Xhelal Zejneli
Sharl Bodleri (Charles Pierre Baudelaire, 1821-1867) është poet, përkthyes, eseist dhe kritik letrar francez. Është një nga poetët më të mirë francez të shekullit XIX. Me veprën e vet ndikoi në zhvillimin e simbolizmit në poezi. Konsiderohet themelues i modernizmit. Është i pari poet i lirikës moderne evropiane.
Babai Fransua Bodler (Joseph-François Baudelaire, 1759-1827) ishte nëpunës i lartë shtetëror. Ishte edhe kustos në muze. Ndonjëherë edhe pikturonte. Nëna Karolinë Bodler (Caroline Archimbault-Dufays Baudelaire, Londër, 1793 – Honfleur, 1871) ishte 34 vjet më e re se i shoqi. Në moshën 7-vjeçare Bodleri mbeti pa baba. Një vit pas vdekjes së burrit të saj, nëna u rimartua me nënkolonelin Zhak Opik (Jaques Aupick, 1789-1857), i cili pas disa viteve u bë ambasador në gjykatat fisnike. Qenë të martuar në vitet 1828-1857. Me t’u martuar me një burrë të ri dhe tërheqës, Bodlerin 6-vjeçar nëna nuk e afronte gjithaq.
Në Lion ndoqi shkollën ushtarake. Njerku nuk dëshironte që t’i vinte në shtëpi as gjatë festave. Më vonë, kur i kujtohej kjo periudhë e jetës së tij, rrëqethej. Në fëmijëri është ndjerë i vetmuar, ndaj atë e përshkruan si të trishtueshme. Në moshën madhore ka manifestuar krenari dhe sjellje mistike, amorale dhe cinike. Ka biografë që thonë se Bodleri ishte sadist, mizantrop, adhurues i prostitutave. Gjendjet dëlire i përgjigjeshin më shumë. Jepet pas alkoolit, narkotikëve dhe femrave me moral të dyshimtë. Infektohet nga sifilisi dhe gonorea. I ballafaquar me vështirësi financiare, një kohë jeton tek i vëllai. Paratë që ia dërgonin e ëma dhe njerku, i harxhonte sakaq. Shpenzonte për veshje por edhe për libra. Jetonte me borxhe, si Balzaku dikur. E ëma vuante për sjelljet e pahijshme të të birit.
Duke parë njerku se Bodleri i ka marrë rrugët e këqija, në vitin 1841 e dërgon në Indi. U kthye në shtëpi me mbresa të shumta. Përvojat nga India i shfrytëzoi edhe në poezi. Sipas disa biografëve, ai ka qëndruar në Indi vetëm tre muaj, ndërsa sipas të tjerëve – një vit. Pas kthimit në shtëpi iu përkushtua letërsisë. Një përcaktim të tillë prindërit nuk e deshën. Në një rast e ëma thotë: “Po t’i kishte dëgjuar këshillat e njerkut, Bodleri do të kishte bërë një jetë të lumtur. Emrin e tij s’do ta kishte përmendur kush, por të gjithë do të kishim qenë shumë më të lumtur”.
Në fillim të krijimtarisë letrare Bodleri gëzonte popullaritet në mesin e artistëve moshatarë. Kur i mbushi 21 vjet, nga pasuria e të atit trashëgoi mbi njëqind mijë franga dhe katër parcela toke. Brenda pak viteve paratë e trashëguara i harxhoi. I ngelur pa para, zhytej në borxhe, kështu që familja detyrohej që pasurinë ta vinte nën hipotekë. I zhytur në borxhe, Bodlerit e ardhmja i dukej e zymtë, kurse gjendja psikike – e rëndë. Në një rast lëndoi veten me thikë. Gjatë mjekimit e ëma, mbase e penguar nga njerku, nuk shkoi ta vizitonte. Për nga përcaktimi politik ishte për republikë dhe mbështeti revolucionin e vitit 1848.
Ishte në lidhje intime me mulaten Zhanë Dyval (Jeanne Duval, Jacmel, Haiti, 1820 – Paris, 1862), e lindur nga martesa e përzier midis një të bardhi dhe një zezakeje. Lidhja e tyre ka zgjatur rreth njëzet vjet. Ka qenë muza e poetit, Venera e tij. Ka qenë artiste dhe valltare, femër me moral të dyshimtë, ka pirë shumë. Thuhet se ka ndikuar negativisht mbi poetin. E ka pikturuar piktori francez i modernizmit Eduard Mane (Édouard Manet, 1832-1883).
