“SHIKOJMË NGA LARG, MENDOJMË PËR TY, O MOJ E BUKURA SHQIPËRI”…

0
2209
Ndue Lazri

Ndue Lazri

Në ditët e kulturës shqiptare në Mantova

Reportazh

U deshën ato pika lot malli të bukuroshes shkodrane Albina Lufi, që atmosfera në sheshin “Mantegna” të Mantovës të bëhej shumë emocionuese. Kori i Ansamblit të këngëve e valleve të Tiranës sapo kishte nisur të këndonte këngën e bukur shkodrane “Luleborë”, kur Albina, e cila ka qenë 3 vjeçe kur ka ardhur nga Shkodra në Mantova, shpërtheu në lot. E pas saj ngado në shesh shikoje sy që shkëlqenin nga lotët e emocionit e askush nuk mundohej t’i fshihte. E pse duhet fshehur malli?

* * *

Emocionet kishin filluar tre ditë më përpara, me hapjen e Ditëve të kulturës shqiptare. Mantova e bukur, kjo zanë që mbrëmjeve krihet para pasqyrave të ujrave të tre liqeneve plot zambakë përpara se të bëhet bukuroshja e fjetur, na kishte dhuruar e realizuar ëndrrën për të sjellë këtu vlerat e artit e të kulturës së vendit tonë. Një ditë më përpara, autoritetet lokale, që janë tepër ekzigjente dhe me kërkesa të larta institucionale, e kishin njoftuar këtë eveniment nëpërmjet një konference shtypi.

Të nesërmen manifestini i kulturës shqiptare do të fillonte me hapjen e ekspozitës së arteve figurative. Komuna e Mantovës na ka dhuruar për këtë ekspozitë një ambient që do t’i bënte nder çdo artisti që dëshiron të ekspozojë punimet e tij, shtëpinë e Rigoletos. Kjo shtëpi e bufonit tragjik të operas së Verdit është ndërtesë e viteve 1400. Në operen verdiane thuhet se ajo ishte në ekstremin më të shkretë të një rruge qorre. Kurse sot, pas shumë ndryshimesh arkitekturore që janë bërë në shekuj, ajo ndodhet në hyrje të sheshit të madh e të bukur “Sordello”, përballë pallatit të famshëm e të madh dukal, që ka 550 dhoma.

Në hyrje të saj një kopësht i vogël, plot me lule, mes të cilave spikat statuja e Rigoleos, vepër e autorit Aldo Falchi, vendosur këtu në vitin 1978. Pikërisht në këtë shtëpi, na janë vënë në dispozicion tri salla, ku ekspozohen fotografitë artistike të fotografit të talentuar Llesh Prendi emigrant nga Lezha dhe punimet në pikturë të Alketa Delishaj e Xhimi Hoti nga Shkodra. Është ekspozuar edhe një foto pejsazh e fotografes së re shqiptare nga Athina, Vivian Horieti, e cila ka ardhur bashkë me të ëmën nga kryeqyteti grek për të marrë pjesë në ditët e kulturës shqiptare. Mikpritje më të mirë e dinjitoze nuk mund t’u bënte artistëve tanë komuna e Mantovës.

E në fakt, në ceremoninë e hapjes, janë të pranishëm të gjitha autoritetet lokale, që nga kryetari i bashkisë, Mattia Palazzi, prefekti Carla Cincarilli, zëvendëspresidentja e provincës së Mantovës Francesca Zaltieri, përfaqësuesi i rajonit të Lombardisë Marco Carra, komisari i armës së karabinierëve Dr. La Gana, artisti Carlo Micheli që ishte marrë personalisht me organizimin e ekspozitës etj. E kisha vënë re këtë seriozitet e respekt të autoriteteve të Mantovës ndaj komunitetit shqiptar në këtë provincë edhe në një veprimtari të organizuar vitin e kaluar nga shoqata “Shqiponjat” e drejtuar nga kolegia e palodhur Anila Kaja. Në sallë ka plot emigrantë të ardhur nga shumë qytete e rajone të Italisë. Madje kanë ardhur edhe përfaqësues të shoqatës arbëreshe “Vorea” e kryesuar nga Lucia Martino.

Gjatë ceremonisë, ku bëhen përshëndetjet e rasti dhe vlerësime për artistët tanë, skulptori i punimeve në dru, regjisori, aktori dhe fotografi Llesh Biba, i cilësuar si Salvador Dalì i artit shqiptar, i dhuron kryetarit të bashkisë një skulpturë, nga njëra anë e së cilës është gdhendur stema e qytetit të Mantovës dhe nga ana tjetër portreti i heroit tonë kombëtar-Skënderbeut. Punim i përgatitur posaçërisht për këtë manifestim të kulturës shqiptare. Lleshi ka ardhur me punimet e tij që nga Tirana. Ai i ekspozon në një nga rrugët kryesore të qytetit, duke ngjallur kuriozitet e tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve e turistëve që kalojnë në Mantova.

