Shkencëtarja shqiptare “truri” i informatikës gjermane

0
857

Nga Konica.al6 Qershor 2017

Mira Mezini është profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadtit. Ajo ka qënë fituese e çmimit ERC Advanced Grant 2012 me shumën prej 2.3 milionë Euro që akordohet nga Këshilli Evropian për Studimet Shkencore, ERC. Është nderuar nga Universiteti i Tiranës me titullin e “Doktor Honoris Causa”, pikërisht në vendin ku studioi dhe nisi karrierën e saj akademike me motivacionin, “Për kontribut të shquar akademik dhe arritje të larta ndërkombëtare në kërkimin shkencor, në fushën e informatikës”.

Në vitin 1984, Mira Mezini kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” dhe në vitin 1989 përfundoi studimet e larta për Informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.

Në vitin 2000 Mezini ishte në pozicionin e Profesorit të Asociuar të Shkencave Kompjuterike në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, ne Universitetin Teknik të Darmstadt. Që nga viti 2002, ajo është profesore me kohë të plotë në këtë universitet.

Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadtit, Gjermani, ka qënë fituese e çmimit ERC Advanced Grant 2012 me shumën prej 2.3 milionë që akordohet nga Këshilli Evropian për Studimet Shkencore, ERC.

Ky është çmimi me vlerën më të lartë monetare që ndahet në Evropë. Me këtë shumë parashë profesorja në fushën e informatikës ka planifikuar të hulumtojë koncepte të reja bazë të programimit, në mënyrë që ato t’i përgjigjen sfidave të realitit të ri të “kalkulimit në Cloud”. Ky çmim jepet nga Bashkimi Evropian që nga viti 2007. Me çmimin ERC Advanced Grant, Mezini është shkencëtarja e parë e informatikës nga Gjermania që fiton një çmim të tillë elitar.

Me planifikimin për të ardhur në Gjermani në vitin 1989 për mbrojtjen e temës së doktaraturës, nis edhe rruga e karrierës së Mira Mezinit, në atë kohë pedagoge në Univeristetin e Tiranës, dega Informatikë, sot Profesore në Univeristetin Politeknik të Darmshtatit. Trazirat që nisën në ato vite bënë që ëndrrat e saj të shuheshin shpejt pas anullimit të të gjitha bursave për studime jashtë shtetit për shkak të situatës politike.

Por Mira me iniciativën e saj kontakton drejtuesin e qendrës informatike të Universitetit të Siegen-it që e kishte njohur gjatë një vizite të tij në Universitetin e Tiranës e më pas edhe me Profesorin që do ta drejtonte në dhënien e doktaraturës. Kështu në fund të shtatorit 1989 ajo u gjend në Gjermani, në Qendrën e Informatikës në Siegen. Dhe këtu e ka zanafillën e ardhmja e saj ambicioze.

Fillimisht katër muaj, pastaj një vit e kështu me radhë projekte dhe titulli Doktore e shkencave inxhinjerike. Pas kësaj vijon një periudhë si Profesore në Universitetin Northeasten në Boston të SHBA-së dhe që prej vitit 2002 ajo është Profesore dhe drejtuese katedre në fakultetin e informatikës në Universitetin Politeknik të Darmshtatit, në atë kohë Profesorja e parë femër dhe më e reja në moshë në këtë fakultet.

Pak fat në fillim dhe vullnet në vijim ajo realizon ëndrrat

Vajza nga Tirana që kishte studiuar për informatikë në kryeqytetin e Shqipërisë diktatoriale nuk e fsheh faktin se jo pak, atë e kishte ndihmuar edhe fati: “Njohja menjëherë e diplomës shqiptare nga autoritetet gjermane ishte vërtet fat, pasi më pas procedurat ndryshuan. Por fat ishte edhe profesori i doktoraturës, i cili më ftoi në shtëpinë e tij dhe më trajtonte si vajzën e tij. Kjo më ndihmoi shumë në atë fillim të vështirë dhe pa përvojë“.