Njihej me fotografin, karikaturistin, zhurnalistin, prozatorin francez Feliks Nadar (Gaspard-Félix Tournachon, i njohur me pseudonimin Nadar, 1820-1910). Nëpërmjet tij njohu personalitete të tjera. Për shkak borxheve dhe jetës së parregullt, shpesh i ndërronte banesat. Raportet e çrregulluara me të ëmën, të cilës i kërkonte ndihmë financiare, nuk e lenin të qetë.
Adhuronte muzikën e kompozitorit gjerman Rihard Vagnerit (Wilhelm Rihard Wagner, 1813-1883). Çmonte lart krijimet letrare të Edgar Alan Po-së. Tregimet e tij i përktheu në frëngjisht. Duke qenë se anglishten e kishte mësuar që në fëmijëri, përkthimet e tij u vlerësuan lart. Dy poetët kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ishin të ndjeshëm, ishin ballafaquar me sëmundje dhe kishin pasur vështirësi financiare. Autori i “Himnit të bukurisë” e quajti Ponë paraardhës të vet.
* * *
Shënim: Edgar Alan Pou (Edgar Allan Poe, 1809-1849) është tregimtar dhe poet amerikan, paraardhës i simbolizmit francez. Ishte fëmijë artistësh shëtitës. Kur ishte dy vjeç mbeti pa prindër. U birësua nga familja e tregtarit të pasur Johan Alan. Për sjellje të keqe u përjashtua nga universiteti. La shtëpinë dhe më 1831 u vendos në Baltimor. Në moshën 27-vjeçare u martua me të mbesën 13-vjeçare (vajzën e motrës) Virxhinia (Virginia Eliza Clemm Poe; Baltimor, 1822 – Nju-Jork, 1847). U shpërngul në Filadelfi, pastaj në Nju-Jork. Për të mbijetuar, gati 20 vjet punoi si kritik, fejtonist dhe kryeredaktor i gazetave dhe i revistave të ndryshme.
Duke qenë i çekuilibruar, mitoman dhe i dhënë pas alkoolit shpesh e ndërronte punën dhe jetonte buzë mjerimit. Vdekja e tij është misterioze. U gjet i shtrirë në rrugë në Baltimor, në gjendje gjysmë të vetëdijshme, pranë vendvotimit, ditën e zgjedhjeve vendore. Ka që thonë se ka qenë viktimë e gjuetarëve të votuesve. Historia e jetës së tij u shndërrua në legjendë dhe u ndërthur me veprën e tij. Duke qenë se u rrit në jug të ShBA-së, Po, krahas prozatorit Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962; laureat i çmimit “Nobel” më 1949) është përfaqësues më i madh i letërsisë së jugut amerikan. Sipas burimeve zyrtare, vdiq nga delirium tremens (çmendje nga alkooli).
* * *
Në lëmin e krijimtarisë letrare Bodleri vazhdimisht ngjitej përpjetë, por gjendja shëndetësore i rëndohej çdo ditë e më tepër. Përdorimi i opiumit e merrte haraçin e vet, ndërsa vështirësitë ekonomike dhe stresi e ndiqnin hap pas hapi. Meqë njerku kishte vdekur, e ëma u pajtua të jetë pranë të birit. U vendosën në qytetin bregdetar Honfleur.
Jeta afër detit i bëri mirë poetit, kështu që në këtë periudhë kishte kushte të volitshme për të vazhduar me shkrimet. Për ta përmirësuar gjendjen financiare, në vitin 1864 vajti në Belgjikë. Planifikonte të mbajë ligjërata dhe t’i shesë të drejtat për veprat e veta. Shkruan pamflete kundër borgjezisë franceze. Mban lidhje me Viktor Hygon i cili për arsye politike ishte larguar nga Franca.
Krahas përdorimit të shpeshtë të opiumit, nisi ta teprojë edhe me alkoolin. Në vitin 1866 pësoi sulm në tru. Gjysmë i paralizuar, mbreti i poetëve u kthye në Paris. Vdiq aty më 31 gusht 1867, në moshën 47-vjeçare. U varros në varrezat e Monparnasit. Katër vjet pas të birit vdiq edhe nëna.
* * *
VEPRA – Bodleri ka shkruar vetëm një përmbledhje me poezi – “Lulet e së keqes”. U bë i njohur në qarqet artistike para se t’i botonte veprat. Në ato rrethe njihej si shkapërderdhës dhe si poet skandaloz. Për krijimin e veprës së vet frymëzohej nga jeta e përditshme. Krijoi poezi me vlerë universale. Shumë vepra iu botuan pas vdekjes. Poezitë e para i botoi në përmbledhjen poetike “Lulet e së keqes”. Në vitin 1845 e botoi të parën vepër, kritikën “Saloni”. Kritikat i bazonte në zhvillimet letrare për të cilat ishte mjaft i informuar. E konsideronin kritik të pasionuar. Duke qenë i tillë, tërhoqi me të madhe vëmendjen e publikut. Gjatë takimeve me romancierin e famshëm francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850) shkëmbente ide të ndryshme mbi letërsinë dhe artin.
Në opusin letrar të vet përdori një diapazon të gjerë temash. “Salonin” e dytë e shkroi në vitin 1846. Pas kësaj, renomeja e tij si kritik i romantizmit u rrit tej mase. Pas një viti botoi novelën autobiografike “La Fanfarlo”.
E çmonte lart poetin dhe romancierin francez, kundërshtar i klasicizmit, Teofil Gotje (Théophile Gautier, 1811-1872). E çmonte sidomos për përdorimin maestral të gjuhës dhe për formën e përkryer. Punimet e tij ndikuan në disa nga temat e shkrimeve të Bodlerit. Në shenjë falënderimi për miqësinë dhe bashkëpunimin letrar, vëllimin “Lulet e së keqes”, Bodleri ia përkushtoi Gotjesë.
“LULET E SË KEQES” (Les Fleurs du mal, 1857) është vepra kryesore e Bodlerit. Po këtë vit u botua edhe romani “Zonja Bovari” (Madam Bovary) i tregimtarit dhe romancierit francez Gystav Flober (Gustav Flaubert, 1821-1880). Përmbledhja tërhoqi vëmendjen e publikut. Ndikimi i tij mbi artistët e tjerë rritej dita-ditës. Shumë prej tyre nisën të krenohen me të. Sapo doli nga shtypi ajo ngjalli reagimin e ashpër të bashkëkohësve, të po atyre që e dënuan “Zonjën Bovari” të Floberit. Vepra u konsiderua skandaloze.
Me arsyetimin se cenon moralin publik, poeti u dënua me gjobë. Vargjet flisnin për marrëdhënie lezbejkash, për korrupsionin, për pikëllimin, për jetën e rëndë, për virgjërinë e pakthyeshme, për verën. Temë e përmbledhjes është intimiteti, pasioni dhe vdekja. Pasqyrohet nostalgjia për të kaluarën dhe intimen. Gjashtë poezi “të pamoralshme” u flakën nga shtypi. Pas katër vjetësh, vepra doli në dritë por pa poezitë që “cenonin” moralin publik. Në vitin 1866 që të gjashtat panë dritën.
Për nga struktura poezitë janë radhitur në nëntituj. Secili prej tyre flet për ndonjë dukuri negative. Pjesa e parë me nëntitullin “Splin dhe Ideal” flet për pakënaqësinë, agoninë dhe mërzinë. Pjesa e dytë pasqyron Parisin dhe njerëzit e mjerë që e udhëheqin atë, ndaj është titulluar “Pamje nga Parisi”. Pjesa e tretë flet për kënaqësitë trupore, për alkoolin e për drogat dhe mban titullin “Vera”. Pjesa e fundit mban titullin “Vdekja”. Dy poezitë më të njohura të vëllimit janë “Albatrosi” dhe “Lidhjet”.
Shumë poezi kritikët i kanë vlerësuar si kryevepra artistike, poetike dhe plot pasion. Adhurues i vëllimit ishte edhe poeti, romancieri dhe dramaturgu i famshëm francez Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885).
Ka pasur edhe të tillë të cilët për veprën kishin dhënë kritikë negative ngase e kishin konsideruar skandaloze dhe të pakuptueshme. Kritikave negative Bodleri u është përgjigjur duke thënë se letërsia dhe arti duhet të krijohen pa qenë të varura nga morali. Morali e zvogëlon forcën poetike të vargut.
Në vëllim vërehet rrënimi i njeriut i mbërthyer midis Splinit dhe Idealit. Për Bodlerin mjaftonte e bukura dhe koncepti i stilizuar. Titulli i përmbledhjes flet për karakterin e bukurisë. Ajo është e ftohtë dhe e zymtë. Gjatë krijimit të poezive Bodleri mendonte për lemerinë dhe turbullirën që e frymëzonte, kështu që në çastet e vetanalizës ndjehej i lemerisur. Emocione negative, e sidomos zemërim ndjejnë edhe njerëzit që e lexojnë këtë lloj poezie. Bodleri ishte i vetëdijshëm se libri do të çelë shteg të ri në art dhe do të shndërrohet në monument.
“Lulet e së keqes” u shkruan për 15 vjet. Ka burime që thonë se vëllimi është shkruar për 10 vjet. Vetë titulli i përmbledhjes flet për konceptin estetik të Bodlerit: “Arti është e keqe e bukur dhe nuk ka pika të përbashkëta me moralin”. Në atë kohë vëllimi vështirë mund të kuptohej. U njoh dhe u pranua nga publiku vetëm pas shumë viteve. Bodleri donte që me poezitë e veta t’i shokojë dhe t’i mundojë lexuesit të cilët ishin mësuar të lexonin vetëm vargje të bukura të cilat akoma më shumë e zbukuronin jetën e tyre plot hipokrizi. Zgjidhte tema të shëmtuara dhe ngjyra të errëta. Në poezitë e veta afirmon poetin i cili nuk e zbukuron dhe nuk e lustron jetën, i cili nuk shkruan vetëm për bukurinë dhe shpirtin e madhërishëm.
Duke qenë se përmbledhja u krijua brenda një periudhe të gjatë, në të gjallë të autorit dolën dy versione. Botimin e versionit të tretë autori nuk e mbërriti. Pas vdekjes së autorit shumëçka në përmbledhje u ndryshua, por ndarja në cikle dhe struktura nuk kanë ndryshuar.
Bodleri dëshironte që vëllimi poetik i tij të mos jetë grumbull vargjesh të shkapërderdhura, por të ketë një plan të caktuar kompozicioni. Bodleri thotë: “Gjithmonë ji poet, madje edhe në prozë”. Stili i tij i të shkruarit solli risi në poezi. Me poezinë “Lidhjet” e ka dhënë përkufizimin fascinues të poezisë: “Në art, e keqja, e lemerishmja dhe e shëmtuara bëhen të bukura. Ky është privilegji i artit”.
Përkundër faktit se shumë kritikë Bodlerin e kanë konsideruar zanafillës të modernizmit, vëllimi “Lulet e së keqes”, për shkak të përdorimit të shpeshtë të simboleve që janë të zakonshme për poezitë, siç janë lulja, errësira, makthi ngërthen në vete shumë elemente të romantizmit.
Edhe pse kohë e romantizmit, te “Lulet e së keqes” vërehet qartë prania e elementeve të poezisë botërore, ndaj Bodleri është një prej poetëve të parë që i paraqiti të gjitha ndyrësitë, por edhe bukuritë e fshehta të jetës në një qytet të madh si Parisi. Për këtë arsye, Bodleri konsiderohet i pari poet që e ka trajtuar temën e jetës në qytet të madh. Ai është një ndër poetët që u mor me përshkrimin e hollësishëm të krizës që e kishte kapluar shoqërinë e atëhershme, shoqëri që kishte humbur çdo kontakt me vlerat krishtere. Poezitë e “Luleve” flasin për udhëtimin e njeriut nëpër jetë e vdekje.
Kjo përmbledhje poetike pasqyron pikëpamjet e poetit për gjendjen aktuale në shoqëri, por edhe rëniet, ngritjet dhe entuziazmin e tij. Ai ngre zërin e protestës kundër gënjeshtrës dhe mashtrimit. Dëshiron të gjejë forcën e parë lëvizëse dhe të njëmendët të ekzistencës njerëzore. Forca të tilla lëvizëse assesi nuk mund të jenë konvencionet e imponuara të sjelljes, të rrejshme dhe të kota.
Çdo gjë në këtë botë është simbol subjektiv i ideve dhe i ndjenjave të njeriut. Në konceptimin e thelluar të simboleve vërejmë se gjërat janë ndërlidhura. Në konceptimin sintetik ato përzihen ndër vete. Kësisoj krijohet një koncept i ri estetik mbi botën. Për paraqitjen autentike përdoren figurat stilistike të sinestezive (me fjalët që i përkasin një shqise emërtohen shqisat e tjera; p. sh. zëri ka ngjyrë) dhe të onomatopeve. Në poezinë ekstatike të tij ngjyra flet, ndërsa fjalën poetike e udhëheqin sensacionet kaotike. Për ta pasqyruar me sukses idenë e re në poezi, vargu duhet të jetë muzikal.
Simbolistët thonë: “Ideja është e pakapshme për arsyen, por kur mbërthehet nga shqisat që si shenja i përdorin simbolet, ajo bëhet e kapshme”. Detyrë e poetit simbolist është: “Të pasqyrojë thellësinë e shpirtit me simbolet si udhërrëfyes. Kjo do t’i mundësojë lexuesit që ta ndjejë lidhjen e përjetimit poetik duke e përvetësuar atë si të veten, si një pasuri të vet të re, për botën e cila, sa është e largët, po aq është edhe e afërt”. Në këtë mes, Bodleri është i pakapërcyeshëm. Forca e poezive të tij kridhet te njeriu, duke e shpënë atje ku bëhet edhe më njeri, atje ku kthimi konsiderohet transformim.
