Shkenca dhe religjioni

0
1510
Feja dhe shkenca

Përktheu e përgatiti: Lis Bukuroca, Gazeta Express12.02.2020

…astrofizikani Steven Weinberg me të drejtë konsideron shkencën moderne si dhuratën më të madhe të Perëndimit, që i ka dhuruar botës.

Është për t’u habitur se sa njerëz të arsimuar mirë ende arrijnë t’i pajtojnë konceptet e tyre mbi botën me idetë pothuajse dy mijë vjeçare të popujve të çobanëve injorantë në Lindjen e Afërt.

Praktikisht të gjitha të ashtuquajturat religjione të mëdha, vetë kanë dëshmuar se janë ideologji fetare, që synojnë pushtetin. Klerikët e lidhur me sundimtarë dhe politikanë, i instrumentalizojnë këta të fundit për qëllimet e veta.

Prof. dr. Edgar Baeger
Shkenca dhe religjioni
Shkenca dhe universitetet

Qëkur njerëzit vështrojnë me vetëdije botën në të cilën ata jetojnë, janë përpjekur ta argumentojnë dhe shpjegojnë pse bota është ashtu siç është; si u krijua ajo; sa do të zgjasë bota; çfarë roli luan njeriu në këtë botë; a mund të ndikohet fuqia (ose të ndikohen fuqitë), që ata i merrnin me mend si krijues të kësaj bote dhe si formuesit e fatit të tyre; cilat rregulla duhet të ndiqen përballë kësaj fuqie (ose disa fuqive) për interesin vetjak; me vdekjen e një njeriu, a është fundi përgjithmonshëm i këtij individi dhe pyetje tjera të ngjashme.

Gjatë periudhës më të gjatë të historisë njerëzore, përgjigjet në pyetje si ato ishin pothuajse tërësisht prurje të fantazisë dhe imagjinatës njerëzore. Se sa shumë e frytshme është imagjinata njerëzore, tregon vlerësimi i një antropologu, sipas të cilit, njerëzimi deri më tani ka krijuar rreth 100,000 religjione.1 Dhe, kjo ecuri nuk ka përfunduar.

Edhe në kohën tonë, religjionet dhe botëkuptimet e reja krijohen vazhdimisht. Këtu bëjnë pjesë produkte të errëta të fantazisë si UFO-logjia ose Scientology (sajantologjia) e Lafayette Ronald Hubbard, si dhe i ashtuquajturit mutacion nga religjionet e mëdha me origjinë aziatike, apo Lindjes së Afërt, në rastin e fundit, një kopje e krishterimit ose islamit.

Përkundër kësaj pjellorie të jashtëzakonshme të imagjinatës njerëzore, përkundër angazhimit të një numri të themeluesve pak a shumë karizmatikë të religjioneve, të priftërinjve, profetëve, teologëve, ajatollahëve, guruve, murgjve, priftërinjve magjistarë, themeluesve të sekteve – me zhvillimin e shkencave natyrore, botëkuptimet e reja religjioze, nuk mund më të krijohen si në kohën e injorancës së dikurshme, me anë të fantazisë fetare.

Pyetjet si ajo për krijimin e universit, materies dhe jetës, kërkojnë përgjigje, duke u bazuar në njohuritë tona të sotshme, që nuk duhet të bien nën një standard të caktuar shkencor. Për shembull, kushdo që edhe sot pyet se çfarë ishte para krijimit të universit, tregon vetëm me këtë pyetje, se ai nuk ka kuptuar konceptin e “kohës”.

Nuk mund të përmendet një datë e saktë e kohës ku kërkimet shkencore zëvendësuan projeksionet naive të fantazive njerëzore. Zhvillimi i shkencave natyrore është një proces i vazhdueshëm, i cili, megjithatë, po ecën përpara gati me hapa gjigandë në shekullin tonë. Një moment historik i rëndësishëm në këtë zhvillim ishte padyshim shembja e botëkuptimit të Ptolemeut nëpërpërmjet veprës së Kopernikut (1534), Kepler (1609) dhe Galileit.

Risia vendimtare nuk ishte fakti që befasisht dielli dhe jo më toka shihej si qendra e gjithësisë, por se përgjigjet nuk do të merren më nga interpretimi i “shkrimeve të shenjta” nga një kler, i cili ndihej vetëm ai i thirrur për ato shpjegime.

Kjo kthesë ndikoi që vëzhgimi, eksperimenti dhe analiza matematikore të zënë vendin e “të vërtetave të shpallura të religjionit.“ Kleri i Kishës Katolike, gjithnjë i veshur me instinktin e pushtetit, në atë kohë vlerësoi saktë këtë rrezik. Për atë ishte logjike që të kundërshtonte këtë zhvillim duke përdorur “ilaçin” e tij, vrasjen (si Giordano Bruno më 17 shkurt 1600) dhe torturat (me të cilat u kërcënua Galileo). Duhej të ishte e qartë për çdo klerik, që kishte fantazi, se me mënyrën e re të hulumtimeve shkencore, epërsia dhe hegjemonia e mëparshme e teologjisë, do të merrte fund.2

Shpresa e klerit për të marrë nën kontroll mendimin e sapo nisur shkencor, nuk u realizua. Edhe pse shkencëtarët në rrjedhën e mëtejshme të zhvillimit të shkencave natyrore ishin vazhdimisht objekt të sulmeve masive nga kisha katolike (psh. Charles Darwin ose Siegmund Freud), beteja ndërkohë është fituar.

Epërsia e të menduarit hulumtues, i cili ka kuptuar se dyshimi është element thelbësor i procesit të dijes përballë pranimit të thjeshtë të besimit “të vërtetave të shpallura“, është aq i qartë, sa që astrofizikani Steven Weinberg me të drejtë konsideron shkencën moderne si dhuratën më të madhe të Perëndimit, që i ka falur botës.3

Koncepti për botën, që ofron shkenca moderne është shumë më mbresëlënës, se sa të gjitha shpalljet së bashku, që fantazitë religjioze kanë prodhuar deri më tani. Prandaj, në këtë kuadër, mund të ceket shkarazi vetëm me disa fjali. Ne, njerëzit, jemi qenie të gjalla në një planet të vogël, që përshkon një orbitë rreth një ylli me madhësi mesatare dhe shkëlqim mesatar. Ky yll (dielli) ndodhet në një krah anësor të një sistemi yjor spiral (“Rruga e Qumështit” ose galaktika), e cila përbëhet nga rreth 100 miliardë yje.

Diametri i vetëm i këtij sistemi yllor është aq i madh, sa dritës i duhen 100,000 vjet për ta kapërcyer tej për tej. Por galaktika jonë është vetëm njëra nga një numër i paimagjinueshëm i madh i galaktikave, ku secila përbëhet nga disa miliardë ose deri në disa qindra miliarda yje.

Të gjitha këto galaktika largohen nga njëra-tjetra, dhe sa më larg të jenë nga mes vetes, aq më shpejt universi zgjerohet (ekspandim). Ky vëzhgim, i cili u bë nga astronomi amerikan Edwin Hubble në vitin 1929, çon në supozimin se në retrospektivë (rreth 10 deri 20 miliardë vjet më parë) e gjithë materia në hapësirë ​​duhet të ketë qenë më e ngjeshur. Dhe se Universi, ka marrë fill nga një ngjeshmëri (densitet) tepër i madh.

Kjo ngjeshmëri është e lidhur në mënyrë të pandashme me një temperaturë të paimagjinueshme të universit të hershëm, në të cilin materia nuk mund të ekzistonte. Astrofizikanët flasin për një univers të dominuar nga rrezatimi. Materia formohet pastaj gjatë ftohjes së tij. Një rrezatim i mbetur nga rrezatimi i universit të hershëm që kapërcen çdo imagjinatë, mund të matet edhe sot. Në fakt, ky rrezatim u zbulua në vitin 1965 nga Arno Penzias dhe Robert Wilson (fituan Çmimin Nobel për Fizikë).

