Shenjtorët katolikë shqiptarë

0
2326

Kisha e Madhe, Shkodër

Ja kush janë shenjtorët katolikë në Shqipëri

Nga Konica.al20 mars 2017

Shqipëria ka qenë, në fakt, një nga vendet e Evropës, që u has më hershëm me krishtërimin dhe ka një histori të gjatë me këtë besim fetar. Dihet se përgjatë bregut ilir ka pasur ngujime relativisht të hershme të krishterësh. I pari që predikoi (parathà) ungjillin në Shqipëri mund të ketë qenë vetë Shën Pali, i cili shprehet, “Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit” (Romakëve 15:19). Edhe apostulli Shën Andrea besohet se ka predikuar në Epir. (Edhe Shën Asti ka predikuar në Durrës rreth vitit 98 pas Krishtit dhe u vra nga qeveria e Romës).

Një numër i papërcaktuar të krishterësh ka jetuar në portin e Durrësit në vitin 58 e. r., dhe aty nga shekulli i katërt deri në të pestin krishterimi kishte lënë gjurmë të dallueshme anembanë vendit. Peshkopët e krishterë nga Dardania dhe Maqedonia Salutare, d.m.th zyrtaret e lartë nga Shqipëria lindore dhe Kosova e sotme, dihet se kanë marrë pjesë në Këshillin e parë Ekumenik që u mblodh në Nikeja në vitin 325 të erës së re nga perandori Kostandin (që sundoi në 307-337 e. r.), qëllimi i të cilit mes të tjerash ishte të pengonte ngritjen e Arianizmit brenda perandorisë. Gjithashtu, pesë a gjashtë peshkopë nga Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër morën pjesë në Këshillin e Sardikës në vitet 343-344 e. r.). Gjysmë shekulli më vonë, në 395, Shqipëria Ilire e ndjeu çarjen fillestare midis Perandorisë Romake të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, pasi gjendej që në krye të herës në kufirin kulturor dhe politik mes Lindjes bizantine dhe Perëndimit italian.

Ajo mori dhe përfitoi nga të dyja kulturat, por njëkohësisht e pësoi keqas në shekuj nga konfliktet mes dy gjysmave të perandorisë. Hë për hë, pak të dhëna ka mbi Kishën e Krishterë të hershme në Shqipëri, ngaqë strukturat kishtare u fshinë me pushtimin dhe ngulimet sllave të Shqipërisë aty nga viti 600. Fjala angleze për Mesjetën e hershme “Dark Ages” (Kohët e Errëta), e përshkuan më së miri errësirën e plotë të Shqipërisë së asaj kohe.

Kisha katolike, Tiranë

Në monografinë e tij Geografia Ecclesiastica dell’Albania, botuar në 1934, studiuesi jezuit dhe albanologu i madh Fulvio Cordignano (1887-1951) renditi në një listë rreth 275 kisha katolike që ekzistonin në Shqipëri aty nga mesi i dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe mesi i të shtatëmbëdhjetit. Këto kisha ishin emërtuar sipas një radhe shenjtorësh të krishterë, mbi dyzet në tërësi, por po të vërehet me më kujdes lista, shihet se më se gjysma e kishave të asaj periudhe mbante emrat e vetëm katër shenjtorëve:Shën Mëria, Shën Kolli, Shën e Premtjadhe Shën Gjergji.

Nga 275 kisha katolike të renditura nga Cordignano, 42 i kushtoheshin Shën Mërisë, më shumë se cilitdo shenjti tjetër. Kishte kisha historike katolike në Ulqin, Shurdhah (Shkodër), Dejë (Shkodër) dhe Drisht (Shkodër) që ishte capitulum ecclesie S. Marie de Drivasto e shënuar në 1353, Naraç (Shkodër), Hajmel (Shkodër), Renc (Lezhë), Fishtë (Lezhë), Troshan (Lezhë), Kalivacc (Lezhë), Lezhë, Mërtur (Pukë), Surroj (Kukës), Shpërdhaze (Mirditë), Malaj (Mirditë), Ndërshene (Mirditë), Ndërfanë (Mirditë), Lurë (Dibër), Çidhne (Dibër), Gur i Bardhë (Mat), Sebasta (Laç), Mbret (Laç), Kurcaj (Krujë), Kepi i Rodonit (Durrës) shënuar në 1418, Brar (Tiranë) që prej shekullit të dymbëdhjetë, Skuterrë (Tiranë), Pëllumbas (Tiranë), Buçimas (Tiranë), Linzë (Tiranë), dhe Bishqem (Peqin).