Në poezitë e veta e flak bukurinë dhe sentimentalizmin dhe sjell një lloj të ri emocioni, duke krijuar vargje plot dëshpërim, urrejtje, hidhërim, kryeneçësi dhe entuziazëm. Ato flasin për zbrazësinë, epshet, smirën dhe instinktet. Tema janë vdekja, kotësia, pikëllimi, ana e hirtë e qytetit të madh, mjerimi dhe lufta për mbijetesë. “Ateisti amoral” – Bodleri i beson bukurisë si absolut i vetëm, e vetmja pas së cilës rend dhe tek e cila kurrë s’arrin dot. Për “Lulet e së keqes” Bodleri thotë: “Në këtë libër të lemerishëm e kam lënë krejt zemrën time, tërë ndjeshmërinë time, tërë religjionin tim, krejt urrejtjen time. E vërteta është se unë e kam shkruar të kundërtën, ndaj u betohem të gjithë perëndive se ky është libër i artit të kulluar”.
* * *
“Lulet e së keqes” përmbajnë mbi 160 poezi që ndahen në 5 tërësi. Vëllimi përmban 6 cikle. Vepra bazohet në poezinë hyrëse që i dedikohet lexuesit e që mban titullin “Për lexuesin”. 28 krijime me titull “Poezi shtesë” nuk janë të sistemuara. Ato janë përfshirë në 6 ciklet hyrëse të sipërthëna.
Cikli i parë është më vëllimori dhe paraqet shtyllën kryesore të vëllimit. Mban titullin “Spleen dhe Ideal” dhe përmban 88 tekste. Të gjitha motivet thelbësore janë paraqitur në poezinë hyrëse “Për lexuesin”. Në të poeti përshkruan shkatërrimin e njeriut modern në një shoqëri dyfytyrëshe. Krejt këtë e përshkruan me estetikën e së shëmtuarës. Çdonjëra nga pesë tërësitë ka një rëndësi të caktuar për tërë vëllimin, ndërsa çdo poezi ka rëndësi për tërësinë.
“Spleen dhe Ideal” fillon me vargun e poezive të cilave u ekspozohet një program i ri estetik si dhe pikëpamjet e reja mbi artin dhe të bukurën. Vërehet pozita e artistëve në shoqëri dhe forca e tyre që buron nga përditshmëria. Në poezitë që pasojnë mund të shihet ana tjetër e jetës së artistit, e përshkruar si lypës, martir dhe i marrë.
Në pjesën e dytë të ciklit mund të shihet forca e dashurisë ideale dhe ndjenjat, ekstaza dhe entuziazmi që sjell ajo, por edhe ndjenjat e melankolisë dhe të dëshpërimit që mund t’i sjellë ajo. Në këto poezi thuhet se gjendja materiale nuk është veçse gjendje kalimtare e jetës së njeriut. Poeti e paraqet femrën si burim të bukurisë dhe të lumturisë, por edhe si burim të ftohtësisë dhe të zvetënimit moral. Cikli i parë mbaron me përfundimin se njeriu nuk mund të plotësohet me dashuri, ndaj i rikthehet gjendjes shpirtërore të vet, të përshkruar si vuajtje.
“Pamje nga Parisi” është cikli i dytë i cili në çdo aspekt është më i plotë. Përbëhet prej 18 poezive. Që të gjitha merren me jetën në qytet të madh. Poeti, në mesnatë, shëtit nëpër qytet. Duke ecur nëpër rrugët e tij sheh fatkeqësinë dhe mjerimin e njerëzve, që të përkujton vuajtjet e vetë poetit. Pas kësaj pason cikli i shkurtër “Vera” që merret me tematikën e dehjes, ndërsa në ciklin “Lulet e së keqes” poeti merret me perversionet seksuale. Ky cikël ka qenë më provokuesi.
Cikli “Revolta” ka vetëm tre tekste. Në të përshkruhet heroi që ndodhet në kufirin midis ferrit dhe qiellit. Përfundimi i librit është logjik. Cikli i fundit mban titullin “Vdekja”. Ky cikël është përplot me tematika për vdekjen. Në të poeti sjell zgjidhjen e nyjës. Shihet për së afërmi rruga e njeriut dhe fati i tij.
* * *
Bodleri ishte tejet aktiv në jetën artistike të kohës së vet. Në kritikat dhe në esetë e veta shkruante për shumë tema që kishin të bënin me kulturën franceze. Me krijimtarinë e vet ushtroi ndikim të madh në letërsinë franceze dhe angleze. U vlerësua lart nga shumë shkrimtarë që u paraqitën pas tij. Poeti francez Artyr Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891) në një letër të botuar e quajti Bodlerin “mbreti i poetëve”. Simbolisti francez, autori i shprehjes “poésie pure” (poezi e pastër), Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898), në vitin 1895, për nder të Bodlerit botoi një tingëllimë (sonet). Kishte të tillë e quanin “gjeniu i madh”.
