Milazim F. KADRIU
Kërpimehu është njëri ndër lokalitetet më të mëdha të komunës së Podujevës dhe që në luftën e fundit ky lokalitet është çliruar dy ditë para pjesëve tjera të kësaj komune.
Për ët shënuar këtë ditë të rëndësishme të historisë së këtij lokaliteti që njëherësh është edhe dita e SHFMU “Hamit Sejdiu” nxënësit e kësaj shkolle nënë përkujdesjen e mësimdhënësve të tyre u prezantuan me një program të larmishëm kulturo – artistik, program ky që përmbante 20 pika kulturo-artistike në shenjë simbolike me 20 vjetorin e çlirimit të këtij lokaliteti.
Në këtë manifestim përpos nxënësve, mësimdhënësve,veteranëve të arsimit merrnin pjesë edhe ish Presidenti i Kosovës prof.dr. Fatmir Sejdiu, zyrtar të pushtetit komunal, drejtor shkollash, prindër të nxënësve dhe mysafir tjerë të këtij lokaliteti e më gjerë. Duke folur para të pranishmëve z. Sejdiu ndër tjera evokoi edhe kujtime kur ishte nxënës i kësaj shkolle dhe njëherësh ai përgëzoi kolektivin e shkollës për punën dhe angazhimin e tyre duke ju dëshiruar edhe suksese në të ardhmen. Për këtë ditë të rëndësishme dhe për historikun e shkollës foli drejtori i shkollës z. Qefser Behrami.
Ai ndër tjera tha se “Kjo shkollë mësimin në gjuhën shqipe e nisi në shtatorin e vitit 1941. Ishte katër klasëshe dhe kishte gjithsej 70 nxënës. Në kohën kur u hap dhe punoi shkolla me mësim në gjuhën shqipe kishte të gjitha kushtet e nevojshme për një shkollë të asaj kohe me inventar mjaftë të ruajtur. Në këtë shkollë në atë kohë mësimet i ndiqnin nxënësit nga fshatrat Kërpimeh, Revuq, Metehi, Zakut, Dobërdol, Bajqinë, Dobratin, Pakashticë, Repë, Llaushë, Dumnicë, por edhe nga disa fshatra më të largëta si dhe nga fshati Kaqanuell i komunës së Mitrovicës. Të gjitha përgatitjet për hapjen e shkollës me mësim në gjuhën shqipe i bëri, Hamit Sejdiu emrin e të cilit e mban sot kjo vatër e diturisë.”
Ndër tjera me këtë rast këtu u tha se pikërisht në ditën e sotme para 20 vitesh në këto anë u kthye buzëqeshja dhe nisi një jetë e re edhe pse çdo gjë ishte bërë shkrumb e hi ne e ndjemë aromën e lirisë dhe e përjetuam atë për herë të parë në historinë tonë. Këtë liri të shumë pritur na e sollën Ushtria Çlirimtare e Kosovës bashkë me aleatin e tyre NATO. 17 Qershori është një datë në historinë e vendit tonë kur nga këtu njëherë e përgjithmonë shkuan forcat vrastare të okupatorit shekullor. Shkuan për të mos u kthyer kurrë më në këtë vend. Kjo u bë falë luftës së drejtë dhe heroike të bijve më të mirë të këtij vendi.
Sot është një ditë e madhe, është një rast i mirë qe të rifreskojmë kujtesën tonë historike me një ndjesi të veçantë… dhe me përulje t’ i bëjmë një nderim çdo familje të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, dhe të gjithë atyre qe ndihmuan çlirimin e Kosovës!
Të gjithë ata që në çdo formë e ndihmuan çlirimin, duke dhënë kontributin e tyre janë krushqit e lirisë, janë në rreshtat e çlirimtarëve, andaj që të gjithëve ua urojmë Ditën e ngadhënjimit mbi terrin shekullor !
Pastaj nxënësit e kësaj shkolle duke filluar nga ata parashkollor e deri tek nxënësit e klasave të nënta u prezantuan me pika të ndryshme kultur-artistike si recitale, këngë në gjuhën, valle, balet, skeçe, pati edhe pika në gjuhën angleze. Ishte një program i larmishëm që u prit mjaft mirë nga të pranishmit. Po ashtu Grupi letrar “Ndre Mjeda” nxori gazetën e murit.
Në fund të pranishmit patën edhe një koktej rasti,ku për këtë ishte përkujdesur Fabrika e lëngjeve “Dona” Laberion që për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe mysafirët tjerë kishte sjell lëngje. Po ashtu si edhe herëve tjera disa donator nga komuniteti i këtij lokaliteti e ndihmuan realizimin e këtij manifestimi.