Ekspozita e arteve figurative, e cila do të qëndrojë e hapur një muaj vizitohet jo vetëm nga artdashës shqiptarë, por edhe nga mjaft turistë që vijnë në këtë qytet nga e gjithë bota. Shikoj dy japonezë që ndalen përpara fotove të Llesh Prendit. Veçanërisht i tërheqin ato bardhë e zi e sidomos portretet e zadrimores, ku autori ka ditur të sjellë karaktere të spikatura, me thellësi mendimi, dramaturgji shprehjeje e bukuri artistike.

Nga shtëpia e Rigoletos, kalohet në një monument tjetër të kulturës e artit mantovan, në teatrin Bibiena. Tema e mbrëmjes: “Udhëtim nga Garibaldi tek Mona Liza shqiptare” ka ngjallur kureshtje jo vetëm për emigrantët shqiptarë, por sidomos për publikun italian. Edhe këtu autoritetet lokale italiane janë si gjithnjë të pranishme. Në skenë, pianoja mbi të cilën ka luajtur Mozarti, në moshën 6 vjeçare, kur erdhi në Mantova e mbase ishte koncerti i parë ku promovohej gjeniu i ardhshëm. Këtë mbrëmje në atë piano ulet një vajzë e re shqiptare, Barbara Veleshnja Milova. Pak e ndrojtur kur ngjitet në skenë, por e sigurtë kur ulet në piano e ve duart mbi tastierë. Loja e saj në piano ishte preludi i një mbrëmjeje të bukur e emocionuese.

I riu shkodran Klodian Kojashi, një djalë i talentuart e me kulturë, ka ditur të kapë e të trajtojë një temë interesante. Ky emigrant shqiptar që jeton në Piemonte të Italisë, sjell historinë e një emigranti italian, nga Piacenza, që aty nga vitet 1850 kërkon azil politik në Shkodër dhe ja japin, pasi e kishin refuzuar në Turqi e në Greqi. Ai ishte Pietro Marubi. Ai që solli fotografinë në Shkodër e që do ndërtonte “dinastinë” artistike “Marubi”, duke i lënë një trashëgimi e pasuri kulturore të pashembullt Shkodrës dhe Shqipërisë. Bisedën e tij interesante Klodiani e ilustron me foto të ndryshme që ndjekin kronologjinë e jetës së Marubit, si kronikan fotografik e artistik i historisë, jetës e kulturës në Shkodër e në treva të tjera shqiptare.

Mbrëmja bëhet edhe më e bukur me interpretimet dinjitoze të sopranos Mimoza Rama, që punon e jeton pikërisht në Piacenza, qyteti nga vinte Pietro Marubi. Një ndërthurje disi e rastësishme faktesh, por që temës i shkon shumë për shtat. E shoqëruar nga pianisti italian Emanuele Filippis, Mimosa interpreton pjesë të zgjedhura nga lirika si romanza “Vilja” nga opera “Vejusha gazmore”, “Dollia” nga opera “Traviata “ e Verdit (duet me tenorin japonez Lee Neam Deuk), pjesë nga Puccini dhe këngë përpara publikut vlera të vërteta të artistëve shqiptarë.

* * *

Ditën e dytë, ndërsa në ambientet e ekspozitës vizitorët vazhdonin të sodisnin punimet e artistëve tanë, në sallën e bibliotekës “Nautilus”, vënë edhe ajo në shërbim të krijuesve shqiptarë, promovohej vepra e poetit Tonin Nikolli, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me qendër në Verona. Në atë ambient të bukur e të përshtatshëm për krijuesit janë mbledhur autorë nga qytete të ndryshme, lexues, përfaqësues të shoqatave të ndryshme që kanë ardhur të ndjekin ditët e kulturës shqiptare në Mantova. Mbi vlerat e krijimtarisë së Toninit flet shkrimtarja Valbona Jakova. Pastaj flasin lexues, bëhen recitime, shkëmbehen libra mes kolegësh, firmosen autografe nga Tonini.

Pak ditë më parë po në këtë bibliotekë ishte promovuar libri i shkrimtares Lumturi Plaku. Krijuesit shqiptarë janë bërë një forcë aktive dhe e organizuar mirë e kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të lexuesit shqiptar, por edhe të lexuesve e botuesve italianë, madje edhe të jurive që kanë vlerësuar me çmime autorë si Irma Kurti e të tjerë.

