Shifrat e frikshme: Si po sëmuret Shqipëria

0
681
TV Klan - pakësimi i popullsisë në Sshqipëri

Opinion.al, 18.02.2017

Popullsia e Shqipërisë, e përfshirë tashmë në procesin e plakjes dhe rënies së lindshmërisë, po përjeton edhe një barrë sëmundjesh në rritje. Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2015, sipas të dhënave globale “health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja. Faktorët përgjegjës dhe masat parandaluese. Si kanë evoluar sëmundjet në dy dekadat e fundit dhe ndikimi në ekonomi.

Produktiviteti i popullatës shqiptare po cenohet rëndë prej fenomeneve në rritje të emigracionit, plakjes së popullsisë, rënies së lindjeve dhe përkeqësimit të frikshëm të shëndetit, që pritet të japin ndikim të ndjeshëm negativ në ekonomi në një të ardhme jo të largët. Ndryshimi i stilit të jetesës në dy dekadat e fundit, përkeqësimi i fenomeneve të obezitetit, pirjes së duhanit, alkoolit, ndotjes së mjedisit dhe kequshqyerjes nga njëra anë dhe shërbimet e mangëta shëndetësore, nga ana tjetër, e kanë bërë Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon.

Me gjithë mangësitë në statistikat e treguesve të shëndetit të popullatës, trendi tregon për rritje të shpejtë të sëmundjeve të zemrës, tumoreve gjatë viteve të fundit, teksa ekspertët lajmërojnë për një përkeqësim të mëtejshëm në vitet e ardhshme si rezultat i plakjes të popullatës.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik që u referohen raportimeve spitalore tregojnë se prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%. Nëse në vitin 2002, për 10 mijë banorë u diagnostikuan 41 persona me sëmundje tumorale, në vitin 2014 të diagnostikuarit me këtë sëmundje ishin 73 persona (për 10 mijë banorë) pa përfshirë diagnozat e vëna nga qendrat ambulatore. Me mbi 60% janë rritur sëmundjet kardiovaskulare, teksa shihet rritje e sëmundshmërisë për të gjitha llojet e diagnozave.

Të dhënat nga portali global www.healthdata.org tregojnë se në fund të 2015-s, shqiptarët kishin barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon, gjithashtu edhe vdekshmërinë më të lartë për çdo diagnozë. Shqipëria renditet në zonën e kuqe për vdekjet e parakohshme, të cilat ishin mbi parashikimet.

Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje. Përpos shifrave të frikshme të rritjes së nivelit të sëmundshmërisë, shqiptarët kanë bërë përpara me jetëgjatësinë. Për vitin 2015, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Në vitin 1990, jetëgjatësia për femrat ishte 71 vjeç dhe për meshkujt 67 vjeç. Por ekspertët në Institutin e Shëndetit Publik pohojnë se rritja e jetëgjatësisë lidhet me përmirësimin e nivelit të jetesës në popullatën shqiptare, por nga ana tjetër, rritja e barrës së sëmundjeve tregon për nivelin e lartë të pabarazisë dhe një nivel më të lartë të diagnostikimit.

Doktor Petrit Mali, mjek pneumolog, thotë se për sëmundjet respiratore që janë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë, por edhe në Shqipëri ka avancuar trajtimi, duke e rritur ndjeshëm jetëgjatësinë për të sëmurët e kësaj kategorie. Dy dekada më parë, sëmundjet e mushkërive shkaktonin vdekje të parakohshme në fillimet e moshës së tretë. Por diagnostikimi i hershëm dhe avancimi i trajtimit mjekësor bën sot që kjo kategori pacientësh të ketë jetëgjatësi shumë më të lartë.

Por situata shihet të jetë përkeqësuar në shtimin e rasteve të kancerit. Edmond Gashi, mjek në klinikën onkologjike në QSUT, pohon se vitet e fundit ka një shtim të rasteve tumorale sidomos në moshat e reja. Ato tipologji tumoresh që ishin karakteristikë e moshave të vjetra, kanë zbritur te moshat e reja. Femrat gjithnjë e më shumë po preken nga kanceri i gjirit dhe i uterusit, ndërsa meshkujt nga prostata.

Burimet në onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri. Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grup mosha e re 20-40 vjeç.

Sëmundjet kardiovaskulare, më të rrezikshmet

Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë.

Aktualisht, Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore, i cili ka shënuar rritje në nivelin e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës në dy dekadat e fundit. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ky është një tregues i fazës së hershme të evoluimit të epidemisë koronare në Shqipërinë e tranzicionit, e cila ndodhi dekada më parë në vendet perëndimore. Nga ana tjetër, bie në sy progresi i Sllovenisë, me një ulje dyfish të nivelit të vdekshmërisë në dy dekadat e fundit (nga rreth 150 për 100,000 banorë në vitin 1990, në rreth 76 për 100,000 banorë në vitin 2010).

Shqipëria aktualisht paraqitet më e rënduar se vendet e rajonit, duke raportuar vdekjet për këto sëmundje 155 persona për 100 mijë banore, teksa vendet ballkanike kanë frenuar avancimin e jetëve të humbura.

Në fakt, të dhëna të papublikuara tregojnë për një rritje të jashtëzakonshme të rasteve me infarkt miokardi të shtruar në spital në Tiranë. Në periudhën 1990-1996, numri mesatar i pacientëve me infarkt miokardi të shtruar në spital ishte rreth 220 (në vitin 1996 u regjistruan 264 raste). Në vitin 1997, në kulmin e kolapsit të skemave piramidale, u regjistruan 497 raste me infarkt miokardi të shtruar në spital në Tiranë. Më pas, numri i rasteve të shtruar në spital ishte 478 (në 1998), 373 (në 1999) dhe 395 (në 2000).

Ekspertët rendisin disa arsye të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës. Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë konsumi i frutave dhe perimeve bio.

Shpërthejnë tumoret në moshat e reja

Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa në vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë. Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70% gjatë dekadës, sipas të dhënave spitalore.

Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014, në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive, për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.

Por burimet nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikat duke hedhur dyshime se ajo është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.

Gjithsesi, të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç. Një dekadë më parë, përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.

Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Në rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.

Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.

Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.

Shkaqet

Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës

Në rritje, edhe pulmonaret

Sëmundjet në mushkëri gjithashtu janë në rritje. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, prej vitit 2002 sëmundja ka avancuar me mbi 25%. 15 vjet më parë, prevalenca për të sëmurët ishte 117 persona për 10 mijë banorë, ndërsa në fund të vitit 2014, numri i tyre arriti në 147 persona për 10 mijë banorë. Mjekët e sektorit pohojnë se shtimi i rasteve i dedikohet ndotjes së mjedisit, pirjes së duhanit dhe rritjes se nivelit të diagnostikimit. Për shkak të ndotjes ambientale dhe asaj industriale SPOK-u (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) dhe astma kanë një prevalencë më të lartë vitet e fundit.

Të sëmurët me SPOK janë më së shumti persona që jetojnë në zona të ndotura dhe me shumë makina. Sipas Studimit Global mbi Barrën e Sëmundjeve vihet re një rritje graduale e nivelit të vdekshmërisë SPOK-u te meshkujt shqiptarë (nga 13.6 për 100,000 banorë në vitin 1990 në 22.3 për 100,000 banorë në vitin 2010) dhe më pak te femrat (respektivisht 12.0 dhe 15.2 për 100,000 banorë). SPOK-u ka lidhje të drejtpërdrejtë me nivelin e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive dhe me duhanpirjen.

Në vitin 1990, niveli i vdekshmërisë sipas gjinisë nuk ishte aq i ndryshëm. Anasjelltas, “aksesi” në nivelin e vdekshmërisë te meshkujt për periudhën njëzetvjeçare (1990-2010) ishte 8.7 vdekje për 100,000 banorë, ndërsa te femrat ishte vetëm 3.2 vdekje për 100,000 banorë.

Shpjegimi kryesor për këtë rrezik të shtuar te meshkujt lidhet me prevalencën e lartë të duhanpirjes, ndërsa te femrat prevalenca e duhanpirjes është nga më të ulëtat në Europë.

Diabeti drejt masivitetit

Raporti Global i të Ushqyerit për vitin 2016 nxjerr në pah se 44% e vendeve po përjetojnë “nivele shumë serioze” si të kequshqyerjes, ashtu edhe të obezitetit. Sipas raportit, kjo nënkupton se një në tre persona vuan nga kequshqyerja në njëfarë forme.

Sipas hartës së përpiluar nga studiuesit e këtij raporti të përvitshëm, shqiptarët gjenden në një zonë të rrezikuar të obezitetit duke u gjendur në një zonë portokalli të fortë, me nivel 25-30 të BMI-së. Duke matur indeksin e masës trupore (që ndryshe quhet BMI) të të rriturve në 186 shtete, me normën që shqiptarët kanë krahasohen me shtete si Arabia Saudite, Egjipti, një pjesë e madhe e shteteve europiane dhe një pjesë të Amerikës Latine.

Ndërsa, rekordin e mban sërish SHBA, me indeksin BMI më të lartë, prej 30-35. Sipas studimit të Barrës Globale të Sëmundjeve (GBD) në vitin 2010, vihet re një rritje graduale e nivelit të vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri te të dy gjinitë. Kështu, në vitin 2010, pati një rritje trefish të nivelit të vdekjeve nga diabeti te meshkujt dhe femrat shqiptare krahasuar me vitin 1990. Ashtu si me sëmundjet kronike ka rritje graduale të nivelit të vdekjeve nga diabeti te të dy gjinitë, veçanërisht për periudhën nga viti 1900 në 2000, dhe më pak në periudhën nga viti 2005 në 2010.

Niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 1990 ishte 3.5 për 100,000 banorë, duke shfaqur një nivel jashtëzakonisht të ulët, i cili mund të shpjegohet me dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik gjatë regjimit komunist.

Sëmundjet nervore në zgjerim

Niveli më i lartë i lartë i stresit e ka shtuar ritmin e sëmundjeve nervore, të cilat rezultojnë të kenë rritur barrën në popullsinë shqiptare gjatë dekadës së fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, prevalenca për 10 mijë banorë nga 36 persona më 2016 arriti në 39 persona më 2014. Sipas të dhënave nga Barra Globale e sëmundjeve në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Te të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt.

Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Ekspertët e shëndetit pohojnë se të sëmurët mendorë mbeten të nëndiagnostikuar në Shqipëri duke lënë të kuptojë se në realitet numri i tyre është më i madh. Shqiptarët ende hezitojnë të trajtojnë shëndetin mendor dhe për më tepër ta diagnostikojnë atë.

Lëndimet, meshkujt më të prekurit

Në njëzet vitet e shkuara, Shqipëria përjetoi një rritje të barrës së lëndimeve nga të gjitha shkaqet. U vërejt një rritje më e madhe te meshkujt sesa te femrat (në vitin 2010, barra proporcionale e të gjithë lëndimeve ishte 15.2% në meshkuj vs. 7.6% në femra). Në terma absolutë, barra e gjithë lëndimeve në vitin 2010 ishte 2.6 herë më e lartë në meshkuj sesa në femra.

Analiza më e thelluar paraqet një rritje të mprehtë të nivelit të lëndimeve nga gjithë shkaqet te meshkujt gjatë periudhës 1990-1995. Më pas, u vërejt një rënie e lehtë që tregon stabilizimin e këtyre gjendjeve te meshkujt shqiptarë pas rritjes fillestare që përkon me vitet e para të vështira të tranzicionit pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve 1990 (ku meshkujt u prekën shumë më tepër sesa femrat veçanërisht nga lëndimet e qëllimta). Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, barra e lëndimeve nga gjithë shkaqet e standardizuara për moshën në Shqipëri përfaqësonte vlerën më të lartë në vitin 2010 me rreth 3,195 raste 100,000 banorë.

Dy dekada më parë, në kohën e rënies së diktaturës komuniste, Shqipëria renditej diku nga mesi në terma për barrën absolute të lëndimeve nga gjithë shkaqet, ku Kroacia dhe Sllovenia zinin vendet e para. Ky pozicionim rajonal ndryshoi gjatë njëzet viteve të shkuara, duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit të EJL-së patën progres drejt reduktimit të barrës së lëndimeve, përveç Malit të Zi dhe veçanërisht Shqipërisë ku u vërejt rritje.

Analiza tregon që lëndimet e qëllimta janë rritur në Shqipëri në të dy gjinitë gjatë dy dekadave të shkuara, veçanërisht në dekadën e parë të tranzicionit, pas së cilës u vërejt një stabilizim i tyre. Megjithatë, bazuar në natyrën e tyre plotësisht të parandalueshme, këto gjendje paraqesin prevalencë të lartë dhe përbëjnë një shqetësim të veçantë në kontekstin e tranzicionit të shpejtë në Shqipëri.

Për sa u përket lëndimeve të paqëllimta, u vërejt një ulje e moderuar në të dy gjinitë.

Sidoqoftë, regjistrimi dhe klasifikimi i saktë i lëndimeve të qëllimta dhe të paqëllimta është i diskutueshëm në rastin e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, lëndimet rrugore pësuan rritje në të dy gjinitë, veçanërisht te meshkujt të cilët e përdorin më shpesh infrastrukturën rrugore në cilësinë e drejtuesit të mjeteve motorike.

Tendenca e përgjithshme në rritje e lëndimeve nga aksidentet rrugore, thekson nevojën urgjente për marrjen e masave infrastrukturore dhe parandaluese në Shqipërinë që po urbanizohet me ritme të shpejta.

Pabarazitë shëndetësore, shkaktare

Në Shqipëri ekziston një mbrojtje e kufizuar financiare për të varfrit, e cila karakterizohet me shpenzime të larta nga “xhepi”, që arrijnë deri në 50% të shpenzimeve shëndetësore totale, thuhet në raportin e shëndetit për 2015. Matja dhe raportimi i pabarazive shëndetësore u siguron politikëbërësve të dhëna të vlefshme për hartimin dhe zbatimin e programeve dhe aktiviteteve të fokusuara në barazi, që mund të jenë të realizueshëm në kontekstin shqiptar. Qëllimi final do të ishte garantimi i një shpërndarjeje më të barabartë të shëndetit dhe aksesit ndaj kujdesit shëndetësor, si parakushte thelbësore për mbulimin shëndetësor universal të popullatës shqiptare.

Në vitet 2008-2009, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç ishte shumë më i lartë në zonat rurale krahasuar me zonat urbane të Shqipërisë (28 kundrejt 13 vdekje, për 1,000 lindje të gjalla), e sidomos ndër të varfrit krahasuar me të pasurit (34 kundrejt 13 vdekje, për 1,000 lindje të gjalla (ADHS, 2010). Në vitet 2008-2009, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç dhe prapambetja në rritje ishin përqendruar te të varfrit në mënyrë domethënëse. Në të kundërt, kujdesi antenatal, ndihma e kualifikuar gjatë lindjes dhe përdorimi i kontraceptivëve ishin më të përqendruar te të pasurit (BB, 2012).

Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor të Shqipërisë (ADHS) 2008-2009, prevalenca e ushqyerjes vetëm me gji në gjashtë muajt e parë të jetës ishte rreth 39%. Gjatë viteve 2006-2012, ndër fëmijët shqiptarë nën pesë vjeç, prevalenca e peshës së ulët për moshën (wasting), prapambetjes në rritje (stunting) nënpeshës dhe mbipeshës ishte respektivisht 9%, 23%,6% dhe 23%. Në përgjithësi, raportimi i indikatorëve shëndetësorë ka të bëjë me mesataret kombëtare, të cilat kanë rëndësi primare për vendimmarrësit dhe politikëbërësit e qeverisë.

Por, për politikat e shëndetit publik, është e rëndësishme që të ketë edhe tregues të disagreguar për prevalencën e problemeve shëndetësore ndërmjet grupeve të ndryshme të popullatës apo rretheve, në mënyrë që politikat të fokusohen te njerëzit që kanë më tepër nevojë. Gjithashtu, është thelbësore që të zbuten “diferencat e padrejta dhe të shmangshme në shëndet dhe shërbimet shëndetësore – vëren studimi i OBSH-së, 2014.

Megjithatë, shpeshherë mungojnë të dhënat mbi shpërndarjen e gjendjes shëndetësore dhe shërbimeve shëndetësore midis kategorive të ndryshme të popullatës. Parametrat kryesorë për të vlerësuar pabarazitë në shëndet dhe shërbimet shëndetësore në kontekstin shqiptar, përfshijnë indikatorët demografikë dhe social-ekonomikë si gjinia, vendbanimi (urban kundrejt rural), niveli i arsimimit, ose të ardhurat ekonomike.

Për sa i përket prapambetjes në rritje për moshën nën pesë vjeç, prevalenca ishte më e lartë për femrat sesa për meshkujt (respektivisht 21% dhe 18%), por sidomos, ishte më e lartë për të varfrit sesa për të pasurit (respektivisht 27% dhe 13%).

Së fundi, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç (për 1,000 lindje të gjalla) ishte konsiderueshëm më i lartë për meshkujt krahasuar me femrat (27 kundrejt 16), në zonat rurale krahasuar me zonat urbane (28 kundrejt 13) dhe sidomos, për shtresat e varfra krahasuar me shtresat e pasura (34 kundrejt 13).

Nga Blerina Hoxha /Monitor