Është fjala për një rrezatim mikrovalë, që mund të kapet në mënyrë të barabartë nga të gjitha drejtimet në hapësirë, i ashtuquajturi rrezatimi i sfondit kozmik. Zbulimi i tyre siguroi një nga provat më të rëndësishme eksperimentale për atë që është botërisht e njohur dhe që nga astrofizika quhet si “teoria e shpërthimit“ (“Urknall-TheorieBig Bang)” ku nis fillin bota. Llogaritjet prapa tregojnë gjithashtu se gjatë krijimit të materjes nga rrezatimi i gjithësisë në zgjerim, vetëm hidrogjeni, deuteriumi, heliumi dhe disa elementë të lehta do të kenë mundur të krijohen. Të gjithë elementët më të rëndë u krijuan shumë më vonë në brendësi të yjeve në krijim e sipër, për shkak të proceseve të shkrirjes në bërthamë, që ndodhin brenda tyre. (…)

Po aq mbresëlënëse sa fenomenet e gjithësisë janë pamjet e përfituara mbi mikrokozmosin, d.m.th. ndërtimin e materies, lidhjet midis materies dhe energjisë (të cilat kanë një rëndësi thelbësore për kozmologjinë moderne). Edhe pse shtysat e para në teorinë e atomit mund të dëshmohen në filozofinë e lashtë greke, i mbeti shkencës moderne të sjellë provat eksperimentale për përbërësit themelorë të materies. Mirëpo, u dëshmua se modelet e dikurshme të atomit, të përbëra nga një bërthamë atomike (e cila përbëhet nga protonet dhe neutronet) rreth të cilëve “rrotullohen” elektronet, ishin shumë të thjeshta.

Qartësia e tyre, e cila rezultoi nga analogjia me një sistem planetar, humbi kur u bë e qartë, se grimcat elementare të përmendura, përbëhen edhe nga pjesëza më të thjeshta të ashtuquajturat “quarks” (grimca subatomike). Këto „kuarke“ nuk mund të ndahen më. Se a janë ato vetëm manifestime të njësive tjera themelore të ndërtimit, ndoshta të ashtuquajturave “Strings“, duhet të sqarohet nga studimet e mëtutjeshme.

Pra, është e lehtë për të kuptuar se sigurisht një shumicë e njerëzve, që jetojnë sot, janë shumë më afër strukturave të të menduarit të thjeshtë të të ashtuquajturve religjione të mëdha, sesa botëkuptimeve të shkencave natyrore. Jo vetëm gjatë marrjes me mend të pikëpamjeve kozmologjike dhe atomfizikale kapitullojnë shumica e bashkëkohësve tanë, por mbi të gjitha, edhe për të kuptuar strukturat marramendëse të krijimit tepër kompleks, në të cilat materia mund të organizohet vetë. (…)

Sistemet me kompleksitetin më të madh mund të gjenden në natyrë. Se si u krijua jeta në në të vërtetë, ende nuk është sqaruar. Mirëpo, shumica e shkencëtarëve të shkencave natyrore besojnë se është fjala për një proces natyror, që nis kur në një planet, presioni, temperatura dhe përbërja e atmosferës, mundësojnë formimin e molekulave komplekse dhe kur është në dispozicion një periudhë e gjatë kohore për zhvillim. (…)

Sidoqoftë, asnjë shkencëtar serioz nuk do të kërkonte fuqi mbinatyrore derisa mundësitë për shpjegime fizike të mos jenë shterrur dhe për këtë, as që mund të flitet. Për zhvillimin e jetës në Tokë, krijimin dhe diferencimin e specieve, vështirë se ka ndonjë mospajtim. Ndërkohë shumë të mëdha janë dëshmitë e provuara nga Darwini në teorinë e evolucionit. Kësaj mund t’i shtohet, – pas zbërthimit të strukturë së ADN-së nga Watson dhe Crick në vitin 1953,- edhe të kuptuarit e tejbartjes së ndryshimeve, që gjenet i dërgojnë në brezin e ardhshëm.