Kisha Françeskane, Shkodër

Kishte gjithashtu mjaft kisha dhe manastire ortodokse përkushtuar Virgjëreshës së Bekuar midis të cilëve ata në: Berat që nga viti 1797, Peshtan (Berat), Elbasan që nga viti 1833, Ardenicë (Lushnjë), Apolloni (Pojan, Fier), që nga fillimi i shekullit të trembëdhjetë, Dhërmi (Vlorë) nga shekulli i trembëdhjetë tek i katërmbëdhjeti, Dhivër (Sarandë) e vitit 1604, Peca (Sarandë) e vitit 1770, Piqeras (Sarandë) e vitit 1672, Nivicë-Bubar (Sarandë) e shekullit XVII, Malçan (Sarandë) aty nga viti 1600, Marmiro pranë Orikumit (Vlorë) që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Kameno në verilindje të Delvinës, Zvërnec (Vlorë) nga shekujt XIII-XVIV, Goranxi (Gjirokastër) aty nga viti 1600, Vllaho Goranxi (Gjirokastër) që nga viti 1622, Koshovicë (Gjirokastër) që nga viti 1669, Saraqinishtë (Gjirokastër) që nga viti 1634, Nivan (Gjirokastër) që nga viti 1702, Konicka (Gjirokastër) që nga viti 1789, Dhuvjan (Gjirokastër) Llongo (Gjirokastër), Treneshishta (Gjirokastër), Vanistër (Gjirokastër), Peshkëpi (Gjirokastër) që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Zervat (Gjirokastër) e hapur që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Labovë e Kryqit (Gjirokastër) që nga fundi i shekullit të dhjetë, Skora (Gjirokastër) që nga viti 1773, Sopik (Gjirokastër) që nga viti 1770, Leusa (Përmet) që nga viti 1812, Kosinë (Përmet) nga shekulli i dymbëdhjetë te i katërmbëdhjeti, Seranjperat (Përmet)nga shekulli XVII, Leskovik (Ersekë), Barmash (Ersekë) që nga viti 1616, Postenan (Ersekë) që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë te i tetëmbëdhjeti, Lashovë (Ersekë) që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, Voskopojë (Korçë) nga viti 1712, Vithkuq (Korçë) nga shekulli i shtatëmbëdhjetë te i tetëmbëdhjeti, Maligrad në Liqenin e Prespës që nga viti 1345, Pogradec, Niçe (Pogradec) që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, dhe në Lin (Pogradec).

Shën Mëria adhurohej sidomos gjatë shtegtimeve në ditën e përkujtimit të saj, 15 gusht, Dita e Ngritjes në Qiell, e njohur në Shqipëri si Shën Mëria e gushtit. Për ortodoksët kjo ditë festohet si Fjetja e Shën Mërisë, dikur e shënuar më 27 gusht sipas kalendarit bizantin, por tani më 15 gusht sipas kalendarit latin. Shtegtime në nderim të Shën Mërisë përfshinin edhe ngjitjen në male të larta, mbeturinë e kulteve të hershme të para-krishtera : në malin e Tomorrit, në malin e Gjalicës pranë Kukësit, në malin e Shën Lleshit pranë Krujës, në malin e Kundrevicës të Kurveleshit, në malin Pashtrik në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) e përshkruan festimin në malin e fundit në 1681 si vijon :

“E kalojnë aty gjithë natën, me daulle, bilbila, duke kërcyer e kënduar.

Pas mesnate fillojnë një procesion të përzier myslimanët, serbët dhe grekët me qirinj të ndezur dylli, me gjatësi të ndryshme sipas moshës së personit që i mban në dorë. I sillen rrotull majës së malit më të lartë për tre orë me këmbët zbathur (disa nga myslimanët që prijnë janë kalëruar.)”

Në Shqipërinë qendrore, gratë shterpë udhëtonin për në plazhet e Kavajës dhe të Durrësit për t’u larë në ujërat e detit. Ky zakon, me të cilin gratë shpresonin të mbeteshin shtatzëna, u ndoq në heshtje e pa bujë edhe gjatë diktaturës komuniste. Në Seltë, në zonën e Shpatit të Shqipërisë qendrore, gjatë kësaj dite flijohej një lopë.

