Shkeljet e urbanistikës, një krim mbarëshqiptar

0
475

(Botuar në Durrësi Bulevard on Line, dt. 27.04.2018)

Po e mbysin pallatet deputetin e PS, zotin Erjon Braçe, dhe ai shpërthen me indinjatë, në facebook (fb), shkruhet në gazetën Tema dt. 27.04.2018. Ka shumë të drejtë Deputeti, qoftë për kritikën konkrete me pallatet e njerëzit e përfshirë, qoftë dhe me faktin që këtë problem nuk e ngre në parlament, nuk e ngre në prokurori, nuk e ngre në …., por e ngre para mbarë popullit shqiptar.
Gjendja është e tmerrshme: Shqipëria po shkatërrohet nga shqiptarët, që po mbysin veten me pallatet që po ndërtojnë tani, në shekullin e XX1, në vitet pas vitit 2000.

Situata rreth banesës ku jeton Deputeti, është njësoj në shumë e shumë lagje e qytete të tjera të Shqipërisë, bile shpesh edhe më keq: ka pallate përballë njëri tjetrit, aq afër, saqë mund t’i ndezësh cingaren komshiut përball, nga dritarja në dritare.

Ka të drejtë Deputeti, që nuk e ngre këtë problem në Parlament, por në fb, sepse në Shqipëri ka ligje të qarta që kufizojnë masakrën urbanistike që po zhvillohet pa pushim tash 20 vjet. Ka bile rregullore urbanistike tash 20 vjet, që kufizon në mënyrë krejt të qartë, krejt praktike, me metra e me masa të thjeshta matjeje, si nuk duhet të jenë të vendosura ndaj njëra tjetrës banesat, pa hyrë në më të thella, që dhe ato i ka legjislacioni. Pra, nuk nevojë urgjente për bërje ligjesh të reja, por ka nevojë urgjente për zbatim ligjesh.

Ka të drejtë Deputeti, që nuk i drejtohet Prokurorisë, për shkelje të ligjit, sepse Prokuroria akoma nuk ka bërë vettingun e vet, akoma nuk ka pastruar veten. Prokuroria është përgjegjëse kryesore për masakrën urbanistike që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri. Tek Prokuroria janë drejtuar kallëzimet e para, që tash 20 vjet, për ndërtime në shkelje të ligjit, dhe Prokuroria nuk ka vepruar për zbatimin e ligjit, por ka organizuar moszbatimin e tij. Janë të mbushura dosjet e saj, me pyetje “ekspertësh”, inxhinieresh ndërtimi, që jepnin ekspertiza kriminale, duke mbuluar me sofizma antiligjore shkeljet e ligjit. Natyrisht, ligji i urbanistikës nuk ka nevojë fare për interpretime inxhinierësh, sepse është krejt i qartë, por inxhinierët janë futur në lojë nga prokurorët, për të krijuar tymnajën e shkeljes së ligjit nga dyshet prokuror-ekspert, me qëllim vjeljen e përbashkët të pareve të korrupsionit. Aty janë dosjet, nuk i kanë djegur akoma, mund t’i kontrollojë një vetting…

Ka të drejtë Deputeti që i drejtohet popullit shqiptar, jo vetëm partisë së vet, që mos ta lejë shqiptarin t’i bishtnojë përgjegjësisë personale dhe kolektive që ka, që po shkatërron vendin e vet. Mos ta lejë shqiptarin të ankohet me hipokrizi, se “kryetari i bashkisë” nuk po vepron, se “kryeministri” nuk po vepron, e të tjera si këto, kur vetë shqiptarët janë ata që e duan këtë shkelje urbanistike, kur ata janë në rolin e ndërtuesit, në rolin e prishësit të urbanistikës me shtëpitë e veta, që vetëm një pisllëk legalizimi mund t’i legalizojë.

Ka të drejtë Deputeti që i drejtohet kryetarit të Bashkisë, që nënshkruan lejet e ndërtimit. Por, sipas meje Kryetari nuk është “fajtori kryesor”. Kryetari i vetëm nuk e përballon dot vërshimin mbare popullor, mbarë shqiptar të shkeljes së ligjit, në rastin konkret të urbanistikës. Nëse një kryetar, do t’i kundërvihej vetëm, pa përkrahjen e popullit të vet, kryetari do ta gjente veten automatikisht të hedhur në rrugë, si …..(gjen populli shpifje e alibira sa të duash). Nuk i shpëton dot Kryetari, rregullit, “çdo popull ka kryetarin që meriton” Nuk duhen lënë vetëm kryetarët, duhet t’u krijohet mundësia që ligji të zbatohet. Vetëm atëherë Kryetari mund ta zmbrapsë trysninë “ma jep lejen se ti e ke në dorë”, sepse do të ketë mundësi të thotë: “nuk e kam unë në dorë, sepse nuk më lejon ligji”.

E vetmja zgjidhje është një protestë që fillon me një elite qytetare, që vjen duke u shtuar nga turma qytetare, që kolektivisht ta detyrojnë shtetin, së pari Prokurorinë dhe gjykatat, që të veprojnë në zbatimin e ligjit, të atij për urbanistikën konkretisht. Vetë fajtorët, shqiptarët, duhet të detyrojnë shqiptarët, pra veten, të zbatojnë ligjin. Edhe prishësit e urbanistikës duhet të jenë pjesë e kolektivit “pro urbanistikës”, si një pendesë e pashprehur në mënyrë eksplicite. Kjo “protestë” do të transformojë popullin tonë, nga një popull “shkelës ligji”, në një popull “mbrojtës ligji”.

Rregullimi i urbanistikës me protestë qytetare nuk është i pamundur, është i vështirë, por vepron: popuj të tjerë e kanë bërë. Ia vlen ta provojmë edhe ne.

Bashkim Kopliku
Ish-, deputet, kryetar bashkie, zëvendëskryeministër, inxhinier, kallëzues në prokurori shkeljesh urbanistike, kritikues publik i masakrës etj.

Durrës, 27.04.2018

Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: <[email protected]>