SHANTAZHI DËMTON LDK-në

0
290
Lidhja

IDRIZ ZEQIRAJ

Qoftë në shërbimin ushtarak klasik, qoftë në burg, nëse njëri e lëshon gënjeshtrën se do të këtë lirim të parakohshëm ose falje, gënjeshtra kaq shumë shumëzohet, sa fillon ta besojë edhe ai vet. Kështu ndodhi edhe me gënjeshtrën e sajuar nga klanorët brenda Kryesisë të LDK-së. Pasi humbën shpresën se do ta fitonin garën, atëherë dhanë alarmin SOS! “Nëse nuk bëjmë marrëveshje-konsensuale, për emrimin e kryetarit të LDK-së, ajo do të ndahet!” Dhe, kjo gënjeshtër u përhapë aq shumë, sa sot e besojnë edhe vetë ata që e sajuan.

Ky ishte një shantazh brenda partiak. Shantazhimi u lexua dhe u përjetua rëndë nga anëtarësia. Konsensuesi aq shumë e proklamuar, nënkuptonte vazhdimin e mandatit të tretë kryetarit të LDK-së, pa u provuar me votën e fshehtë demokratike dhe ruajtjen e posteve, për të dy nënkryetarët. Ndërsa nënkryetari i tretë, nuk kushtëzoi, duke dëshmuar fisnikërinë, si pinjoll i Familjes Institucion Rugova. Megjithatë, në vend të shpërblimit, atij nuk iu vazhdua mandati i nënkryetarit të LDK-së!?

Demokracia përjashton kushtëzimin dhe shantazhimin. Në vend të tyre është debati i lirë dhe demokratik. Mungesa e debatit, përjashtimi i konkurrencës së ndershme dhe votimi i fshehtë demokratik, janë tri parimet bazë, për një parti të mirëfilltë demokratike. Është, pikërisht, anashkalimi i këtyre tri parimeve, që ka mbajtur në ethet e ndarjes anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së. Për rrjedhojë është rivaliteti i vrazhdët për kreun e LDK-së, që pamundësoi dhe humbi shansin që LDK-ja të jetë e parë në zgjedhje.

Nuk mjaftoi nisma e ndryshimit, përtëritjes në Këshillin e Përgjithshëm dhe as përzgjedhja ideale e kandidatëve për deputetë, sepse për ruajtjen e monopolit në Kryesinë Qendrore, u përkujdes fort klani, tashmë, i stazhionuar. Ky element ishte domëthënës dhe e gjithë propaganda PAN-iste, e ndihmuar skajshëm nga Lëvizja Vetëvendosje, agjituan se LDK-ja “vazhdon avazin e Mukjes”, statusquonë, se “garda e vjetër ka vartësi të shumëfishtë nga PDK-ja dhe mund të koalicionojë sërishmi me atë”, se “Vjosë Osmani është e vartësuar dhe e bllokuar nga klani” dhe “xhevahire” tjera, plot mëdyshje çorientuese për elektoratin, popullin.

Vota e fshehtë është zëri më real i arsyetimit në një parti. Kjo votë do t`i amortizonte të gjitha dilemat. Kulti i individit, i ngritur dhe i pompuar artificialisht, nga profiterët karrieristë, ka lënë shije të hidhur nga gjysmë-shekulli komunizëm. Lufta e klasave, diferencimi, i bërë në emër të mbrojtjes të Atdheut, patriotizmit të rremë, ka rezultuar fatal për shqiptarët, me përgjakjen e kundërshtarëve politikë, me varrosjen e debatit, të fjalës së lirë, ku demokracia mbytej nga diktatura e egër. “Përçaj e sundo”, ishte baza e sundimit të pakicës, kryesisht, të kastës sunduese, mbi shumicën e popullit. Dhe, populli përdorej si turmë përlavdëruese e brohoritëse, për persekutorët e tij. Ironike e komike, për një popull të lindur dhe të rritur në robëri. Dhe, tragjike kur robëria mendore e shpirtërore vazhdon edhe në shekullin digjital!!

