Letra e një shkencëtari bijës së tij 10 vjeçare (si ta paralajmërosh fëmiun tënd, për këtë botë irracionale)
Kjo më poshtë është letra e shkencëtarit të mirënjohur, Richard Dawkins, që ai ia shkroi të bijës, kur ajo kishte mbushur 10 vjet.
Bijës sime të dashur,
Tani që ti ke mbushur 10 vite, dua të të shkruaj për diçka që është shumë e rëndësishme për mua. E ke pyetur ndonjëherë veten se si i dimë gjërat që i dimë? Si e dimë, për shembull, që yjet, të cilat duken si shpime tejet të vogla në qiell, në të vërtetë janë topa të mëdhenjë të zjarrtë, sikurse Dielli dhe janë shumë larg nga ne? Dhe si e dimë që Toka është një top më i vogël, e që sillet rreth njërit nga këto yje, Diellit? Përgjigja për këto pyetje është ‘evidenca’.
Nganjëherë, që të dish se diçka është e vërtetë, evidenca (faktet, dëshmia, prova) në të vërtetë do të thotë të shohësh (ose të dëgjosh, të nuhasësh, të ndjesh). Astronomët kanë udhëtuar mjaft larg nga Toka sa të shohin me sytë e tyre se Toka është sferike. Nganjëherë sytë tanë kanë nevojë për ndihmë. Ylli i natës na duket si një xixëllimë ndriçuese në qiell por me teleskop mund të shohësh se ai është një top i mrekullueshëm – planeti të cilin e quajmë Venus. Diçka që ti e mëson me anë të shikimit direkt (ose dëgjimit ose ndjenjës) quhet observim (vrojtim).
Shpesh evidenca nuk është observim në vetvete, por observimi është gjithmonë prapa saj. Nëse ka ndodhur ndonjë vrasje, shpesh askush (me përjashtim të vrasësit dhe personit të vdekur) nuk e ka observuar atë (vrasjen). Por detektivët mund të mbledhin dhe të bëjnë së bashku shumë observime të tjera, të cilat mund të tregojnë për një person të dyshimtë. Nëse shenjat e gishtërinjve të një personi, përputhen me ato të gjetura në thikë, kjo është evidence, dëshmi, se ai e ka prekur atë thikë. Kjo nuk dëshmon se ai e ka kryer vrasjen, por kjo mund të ndihmojë kur të bashkangjitet me dëshmi të tjera të shumta. Nganjëherë një detektiv mund të mendojë shumë për observimet dhe papritmas të kuptojë se të gjitha këto bien në vend, nëse vrasësi e ka bërë këtë dhe atë.
Shkencëtarët – specialistët në zbulimin e asaj se çfarë është e vërtetë për botën dhe Universin – shpesh punojnë si detektivët. Ata bëjnë një hipotezë për atë se çfarë mund të jetë e vërtetë. Pastaj ata thonë: nëse kjo njëmend është e vërtetë, atëherë ne do të duhej të shohim këto dhe këto rezultate, këtë dhe atë. Ky quhet parashikim apo prediksion. Për shembull, nëse Toka është vërtetë sferike, ne mund të parashikojmë se një udhëtar, duke udhëtuar vazhdimisht në një drejtim, në të vërtetë do të duhej ta gjejë veten e tij në vendin prej ku ka filluar udhëtimin. Kur mjeku të thotë se ti ke fruthin ai nuk të shikon ashtu thjeshtë dhe me anë të një shikimi të të thotë se ke fruthin. Shikimi i tij i parë i jep atij një hipotezë se ti mund të kesh fruthin.
Pastaj ai i thotë vetes: nëse ajo vërtetë ka fruthin do të duhej të shoh… pastaj ai zhytet në një listë parashikimesh dhe i teston ato me sytë e tij (se a ke njolla?), me duart e tij (a është pjesa e përparme e kokës tënde e nxehtë?) dhe me veshët e tij (a lëshon gjoksi yt gërrhamë që është tipike për fruthin). Vetëm atëhere ai merr vendimin dhe thotë, ‘unë jap diagnozën se fëmiu ka fruthin’. Nganjëherë mjekët kanë nevojë për teste të tjera si analiza të gjakut, etj, që u ndihmojnë syve të tyre, duarve dhe veshëve, që të kryejnë observimet.