(Natyrisht kjo nuk përjashton politikanët provincialë me formim religjioz, të bashkuar me “shkencëtarët” e edukuar si ata, edhe sot sa i përket teorisë së evolucionit, të bëjnë beteja si ato që çuan në vitin 1925, në procesin me famë botërore të quajtur “procesi i majmunëve” në Nest Dayton, Tenesi.4)

Njeriu që nuk është viktimë e shpëlarjes religjioze të trurit në moshën e hershme të fëmijërisë dhe që është marrë mjaftueshëm me konceptet e botës nga shkencat natyrore moderne, nuk mund të shpërfillë dijen dhe sigurinë, se një urë midis doktrinave të pothuajse të gjitha bashkësive religjioze dhe koncepteve shkencore mbi botën, nuk mund më të ndërtohet.

Shumë i madh është hendeku intelektual i ideve që bazohen në një zot-krijues, i cili u kushton kaq shumë rëndësi njerëzve (objekteve të krijimit të tij) sa ai u dërgon mesazhe, llogarit në ta dhe kujdeset për veprat e mira dhe të liga të tyre – madje ky zot urdhëron ithtarët e tij të ndezin luftëra pushtuese dhe me kërkesën e qartë, nëse e kërkon nevoja, të vrasin fëmijë, gra dhe pleq.5 Konceptet e botës me engjëj, djaj, profetë, një “familje e shenjtë” ose një zot – gjykatës i rreptë dhe ndëshkues, janë projeksione të qarta të imagjinatës (shumë) njerëzore.

Është për t’u habitur se sa njerëz të arsimuar mirë, ende arrijnë t‘i pajtojnë konceptet e tyre mbi botën me idetë pothuajse dy mijë vjeçare të popujve të çobanëve injorantë në Lindjen e Afërt. Parimet e atyre religjioneve mund të kenë korresponduar me dijet e asaj kohe, por sot ato janë anakronike. Në fakt, shumë shkencëtarë të shkencave natyrore kanë fshirë temën e religjionit për veten dhe as që iu shkon mendja se religjionet, kanë diçka të rëndësishme për të na treguar.

Astrofizikani Steven Weinberg shkruan në librin e tij të ri,6 se edhe pse ai njeh disa shkencëtarë fetarë, shumica e kolegëve të tij fizikanë, as që janë të interesuar për religjionin. Librat me tituj si: “Vetë-organizimi i universit7, “Krijimi pa një krijues8, shkruar nga shkencëtarë të njohur, bëjnë të qartë se ideja e një zoti krijues nuk ka më vend në konceptin e botës për shumë shkencëtarë të shkencave ekzakte.

Megjithatë, religjionet e mëdha janë ende përcaktuese për një pjesë të madhe të njerëzimit që jeton sot. Hierarkitë që i mbajnë religjionet ende kanë fuqi të jashtëzakonshme dhe ndikim të madh politik. Me gjithë ato studime dhe hulumtime të shumta shkencore, ka shumë arsye pse nuk u zmbrapsën në masë më të madhe sajesat religjioze para-shkencore. Më të rëndësishmet do të diskutohen më poshtë:

1. Edukimi fetar që nga fëmijëria e hershme në familje, shkollë dhe rreth shoqëror, ndikon që edhe te shumë shkencëtarë të shkencave natyrore, të arsimuar në mënyrë të shkëlqyeshme, të menduarit kritik të fiket në çastin kur çështjet fetare të jenë temë e debatit.9 (…) Efektiviteti i jashtëzakonshëm i ngulitjes së koncepteve për botën në fëmijëri, njihet qysh nga lashtësia dhe, e kanë shfrytëzuar praktikisht jo vetëm të gjitha shoqëritë religjioze, por edhe ideologjitë politike (sidomos në diktaturat).

