Shkodra – si e imagjinoja dhe si ishte (1)
Shkodra e periudhës së lavdishme (2)
Gani MEHMETAJ
Kisha e Madhe, Arra e Madhe, Kafja e Madhe janë tri pikat karakteristike të Shkodrës së dikurshme, mbase do të bëhen edhe të Shkodrës së rinovuar e të konservuar. Një vendës na i përmendi edhe Arrën e Madhe e Malësinë e Madhe, për rimë a për koincidencë nuk e mora vesh.
Më 28 nëntor 2017, kur shkova në Shkodër me gruan që të festonim Ditën e Flamurit, do të më mbetej peng po qe se nuk shkoja në Fushë të Rrmajit, te vorret e moçme të shkodranëve, meqë ma kujtonte poezinë e Filip Shirokës: “Shko dallëndyshe“.
… Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…
Rastësia është mbret i botës. Kur e përmenda Fushën e Rrmajit, vëllai im, Haxhiu-Leka, arkeolog, që erdhi po ashtu me gruan, nisi të recitonte vargjet për Fushën e Rrmajit, ndërsa miku im, Pauli, shkodran, që jetonte në Itali, m’i dërgoi në ato çaste në Viber të njëjtat vargje. Unë në heshtje kujtoja çastin nga fëmijëria, kur arsimtari Ludvig i lexonte këto vargje, m‘u mbushen sytë me lot, sepse kisha një vorr n’at vend të vajit… t’ nanës që në moshën nëntëvjeçare më kishte mjerue. Kishin kaluar 53 vjet nga ajo kohë. E kapa veten në befasi, unë po bridhja nëpër Shkodër deri në Fushë të Rrmajit në kërkim të fëmijërisë sime, në kujtim të nanës e babës që s’i kisha më. E kërkoja kohën që s’kthehej. Ktheva edhe një herë kokën nga Fusha e Rrmajit dhe ika tutje…
Sa herë kam ardhur në Shkodër, emocione të veçanta ma përshkonin shtatin. Sa herë ia mbushja vetes mendjen të futesha në qytet, diçka më pengonte, m’i shtangte këmbët, nuk më bënte zemra, prandaj ndalesha në ndonjë pijetore në cep të qytetit, freskohesha pak e vazhdoja tutje. S’di pse ngurroja, kur aq shumë kisha dëgjuar për këtë qytet. Imagjinata fëmijërore e zmadhonte disa herë më shumë, s’kishte qytet të filmave që mund t’ia dilte.
Më kujtohej kur më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja, të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon! Prit ditë më të mira! Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s’bëja ballë të futesha në qytetin e ëndrrave.
Nga Shkodra e fëmijërisë sime ka mbetur fare pak, mbase asgjë nga ajo që kërkoja. Shkrimtarët që i adhuroja kishte kohë që nuk jetonin, nuk ishin në mesin e të gjallëve as atëherë kur i lexoja. Disave nuk u dihej as varri. Por qyteti ishte aty: atraktiv e joshës, me qytetarët mikpritës, të sjellshëm e të butë, me sheshe e zona kalimtarësh të meremetuara, me qetësinë që ta pushonte shpirtin e trurin. Natën e kalova në shtëpinë e Filip Shirokës, tash hotel e restorant “Tradita”, ruajtur e rinovuar në bazë të ambienteve të moçme shqiptare, ku druri e guri luajnë rolin kryesor në ndërtim. Asnjëherë nuk më ka rastisur që një shtëpi të ta ringjallë të kaluarën e tradicionalen.
Oxhaku në krye të restorantit, hapësira tjetër e rregulluar për mysafirë, kati i dytë ku ishte vendosur orkestra, kthinat që të shpinin nga restoranti në oborr e pastaj në fjetore. Aty pihej kafja e moçme, që pjesa tjetër e shqiptarëve nga mosdija i thoshin “kafe turke”, aty pihej vera e mirë e Kallmetit, dëgjohej muzika e shkëlqyeshme shkodrane, që ma kujtonte fëmijërinë e rininë. Atë mbrëmje e këndova për herë të parë së bashku me mysafirët e me këngëtaren himnin e flamurit të Gjergj Fishtës “Bini toskë e bini gegë“, e kënduam edhe himnin kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar“. Me shtatin e drejtuar për nder himnit, me dorën në zemër e kokën e thinjur, dukeshim si ushtarët e moçmuar, që nuk dorëzoheshin.
Atë mbrëmje në atmosferë të hareshme me gotat e verës që i rrëkëllenim njërën pas tjetrës, me bubullimën e zjarrit të oxhakut që ngrohte me cunga të mëdhenj, ulur në karrige të drurit, me kamerierët me veshje tradicionale, kapa diçka nga ajo që e kërkova. Shkodranët po i ktheheshin vetes, ndërsa mysafirët që kishin ardhur në pjesën më të madhe nga Dardania, por kishte edhe korçarë, pogradecarë, tiranas, ulqinakë, nga Presheva, një zgjatim i Dardanisë përtej kufijve shtetërorë, e gjetën Shkodrën e tyre të kërkuar, sepse të gjithë nga nostalgjia erdhën.
Shkodra me gjithë ndeshtrashat ka ruajtur diçka nga e kaluara. Kështjella, e cila të duket madhështore kur shikohet nga poshtë qytetit, por qyteti duket edhe më i mrekullueshëm kur e shikon nga kështjella. Qyteti të bën për vete me pamjen, me sharmin, me historinë, me ciklet tragjike që kaluan stuhishëm mbi të.
Shkodra e shkodranët kanë shumëçka për të treguar e për të rinovuar. Qyteti i vjetër, Kompleksi i françeskanëve, shtëpitë e shkrimtarëve të famshëm, të piktorëve e fotografëve në zë, duhet të rindërtohen, konservohen e të rinovohen. Qyteti duhet t’i ketë edhe shumë shtatore të personaliteteve që i pati dhe i bënë nder, ndërsa fatkeqësisht nuk i ka. Shkodra duhet ta ketë shtatoren e mbretit Agron, mbretit Genc e mbretëreshës Teuta. Ata janë në themelet e këtij qyteti të lashtë. Në Shkodër nuk e pashë asnjë shtatore të kolosëve të mesjetës, nuk ma kapi syri as ndonjë shtatore të Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Marin Barletit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Filip Shirokës e Pashko Vasës, Shtjefën Gjeqovit.
Shkodranët duhet t’ia ngrenë një shtatorë monumentale Rozafës, simbolit të flijimit e të besës, Shkodra është e njohur kudo me këtë simbol të flijimit. Shkodrën shteti duhet ta shpallë qytet-muze, ku do të investoheshin miliarda nga shteti, por edhe nga organizatat ndërkombëtare që përkujdesen për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë kombëtare, sepse Shkodra ka thesare të trashëgimisë botërore si pak qytete.
Shënim: një shtatore e Rozafës gjendet në lulishten kryesore të Shkodrës, përballë Bashkisë. /AÇ