Shkruan Prof. Zymer Mehani
Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm nxënësit tanë marrin njohuri rreth gjuhës dhe vazhdimisht bëhen përpjekje për të zotëruar këto norma, por shkalla e zotërimit deri më tani nuk është e kënaqshme, pasi vërehen mjaft shmangie, gabime të shumta në përdorimin e mjeteve të ndryshme gjuhësore: në fonetikë, morfologji, sintaksë, leksikologji etj. Këto shmangie bëhen për shkak të njohurive të pakta që kanë nxënësit për sistemin gjuhësor dhe rregullat e gjuhës, por edhe për shkak të neglizhencës në përdorimin e rregullave të saj dhe moskujdesit të duhur nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Shkeljet më të shpeshta që nxënësit ia bëjnë normës në shkollat e Kosovës shihen në të gjitha rrafshet: në rrafshin fonetik, sidomos në drejtshkrim; në rrafshin morfologjik, veçanërisht në përdorimin e trajtave të shkurtra të përemrave, në ngatërrimin e përemrave me mbiemra, në shumësin e emrave, në përdorimin e mënyrave dhe kohëve të foljes; në rrafshin sintaksor hasen fjali e thënie të një sintakse të huaj, mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin, përcaktorit me fjalën që përcakton – renditja e fjalëve në fjali, mungesë e kohezionit dhe e koherencës, ndërsa në rrafshin leksikor vërehet një numër i madh i fjalëve të huaja.
Në vazhdim po i japim disa nga shkeljet e normës, të cilat nxënësit i bëjnë më së shpeshti gjatë punës me shkrim, duke filluar nga përdorimi i shkronjës së madhe. I shkruajnë me shkronjë të vogël emrat dhe mbiemrat e personave, emrat e përveçëm, emrat gjeografikë, territorialë, emërtimet zyrtare, festat kombëtare, titujt e gazetave, revistave, shkurtimet e emrave të shteteve, organizatave, gradat shkencore etj. P.sh: kombet e bashkuara, lidhja e prizrenit, 8 marsi etj.
Shumë shenja të pikësimit nxënësit nuk i përdorin fare, apo i përdorin gabimisht, duke mos e ditur funksionin e tyre. Veçanërisht pika dhe presja përdoren vend e pa vend, ose mungojnë aty ku duhet, pastaj mungojnë thonjëzat, dy pikat, kllapat. Shumë fjali nuk kuptohen fare dhe në mungesë të tyre shpesh nuk dihet se ku fillon dhe ku mbaron fjalia. Duke mos e ditur funksionin e apostrofit, e përdorin gabimisht në shumë raste dhe nuk e përdorin kur duhet, si p.sh: te pjesëza mohuese : ‘s pastaj te trajtat e shkurtra etj. I ngatërrojnë fjalët që shkruhen njësh, ndaras dhe me vizë në mes. Bëjnë gabime të shumta në përdorimin e trajtave të shkurtra e po ashtu edhe nyjat nuk i përdorin në rastet kur janë të domosdoshme.
Në shumë raste nxënësit e formojnë gabimisht shumësin e emrave dhe bëjnë ngatërrimin e mbiemrave me ndajfoljet. Nxënësit shpesh përdorin fjali në të cilat mbiemri nuk përshtatet me emrin, kryesisht në numër, por edhe në gjini, pastaj mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin, zakonisht del kryefjala në numrin njëjës, kallëzuesi në shumës dhe anasjelltas.
Në fushën e morfologjisë gabime të shumta bëjnë edhe te përemrat, ngatërrimin e tyre me njëri-tjetrin, pastaj te foljet vërehet ngatërrimi i mënyrave, kohëve, vetave, por shkeljet më të mëdha bëhen në përdorimin e lidhores. E bëjnë ngatërrimin e kohës së tashme të dëftores me kohën e kryer të thjeshtë, apo vetën e parë me të tretën, por edhe gabime të tjera foljore.
Po ashtu, nxënësit janë të ndikuar mjaft nga fjalët e huaja, shkaku i kontakteve të vazhdueshme me gjuhët e tjera, sidomos me anglishten, dhe i përdorin shumë fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe.