Shënime udhëtimi dhe mbresa në prag festash të Nëntorit në Zall-Bastar

2
2092
Zall Bastar

Ibrahim Kabili Dita e 26 nëntori 1912 ditë historike, ngritja e flamurit në Tiranë. Kjo ngjarje i parapriu ditës së madhe, 28 Nëntorit, Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë ditë të bekuar patriotët tiranas me në krye Murat dhe Abdi Toptanin ngritën flamurin në Tiranë. Në këtë ngjarje të madhe për Tiranën dhe kombin, morën pjesë dhe shumë figura të shquara të zonës sonë. Pjesmarrja e parisë sonë dhe jo vetëm në ngritjen e flamurit në Tiranë nuk qe rastësi. Zona jonë siç kemi theksuar disa herë ka marrë pjesë dhe ka dhënë kontributin e saj në të gjitha kthesat e historisë. Kjo na bën krenar si krahinë dhe na obligon të ruajmë më tej traditën…

Vendlindja, është fjalë magjike që pushton dhe tundon çdo njeri. Ajo është e shtrenjtë sa vetë jeta. Sa më shumë të largohesh fizikisht nga ajo aq më shumë të mungon, aq më shumë të merr malli, aq më e domosdoshme të bëhet ajo. Vendlindja merr më shumë rëndësi e bëhet më e begatë kur bijtë e saj kujdesen e bëjnë më të mirën për Të.

Pas një qëndrimi të “gjatë” prej 10 ditësh në Tiranë, nisem herët në mëngjes për në Zall-Bastar. Kësaj radhe udhëtimi qe ndryshe pasi udhëtimi u bë për herë të parë me autobuz enkas për këtë linjë. Data shënon 26 nëntor 2020. Autobuzi prej 30 vendesh u mbush me 30 pasagjerë dhe shoferi u nis fiks në orarin e caktuar. Nisja u bë nga Rruga Ura dhe qe shumë i këndshëm në kushte shumë komode. Të gjithë pasagjerët ishin të kënaqur për udhëtimin e këtë e shprehnin në bisedat që bënin me njëri tjetrin. Të gjithë në mënyrën e tyre falenderonin Kryetarin e Bashkisë Veliaj për këtë investim të madh për Zall-Bastarin e banorët e tij. Bashkë me mua në sediljen pranë ishte një mësuese e re që punonte prej një viti në një shkollë të zonës tonë. Natyrisht e gjithë biseda filloi dhe përfundoi për Krahinën, bukuritë natyrore, dhe banorët e mrekullueshëm të saj. Brezat pasojnë njëri tjetrin dhe shoqëria ecën përpara! Ligji i mohimit të mohimit pavarësisht nesh bën punën e tij.

Ndërkohë unë në heshtje, mendueshëm por dhe trishtueshëm kujtoja rrugën e vjetër këmbësore, rrugën e makinës të hapur kohë më parë. Autobuzi ndërkohë që ne dhe të tjerët bisedonin, me shoqërimin e muzikë të zgjedhur me finesë nga shoferi vazhdonte të ecte drejt destinacionit. Për rreth 5 minuta arrijmë te “Fundjava Ndryshe”. Pak metra më sipër në anën tonë të majtë të rrugës është Ura e Brarit, urë e vjetër mesjetare në formë harku, që lidh dy brigjet e Lumit të Tiranës, ku kalonte dhe Rruga e vjetër këmbësore e Arbërit, e cila lidhte Tiranën me Dibrën… Ndërkohë që autobuzi ecte, mbërrijmë tek kisha e Brarit. Deri tani kishte gjurmë të saj, rruga e re që kalon përmes saj i ka prishur gjurmët, dhe njerëz të pa përgjegjshëm kanë dëmtuar dhe varrin e sebastit Mihal Skura të shekullit të XV. Zona jonë i them bashkëudhëtares ka qenë e besimit katolik…

Rruga në Shkallën e Tujanit, pjesë e Rrugës së Arbërit, megjithëse e pa asfaltuar, është e gjerë dhe mjaft e mirë… Pas asfaltimit ajo do të ketë parametra të tjera dhe do ti shërbejë Krahinës, Dibrës dhe më gjerë. Tani po futemi në Shkallën e Tujanit, djathtas tonë ka qenë rruga këmbësore që bëhej me kafshë ngarkese dhe me këmbë, shkonte deri në Dibër. Këtu ku po kalojmë ne ka qenë rruga e vjetër e makinës e hapur në vitin 1967, ka qenë e ngushtë dhe ka pasur dhe mjaft aksidente me makina. Kjo rrugë megjithëse pa parametra na zgjidhi shumë probleme në vite dhe solli një farë qytetërimi për kohën… Këto pamje magjepsëse që shikon, janë kanionet e Shkallës së Tujanit, rreth 1000 m thellësi dhe që janë pjesë e Vargmaleve Krujë-Dajt. Ky vargmal ka 100 shpella karstike, më e madhja është Shpella e Mirë ose Shpella e Shën Gjergjit e banuar në prehistori… Me ndërtimin e rrugës së re që po shikon, inertet ranë në lumë dhe mbushën pa kthyshëm fundin e kanioneve ku gjarpëronte Argjilata, pamjet në to qenë mahnitëse, po nuk janë më…