Mënyra se si shkencëtarët përdorin evidencën për të mësuar për botën është shumë më e mençur dhe më e komplikuar sesa që mund ta përshkruaj unë në një letër të shkurtër. Tani dua të lëviz nga evidenca, e cila është një arsye e mirë për të besuar diçka, dhe të të paralajmëroj kundër tre arsyeve të këqia, për të besuar çfarëdo qoftë. Ato janë ‘tradita’, ‘autoriteti’ dhe ‘shpallja’ (revelation).
Së pari, tradita. Para pak muajve, unë isha në një televizion për një diskutim me rreth 50 fëmijë. Këta fëmijë ishin ftuar sepse ishin rritur, edukuar në fe të ndryshme. Disa ishin rritur, edukuar si të krishterë, disa si çifutë, myslimanë, hindusë, sikhë. Personi me mikrofon kalonte prej njërit fëmijë te tjetri, duke i pyetur ata se çfarë besojnë. Ajo çfarë fëmijët thanë tregon saktësisht atë që nënkuptoj me ‘traditë’. Doli si besimet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me evidencën (faktet). Ata thjeshtë citonin nga goja besimet e prindërve dhe gjyshërve, të cilat gjithashtu nuk ishin të bazuar në evidencë (fakte). Ata thonin gjëra si, ‘Ne hindusët besojmë këtë dhe atë’. ‘Ne myslimanët besojmë kështu dhe ashtu’. ‘Ne të krishterët besojmë diçka tjetër’. Po faktet ku janë?
Natyrisht, duke qenë se të gjithë ata besonin gjëra të ndryshme, ata nuk mund të kishin të drejtë të gjithë. Personi me mikrofon dukej se mendonte që kjo është bash e duhur, dhe ai as që provoi t’i nxisë që të diskutojnë për dallimet që kanë me njëri-tjetrin. Por, kjo nuk është ajo ku unë dua të dal. Unë thjeshtë dëshiroj të pyes se nga kanë ardhur besimet e tyre. Ato kanë ardhur nga tradita. Tradita nënkupton besimet e përcjellura nga gjyshërit te prindi, nga prindi te fëmija, dhe kështu me radhë. Ose nga librat e përcjellura deri te ne me shekuj. Besimet tradicionale shpesh fillojnë nga pothuajse asgjë; ndoshta dikush thjeshtë i shpikë ato, sikurse tregimet me Thorin dhe Zeusin. Por pasi që ato të jenë përcjellur me kalimin e shekujve, gjeneratë pas gjenerate, vetë fakti se ato janë aq të vjetra, i bën të duken të veçanta (speciale). Njerëzit besojnë gjëra thjeshtë sepse njerëzit kanë besuar gjëra të njëjta për shekuj me radhë. Kjo është tradita.
Problemi me traditën është se, pavarësisht faktit se sa kohë e gjatë ka kaluar qëkur një tregim është shpikur, është saktësisht po aq e vërtetë ose e pavërtetë sikur që ka qenë në fillim kur është shpikur. Nëse ti ndërton një tregim që është i pavërtetë, përcjellja e tij nëpër shekuj nuk e bën atë diçka më të vërtetë!
Shumica e njerëzve në Angli janë pagëzuar në Kishën e Anglisë, por kjo është vetëm një nga degët e shumta të fesë së krishterë. Ka edhe degë të tjera si Kisha Ortodokse ruse, ajo katolike romake, Kisha Metodiste. Që të gjitha këto besojnë gjëra të ndryshme. Feja hebreje dhe feja myslimane janë edhe më të ndryshme nga njëra-tjetra; dhe edhe brenda këtyre ka myslimanë të ndryshëm dhe çifutë të ndryshëm. Njerëzit të cilët besojnë madje edhe sapo pak gjëra të ndryshme nga njëri-tjetri shpesh shkojnë në luftë me njëri-tjetrin për shkak të mospajtimeve. Kështu ti mund të mendosh se ata duhet të kenë arsye goxha të mirë për këtë – evidencë – për të besuar atë çfarë besojnë. Por në të vërtetë besimet e tyre të ndryshme janë krejtësisht si rezultat i traditave të ndryshme.
Le të flasim për një traditë partikulare. Katolikët romakë besojnë se Maria, nëna e Jezusit, ishte aq e veçantë saqë ajo nuk vdiq por u ngrit me gjithë trup në parajsë. Traditat e tjera të krishtere nuk pajtohen, dhe thonë se Maria vdiq ashtu si çdokush tjetër. Këto fetë e tjera nuk flasin për të aq, me përjashtim të katolikëve romakë, ata nuk e quajnë ‘Mbretëresha e Parajsës’. Tradita se trupi i Marisë u ngrit në qiell nuk është shumë e vjetër. Bibla nuk thotë asgjë mbi atë se si dhe kur ka vdekur ajo; në fakt gruaja e gjorë mezi përmendet në Bibël. Besimi se trupi i saj u ngrit për në parajsë nuk u shpik deri pas gjashtë shekujve pas kohës së Jezusit.
Në fillim ky besim thjeshtë u shpik, në të njëjtën mënyrë si shumë tregime si ajo me njeriun prej bore. Por, me kalimin e shekujve, kaloi në traditë dhe njerëzit filluan ta merrnin seriozisht, thjeshtë sepse tregimi ishte përcjellur gjeneratë pas gjenerate. Sa më e vjetër që tradita bëhej, aq më shumë njerëz e merrnin seriozisht. Në fund u vendos si besim zyrtarisht nga Kisha Katolike Romake, dikur së voni, më 1950. Por tregimi ishte po aq i vërtetë në vitin 1950, aq sa ishte në fillim kur u shpik 600 vite pas vdekjes së Marisë.
Do t’i kthehem prap traditës në fund të letrës sime, dhe ta trajtoj atë në një mënyrë tjetër. Por së pari më duhet të flas për dy arsyet e tjera për të besuar çfarëdo qoftë: autoritetin dhe shpalljen.
Autoriteti, si arsye për të besuar diçka, do të thotë të besosh diçka sepse dikush i rëndësishëm të ka thënë që ta besosh. Në Kishën katolike romake, Papa është personi më i rëndësishëm, dhe njerëzit besojnë se ai duhet të ketë të drejtë sepse ai është Papa. Në një degë të fesë myslimane, njerëzit e rëndësishëm janë njerëzit e vjetër me mjekra, të njohur si Ajatollahë. Shumë të rinjë myslimanë janë të gatshëm të kryejnë vrasje, vetëm për arsye se Ajatollahët në një vend të largët u thonë që ta bëjnë atë.
Kur unë them se katolikëve romakë vetëm më 1950 u është thënë që të besojnë se trupi i Marisë u ngrit për në parajsë, ajo çfarë nënkuptoj është se Papa u kishte thënë njerëzve që ta besojnë atë. Kaq ishte. Papa ka thënë se është e vërtetë, kështu që duhet të jetë e vërtetë! Tani, ka mundësi që disa gjëra, që Papa i ka thënë gjatë jetës së tij kanë qenë të vërteta dhe disa nuk kanë qenë. Nuk ka arsye të mirë pse, vetëm pse ai ka qenë Papa, ti duhet të besosh çdo gjë që ai ka thënë, po aq sa i beson çdo gjëje që shumë njerëz të tjerë thonë. Papa aktual ka urdhëruar pasuesit e tij që të mos kufizojnë numrin e fëmijëve që mund të kenë. Nëse njerëzit ndjekin autoritetin e tij me aq nënshtrim, ashtu siç ai do të donte, rezultatet do të mund të ishin uria, sëmundjet dhe luftërat e tmerrshme, të shkaktuara nga mbipopullimi.
Natyrisht, madje edhe në shkencë, nganjëherë nuk i kemi parë faktet vetë dhe duhet t’i besojmë fjalës së dikujt tjetër për to. Unë nuk i kam parë me sytë e mi faktet se drita udhëton në shpejtësi prej 186.000 milje për sekond. Në vend të kësaj, une u besoj librave që më tregojnë shpejtësinë e dritës. Kjo duket si ‘autoritet’. Por në të vërtetë është më mirë se autoriteti, sepse njerëzit që i kanë shkruar librat i kanë parë faktet (evidencën) dhe çdokush është i lirë që t’i shikojë ato fakte kurdo që dëshiron. Kjo është shumë ngushëlluese. Por ama as vetë priftërinjtë nuk pretendojnë se ka fakte, se trupi i Marisë u ngrit në parajsë. (Ose se Muhamedi fluturoi me kalin e tij Burak për në audiencë me All’ahun – shënimi im AÇ)
Arsyeja e tretë e keqe për të besuar diçka quhet ‘shpallja’. Po ta kishe pyetur Papën në vitin 1950 se si e dinte ai që trupi i Marisë është zhdukur për në parajsë, ai sigurisht do të kishte thënë se atij i është shpallur kjo. Ai e mbylli veten në dhomë dhe u lut për udhëzim. Ai mendoi dhe mendoi, vetëm ai vetë, dhe u bë edhe më i sigurtë brenda vetes së tij. Kur njerëzit fetarë kanë një ndjenjë për diçka, se ajo diçka duhet të jetë e vërtetë, edhe pse nuk ka fakte që ajo diçka është e vërtetë, ata e quajnë këtë ndjenjë ‘shpallje’ (revelim). Nuk janë vetëm Papat të cilët pretendojnë se kanë përjetuar shpallje. Shumë njerëz fetarë pretendojnë. Është një ndër arsyet kryesore për të besuar gjërat të cilat i besojnë. Por a është kjo arsye e mirë për të besuar diçka?
Të supozojmë se unë të them ty se qeni yt ka ngordhur. Ti do të mërziteshe shumë, dhe me siguri do të thoje ‘A je i sigurtë? Si e di këtë? Si ka ndodhur?’ Tani, të supozojmë se unë do të përgjigjesha: ‘Në të vërtetë unë nuk e di se Pepe ka ngordhur. Nuk kam fakte. Thjeshtë e kam këtë ndjenjë të çuditshme brenda meje se ai ka vdekur.’ Ti do të ishe goxha e zemëruar me mua që të kam frikësuar, sepse ti do ta dije se një ‘ndjenjë’ e brendshme nuk është arsye e mirë për të besuar se qeni ka ngordhur. Duhet fakte. Ne të gjithë kemi ndjenja të brendshme kohë pas kohe, dhe nganjëherë ato dalin të jenë të sakta, nganjëherë jo. Sidoqoftë, njerëzit e ndryshëm kanë ndjenja të kundërta, dhe si të mund të vendosim ne se ndjenjat e së cilit janë të sakta? E vetmja mënyrë për të qenë i sigurtë se një qen ka ngordhur është që ta shohësh të ngordhur atë, ose të dëgjosh se zemra e tij është ndalur; ose të informohesh nga dikush që ka parë ose dëgjuar ndonje evidencë reale, se ai ka ngordhur.
Njerëzit nganjëherë thonë se duhet t’u besosh ndjenjave thellë brenda vetes, përndryshe ti kurrë nuk do të mund të ishe konfident në gjërat si ‘Gruaja ime më do’. Por ky është një argument i keq. Mund të ketë shumë dëshmi se dikush të do. Gjatë gjithë ditës kur ti je me dikë që të do, ti sheh dhe dëgjon shumë pjesë të evidencës, dhe të gjitha përputhen. Nuk është puro ndjenjë e brendshme, sikurse ndjenja që priftërinjtë e quajnë shpallje. Ka gjëra të jashtme që e mbështesin ndjenjën e brendshme (se dikush të do): shikimi në sy, tingujt e caktuar të zërit, favoret e vogla dhe mirësjellja; kjo është e gjitha evidencë reale.
Nganjëherë njerëzit kanë një ndjenjë të brendshme të fortë, se dikush i do ata kur kjo nuk është e mbështetur në ndonjë fakt, dhe ata me shumë mundësi gabohen. Ka njerëz të cilët kanë një ndjenjë të fortë të brenshme se një yll i filmit i do ata, kur në fakt ylli i filmit as që i ka takuar ata ndonjëherë. Njerëzit e tillë janë të sëmurë në mendjet e tyre. Ndjenjat e brenshme duhet të mbështeten në fakte, përndryshe nuk mundesh thjeshtë t’u besosh.
Ndjenjat e brendëshme janë të vlefshme në shkencë, gjithashtu, por vetëm për të të dhënë ide, të cilat ti më vonë i teston duke kërkuar për evidencë. Një shkencëtar mund të ndjejë për një ide të caktuar, që thjeshtë ndjehet se është e saktë. Në vetvete, kjo nuk është arsye e mirë për të besuar diçka. Por mund të jetë arsye e mirë për të kaluar kohë, duke bërë një eksperiment të veçantë, ose për të shikuar në një mënyrë të veçantë për evidencë. Shkencëtarët përdorin ndjenjat e brendshme çdoherë për të dhënë ide. Por ato nuk vlejnë asgjë, nëse nuk mbështeten në fakte.
Premtova se do të kthehem te tradita, dhe ta trajtoj në një mënyrë tjetër. Dua të provoj që të të shpjegoj se përse tradita është aq e rëndësishme për ne. Të gjitha shtazët janë të ndërtuara (nga procesi i quajtur evolucion) që të mbijetojnë në vendin normal, ku lloji i tyre jeton. Luanët janë të ndërtuar që të jenë të mirë, që të mbijetojnë në fushat e Afrikës. Karkalecët janë të ndërtuar që të jenë të mirë që të mbijetojnë në ujë të ëmbël, përderisa karavidhet janë të ndërtuara që të jenë të mira që të mbijetojnë në ujë të njelmët. Njerëzit janë shtazë gjithashtu, dhe ne jemi të ndërtuar që të jemi të mirë të mbijetojmë në një botë përplot me… njerëz të tjerë. Shumica nga ne nuk gjuajmë për ushqim ashtu si luanët ose karavidhet. E blejmë ushqimin nga njerëz të tjerë, të cilët edhe këta e kanë blerë nga njerëz të tjerë. Ashtu sikurse deti që është plot me ujë të kripur, deti i njerëzve është përplot me gjëra të vështira për t’i mësuar. Si gjuha.
Ti flet anglisht por shoku yt flet gjermanisht. Ju flsni gjuhën që iu konvenon ‘për të notuar’ në detet e juaja të ndara të njerëzve. Gjuha përcillet apo kalohet tutje nga tradita. Nuk ka mënyrë tjetër. Në Anlgi, Pepe është a dog. Në Gjermani ai është ein Hund. Asnjëra nga këto fjalë nuk është më korrekte, ose më e vërtetë se tjetra. Të dyja thjeshtë përcillen në gjenerata. Në mënyrë që të jenë të mirë apo suksesshëm ‘për të notuar në detin e tyre të njerëzve’, fëmijët duhet ta mësojnë gjuhën e vendit të tyre, dhe shumë gjëra të tjera për popullin e tyre; dhe kjo do të thotë se ata duhet të absorbojnë, si letër thithëse, një sasi marramendëse të informacioneve tradicionale. (Kujto se informacionet tradicionale thjeshtë nënkuptojnë gjërat, të cilat përcillen nga gjyshërit te prindi, nga prindi te fëmiu). Truri i fëmijës duhet të jetë një thithës i informacioneve tradicionale. Dhe nuk mund të pritet që fëmija të mund të sortojë ose përzgjedh informacionet tradicionale të mira dhe të dobishme, sikurse fjalët e një gjuhe, nga informacionet tradicionale të këqia dhe të marra. sikurse të besuarit në shtriga, djaj dhe virgjine të përjetshme.