2. Edhe pse civilizimi i vendeve të industrializuara do të shembej menjëherë pa shkencat natyrore dhe teknikën, shumë njerëz nuk janë të arsimuar mirë në shkencat natyrore. Sot ekziston ende një ideal arsimor i bazuar në letërsi, muzikë dhe artet pamore. Kushdo që flet të paktën një gjuhë të huaj (përveç kësaj, nëse është e mundur, pak latinisht për të demonstruar arsim me citime të përshtatshme) mund të flirtojë në çdo kohë pa frikë nga humbja e imazhit, duke mos kuptuar gjënë më të vogël për shkencat natyrore dhe teknologjinë. Steven W. Hawking tallet në librin e tij „Një Histori e shkurtër e kohës“ kur deklaron se, atij i është thënë se çdo ekuacion në një libër, përgjysmon shitjet. Kjo është arsyeja pse është kufizuar vetëm në formulën e Ajnshtajnit: E = mc2.

3. Nga shumica e njerëzve, shkencat natyrore përjetohen në shkollë si një varg lëndësh, në të cilat mësohen formulat dhe faktet. Për efektet e dijes të shkencave natyrore në konceptet tona mbi botën e sotshme (qëllimisht) nuk bëhet kurrë fjalë. Ministrat e kulturës të orientuar klerikisht dhe burokratët nga ministritë e kulturës, sigurisht që do të vazhdojnë të kujdesen, që asgjë të mos ndryshojë.

Nuk është aspak rastësi që pikërisht astronomia, astrofizika dhe kozmologjia, gati nuk trajtohen fare, madje as në klasat e larta të gjimnazit. Kështu, pasi të largohen nga shkolla, shumë njerëz me kënaqësi dhe tepër shpejtë harrojnë mësimet e marra, por jo të kuptuara nga shkencat natyrore. Si pasojë, ata janë viktima të lehta të çdo marrëzie religjioze dhe pseudo-shkencore. Raftet e librarive mesatare janë të tejmbushura me libra rreth mistikës fetare, astrologjisë, ezoterizmit dhe sharlatanizmit të maskuar si shkencë popullore të një Erich von Däniken (autor zviceran) dhe imituesve të tij.

4. Shpesh thuhet se religjionet nuk shfaqin mendime, që mund të bien ndesh me njohuritë e shkencave natyrore. Se gjoja temat e religjioneve qenkan “pyetjet e kuptimit të ekzistencës njerëzore“, “gëzimi dhe vuajtja e qenësisë njerëzore“, por mbi të gjitha, edhe arsyetimi religjioz i vlerave dhe normave, pa të cilat një shoqëri nuk do të mund të ekzistonte.
Por gjendja nuk është aq e thjeshtë. (…) Nëse, për shembull, me hulumtime shkencore dëshmohet se ringjallja nuk është fare e mundur, me këtë rrëzohen shtyllat kryesore të shumë feve të Azisë Lindore.

Nëse njohuritë shkencore të kohës sonë mundësinë e ekzistencës së një zoti krijues ose të një jete pas vdekjes, e zbresin drejt zeros, atëherë shtyllat e religjioneve të barinjve të Lindjes së Mesme (fetë e krishtera, islamike, hebraike) shemben. Ka arsye të mira pse një teolog i zgjuar si Eugen Drewermann, duke zhvendosur mësimet fetare në fushën e psikologjisë së thellë dhe mistikës, rrjedhimisht në një botë imazhesh dhe legjendash, që ka nevojë për interpretim, përpiqet ta heqë religjionin nga racionalizmi kritik.10 (Tragjike për të, sepse qëllimet e tij nuk po kuptohen nga një kishë zyrtare e orientuar drejt pushtetit.)