Në fshatin e Bibajt të Rekës së Epërme (Maqedoni), shqiptarët ortodoksë festonin më 4 dhjetor Shën Mërinë e Dimrit. Edhe shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë e shënojnë këtë festë, e njohur edhe me emrin “Festa e Paraqitjes së Shën Mërisë në Tempull”, duke e festuar më 21 nëntor sipas kalendarit latin. Sipas traditës, gjatë kësaj feste ndizeshin qirinj dhe piqej bukë e cila, pasi bekohej nga prifti, hahej.

Po në Reken e Epërme, në fshatin e Sences kryhej festa e Shën Mërisë se Vogël, (rumanisht Sfanta Maria Mica, vllahçe St|marie N’ic) e cila përkujton lindjen e Shën Mërisë me 21 shtator sipas kalendarit bizantin dhe tani me përgjithësisht me 8 shtator sipas kalendarit latin. Kjo dite njihet edhe si Dita e Bletëve, meqë përkon me periudhën e vitit kur kryhet shitblerja e bletëve.

Fisi i Grudajve dhe qyteti i Shkodrës e festonin ditën e Shën Mërisë me 8 shtator, ndërsa banoret e Vuklit dhe te Nikçit e nderonin Virgjëreshen me 24 maj. Shën Meria përnderohej ne veçanti brenda kishës katolike te Shqipërisë si Zoja e Shkodrës ose Zoja e Bekueme, e njohur edhe si Zoja e Këshillit të Mirë. Festa e Zojës së Shkodrës shënohej nga te gjithë fiset katolike te veriut. Këshilli i katërt i ipeshkvijve shqiptare, i mbajtur ne vitin 1895, e shpalli Zojen e Shkodrës Pajtore te Shqipërisë. Zoja e Shkodrës ka edhe një legjendë te veten :

Zoja (Madonna) gjendej në fillim në një kishë te vogël të Shkodrës se vjetër ne këmbe te malit te Rozafes, ku katolikët e Shkodrës e përnderonin portretin e saj në një pikturë me bojë vaji. Në 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën ne rrethim dhe kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekullitë nga muri, u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për ne Itali. E ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjorgji dhe De Sclavisi. Portreti në pikturë i Zojes erdhi e u preh në qytetin e Genazzano-s pranë Romes, ku u ngrit një kishë për nder të saj, Kisha e Zojes se Këshillit të Mirë (La Chiesa della Madonna del Buon Consiglio).

Që prej asaj kohe, vendi i shenjtë i Genazzano-s ka qenë pikë shtegtimi për katolikët shqiptarë. Rreth vitit 1700, përnderimi i Zojës së Genazzano-s u përhap edhe mes arbëreshve të Kalabrisë, në veçanti në San Benedetto Ullano, falë klerikut Stefano Rodota. Kisha e tanishme e Genazzano-s u ndërtua në fillim të shekullit XX dhe shtegtarët e vizitojnë duke ecur zbathur, sidomos gjatë ditës përkujtimore të Zojes se Këshillit të Mirë që është 26 prilli.

Edhe Kisha e Zojes në Shkodër ka qenë gjithmonë shumë e përnderuar nga katolikët shqiptarë të veriut. Në prill 1946, një vit pas marrjes se pushtetit nga komunistët, mbi dy mijë vetë morën pjesë ne shtegtimin tek ajo. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, kisha u mbyll dhe u shndërrua në salle vallëzimi dhe ne vitin 1967, gjatë fushatës komuniste kundër fesë, kisha u rrafshua përtokë.

Historia e shenjtorëve ne Shqipëri

Historia e shenjtërve në Shqipëri fillon me një numër martiresh të hershëm të krishtere,të cilët vepronin brenda vendit apo që kishin ndonjë farë lidhjeje me të. Këta shenjtër, sidoqoftë, nuk ishin shqiptarë në kuptimin etnik të fjalës. I pari i tyre ishte Shën Asti (Άστιος/Astius), peshkop i Durrësit në kohën e Perandorit Trajan (sundoi 98-117 pas Krishtit/e.r.). Gjatë kësaj kohe, shumë të krishterë u arratisen në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes në Itali. Midis tyre gjendeshin edhe shtatë martire të shenjtë: Peregrini, Lukiani, Pompei, Hezikiasi, Papiasi, Saturnini dhe Germani, të cilët, me të mbërritur u arrestuan, u hodhën në zinxhirë dhe më pas u mbytën në Detin Adriatik. Vetë Asti u arrestua nga guvernatori romak i Durrësit, Agrikola, rreth vitit 98 pas Krishtit (e.r.). dhe u torturua për vdekje, siç duket ngaqë nuk pranoi të adhuronte Perëndinë Dionis. Dita e festës së tij është 6 korriku.