Është për keqardhje, por ky është rasti, që duke qenë se fëmijët janë thithës të informacioneve tradicionale, ka shumë gjasa që ata të besojnë çdo gjë që të rriturit ua thonë, pavarësisht asaj se a janë të vërteta ose false, të drejta ose të gabuara. Shumë nga ajo që të rriturit u thonë është e bazuar në dëshmi ose së paku sensibile. Por nëse diçka nga ato është false, e marrë ose madhe edhe e ligë, nuk ka asgjë që t’i ndalojë fëmijët të cilët gjithashtu ta besojnë atë. Tani, kur fëmijët të rriten, çfarë bëjnë ata? Epo, natyrisht, ata ua tregojnë gjeneratës së ardhshme të fëmijëve.
Pra, kur diçka shndërrohet në diçka që besohet fuqimisht – edhe nëse është plotësisht e pavërtetë dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë arsye për ta besuar që në fillim – mund të vazhdojë tutje përgjithmonë. A mund të jetë kjo ajo çfarë ka ndodhur me fetë? Besimi se ka një zot ose zota, besimi në parajsë, besimi se Maria nuk ka vdekur kurrë, besimi se Jezusi nuk ka pasur baba njeri, besimi se lutjet marrin përgjigje, besimi se vera shndërrohet në gjak – asnjë nga këto besime nuk mbështetet në ndonjë evidencë të mirë. Prap miliona njerëz u besojnë këtyre. Ndoshta sepse atyre u është thënë që t’u besojnë këtyre gjërave në një kohë kur ata ishin mjaftueshëm të rinjë për t’i besuar.
Miliona njerëz të tjerë besojnë gjëra goxha të ndryshme, sepse atyre u janë thënë gjëra të tjera kur kanë qenë fëmijë. Fëmijëve myslimanë u thuhen gjëra të tjera nga ato që u thuhen fëmijëve të krishterë, dhe të dyja palët rriten plotësisht të bindur se ata kanë të drejtë dhe të tjerët janë gabim. Madje edhe brenda të krishterëve, katolikët romakë besojnë gjëra të tjera nga njerëzit e Kishës së Anglisë ose e Episkopalianëve, Shakerëve ose Kuakerëve ose Mormonëve, dhe të gjithë janë plotësisht të bindur se ata kanë të drejtë dhe se të tjerët e kanë gabim. Ata besojnë gjëra të ndryshme për arsyen pikërisht të njëjtë, për të cilën ti flet anglisht dhe dikush tjetër gjermanisht.
Që të dyja gjuhët janë, në vendin e tyre, gjuha e duhur për t’u folur. Por nuk mund të jetë e vërtetë se fetë e ndryshme janë të vërteta në vendet e tyre, sepse fetë e ndryshme pretendojnë për gjëra të kundërta se janë të vërteta. Maria nuk mund të jetë gjallë në Republikën katolike, por e vdekur Irlandën Veriore Protestante.
Çfarë mund të bëjmë për gjithë këtë? Nuk është e lehtë për ty të bësh ndonjë gjë, sepse ti je vetëm 10 vjeçe. Por ti mund ta provosh këtë. Herën tjetër kur dikush të tregon diçka që tingëllon e rëndësishme, mendo me vete: ‘A është kjo ajo lloj gjëje që njerëzit e besojnë për shkak të evidencës për të? Ose është ai lloji i gjërave që njerëzit e besojnë për shkak të traditës, autoritetit ose shpalljes?’ Dhe, herën tjetër kur dikush të thotë për diçka se është e vërtetë, pse të mos u thuash atyre: ‘Çfarë evidence ka për këtë?’ Dhe nëse ata nuk mund të të japin një përgjigje të mirë, shpresoj që do të mendosh shumë me kujdes, para se të besosh qoftë edhe një fjalë që ata thonë.
Me dashuri,
Babi