5. Edhe shkencëtarët e shkencave natyrore kontribuojnë në lënien e fushës sistemeve para-shkencore. Indiferenca e shumë shkencëtarëve ndaj religjionit e pasqyruar aq bukur nga Steven Weinberg, tregon se ata zgjidhin problemin për veten, por ia lënë popullsinë errësirës (obskurantizëm).

Në këtë kontekst, bie në sy se shkencëtarët nga hapësira anglishtfolëse, janë shumë më të përkushtuar ndaj një pikëvështrimi mbi baza shkencore, ndërsa shkencat natyrore të hapësirës gjermanishtfolëse, në masë të madhe shmangin çdo lloj trazimi në fushën religjioze. Kështu, lexuesi i interesuar, duhet t’u qaset librave të Peter W. Atkins, Paul Davies, Richard Dawkins, Stephen W. Hawking, Robert Shapiro, Steven Weinberg, nëse dëshiron të kuptojë se sa përputhen në mes vete doktrinat religjioze me konceptet shkencore mbi botën. (Edhe Zigmund Frojd me librin e tij “Moisiu dhe feja monoteiste”, ku përfshihet edhe pjesa “E ardhmja e një iluizioni”, e sqaron psikoanalitikisht prejardhjen e fesë… /AÇ)

6. Siç u tha më lartë, ekziston një vështirësi, që ka sjellë me vete progresi shkencor, sepse fenomenet themelore të makro- si dhe të mikrokozmosit janë të pakapshme për mendjen njerëzore. Koncepti i një hapësirëkohe të përkulur (lakuar) është po aq i vështirë për t‘u shndërruar në imazh, sa një përfytyrim i kuarkeve, përbërësve themelor të supozuar të materies… (…)

Prandaj, nuk është aspak befasuese se njerëzit pa arsimim nga shkencat natyrore, shumë më lehtë tërhiqen nga tregimet e thjeshta dhe të lehta të religjioneve. Përrallat fëmijërore me mrekulli për ecjen mbi ujë, ringjalljen e një të vdekuri, besohen aq më shpejtë si mrekulli, sa më pak që arsimimi vetjak t‘i aftësojë ata për të përkapur përafërsisht mrekullitë faktike të mikrokozmosit, universit dhe sistemeve pafundësisht komplekse të jetës si të tilla.

7. Shumë, mbase, shumica e njerëzve sot nuk merren as me shkencën, as me religjionin. Njohuria e tyre për religjionin e vet shumë shpesh është e barabartë me njohuritë e tyre nga shkencat natyrore dhe gjendet krejtësisht afër zeros.11 Në fakt, ata orientohen në mënyrë pragmatike në shoqërinë që i rrethon. Nëse kjo shoqëri dominohet nga religjioni, atëherë ata shfaqin një religjioiozitet formal jashtë.

Nëse jetojnë në një shoqëri të formuar nga një ideologji tjetër (p.sh. si në sistemet e dikurshme marksiste-leniniste), atëherë ata konvertohen në këtë ideologji, të paktën për sa kohë që të jetë ajo dominuese. Nëse një ideologji religjioze arrin të krijojë përshtypjen e një institucioni të fuqishëm shoqëror, ajo nuk mund më të luhatet dhe të vihet në pyetje me argumente apo edhe me mendime shkencore. Për këtë arsye, edhe në vendet me arritje të larta teknike dhe shkencore, siç janë Shtetet e Bashkuara, mund të gjendet një sistem i lulëzuar fetar dhe i sekteve, por edhe liderë politikë, botëkuptimi fetar-ideologjik i të cilëve përputhet saktësisht me strukturat e thjeshta të të menduarit të votuesve të tyre.

Pavarësisht të gjitha arsyeve që u shtjelluan, se përparimi shkencor në rastin më të mirë mund të shkaktojë një proces të ngadalshëm erozioni të dy bashkësive të mëdha religjioze (mendohet katolike dhe protestante në Gjermani LB), mund të thuhet se gjithnjë më pak njerëz janë në gjendje të ndërlidhin konceptet mbi botën me pohimet e “shkrimeve të shenjta“, të para pothuajse dy mijë viteve. Fakti se ndërkohë çdo qytetar i katërt gjerman nuk i përket më asnjë bashkësie religjioze, tok me numrin e madh vjetor të daljes nga kisha, (me daljen nuk janë të detyruar të paguajnë më tatime për kishën, LB) tregon se ka nisur një kthesë në botëkuptim dhe pikëpamje.