Romancieri dhe dramaturgu francez Andre Zhid (Andre Gide, 1869-1951) është i njohur si një intelektual i guximshëm dhe i pafrenueshëm, me mendime të lira dhe dilema për të cilat shkruante pa ngurrim dhe pa rezerva. Midis dy luftërave botërore ndikoi fuqimisht për krijimin e asaj që u quajt “atmosferë Zhidi”. Luhatjet intelektuale të Zhidit lëvizin në një diapazon të gjerë: nga protestantizmi dhe katolicizmi nëpër liberalizëm dhe komunizëm deri në humanizëm antifetar. Zhidi thotë: “Të gjithë janë kalimtarë, Bodleri mbetet”.
* * *
Shënim: “POÉSIE PURE” (Poezi e pastër) është poezia pa kurrfarë elementi jopoetik (narrativ, didaktik, politik). Poezia e pastër nuk shpreh ndonjë ide të caktuar, por vepron si muzikë. Pol Verleni thoshte: “Pikësëpari muzikë”. Konceptin “poezi e pastër” e zhvilluan simbolistët francezë – Bodleri, Malarmeja si dhe poeti dhe eseisti Pol Valeri (Paul Valery, 1871-1945) i cili ishte një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të hermetizmit në poezinë evropiane.
Konceptin e sipërthënë e morën nga Edgar Alan Po. Termin “poezi e pastër” e vuri në përdorim Stefan Malarme. Teoria e “poezisë së pastër” është e para shprehje, historikisht e rëndësishme e autonomisë së artit poetik, ide kjo e cila më vonë u tejkalua, por jo edhe u harrua. Në “poezinë e pastë” gjejnë shprehje edhe përpjekjet me “poezinë absolute”.
* * *
Përpos poezisë, Bodleri shkroi edhe tekste nga arti figurativ, vështrime letrare, ese, si: “Kuriozitete estetike” (Curiosités esthétiques, 1868), “Arti romantik” (L’Art romantique, 1868). Në konceptet e tij bëjnë pjesë dy përbërës, që në shumë aspekte janë të kundërt.
I pari është revolta e romantizmit kundër pozitës metafizike dhe sociale të njeriut, si dhe “sëmundja e shekullit” e romantizmit (mal du siècle). Përbërësi i dytë është luciditeti i klasicizmit dhe ndjenja e fajit tragjik. Në katolicizëm, Bodlerin më tepër e tërheq mëkati se mëshira. Sataniken e ka më afër se engjëlloren. Me një përshkrim të përpiktë sikur larpurlartistët dhe parnasistët, në aspektin e stilit i shmanget entuziazmit të romantikëve.
Për këtë arsye, i flak të gjithë prosedetë që i ka trashëguar poezia franceze apo që janë zhvilluar në romantizëm, siç janë: ilustrimi i historisë, të shprehurit dekorativ dhe moralizimi. Poezia për të është krijim i kulluar i gjuhës, e cila nuk ka të bëjë me asgjë tjetër jashtë kreacionit të vet. Për ta realizuar këtë qëllim, ai kërkon që poezia ta flakë “ndjeshmërinë e zemrës” në dobi “të ndjeshmërisë së fantazisë”. Kësisoj, përfundimisht e mënjanon personalen: emocionet në poezinë e tij nuk janë më emocione personale të tij, por emocione të vetë poezisë. Përkundër kësaj, ekzistenca personale e papërsëritshme është burimi nga ku poezia e Bodlerit e merr lëndën e frymëzimit.
“Lulet e së keqes” bazohet në kundërshtinë e spleen-it dhe idealit. Në qendër të dukurisë poetike Bodleri vë, jo personin por imagjinatën. “Imagjinata është e vetmja që përmban poezi”.
Vargu bodlerian na mundëson t’i shmangemi përditshmërisë apatike dhe të dehemi me fjalën poetike. Poeti thotë se e përditshmja është e mërzitshme, e rrejshme, e kalbur. Kur ballafaqohemi me realitetin, sakaq e vërejmë të keqen dhe shëmtinë që rinë fshehur. Poeti i nxjerr në sipërfaqe dhe i fut në art, ngase e keqja dhe shëmtia vetëm aty mund të jenë të bukura.
* * *
Shënim: “MAL DU SIÈCLE” (sëmundje e shekullit) – Në pararomantizmin dhe në romantizmin anglez, francez dhe gjerman përjetimi pesimist i botës dhe melankolia tejet e shprehur që i përshkon shumë vepra të fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Kjo vërehet në disa nga veprat më të njohura të asaj kohe: Përmbledhja poetike “Osiani” i poetit skocez Xhejmz Makferson (James Macpherson, 1736-1796), i botuar më 1762, romani “Vuajtjet e djaloshit Verter” i Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832) i botuar më 1774 dhe romani “Eloiza e re” i Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778), i botuar më 1762. Në fillim të shekullit XIX vulë të fortë një ndjenje të tillë i dha tregimtari francez Shatobrian (François-René de Chateaubriand, 1768-1848) me veprat: “Fryma e krishterimit” (Le Génie du christianisme, 1802) dhe “Reneu” (René, 1802).