Për të marrë pjesë në ditët e kulturës shqiptare vjen zëvendësministri i kulturës Zef Çuni. Bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës për këtë eveniment ka qenë i vazhdueshëm e i frutshëm,. Në sajë të këtij bashkëpunimi u bë e mundur ardhja në të njëjtën ditë në Mantova e Ansamblit të këngëve e valleve popullore të Tiranës.

Me zëvendësministrin zhvillojmë një takim në zyrat e shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia. Komunikimi është i ngrohtë. Zefi tregon interesim dhe vëmendje për fjalën e emigrantëve. Flasin Klodian Cami, Haki Maze, Bardh Jeminaj, Erison Jaho, shtrojnë probleme lidhur me qëndrimet e qeverisë shqiptare ndaj emigracionit. Zëvendësministri i dëgjon dhe flet për interesimin e dikasterit ku ai punon për një bashkëpunim të vazhdueshëm me diasporën dhe shpreh vlerësime për punën e bërë nga Federata FNAI.
Pastaj bashkërisht ndjekim një spektakës të bukur baleti. Midis dhjetra e dhjetra balerinësh aty luajnë edhe një çift të rinjsh italianë që përfaqësojnë Shqipërinë në garat ndërkombëtare të vallëzimeve latinoamerikane, si dhe dy të rinjtë e talentuar Irina Diko dhe Mario Gatta, që tashmë jemi mësuar t’i shikojmë në mjaft aktivitete të federatës sonë.

* * *

E diela është dita finale e evenimentit, por edhe më e ngarkuara. Nga shumë qytete të Italisë kanë ardhur emigrantë shqiptarë dhe kanë zënë vende në hotelet e qytetit për të qenë pjesëmarrës në këto tri ditë të veçanta. Gazetarët Vera Pelaj nga Radio Kosova, Jaho Margjekaj nga Radio Tirana, Dilaver Baxhaku, kolegu im që në vitet e fakultetit, Bardha Mançe nga radio shqiptare në Athinë, ata të shtypit dhe televizionit lokal të Mantovës, janë në lëvizje të përhershme, në kontakt me organizatorët e me artistë pjesëmarrës, për të bërë një pasqyrim sa më të gjerë të aktivitetit.

Me zëvendësministrin Zef Çuni shkojmë për një vizitë në Palazzo Te, një nga objektet e rëndësishme të Mantovës monument arti, kulture e historie, që përmban në mjediset e tij vlera të jashtëzakonshme artistike. Me Anila Kajën, që i njeh mirë këto ambiente, kishim menduar që zëvendësministrin arkitekt ta njihnim pikërisht me këto vlera. E kisha njohur pasionin e Zefit që gjatë viteve të punës në Shkodër për njohjen, ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës. Duart e tij i kanë lënë Shkodrës një sërë objektesh të rëndësishme të restauruara me shije të lartë artistike, duke ruajtur besnikërisht kontekstin historik e etnografik të tyre.

E ndiqja me vëmendje gjatë vizitës. I etur për tu ndalur në çdo detaj, fotografonte deri në imtësira jo si një vizitor i thjeshtë por si një profesionist, duke kaluar nga një sallë në tjetrën apo në ambientet e jashtme të pallatit të argëtimeve të princërve Gonzaga. Po me këtë përkujdesje ai do të ndalej edhe në dyqanin e artizanit shqiptar Petrit Kozeli, cavalier i republikës italiane, i njohur për këpucët dhuruar presidentit italian apo Papa Françeskos, si edhe përpara punimeve në dru të artistit Llesh Biba ekspozuar në një nga rrugët kryesore të Mantovës. Më bëri përshtypje se pas vizitës Zefi do i organizonte fotografitë e tij në rubrika të veçanta tematike, në formë fotoreportazhesh.

Ndërkohë në sheshin e bukur “Mantegna” emigrantë artdashës shqiptarë kanë filluar të mblidhen në pritje të koncerti që do të zhvillohet aty. Është një shesh ku kryqëzohen disa nga rrugët qëndrore të Mantovës dhe ku fluksi i turistëve është i madh dhe i pandërprerë në të tëra orët e ditës. Shqiptarët e kanë marrë vesh ardhjen e Ansamblit të këngëve e valleve popullore të Tiranës. Ndaj janë mbledhur aty duke sjellë me vete flamuj kombëtarë. Shumë kanë ardhur familjarisht, edhe me fëmijë të vegjël, duke i veshur edhe ata me ngjyra kuq e zi për festën e kulturës kombëtare.