E mirëpritur në punën, që nisi në Qendrën Informatike të Siegenit, Mira filloi të përballonte më lehtë sfidat që kishte përpara. Për punën e saj shkencore dhe hulumtimet e bëra në fushën e informatikës në Universitetin Teknik të Darmshtatit, ajo ka fituar dy herë çmimin “IBM Eclipse Innovation Award”, duke u renditur ndër pesë fituesit gjermanë të këtij çmimi. Përmes këtij çmimi, koncerni kompjuterik IBM promovon shkencëtarët që pasurojnë me ide të reja teoritë, metodat dhe mjetet për rritjen e prodhimtarisë në programimin e softwarit.

Puna e saj shkencore vlerësohet nga koncerni IBM

Inxhinjerja Mezini është autore dhe bashkëautore e disa librave shkencorë për informatikën në gjuhën gjermane dhe angleze e respektuar në komunitetin internacional shkencor në fushën e saj, ka drejtuar disa konferenca dhe shoqata ndërkombëtare shkencore. Ajo është zevëndësdekanja dhe dekanja e ardhëshme e fakultetit të informatikës dhe në bordin drejtues të dy institucioneve shkencore.

Rruga e saj e sukseshme do të përballonte edhe një sfidë tjetër të saj, atë të të qenit nënë e një vajze. Ishte pikërisht vullneti dhe dëshira e Mirës që të bënte realitet edhe këtë ëndërr: “Kam pasur mendimin se nuk do t’i përballoja dot, prandaj u bëra mama pak më vonë, se sa duhej të isha bërë. Megjithatë tani që jam bërë mama them që gjërat me një vullnet gjithmonë arrihen.“

Inxhinierja Mezini është autore dhe bashkëautore e disa librave shkencorë për informatikë në gjuhën gjermane dhe angleze. Sot Mirën, që e quan fat që ka ardhur në Gjermani dhe jeton mes gjermanëve, nuk e pengon fakti që është shqiptare, sepse “vetë arritjet, puna ime më bëjnë të jem krenare, edhe pse në Gjermani ka ende njerëz që kanë imazh jo të mirë për vendin tonë“, thotë ajo.

Të qenit pedagoge, një ndjesi shumë e mirë

Kanë kaluar më shumë se dy dekada në Gjermani, dhe Mira përsëri e kthen kokën pas duke ndjekur nga afër auditorin e Tiranës, kolegët e saj në këtë degë. „Më vjen keq që atje mungojnë punët kërkimore shkencore dhe që mungojnë kushtet e mirëfillta për pedagogët dhe studentët e kësaj dege dhe mbi të gjitha respekti i shoqërisë së sotme shqiptare për edukimin dhe punën shkencore. Mungon kreativiteti i studentëve dhe dëshira për të bërë një mësim më aktiv”.

Mësimdhënia në gjuhë të huaj është një sfidë për Mirën. Por ajo e adhuron profesionin e saj, faktin që punon mes të rinjve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të etur për dije dhe për të “ndryshuar botën”, konfrontimi i vazhdueshëm me ide të reja, me projekte kërkimore shkencore që kërkojnë ta mbash trurin gjithmonë në aktivitet, thotë ajo. Për projektet e saj në të ardhmen, ekspertja për informatikë, Mira Mezini nuk e përjashton edhe rrugën e komercializimit.

Në 2014, Fondacioni Horst Görtz i dha çmimin Gjerman të Sigurisë së Informacionit. Çmimi me një vlerë prej 200,000 eurosh është një nga çmimet më të vlefshme të dhuruara shkencore. Themeluesi i Fondacionit Dr.-ing. EH. Horst Görtz e krijoi çmimin e “Sigurisë në IT dhe në Jetë” për të rritur forcën novatore të ekonomisë gjermane në fushën e sigurisë së IT.