Nga Kastriot Myftaraj
Në të gjitha CV-të që ka publikuar i pari i listës së kandidatëve të PD-së për Qarkun e Shkodrës, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, ai nuk ka shënuar të dhëna për shkollimin e vet bazë universitar. Në formularin e detyrueshëm për t’u dorëzuar në KQZ, Romeoja thotë thjesht se ka kryer arsimin e lartë, pa e saktësuar se çfarë lloj arsimi ka kryer.
Arsyeja është se Romeoja që e mban veten për historian dhe si i tillë ka marrë gradën shkencore të doktorit dhe titullin shkencor të profesorit, nuk ka shkollimin bazë universitar për historian. Ai ka kryer studimet në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Histori-Gjeografi, në 1986. Ky institut përgatiste mësues të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme. Vetëm Universiteti i Tiranës kishte një degë të studimeve Histori-Gjeografi. Këtë handicap Romeoja e vuan edhe sot, 31 vite pasi është diplomuar. Me këtë Romeoja jonë tregon se Historia nuk u bë kurrë “Xhulieta” e tij.
Në të vërtetë është e çuditshme sesi Romeos iu dha edhe e drejta e studimit për në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, duke pasur parasysh biografinë politike të familjes së tij. Xhaxhai i babait të tij, Karl Gurakuqi ishte i arratisur politik në 1944 (ishte larguar me autokolonat e fundit gjermane) dhe në emigracion ishte aktiv kundër regjimit komunist shqiptar, duke marrë pjesë në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, si dhe duke shkruar në shtypin e mërgatës antikomuniste.
Gjithashtu, Romeo Gurakuqi nuk ka shënuar në formularin e kandidatit për deputet, as që ka një diplomë juristi nga Universiteti i Shkodrës. Historia e kësaj diplome është një faqe komike e këtij Universiteti. Nuk dihet se përse Romeos sonë, pas Historisë i lindi dashuria për një “Xhulietë” tjetër, Jurisprudencën. Romeoja, në kohën që ishte pedagog në këtë Universitet, u regjistrua si student në Fakultetin Juridik të tij. Ky me siguri ishte rasti i parë në botë që një pedagog ishte njëherësh dhe student në vitin e parë të studimeve bachelor në universitetin e tij.
Është e çuditshme se sa mirë e trajtoi Romeon pushteti socialist i ardhur në 1997. Në vitin 2002 Romeon e sapodiplomuar si jurist, e bënë dekan të Fakultetit Juridik të Universitetit të Shkodrës. Ky është me siguri rasti i parë në botë që dikush bëhet dekan sapo diplomohet! Pedagogët e Fakultetit Juridik u rebeluan sepse do t’i urdhëronte një njeri, që secili prej tyre e kishte pasur student katër vitet e fundit. Kështu që Romeoja hoqi dorë nga kjo ide e çmendur. Por sidoqoftë Romeoja ka të drejtë të shënojë në CV-në e vet se ka qenë dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Shkodrës. Nuk besoj se dikujt i duket e çuditshme që ai nuk pëlqen ta shënojë në CV këtë arritje të karrierës së tij akademike.
Por Romeoja jonë nuk hoqi dorë aspak nga ideja për t’ u bërë dekan i një fakulteti juridik. Kur Henri Çili krijoi universitetin e vet privat UET në 2005, atje krijoi edhe një fakultet juridik. Si dekan i këtij fakulteti u bë pikërisht Romeoja, ish-dekani anekdotik i Fakultetit Juridik të Shkodrës.
Ndyshimet politike në Shqipëri, në 1990-91 e gjetën Romeon tonë mësues në katundin Gruemirë. Në 1991 xhaxhai i gruas së Romeos, Vili Kamsi, të cilin PD do ta bënte ambasador në Vatikan, ndërhyri te Pjetër Arbnori (ishte koha kur PD bashkëqeveriste me PS-në në Qeverinë e quajtur të Stabilitetit) dhe Romeon e emëruan pedagog në Universitetin e Shkodrës, të porsakrijuar. Kështu nisi karriera akademike e Romeos.
Sa për studimet pasuniversitare që Romeoja thotë se ka kryer në Perëndim, kjo është një gënjeshtër kolosale. Në vitin 1993 ai ka shkuar tre muaj në Universitetin e Barit në Itali (janar-prill). Në vitin 1996, Romeos iu kërkua të punonte për PD në fushatën për zgjedhjet parlamentare të majit të atij viti.
Romeoja ishte një nga njerëzit që kishte përfituar nga pushteti i PD-së, përtej meritave të tij, kështu që kishte detyrime. Por Romeoja nuk donte të përzihej në fushatën zgjedhore të PD-së sepse donte të përfitonte edhe nga pala tjetër. Kështu që me ndërhyrjen e ambasador Vili Kamsit te Pjetër Arbnori, në atë kohë kryetar i Kuvendit, Romeoja mori në prill 1996 një bursë tremujore që kishte ardhur nga London Schools of Economics. Romeoja qëndroi në Londër nga prilli në korrik dhe kështu mungoi në zgjedhjet që u mbajtën në maj. Këto Romeoja i quan studime postdoktorale!
Në vitin 2005, kur PD fitoi zgjedhjet që e rikthyen në pushtet, Romeoja përsëri nuk dha kontribut, sepse ai në prill- korrik 2005, pra në periudhën brenda së cilës binte fushata zgjedhoredhe dita e zgjedhjeve, ishte përsëri në Londër, me bursë studimore. Kuptohet që këto bursa tremujore nuk kanë lidhje as me studimet master, aq më pak me doktoraturën.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, në tetor tw atij viti, si shpërblim për mbështetjen që i dha partisë së Genc Pollos e cila ishte krijuar nga qeveria socialiste për të përçarë votat e PD-së dhe që kishte mbështetjen e Fondacionit “Soros” në Tiranë, Romeoja mori një bursë dymujore për në CEU, Universitetin e Sorosit të Europës Qendrore.
Sipas standardeve minimale akademike karriera akademike e Romeos sonë është e dështuar, e rreme, sharlataneske. Por jo sipas Lulzim Bashës i cili e katapulton Romeon në moshën 55 vjeç në politikë, si përfaqësuesin kryesor politik të katolikëve shqiptarë, çka supozohet të jetë duke qenë i pari në listën e kandidatëve të PD-së për Shkodrën.
Nuk dihet se çfarë kompleksi prej Xhuliete ka Lulzim Basha ndaj këtij Romeos. Por Shkodra nuk mund ta ulë veten aq sa të bëhet “Xhulieta” e këtij Romeos që ka turp nga diplomat e veta universitare. /CityNews
Arben Çokaj ka ba mire qe e ka publikue shkrimin e Kastirotit, qe te dihet se çka flitet, aq ma teper qe Arben Çokaj asht i gatshem te publikoje edhe ate qe mund te replikoje vete Romeo Gurakuqi.
Un e lexova shkrimin e Kastriotit. U habita se si Kastrioti shkruen me kaq tendence keqesije dhe me mungese te plote objektivitetit. Psh Willy Kamsi, ish ambasadori i Shqipnise ne Vatikan, nuk ka pase asnji lidhje gjaku me Romeon, perpose lidhjes intelektuale.
Persa i perket pregatitjes se gjane te Romeo Gurakuqit, Kastrioti jo vetem nuk thote te verteten, por nuk asht as kompetent te komentoje Romeo Gurakuqin.
Persa Kastrioti thote se Romeo Gurakuqi na qenka “perfaqesues i katolikve shqiptar” as kjo nuk asht e vertete, sepse ASNJI KATOLIK SHQIPTAR nuk do te aprovonte FUTJEN E SHQIPNISE NE KONFERENCEN E VENDEVE ISLAMIKE para se SHQIPNIA TE BAHEJ ANTARE E BASHKIMIT EUORPIAN.
Komentet janë mbyllur.