Që nga larg dëgjohet një daulle dhe tingujt e një klarinete. Është menduar mirë që artistët tanë të kalojnë në formë parade që nga sheshi “Sardello”, rrugëve të mbushura me turistë, deri tek sheshi i koncertit. Tingujt e muzikës shqiptare dhe kostumet karakteristike të punuara me mjeshtëri të lartë e që përfaqësojnë treva të ndryshme të vendit tonë, tërheqin vëmendjen e turistëve, të cilët i braktisin për një çast monumentet e shumta të Mantovës dhe vrapojnë të fotografojnë këtë monument kulture në lëvizje. Ata iu drejtohen artistëve duke i pyetur nga vijnë, cilës zonë i përkasin kostumet, fotografojnë e filmojnë veshjet, artistët, veglat muzikore. Suksesi i ansamblit ka filluar që në rrugët e qytetit dhe jehona e tij me siguri do shkojë në kontinente të ndryshme nëpërmjet fotove e videove. Shumë turistë i ndjekin pas me kuriozitetin për të parë edhe shfaqjen e tyre.

Valltarja e talentuar Jera Çurçija, me të cilën kam patur kontakte të vazhdueshme në përgatitje të këtij turneu, ju përgjigjet turistëve të shumtë, ndërsa i prin grupit drejt sheshit bashkë me piktoren Alketa Delishaj. Hyrja e tyre në sheshin “Mantegna” pritet me duartrokitje, ovacione e thirrje gëzimi nga të gjithë. Kabaja me klarinetë që hap koncertin, një interpretim virtuoz me mjeshtëri shumë të lartë, i thërret njerëzit të vrapojnë edhe nga rrugët fqinje, ndërsa familjet italiane kanë dalë në ballkonet e pallateve përreth. Emocionet bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ata kthehen në lotë malli e gëzimi kur interpretohet kënga shkodrave “Luleborë” dhe sidomos kur 13-vjeçarja shkodrane Klodiana Vata këndon “O moj e bukura Shqipëri”. Një zë i mrekullueshëm, një interpretim mahnitës i anëtares më të vogël të ansamblit, që na bën të ndjejmë një copë Shqipërie në këtë shesh mantovan.

Pastaj e marrin fjalën vallet. Duket sikur në çast nga lartësitë kanë zbritur shqipet në shesh e vallëzojnë mes bijve të Shqipërisë që i ka mbledhur këtu malli dhe dashuria për tokën nënë. Janë ato valle të bukura që e bëjnë të hovë zemrën në krahëror, janë ato kostume të qëndisura me penj gjaku, janë ato xhufka të kuqe në këpucët e valltarëve që u ngjajnë bozhureve në shpërthim. Të gjitha këto krijojnë një atmosferë të zjarrtë e harmonizohen aq bukur me valëvitjen e flamujve kombëtarë anekënd sheshit. Turistët nga vende të ndryshme mrekullohen me pamjen, me artin, me lidhjen e pandashme shpirtërore midis artistëve e publikut. Dhe në fakt vjen një moment e fillon vallja pogonishte. Xhemal Hyzoti nga Trento është i pari që shkëputet nga publiku e futet mes valltarëve. Pastaj edhe Nexhmi Mati, Bruna Diko e pastaj, e pastaj, publik e valltarë bëhen një. Është një valle me përmasa gjigande. Një popull artist e i bashkuar që i jep sheshit “Mantegna” një pamje që nuk do të harrohet lehtë. Është ky imazhi që e shpalosim me krenari përpara publikut italian e para turistëve që ndodhen prezentë e duartokasin bashkë me ne.

Autoritetet lokale, si zëvendëskryetari i bashkisë Giovanni Buvoli, që i dhuroi zëvendësministrit tonë simbolin e poetit Virgjili, e të tjerë, thonë që një eveniment i tillë duhet të bëhet patjetër tradicional e nuk duhet të mungojë asnjë vit në jetën kulturore të qytetit. E ne ndihemi krenarë për vlerat e artit tonë, për artistët tanë që vallzojnë e festojnë tok me ne.

