Recension
Hysen Ibrahimi, Suedi/Förslöv, 04-05-2016
Libri i ititulluar ”SHAQIR FONIQI – MAESTRO I GAZETARISË” i autorit Xhemail Peci, është njëri ndër librat më prezantues të një gazetari shqiptar, që pasqyron në hollësi punën dhe veprimtarinë e tij. Pra, autori Peci, i rreket një pune serioze, duke dëshmuar me fakte se autori ka ndjekur me përpikmëri punën e gazetarit të shquar të gazetarisë shqiptare, z. Shaqir Foniqi. Në anën tjetër, autori spikat me temat nga pikëpamja e arritjeve që kanë vizione për të ardhmen dhe përqendrohet rreth temave, që shpeshherë kanë dalë në plan të parë për nga rëndësia.
Në këtë mënyrë, maestro i gazetarisë shqiptare, Shaqir Foniqi, me punën e tij, ka arritur të prekë impulsin e autorit, duke e shtyrë që të botojë mu këtë vepër. E tërë veprimtaria e Shaqir Foniqit, me një vetëdije të lartë në fushën e gazetarisë krijuese e letrare, me të drejtë shndërrohet në një studim shkencor për autorin Peci. Autori, me një kujdes të veçantë, priret të bëjë një pasqyrim për kuptimësinë e punës me një logjikë tejet të thellë të maestros së gazetarisë, z. Shaqir Foniqi.
Po shkoqis një fragment nga libri në fjalë, ku shkruan: ”Gazetaria shqiptare, dhe jo vetëm ajo, u lind jashtë. Fillimisht në Itali, në Napoli, me më të parën gazetë tonë, “L’Albanese d’Italia” të Jeroninm de Radës, për të vijuar pas 12 vjetësh, po ashtu jashtë, tash në Greqi, në Lami, me gazetën e dytë “Pellazgu” të Anastas I. Bikut (Piqeur), së pari, e mandej, më 1879, pas 31 vjetësh, edhe me “I fonitis Alvanias” (Zëri i Shqipërisë) të Anastas Kulloriotit, në Athinë”….! Jo rastësisht, autori Peci, përqendrohet në fillet e para në gazetarinë shqiptare, që lë të nënkuptohet se Shaqir Foniqi, ky mjeshtër i gazetarisë, ka qenë i ndikuar nga fillet e para të gazetarisë shqiptare. Më pastaj, angazhimin e tij në gazetari, që ka të bëjë me fillet e para në fushën e kulturës së mirëfilltë të gazetarisë në Kosovë e që lidhen ngushtë me emrin e të madhit Shaqir Foniqi.
Autori Xhemail Peci, me një punë të shkëqlyer prej autori, ndër të tjera, arrin të xjerrë në pah, se Shaqir Foniqi, me veprën e tij, ka arritur bindshëm besimin te njerëzit krijues, si njëri ndër gazetarët më afirmativ, më i drejtëpërdrejtë dhe njohësi më i mirë i gazetarisë për kulturë. Po ashtu, me të drejtë, Shaqir Foniqi emërohet edhe si studiues me qëndrim stoik dhe afirmues i kulturës letrare dhe krijeuse ndaj botës shqiptare e asaj të huaj, si gazetar dhe redaktor i Radio Televizionit të Prishtinës, që nga viti1977, e më vonë edhe në RTK.
Me këtë libër, autori Xhmeail Peci, na shfaqet si një studiues praktik, domethënë arrin të zbulojë thuajse një pjesë të madhe të lëvizjeve të gazetarit Shaqir Foniqi, si një hulumtues profesionist e stabil, për të bërë prezantimin e personaliteteve të kulturës shqiptare në nivel kombëtar. Kështu që, në këtë libër, shpesh hasim koherencë të planit strategjitk të Shaqir Foniqit. Kemi të bëjmë me vazhdimësinë profesionale të Foniqit përmes shprehjeve më adekuate të gjuhës kulturore. Kjo qëndron në thënien e autorit Peci : ”Jam i sigurt se sa të ketë jetë, ai nuk mund të qëndrojë thjesht si soditës i artit dhe i të bukurës, por nëpërmjet artit të fjalës dhe publikimit, si një artist fisnik, të vazhdojë të ndihmojë në emancipimin dhe civilizimin e kësaj shoqërie”.
E tërë kjo e motivon autorin dhe me arsye, Foniqi renditet në rangun e gazetarëve që dinë të harmonizojnë maksimalisht materien e kulturës në korrenspondencë me njerëzit e artit dhe dashamirësit e vlerave në përgjithësi. Këtu, Shaqir Foniqi fiton funksionin e duhur dhe shndërrohet në ”MAESTRO TË GAZETARISË”.
Ulpiana Lama shkruan : ”……Në fakt, me kalimin e kohës, Shaqën e pranova si “adresar kulturor” timin në Kosovë”.
Shaqir Foniqi me autoritetin e tij na bën me dije se është njeriu i kulturës tanimë me adresë, i patjetërsueshëm në raport me njerëzoren dhe në anën tjetër, me të drejtë, vlerësohet si njeriu që është ”viktimë” e rrethanava të vështira kohohore, por guximtar në paraqitjen e denjë të kulturës, artit dhe traditës shqiptare, e gjithë kjo si ndihmë për të tjerët. Kjo, pa dyshim, sot ka një vlerë të pakontestueshme për z. Foniqi. Dhe, pa hezitim, mund te themi se ai, me punën e tij, është ”brumosur” në një personazh ekzistencial përballë vetvetes dhe të tjerëve. Shaqir Foniqi ka gjurmuar nëpër kohë, duke filluar me lashtësinë e kulturës, me historinë, fillet e para të gazetarisë që i merr shumë seriozisht, dhe arrin deri në ditët e sotme, duke mbetur kështu për gjeneratat e ardhshme si njeriu më fisnik i gazetarisë profesionale.
Prandaj, autori i librit ”SHAQIR FONIQI – MAESTRO I GAZETARISË”, z. Xhemail Peci, shfaqet i motivuar nga tërë kjo punë e Shaqir Foniqit, dhe shkëlqyeshëm argumenton përmes fakteve që jeta i ka ofruar gazetarit. Jemi të gjithë të befasuar (për të mirë), pasi lexuam dhe e njohëm edhe më në hollësi të madhin Shaqir Foniqi.
Po e përfundoj me një thënie të z. Adem Shabiut : Shaqir Foniqi është gazetari, të cilit lexuesit dhe adhuruesit e fjalës së bukur shqipe fjalët ia kanë falur nga zemra: “Sikur të ishin të gjithë gazetarët si ju, zoti Foniqi, bota do të ishte ndryshe!”, kurse fjalët e mia, si porosi për Shaqir Foniqin janë: ”Përvoja juaj e madhe në gazetari do të mbetet me shekuj, e po ashtu edhe mënyra se si duhet ballafaquar me çështjen e promovimit të vlerave, e rrjedhimisht përmes kësaj edhe ruajtjes së identitetit të kulturës e historisë shqiptare”.