Shigjetat e shpirtit
Kush i rrëmbeu shpirtit tim shigjetat,
Kush m’a la gjuetar pa dashuri?
Mos e lëndoni, kthejani të shkretat,
Pa to sorkadhet s’i vret dot ai.
Fëshfërin’ erës në shkrepa e shpate,
Flakëron mbi gurë si vetëtimë,
Ngjitet majës e zbret në monopate,
Uturin dhe zhurmon si bubullimë.
Dëgjo britmën e shpirtit mikja ime,
I bëra un’ atij një hark të ri,
Pa prite, se po të vjen në vegime
I thash që shigjetat janë te ti.
Un’ i dhash harkun, ti jepi shigjetat,
Le të marrë udhën për gjueti,
Po e presin drenushat, këmbëlehtat,
Le të mbetet përjetë djalëri.
Mos u bëj për atë shpirt ziliqare,
Nuk kam forcë ta mbaj në skllavëri,
Kush lindi e vdiq me besën tregtare,
Kush vdekjes i vajti pa dashuri?
Pa e di që shigjetat ti i vodhe,
Diku ndali hapat gjahtari im.
Pas tij u qepe, u kape si rodhe,
Veç drenushat po presin në burim.
Paçka, kot po e mban peng atë djalë,
Nuk më vjen mirë ta shoh në siklet,,
Do t’i gjej shigjeta dhe le të dalë,
Për inatin tënd… Jeta po e pret.
Mike moj, nuk ka lak për dashurinë,
S’është zog të këndojë veç për ty,
Në kafaz po e mbyll si kanarinë?
Do ta gjesh dikur pa jetë aty.
Netëve të verës lart shohim yjet,
Sa të largët janë për ne të dy!
Këtij shpirti nuk i duken as hijet,
Si mund të rri nën një çati me ty???
Mikja ime moj, o mike e mirë,
Lere shpirtin të endet në Liri,
Mos e përplas si stuhi n’errësirë,
Le ta lëndojë një gjahtar i ri.
Pajtim Xhelo, 8 maj 2020
Duam, na duan, harrojmë
Herët në jetë e njohim dashurinë,
Shpirti ndizet zjarr pa paramendim,
Kur heshtur pranvera na sjell rininë,
Zemra shpërfill hapin tënd, hapin tim.
Si rrëshqet ylli netëve hapsirës
Dhe ne shpresojmë që diku të bjerë,
Nisim përfytyrimin errësirës,
E dëgjon si troket zemër’ e mjerë?
Tingull hyjnor i rrahjeve të para,
Larg të çon, në të tjera yllësi,
Eh ëndërimet, janë të pandara,
Për syrin e shkruar, për syn’ e zi.
Nata ndjek heshtjen, gjumi arratiset
Pa dita vjen nër dehje përsëri,
Lodhja largohet, durimi braktiset,
Të bëhet se Zot i botës je ti.
Pa shohim dhe nëpër natë një diell,
Fllad i ëmbël na duket një stuhi,
Çdo re që përze era tej, në qiell.
Na ngjan hënë e re, planet i ri
Dhe errësirës ty të ndjekin diej,
Si zemër e Dankos terrin ndriçon,
Eh, me ëngjëjt fluturon nëpër qiej,
Veç dashurinë tokës e kërkon.
Pa të bëhet se ty kudo të shohin,
Pas teje sy i kaltër dhe i zi,
Janë flakët e shpirtit që të ngrohin
Dhe ndjen tek ata sy veç dashuri.
Vjen një çast, ata që do ,nuk të duan,
Zbret fluturimit si shpend krahëthyer,
E shpërfill dhe ëngjëllin që të ruan,
Nuk ka faj kush, ti veten ke zhgënjyer.
Dikush tjetër nis ëndrën errësirës,
Zemërndezur të përndjek nëpër qiej,
Po ti pas syve të vjetër, hapsirës,
Endesh akoma për të tjerë diej.
Pa më nuk po sheh yje që rrëzohen,
Nuk shpreson që ata bien te ti,
Sy të kaltër me të zinj ngatërrohen
Flladi mbrëmësor të duket stuhi.
Koha na vjedh vitet, shpirti na ftohet,
Kur ndizesha unë, ti fikur, hi,
Rrugës njeriu plaket, nuk rinohet,
Harruam ylberin, unë dhe ti.
Një ditë shpirtin ia shitëm mendimit,
Pa flak’ e zjarr si mund të dashurojmë?
Do dikë, tjetri të do, pas gjykimit,
Duhet me të tjerë të përfundojmë.
Pajtim Xhelo, 7 maj 2020