Ndërsa koha ecën bashkë me pjesët e programit dhe emigrantët nuk duan të ndahen nga artistët, podiumit dhe sheshit i afrohet një grup tjetër, një ansambël tjetër artistik, një copë tjetër Shqipërie që Fuqitë e Mëdha ja patën shkëputur padrejtësisht tokës mëmë. Është ansambli i shoqatës kulturore “Ana e Malit” e qytetit të Ulqinit. Janë 26 djem e vajza të reja, nxënës e studentë, të cilët i ka përgatitur me kujdes e pasion të veçantë mësuesja dhe artistja e palodhur Luljeta Avdiu Cura. Ata kanë udhëtuar gjithë natën me autobus që nga Ulqini për të arritur në Mantova. Por mjaftuan 2-3 orë çlodhje në hotel dhe ata e ndjenë veten gati për të dalë përpara publikut. Luljeta, pasi ka parë suksesin e ansamblit nga Tirana, më thotë pak e ndrojtur: Artistët e mi janë të rinj dhe nuk e kanë këtë përgatitje e eksperiencë.

– Mos u shqetëso. Është një mrekulli që këta artistë ende fëmijë janë aq të lidhur me artin popullor dhe e duan atë. Pas pak vitesh edhe ata do të arrijnë në ato nivele, – i them.

Dhe në fakt ndrojtja e saj kishte qenë e kotë. Djemtë e vajzat ulqinake e zotëruan përnjëherësh skenën dhe e rrëmbyen publikun me këngët e vallet e tyre. Kostumet e mrekullueshme të trevës së tyre ishin një pasurim i mëtejshëm i artyre imazheve që sheshi kishte parë pak çaste përpara. Kur i riu Edis Luka reciton një poezi kushtuar babait të vrarë në luftë nga serbët, emocionet bëhen të fuqishme dhe me dhjetra njerëz nga sheshi ngjiten në podium dhe e përqafojnë. Edhe në këtë shfaqje, që shënon finalen e ditëve të kulturës shqiptare, e njëjta atmosferë vëllazërore. Kjo datë e shfaqjes përkon me ngjarjen historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që luftoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe me ditën e çlirimit të Kosovës. Edhe kjo një koinçidencë e rastit, por që i jep domethënie të veçantë pranisë së grupit të Ulqinit në këtë eveniment.

Mbrëmja bie mbi qytet, njerëzit shpërndahen të ngarkuar me imazhe e emocione të paharrueshme, duke na pyetur se kur do të organizohet sërish një festë e tillë. Më afrohet një burrë i moshuar rreth të tetëdhjetave. Quhet Luigi dhe është nga Pisa, qyteti i kullës së famshme.

– Ju falënderoj. Na emocionuat. Sonte në këtë shesh pashë shumë kulturë, – thotë ai. Dhe këtë nuk e thotë një njeri i rëndomtë. Ai është intelektual, njeri i kulturës dhe flet pesë gjuhë të ndryshme.
– Vitin e ardhshëm besoj do takohemi përsëri, – i them.
– Dëgjo, unë kisha 50 vjet pa ardhur në Mantova dhe jam i lumtur që pikërisht sot u gjenda këtu e ndoqa këtë spektakël të mrekullueshëm. Po të arrij ta mësoj datën do të vij me siguri, – më thotë. I jap numurin e telefonit dhe largohem nga sheshi me një emocion më shumë.

* * *

Kur bie sipari i spektaklit dhe njerëzit janë larguar, ke kohë të mendosh më gjatë me vete e të bësh analizën e ditëve që kaluan. Nuk është e lehtë, se festa do të vazhdojë me darkën ku janë të ftuar të dy ansamblet (mbi 70 artistë) dhe protagonistë të tjerë që realizuan këtë eveniment. Me kolegen Anila Kaja dhe të palodhurin Klodian Cami, por edhe me zëvendësministrin Zef Çuni gjejmë ndonjë rast të falënderojmë e të bëjmë ndonjë foto atë ekip të palodhur djemsh e vajzash shqiptare që jetojnë e punojnë në Mantova e që shumë ditë përpara aktivitetit dhe gjatë tri ditëve të tij kanë bërë pak orë gjumë me merakun që çdo gjë të shkojë mirë.

Blerta Veleshnja e Massimiliano Artioli, Nesti Ballçiti e Adriana Ballçiti, Klaudia Gargjiola e Petrit Kozeli, Silvana Trumçi e Albina Lufi, Edvin Kaja e Kristina Cenolli kishin vënë në dispozicion edhe makinat e tyre per spostimin e artistëve, duke qenë përherë në gatishmëri e në lëvije të vazhdueshme, për të bërë nderet e zotit të shtëpisë e duke u kujdesur për çdo detaj të aktivitetit. Atyre ju takon një mirënjohje e madhe dhe një meritë e veçantë në suksesin e tri ditëve të kulturës shqiptare në Mantova.

Sipari ra, por asgjë nuk mbaron këtu. Dua ta mbyll me një mesazh që Anila na e nisi mua e Klodianit: – Këtu fillon sfida jonë e vërtetë…