Shën Tereza e Kalkutës

0
1711
Mother Theresa - Calcutta, 1965

SHENJTËRIMI I GONXHE BOJAXHIUT

Shkruar nga: Agron Jaha

Këtë referat shkencor ia kushtoj Nanë Terezës

Si parafjalë në vigjilie të shpalljes zyrtarisht nga Vatikani
Shenjtore – Shën Tereza e Kalkutës.

1. Hyrje-historiku

Shenjtërimi paraqet njërën nga mënyrat e nderimit të personaliteteve të dalluara në veprimtarinë kishtare.

Kisha e Hershme nderonte sidomos mësuesit dhe misionarët e mëdhenjë („Baballarët e Krishtërimit“), nga shek. i II-të edhe martirët. Nderimi proçedohej ndër të tjera edhe me shkuarjen e organizuar te varri i tyre, apo me ndërtimin e objekteve të kultit (kisha etj.), mbi vendin ku kishte ndodhur martirizimi i tyre. Kështu ndodhi edhe me vënien e gurthemelit (shek. i IV-të) për Katedralen e Shën-Pjetrit nga Perandori Romak me origjinë ilire (Konstandini), pikërisht mbi vendin ku pretendohej të ishte martirizuar Apostuli Shën-Pjetri, në Mons Albani (Vatikanin e sotshhëm).

Me kalimin e kohës u shtua edhe numri i shenjtorëve, kështu që nderimi i tyre shënoi një rritje organizative, ai lidhej tash (organizativisht-itenarisht) me festat kryesore, duke fituar kështu një vend të rëndësishëm në jetën kishtare.

Në vazhdën e centralizimit të organizimit kishtar në Kishën Perëndimore dhe fuqizimin edhe të rolit politik të Selisë së Shenjtë, një proçes që do të progredonte proporcionalisht me dobësimin e Perandorisë Lindore Romake („Bizantit“), u krijua edhe Institucioni i Shenjtërimit (Kanonizimit) brenda Selisë së Shenjtë. Shënimet më të hershme për ekzistencën e këtij institucioni datojnë nga shek. i X-të, konkretisht nga 11.6.993, shenjtërimi i Ulrich-it nga Augsburgu nga ana e Papës Johannes i XV-ti.

2. Institucioni Kanonik

Ndryshe nga format e mëhershme të nderimit të shenjtorëve, Shenjtërimi zyrtar nga Vatikani (i njohur edhe si Kanonizimi, ngase përfundon me futjen çertifikuese-noteriale në regjistrin-kanonin e shenjtorëve) nënkupton një proçedurë precize juridike dhe teologjike të verifikimit, e cila përfshin disa etapa që në vazhdim do të përshkruhen:

Parakushtet:
Shpallja i/e Lumturuar, apo konfirmi zyrtar i nderimit publik për një kohë të gjatë për kandidatin (beatifacatio aequipollens; per viam cultus seu casus excepti).

Kanonizimi niset nga premisa se Selia e Shenjtë nëpërmjet Papës është e pagabueshme në vendimet e saja, në rolin e saj – shërbëtore e Perëndisë në tokë.

Një parakusht tjetër konsiston në vërtetimin zyrtar të veprave unikale (mrekullive) të kanditatit-es, dy vepra të tilla kërkohen për shpalljen formale, kurse tri për shpalljen e „barazvlershme“ me Lumturimin.

Shtrimi i kërkesës dhe verifikimi i kandidatit:
Postulatori (shtruesi-ja i/e kërkesës) i drejtohet me një lutje Papës, në bazë të së pakut një mrekullie, që ka bërë si dhe në bazë të letrave preferenciale favorizuese të personaliteteve kishtare (referencave biografike) për fillimin e proçedurës Shpalljes i/e Shenjtë.

Një komision i veçantë brenda Selisë së Shenjtë lëshon shkresë të autorizuar (“Litterae Remissoriales”) për verifikimin e proçedurës verifikuese apostelike sipas autorizimit të S. S. SH. Duke emëruar me atë rast edhe gjyqtarët kishtarë.

Fillimisht bëhet verifikimi i legalitetit të proçedurës. Pastaj verifikohen mrekullitë me anën e tri akteve: congregatio antepraeparatoria, praeparatoria dhe mbledhja gjenerale me pjesëmarrjen personale të Papës.

Papa kërkon vlerësimin përfundimtar të kardinalëve dhe shpallë dekretin për verifikimin e mrekulllive me fjalët përmbyllse: “tuto procedis posse ad sollem canonizationem”.

Liturgjia e festimit:
Përfshin Konsistoriumin (takimi i Papës më të gjithë kardinalët rezidentë në Romë) e trefishtë: secretum, publicum, semipublicum.

Pas këtij takimi fillon akti faktik ceremonial: kardinali prokurator me thirrjen e trefishtë (ndërmjet thirrjeve këndohen-recitohen Latenet për Shenjtorët, Psalmi Miserere, Hymni Veni Creato) i drejtohet Papës, i cili i përgjigjet me thënien e Formulës së Kanonizimit. Kardinali prokurator i lutet Papës për verifikimin zyrtar të çertifikatës së Kanonizimit.

Papa përgjigjet me TEDEUM – një oracion për shenjtorin-ren e ri/re. Vazhdohet me thirrjen e emrit të Shenjtorit-es nga nje Confiteor. Ceremonia përfundon me një akt sakramental: qirinjë, vezë, bukë dhe shpezë.

Shënim: Kisha e sotme lindore nuk ka procedura te ngjashme për shenjtorë!

Për gazeten FJALA e LIRË
Përgatiti Xhevat Rexhaj