Ndoshta do vi një ditë që të pastrohen inertet në fundin e kanionëve, dhe lumit ti kthehet bukuria! Zona është pjesë e Parkut Kombëtar Dajt dhe është zonë e mbrojtur! Këtu në hyrje të Tunelit ka qenë një pllakatë që i kushtohej Adelina Gjonit, ish tornitores 17 vjeçare që u vra për ndërtimin e rrugës. Në kohën e sotme dhe pllakata me mbishkrimin për të nuk ekziston më. Paradokse alla shqiptare! Dhe pushtuesit nuk e bëjnë këtë… Vargmali që kaluam në këtë mëngjes të bukur vjeshte kishte marrë një pamje magjepëse dhe nga ngjyra e gjetheve të drurëve, të marrë gjatë stinës, që për nga koha e bukur duket si “pranverë”. Në dalje të tunelit, nën “pushtetin” e rrezeve të para të diellit filloi të dukej mahnitëse, gjigande dhe madhështore, “Mali me Gropa”.

I veçantë në llojin e vet, me gropa në formën e “hojeve të bletëve”, është me origjinë karstike dhe ka pasuri të mëdha hidrike dhe kullosore. Mali ka lartësinë më të madhe 1848 m lartësi, nga ky mal kanë burimin uji i Selitës, Shënmërisë dhe Gurit të Bardhë. E lëmë atë pak asfalt që kaluam, dhe për ironi të kohës, duhet të kalonim nga rruga e vjetër. Sa kaq që ne bisedonim, autobuzi ndaloi në Zall-Dajt. Zbritën mësuesit dhe nxënësit e shkollës Zall-Dajt. Ky qe stacioni i 4-tër ku hipnin dhe zbrisnin njerëzit. Shkolla e Zall-Dajtit e hapur në vitet’ 70, qe shkollë e mesme bujqësore,dhe erdhën nxënës nga e gjithë krahina. Mësuesit qenë të gjithë me arsim të lartë, mjaft të përgatitur dhe mbetën në memorjen tonë si mësues model. Tani shkolla është 9 vjeçare por ka rënë numri i nxënësve nga migrimi dhe emigrimi…

Te rrapi disa shekullor, aty afër ka qenë Legalitet për zonën tonë dhe Shupali qe qendra e gjithë krahinës… Pasi kalojmë urën, marrim kthesën dhe vazhdojmë të ecim në rrugën e re të asfaltuar për në Zall-Bastar. Rruga e re e sapo përfunduar është investim i Bashkisë Tiranë dhe e kryebashkiakut Veliaj. Atë që nuk e bëri asnjë qeveri në këto 28 vite demokraci, e bëri Erioni në dy vite, kjo është meritë e tijë. Natyrisht dhe me këmbënguljen e deputetit të zonës z. Xhemal Qefalia dhe administratorit të njësisë administrative z. Genc Sita. Me ngjitjen në lartësi filluan të dukeshin shumë bukur, me një pamje piktureske fshatrat: Dajt, Shëngjin-Mojsit, Selitë e Malit, Bastar Murrizë, Besh dhe më pas Bastar i Mesëm, Vilëz, Mëner i Sipërm dhe gjurmë të fshatrave Zall-Mëner dhe Bulçesh të zëna tani nga Bovilla. Ambienti me pyll pishe, pyjet me shkurre, ngjyrat e gjetheve në këtë fund vjeshtë, relievi i mrekullueshëm, vendosja e vendbanimeve në formë brezash nisiur nga lartësia, Liqeni i Bovillës, Rruga e Arbërit dhe njerëzit e mirë të zonës do ta bëjnë krahinën shumë tërheqëse dhe atraktive për turizëm. Në kodër Shupal autobuzi ndal në stacionin e radhës.

Aty zona shihet si në pëllëmbë të dorës dhe mrekullohesh me bukuritë e saj. Në lindje të zonës shtrihen Vargmalet e Skënderbeut deri te Mali me Gropa, në perëndim Vargu Krujë-Dajt në mes tyre Lugu apo gjeosinklinali i Vilzës. Në mes tyre fusha, lugina lumejsh, kodra, pyje të llojeve të ndryshme, livadhe dhe burime të kristalta. Në zbritje të kthesave të bukura të Gjigeges, duket më e bukur se kurrë qendra e Zall-Bastarit. Ajo është ndërtuar rishtas në vitin 1977 dhe e transformuar këto dy vitet vitet e fundit. Rikonstruktimi i plotë i qendrës së Zall-Bastarit, i Qendrës Shëndetësore, asfaltimi i rrugës, shkolla dhe prania e nxënësve në ambientet e sajë, prania e njerëzve në kryerjen e punëve të tyre ditore dhe flamujt e vendosur, i japin qendrës një atmosferë të bukur festive.