Ende më pak e njohur është legjenda e Shën Florit (Florus) dhe Laurit (Laurus) nga Kostandinopoja. Flori punonte si gurgdhendës në Iliri dhe e torturuan bashkë me shokun e tij Laurin si dhe me punëtoret e vet Prokulin (Proculus) dhe Maksimin (Maximus) ngaqë kishin ndihmuar në ndërtimin e një kishe të krishtere. Ai u hodh në pus dhe vdiq dikur nga shekulli i dytë. Disa autorë e lidhin Florin dhe Laurin me ngulimet e lashta të Ulpianës, në jug të Prishtinës. Dita e festës së tyre është 18 gushti.

Shën Lefteri (Ελευθέριος/Eleutherius) ishte me prejardhje nga Roma dhe u bë peshkop i Mesinës dhe i Ilirisë kur ende s’kishte mbushur njëzet vjeç. Duket se ka jetuar në Vlorë. Nuk dimë shumë mbi të përveç faktit që u thirr në Romë rreth viteve 117-120 dhe që u martirizua bashke me te ëmën, Shën Anthinë (Anthia) dhe njëmbëdhjete shokë gjate një fushate përndjekjeje anti-të krishtere gjatë sundimit të Perandorit Adrian (117-138 e.r.). Dita e festës se tij është 18 prilli.

Shen Therini (Θερίνος/Therinus) i ngulimit të lashtë të Butrintit në jug të Shqipërisë se sotme, u ther bashkë me një numër martiresh të tjerë gjatë sundimit të Perandorit Decio (Decius, 249-250) në shekullin e tretë. Dita e festës së tij është 23 prilli, e njëjte me atë të Shën Gjergjit. Së fundmi, Shën Donati (Donat), edhe ai nga Butrinti, i cili jetoi gjatë sundimit të Perandorit Theodhos (Theodosius, 379-394). Sipas Sozomenit, historian grek i shekullit të pestë, Donati ka qenë Peshkop i Evorese ose Eurias, që ndoshta mund të identifikohet me qytetin e Paramithise ne Çamëri. Atij i mvishën shume mrekulli. Ka therur dragoin, ka pastruar një pus të helmatisur, ka shpëtuar te bijën e perandorit nga djalli dhe ka ngjallur të vdekurit. Vdiq ne vitin 387. Eshtrat ia shpërngulen ne Kasiopi, Korfuz, ne vitin 602 për t’ia shpëtuar nga pushtimet e barbareve. Kjo solli si pasojë një çështje juridiksioni mbi të drejtën e ruajtjes të relikeve të shenjta, mosmarrëveshje qe u zgjidh nga Papa Gregori i Madh (590-604). Kulti i Donatit u përhap shume gjate mesjetës. Dita e përkujtimit te tij është 30 prilli.

Shenjtorë të tjerë që lidhen me jetën e krishterë në territorin e Shqipërisë janë edhe : Dëshmorët Isauri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Hermia e Peregrini, që u martirizuan në Apolloni të Fierit, në shek. III (përkujtohen në 17 qershor) ; Dëshmor Trifoni nga Sheqishta e Fierit, martirizuar në vitin 313 (përkujtohet në 14 korrik) ; Shën Joan Vladimiri, i cili veproi e u martirizua pranë Elbasanit në shek. X ose në fillim të shek. XI, ku u ngrit më vonë edhe një manastir me të njëjtin emër; Shën Jan Kukuzeli, nga Durrësi, muzikant i madh bizantin që jetoi në shek. XII ose sipas disa të tjerëve në shek. XIII-XIV, në Malin e Shenjtë (Athos) (përkujtohet në 1 tetor) ; po në këtë në Malin e Shenjtë Athos asketuan edhe Shën Nifoni nga Lukova e Himarës (përkujtohet në 14 qershor) dhe Shën Nili Erihioti nga Kanina ; oshënar-dëshmor Nikodhimi që jetoi në vitin 1722 (përmendet nga Elbasani, por është nga Vithkuqi i Korçës [ku është ngritur edhe një kishë në shek. XXI] dhe u martirizua në Berat) (përkujtohet në 10 korrik).