Bota – 28/05/20
Numri i personave të vdekur si pasojë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën 100,000, në më pak se katër muaj.
SHBA-ja njëherësh është kthyer në vendin e parë me më së shumti viktima, ndërkohë që 1.69 milion persona të infektuar me këtë virus në territorin amerikan, përbëjnë 30 për qind të shifrës globale të të prekurve me Covid-19.
Rasti i parë i infektimit ishte raportuar në Uashington më 21 janar.
Shifra e personave të vdekur nga koronavirusi në SHBA, konsiderohet të jetë e njëjtë me numrin e ushtarëve amerikanë që janë vrarë në Gadishullin Korean, Vietnam, Irak dhe Afganistan, përgjatë konflikteve të armatosura në 44 vjet.
Megjithatë, numri i të vdekurve në SHBA nga ky virus, në raport me numrin e përgjithshëm të banorëve, e rendit atë në vendin e nëntë të shkallës së vdekshmërisë, ka raportuar Universiteti Johns Hopkins.
Presidenti Trump nuk ka bërë asnjë koment lidhur me 100 mijë viktimat e koronavirusit. Në fakt ai shkroi në Twitter kritika rreth kompanive teknologjike, se po censuronin atë dhe kërcënoi me rregulla të forta deri në mbylljen e tyre.
Presidenti amerikan ka qenë në qendër të kritikave për reagimin e tij të vonë, për të marrë masa ndaj përhapjes së virusit, po ashtu edhe për komentet e tij rreth hapjes së shpejtë të vendit.
Në gjithë botën deri më tani janë regjistruar 5.6 milionë persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 354,983 kanë vdekur, nga koha kur është raportuar për rastin e parë të infektimit në qytetin kinez, Wuhan në fund të vitit të kaluar. /Opinon.al