk flen Djali. Nuk e merr gjumi.

Nëna, përpiqet Djalin të vë në gjumë
E përkund, ende në djep prej druri:
Jo! Djalin, ende nuk e merr gjumi?!

Mirko Gashi, Poet edhe për fëmijë
Dy vjet, ende pa i mbushur Djali:
Jo! Lumi, nuk do të lidhet në djep*…

1. Varg i Mirko Gashit

(Nga libri me poezi për fëmijë:
Ujku e di një lojë, Shkup -2008)