Në poezi, ndjenja të tilla shfaqin poeti dhe eseisti francez Andre-Mari Shenie (André-Marie Chénier, 1762-1794), poeti francez, që kishte letërkëmbim me Jeronim De Radën, Lamartin (AlphonseMarie Prat de Lamartine, 1790-1869) dhe romantikë të tjerë francezë, me temat elegjiake për rininë dhe dashurinë e humbur, për gërmadhat e kështjellave të dikurshme të mbuluara nga mjegulla apo për rrënojat në shpirtin e poetit. Në fillim të shekullit XIX shprehja “mal du siècle” filloi të shfaqet gjithnjë më tepër në shkrimet programore dhe kritike të romantikëve. Në letërsinë gjermane përdoret me të njëjtin kuptim termi Weltschemerz.
* * *
Në tingëllimën “Pajtueshmëritë” (Correspondances) Bodleri flet për natyrën si një tekst i shifruar që e lexon poeti. Sipas Bodlerit, detyrë e poetit është të shprehë “çfarësinë thelbësore të së tashmes” që e ofron pamja e Parisit. Midis aspekteve të modernes vend të rëndësishëm zë e shëmtuara. Një përjetim të tillë poeti hulumton te “Pamje nga Parisi” (Tableaux parisiens) si dhe në poezitë në prozë “Splini i Parisit” ( Spleen de Paris) të botuara me titullin “Poezi të vogla në prozë” (Petits poèmes en prose) dy vjet pas vdekjes së tij.
Programi i “Splini i Parisit” ndikoi me të madhe në zhvillimin e poezisë franceze, posaçërisht tek Artyr Rembo (Artur Rimbaud) në përmbledhjen “Iluminacione” (Les Illuminations, 1874). Me një fjalë, ndikoi edhe në lindjen e vargut të lirë.
Ndikimi i Bodlerit u përhap shpejt. Në fillim Stefan Malarme e ndjek pikë për pike. Artyr Rembo sheh tek ai të vetmin poet të ngritur në forcë vizionari. Liriku francez i cili qiti me revole mbi shokun e vet Artyr Rembon, Pol Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896), nga grupi i “poetëve të nëmur” (poètes maudits), Bodlerin e shpalli të parin. Për program të tyre simbolistët e morën tingëllimën Correspondances të Bodlerit dhe teorinë e sinestezisë që përmban ajo.
Bodleri është dukuri vendimtare në gjenezën e poezisë evropiane moderne, e cila nëpërmjet simbolistëve ndikoi në lirikën e shumë popujve të Evropës. Poezia e Bodlerit, sikur albatrosët e tij, tenton të ikë prej atyre që e përbuzin atë që ngjitet në lartësitë qiellore ku me stuhitë përplaset, me vetëtimë i mpin sytë. “Ik sa më larg prej moçaleve të kalbura”. Jeta është e zymtë, vdekja na tërheq për mënge. Këtë të vërtetë albatrosi i poezisë e adhuron. Akoma më shumë erë kalbësire, dekompozimi, edhe më afër fundit. Nuk ka mënyrë për t’i ikur kohës.
* * *
Shënim: “POÈTES MAUDITD” (poetë të nëmur) – është eseja kritike e Pol Verlenit e botuar më 1884, kushtuar tre poetëve, në atë kohë mezi të njohur: Tristan Korbier (Tristan Corbière, 1845-1875), Rembo dhe Malarme. Më 1888 eseja u plotësua me emra të rinj: poetja Marselinë Debord-Valmor (Marceline Desbordes-Valmore, 1786-1859), shkrimtari francez me prejardhje bretone Lil-Adam (Auguste de Villiers de L’Isle-Adam, 1838-1889) dhe Povrë Lelian (Pauvre Lélian, anagram i Pol Verlenit). Qëllimi i Verlenit ishte të tërheqë vëmendjen te vlerat poetike të reja dhe te brezi i ri i poetëve që u afirmua me Bodlerin. Te Korbier thekson drithërimën e re poetike dhe shqetësimin shpirtëror të ri.