Shantazhimi nuk është vullnet i anëtarësisë të LDK-së

Dakordimi për bashkëqeverisje i Vetëvendosjes me LDK-në, është mirëpritur, madje, jo vetm nga anëtarësia e këtyre dy subjekteve politike, por edhe nga populli i lodhur nga banda PAN , e cila ka pushtuar të gjitha institucionet e Kosovës, duke e asfikësuar jetën në vend. Stërzgjatja manipulative e PAN-istëve, në koordinim kriminal me Komisionin Zgjedhor dhe instancat tjera legjislative, për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, me synim të përmbushjes të pragut zgjedhor, të Nismës Socialdemokrate me aleatë, për qëllime errëtake, në perspektivë të PAN-it, irritoi popullin dhe vuri në luhajë edhe korrektësinë zgjedhore. Vetëm në dy fshatra të një komune të vogël, në veri të Dukagjinit, Limaj dhe Pacolli blenë tej 70 vota, duke vënë në dispozicion 10.000 euro, me kuotë çmimi të rritur nga 20, sa ishte më parë, në 40 euro për votë. Përmenda vetëm një rast, të konfirmuar në plotni.

Zvarritëse dhe të lodhshme për popullin, kanë qenë edhe bisedimet LDK,-VV, për marrëvreshjen e koalicionit, për bashkëqeverisje. Promolgimi, zgjatja në javë e muaj, e bëri kushtëzimi, shantazhimi i LDK-së, për pazarin e parakoshëm të presidentit. Me pazare të pista e e konspiracion unik, Hashimi u bë president, edhe pse dihej se ai është nën akuza faktike! “Daullja bie për ata që kanë veshë”, – thotë urtia. “Isa president”, kamuflohet me përgaditjen e rrëmbimit të rrëmujshëm, nga klani, i postit të kryetarit të LDK-së, duke i vënë para faktit të kryer, me aklamacionin kundra demokratik e marroq, skllevërit e shekullit digjital, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Kreu i LDK-së duhet të zgjidhet, me votim të drejtpërdrejtë, nga anëtarësia, – një anëtar, një votë -. Në të gjitha rastet tjera, LDK-ja rrezikohet, seriozisht, nga klanorët e halitur, të lazdruar, të akomoduar me humbjet serike.

Vazhdon absurdi për zgjedhjen e presidentit me pazare të pista. Rasti i pazarit, sa të pistë, aq edhe tragjik për Kosovën, ka qenë bërja e Hashimit president, pikërisht, nga klani brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së. Pësimi duhet të bëhet mësim. Në asnjë rrethanë nuk duhet përsëritur krimi konspirativ i bërë me Hashimin president. Duhet ndryshuar patjetër i gjithë ligji zgjedhor, që nga zgjedhjet me shumë zona dhe jo me një zonë zgjedhore, ku SHIK-u kriminal zgjedh 10 deputetë vetëm në zonën e Drenicës! Po ashtu SHIK-u ka bërë deputetë të gjithë eksponentët e krimit të organizuar vrastarë të tij, pikërisht, duke përfituar nga ligji zgjedhor aktual – Kosova me një zonë zgjedhore-!

Qysh në zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë, në vitet `90-a, Presidenti është zgjedhur me votim të fshehtë demokratik nga populli. Kështu duhet vepruar edhe në zgjedhjen e ardhshme të presidentit dhe assesi koluareve e skutave konspirative. Prandaj, kushtëzimi i zgjedhjes së presidentit qysh tani, edhe pse afati i kësaj zgjedhje është më 2021, nga kushdo qoftë, është jo logjik, madje, skandaoz. Ky kudhtëzim ngjallë dyshime tjera, që janë përfolur jo pak. “Ku ka zë, nuk është pa gjë”,- thotë urtësia.

Shumësia e popullit të Kosovës votoi për ndryshimin. Dhe, ndryshimi nismon nga kreu i shtetit, kryeministri, ministrat dhe kuadrot e niveleve tjera drejtuese. Opozita e derisotme konkuroi me kandidatë – me duar të pastra -. Përndryshim nga PAN-i që konkuroi me ekipin e dëshmuar në krime serike, duke shtuar edhe ca kriminelë të rinj. Andaj, edhe humbja e tyre ishte e pritshme.

Qëllimet e kushtëzimit hileqar të klanorëve të LDK-së, janë të errëta dhe nuk shprehin vullnetin e anëtarësisë. Shantazhuesit kanë emra dhe janë provuar edhe në kushtëzimet dhe shantazhimet brenda-partiake. – Futi në votën e fshehtë demokratike – dhe dorëzohen “si bryma para diellit”.