Argumenti më i rëndësishëm i kishave në ankth, është se gjoja ato qenkan të domosdoshme për t’i arsyetuar vlerat morale dhe për ekzistencën e një shoqërie kulturore. Këto duhet të refuzohen duke pasur parasysh historinë e kishës, por edhe bazën themelore të doktrinës së tyre.

Edhe më e rëndësishme është që edhe në Republikën Federale, shkencëtarët që ndjehen përgjegjës për iluminizmin (ndriçimin) kritik, të mbështesin publikisht konceptet e botës kritike dhe racionale. (…)

Nuk duhet në asnjë mënyrë problemi i religjionit të zgjidhet vetëm për vete (edhe kur dëshmohet me mungesë tërësore të interesimit). Kush vepron kështu lejon duke ditur pasojat që fusha socio-politike, t‘u mbetet edhe më tej e lirë bashkësive religjioze, që synojnë pushtetin. Mirëpo, politika që ata ndjekin prek të gjithë, përfshirë studiuesin në “Kullën e Fildishtë“, ndoshta edhe familjen e tij.

Nëse intelektuali kritik i religjionit mbetet joaktiv, ai lejon, duke ditur pasojat, të vazhdohet tutje që nga lindja, çerdhja, shkolla, institucionet sociale, deri te vdekja që përfytyrimet botëkuptimore, rrethanat shoqërore dhe ligjet e shtetit, të përcaktohen nga injorantët, që kanë jetuar pothuajse dy mijë vjet më parë.

Detyra civilizuese, që përfundimisht duhet të arrihet, është se institucionet shtetërore në një shtet modern, nuk duhet të vihen më në dispozicion të bashkësive religjioze për indoktrinimin religjioz në fëmijëri të hershme. Kjo mbetet për t’u realizuar. Përveç kësaj, një shtet, ligjet e veta duhet t’i bazojë në një konsensus minimal etik dhe jo në kërkesat maksimale të bashkësive religjioze (për shembull në çështjet të abortit, politikës familjare, politikës sociale, vdekjes humane (vdekjes humane: e drejta për të vendosur vetë për vdekjen në pleqëri ose pas një sëmundjeje të pashërueshme LB).

Praktikisht të gjitha të ashtuquajturat religjione të mëdha, vetë kanë dëshmuar se janë jenë ideologji fetare, që synojnë pushtetin. Klerikët e lidhur me sundimtarë dhe politikanë, i instrumentalizojnë ata për qëllimet e veta. Bota e sigurisë e krijuar nga religjionet për besimtarët, në shkencë është bota e skepticizmit dhe dyshimit. Suksesi i jashtëzakonshëm i të menduarit të tillë në shkencat natyrore dhe në teknologji, tregon epërsinë e konceptit botëkuptimor, i cili mund të zgjerohet dhe ndryshohet në çdo kohë (nëse e arsyetojnë njohuritë e reja), përballë përsëritjeve të ngurta të “të vërtetave fetare” të religjioneve të shkruara në libra.

Sidoqoftë, një botëkuptim i hapur për botën nuk mund të jetë një botëkuptim, që përcaktohet nga një organizatë fetare.

Duhet të jetë një botëkuptim, që individi krijon dhe që ai mund t’ia përshtat njohurive të veta për një jetë të tërë. Me fjalë të tjera: në një shtet të ndriçuar (iluminuar), modern, religjioni dhe botëkuptimet janë çështje private të çdo qytetari veç e veç. Shteti duhet të qëndrojë rreptësisht jashtë kësaj zone. Ai duhet të jetë neutral ndaj botëkuptimeve religjioze. Në shtetet e sotme, dëshira për të marrë pushtetin religjionet e organizuara, është akoma e pandërprerë. Prandaj mbetet për t’u bërë jashtëzakonisht shumë për iluminizmin dhe racionalizmin kritik.