Te Remboja – gjallërinë dhe forcën e figurave poetike dhe “mbretërinë e pavdekshme të shpirtit”. Te Malarmeja – mjeshtërinë e përkryer të vargut dhe pasionin që nëpërmjet gjuhës së re poetike të arrijë dhe të shprehë thelbin e gjërave. Në anën tjetër, “poetët e nëmur” janë simbol i ndarjes së thellë dhe të përjetshme midis poezisë dhe publikut, midis pikëpamjeve utilitare mbi shoqërinë dhe vlerave letrare të mirëfillta, midis “rasës përjetësisht të nëmur dhe atyre që e kanë në dorë forcën e kësaj bote”. Kjo ide romantike “e greminës” që botën e imagjinatës poetike e ndan nga bota e marrëdhënieve shoqërore reale (shkrimtari francez Alfred dë Vinji – Alfred Victor de Vigny, 1797-1863 dhe Bodleri) haset edhe në letërsitë e popujve të tjerë.
* * *
Shënim: LARPURLARTIZMI (l’art pour l’art – arti për art) – koncept teorik i formuluar më 1836 nga filozofi francez Viktor Kuzen (Victor Cousin, 1792-1867) me kërkesat:
– arti duhet të jetë i liruar nga çfarëdo qëllimi;
– në art nuk duhet të ndikojnë as morali, as politika, as religjioni;
– për ta kuptuar artin mjafton qëllimi i tij që buron nga ligjet e tij;
– arti mund dhe duhet të njihet vetëm nga ideja e së bukurës, d.m.th. nga ato premisa që ndodhen brenda krijimit poetik dhe në ligjet e tij.
Tezën e artit për art do ta përpunojnë: simbolizmi, parnasistët dhe impresionizmi. Në debatet teorike do ta mbrojnë Teofil Gotje, Bodleri, Gystav Floberi, Vëllezërit Gonkur (Edmond Huot de Goncourt, 1822-1896 dhe Jules Goncourt, 1830-1870), dramaturgu, poeti dhe prozatori irlandez Oskar Vaild (Oscar Wilde, 1854-1900) etj. Por, me tezat e veta Viktor Kuzen ia çeli dyert edhe lajthitjeve mbi pavarësinë dhe mëvetësinë e plotë të artit nga shoqëria dhe njeriu.
Shënim: PARNASISTËT – qerthull poetësh francezë të tubuar rreth Teofil Gotjesë dhe Sharl Lëkont dë Lil (Charles Leconte de Lisle, 1818-1872) në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Termi lindi sipas emrit të pyllit Parnas në Greqinë antike që konsiderohej seli e Apolonit dhe e muzave. Sipas besimit tradicional të lashtë në Greqinë antike, qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos në burimin Kastalia, e frymëzon poetin për të krijuar vepra artistike. Qysh në Greqinë e vjetër emërtimi Parnas lidhej ngushtësisht me poezinë. Me kalimin e kohës do të bëhet edhe simbol i poezisë, përkatësisht i pikëpamjes së caktuar mbi poezinë. Më 1866 doli në Paris përmbledhja “Le Parnasse contemporain” si manifest i një grupi letrarësh të cilët në poezi – dhe në letërsi – sollën pikëpamje të reja.
Sipas parnasistëve, ideal i artit është kulti i bukurisë së pastër dhe absolute. Nga artisti pikësëpari kërkonin përsosmërinë e formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes. Poeti nuk duhet t’u jepet ndjenjave të veta, por duhet të jetë i matur, i përmbajtur, sidomos inpersonal dhe objektiv. Parnasistët në radhë të parë i kundërvihen romantizmit, sentimentalizmit, inspirimit të shfrenuar dhe artit të kapshëm nga masat e gjera. Krijimi artistik i destinohet vetëm një rrethi të zgjedhur dhe elitar të njohësve, ndërkaq arti nuk mund t’i shërbejë kurrfarë qëllimi politik, shoqëror apo moral.
Kësisoj, parnasistët akoma më shumë iu kundërvënë letërsisë së angazhuar apo utilitarizmit letrar. Këtij qerthulli i takonin poetët Teofil Gotije, Lëkont dë Lil, Bodleri, Pol Verleni, Stefan Malarme etj. Ky koncept përputhet me larpurlartizmin.
* * *
Krijimet letrare të Bodlerit – “Sallonet” (1845), “Lulet e së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857), “Zemra ime e zhveshur” (1859), soneti “Pajtueshmëritë” (Correspondances), “Parajsa e rrejshme” (1860), “Copat” (1866), “Luzmat artificiale” (pas vdekjes), kritikat dhe esetë “Kuriozitete estetike” (Curiosités esthétiques, 1868) dhe “Arti romantik” (L’Art romantique, 1868), “Pamje nga Parisi” (Tableaux parisiens), “Splini i Parisit” (Spleen de Paris) të botuara më 1869 me titullin “Poezi të vogla në prozë” (Petits poèmes en prose).