Në një bisedë të gjatë në zyrën e tij, administratori Gen Sita sqaron:
Rruga nga Zall-Dajti në Zall-Bastar tani e rregulluar dhe asfaltuar me parametra bashkëkohor është një arritje e madhe për banorët e zonës sonë. Shtuar këtu dhe rregullimin e sistemimin e qendrës Zall-Bastar, rikonstruksionin kapital të Qendrës Shëndetsore dhe pajisjen e saj më bazën materiale janë arritje të mëdha për banorët tanë. Zall-Bastari tanimë është “lagje” e Tiranës. Gjatë këtyre 2-3 viteve nga Bashkia Tiranë janë bërë:

▪︎ Rikonstruksioni i rrugës Zall-Bastar Zall-Dajt. Rruga u nda në dy lote. Loti i parë deri në Kodër-Shupal u ndërtua nga firma”Kthella” shpk, dhe më pas loti i dytë Kodër-Shupal deri Zall-Dajt ku lidhet me Rrugën e Arbërit. Loti i dytë u ndërtua nga firma Sireta 2F. Rruga u ndërtua me parametra. U bë rehabilitimi, shtrimi, veprat e artit dhe asfaltimi i rrugës në gjithë gjatësinë e saj. Kjo do ti japë një impuls zhvillimit ekonomik dhe shoqëror zonës e banorëve të saj. Vlera për të dy lotet afërsisht150 milion lekë.

▪︎ U rehabilitua qendra e Njësisë Administrative në gjthë hapsirën e saj. Kjo u bë nga firma “Kthella” shpk. Nga ky projekt u realizuan: Rregullimi i fasadave, rrethimi dhe veshja e murit me gurë dekorativ, ndriçimi, godina që do shërbejë për veprimtari të ndryshme, lulishtet dhe ambientet kreative, këndi i lojrave etj. Kjo e ka ndryshuar rrënjësisht pamjen e qendrës dhe ne të gjithë krenohemi me të.

▪︎ Me programin Ujësjellës Rural III kemi filluar dhe po punojmë për rikonstruksionin e ujësjellësave: Zall-Bastar, Zall-Dajt, Besh, Kodër-Shupal, Vilëz, Mal-Vilëz dhe Shëngjin i Vogël. Vlera 1828648 Euro.

Para 3 muajsh filloi puna për rehabilitimin total të Qëndrës Shëndetsore. Puna vazhdon dhe është në përfundim e sipër. Futem në ambientet e Qendrës Shëndetsore i shoqëruar nga Përgjegjësi i saj Dr. Bashkim Murati. Ambient tepër komod, rikonstruksion total dhe shumë bashkëkohor, ambiente urgjence, shërbim 24 orë prej 3 mjekëve, dhe pajisje e orendi në kompletim. Në çdo fshat ka ambulanca që u shërbejnë rreth 5000 banorëve.

▪︎ Më 3 tetor 2020 në zonën tonë u fut shërbimi urban. Firma “LUNA” shpk ka vënë në dispozicion pesë autobus që bëjnë transportin e pasagjerëve në kushte komode. Kjo është një arritje e madhe për banorët, punonjësit e arsimit, personelin shëndetsor dhe punëtorët që punojnë larg vendbanimit. Kjo mbart në vetvete shumë vlera, transporti dhe rruga sjell qytetërim.

▪︎ Ajo që i jep gjithë bukurinë, krenarinë kënaqësinë dhe gjthçka zonës, është Shkolla e Mesme në qendër të krahinës… Rikthehem shpesh me shumë kujtime, ndjenja dhe emocione të pafundme aty… Institucion arsimor me vlera që ka përgatitur e përgatit gjenerata… Pasuria më e madhe për banorët e krahinës së Zall-Bastarit dhe jo vetëm… Nën masat e rrepta antikovid takoj nxënës, kolegët dhe drejtorin e shkollës z. Saimir Ruçi.

Data shënon 26 nëntor.Jemi në vigjilje të 28 dhe 29 Nëntorit, dy festave të mëdha të historisë sonë kombëtare. Shkolla gumëzhin nga zërat e nxënësve. Ruhet distanca, mbahen maskat, matet temperatura nga kryeinfermierja Xhirja dhe si zakonisht fillon mësimi. Në drejtori mësojmë se mësimi bëhet me dy turne. Mësimi zhvillohet normalisht me një kolektiv pedagogjik serioz e të përkushtuar. Në këtë ditë diçka mungonte! Mungonin ato përgatitjet e fundit të grupit artistik të mrekullueshëm të shkollës dhe koncerti që jepej prej tijë, në këto festa të rëndësishme të nëntorit! E kjo është e natyrshme. Ky është nëntor i veçantë, nëntor në Kovid! E megjithë këtë, nëntorit nuk i humbet shkëlqimi, ai na bën të ndihemi krenar.

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 27.11.2020

2 KOMENTE

  1. Nuk ka sesi te jet me bukur duke pershkruash ne menyren me te bukur vendi tend sidomos ne nje dit kaq te veçante si kjo. Faleminderit Profesor Ibrahimi qe nuk rresht kur se ndaluari per shkrime kaq mbresëlënëse dhe kaq terheqese, qe çdo kush do kishte deshire ti lexonte.

Komentet janë mbyllur.