Poshtëshënim:
1. Cituar sipas artikullit të Edward O. Wilson, profesor i zoologjisë në Universitetin e Harvardit në Kembrixh, Massachusetts, „Biologjia – Një listë e gjeneve?“ Në E. Dahl (bot.) „Doktrina e kobit (mynxyrës)“, Hamburg 1993, f. 84.
2. Edhe sot Vatikani nuk heq dorë nga ndalimi i të menduarit. Kështu e përshkroi astrofizikani dhe matematikani Stephen W. Hawking një konferencë kozmologjike, që kishin organizuar Jezuitët. Papa i atëhershëm u kishte thënë shkencëtarëve të pranishëm, se ata nuk duhet të përpiqen të zbulonjnë vetë „Shpërthimin e Madh“ (Big Bang), sepse ajo qenka një vepër e zotit. Me humorin e tij anglez, Hawking thotë se ai nuk pati dëshirë të ndante fatin e Galileut dhe për këtë arsye, u ndje i lumtur që Papa me sa duket nuk dinte përmbajtjen e fjalimit të tij të mëparshëm. Stephen W. Hawking „Një histori e shkurtër e kohës“, Reinbek Hamburg 1985, f. 48.
3. Steven Weinberg, profesor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Teksasit, Çmimi Nobel 1972, „Ëndrra e njësisë së universit“, Mynih 1992, fq. 97.
4. Robert Shapiro, profesor i kimisë në Universitetin e Nju Jorkut dhe specialist në studimin e ADN-së në librin e tij „Krijimi dhe rasti – mbi origjinën e evolucionit“, Mynih 1987.
5. Krahaso librin shumë të rekomandueshëm të Franz Buggle, profesor i psikologjisë klinike dhe zhvillimore në Universitetin e Freiburgut i. Br., libri „Sepse ata nuk e dinë se çfarë besojnë“, Reinbek Hamburg 1992.
6. Steven Weinberg, „Ëndrra e njësisë së universit“ f. 266. Ky kapitull është riprodhuar gjithashtu në E. Dahl (ed.), Doktrina e gjëmës (shiko Shënimin 1).
7. Erich Jantsch, „Vetë-Organizimi i Universit“, Mynih 1986.
8. Peter W. Atkins, profesor i kimisë fizike në Universitetin e Oksfordit, „Krijimi pa Krijues“, Reinbek Hamburg 1984.
9 Krahaso gjithashtu analizat interesante të Franz Buggle (shiko shënimin 5).
10. Hubertus Mynarek, ish-profesor i Studimeve religjioze krahasimtare në Universitetet e Bambergut dhe Vjenës, „Si teologët ‘progresivë’ shpëtojnë krishterimin” – përmbledhje e E. Dahl (botues.), Doktrina e kobit (mynxyrës), Hamburg 1993.
11. Kjo injorancë i dha titullin librit të Franz Buggle.
1994

Prof. dr. Edgar Baeger
I lindur në vitin 1933, profesor, dipl. inxh. prodekan, dekan i Departamentit të Inxhinierisë Elektrike dhe Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Aalen. Anëtar i Unionit Humanist – Shtëpia e Demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Ka publikuar shumë artikuj në revista dhe libra me temën “Shteti dhe Kisha.”

Nuk di a është i gjallë. I shkrova për lejen e përkthimit, por në emailin që gjendet në fakultet, nuk u përgjigj.

Ata që dëshirojnë të lexojnë librin e profesor Franz Buggle, „Sepse ata nuk e dinë se çfarë besojnë“, gjermanisht, mund ta shkarkojnë këtu falas si pdf: https://epdf.pub/denn-sie-wissen-nicht-was-sie-glauben.html