SHAJNÌ – tregim

0
453
Ramiz Gjini

Ramiz Gjini

Unë isha i padukshëm për të. Mbase qeshë një tingull zëri i shuar në vetmi. Në vetminë time të mbyllur brenda një hiçi të madh, ku në çdo stinë, strehëza e çatisë së shtëpisë ku banoja, pikonte mërzì.
Ajo kish zënë vend në kopësht pranë të vetmes pjeshkë në lulëzim.
Qëndronte në këmbë dhe pikturonte me penel diçka, që ende nuk kish marrë formë për tu thirrur me një emër. Madje, edhe vetë ajo, herë formësohej dhe herë shformësohej ngadalë e pa u ndjerë. Sepse qe mu si ai avulli i tejdukshëm, që pranverës del nga vlaga e ngrohtë e tokës dhe ngrihet e shtjellet lart drejt qiellit si në një vallëzim.
Teksa i qasesha pranë, ndjeva të më përkëdhelte lehtë një erë e ngrohtë, – fryma e saj.
Askush nuk gjendej aty ato çaste. Veç frymët tona. Frymët. Dhe pemët dhe lulet dhe dielli. Një diell që nuk ngrohte, por vetëm vështronte përmes hapsirave të degëve plot gjethe të pemëve.
Kur ajo bëri një hap prapa për të vështruar në distancë atë çfarë kishte hedhur me penel në beze, unë munda të pikasja konturet e portretit tim.
Qe një impresion i çastit, i hedhur shpejt me katër-pesë vija të lakuara. Po ajo e dinte, që nga çasti merr formë grimca, pastaj dalëngadalë, koha e rrit grimcën, mund ta bëjë, madje, sa një mal. Pastaj i mvesh kuptim me barin, lulet, pemët, insektet, zogjtë, kafshët dhe njerëzit.
Desha të flisja, por sado që u përpoqa, nuk munda të nxirrja nga goja as edhe një fjalë të vetme. Atëherë kuptova, që gjithshka varej nga ajo dhe peneli i saj.
Shtysa e një mendimi të beftë për tu dhënë formë dy buzëve, e afroi atë sërish pranë telajos. Por sa e nisi, i la buzët dhe filloi të merrej me sytë.
Kish kuptuar, që më parë duheshin sytë. Sytë për të parë.
Kur pati përfunduar me sytë, çuditërisht, unë munda ta shquaja më mirë. Atëherë, u bëra edhe një herë më i madh nga habia! Qe vajza e ëndërrave dhe dëshirave të mia, që fati e pati kyçur në shtatë dryna! E njoha nga gonxhja e paçelur e trëndafilit të kuq, që ajo mbante për buzë; si dhe nga aroma e klorofilit që kundërmonte shtati i saj i brishtë.
Shumë vite më parë, kur imazhi i saj ia pati behur te unë, që të mos më fshihej nga kujtesa, unë e pata pikturuar atë në qiell. Sepse vetëm në qiell mund ta shikoja prej ç’do vendi, që të ndodhesha e sa herë të doja. Dhe sa çudi! Ajo kishte zbritur nga qielli në kopësht për të pikturuar shëmbëllesën time! Ky fakt, më lumturoi shumë. Doja t’ia thoja, por sërish nuk munda, sepse isha i pagojë.
Ajo e kuptoi dhe nisi të merrej me buzët ku hoqi me penel vetëm dy vija të lakuara.
E sipërmja ngjante me një zgalem krahëhapur i vështruar tej në horizont. E poshtëmja, – vijë e lakuar bregdeti. Mes tyre, shushurima e valëve të qeta e të shtruara të ujit! Një shushurimë e këndëshme, e ëmbël gjer në lektisje, miliona vite e lashtë.
Pastaj, dita u përvodh tej, dhe, duke çapitur pa u ndjerë në majë të gishtave mu si një hajdute, ia behu nata.
Dita tjetër, qe e zymtë, sepse ajo nuk u shfaq në kopësht. Aq e zymtë qe ajo ditë, sa i bëri barin dhe lulet të ulnin kryet; kurse gjallesat të mos merrnin frymë. Pastaj pllakosi edhe një herë nata; një natë e errët, torturuese prej dëshirash përvëlake; dhe apet varg e varg, netë e ditë të tjera, që bëheshin çdo herë e më të gjata. Ditë që kalonin, siç kalon ngadalë një karvan deveshë të heshtura në shkretëtirën e paanë.
Por ndodhi, që mëngjesin e një të diele, ajo u shfaq sërish në kopësht e nisi të merrej me buzët e mia të paujdisura.
Atëherë, ndjeva se si vetmia e koracuar, që më kish mbështjellë gjithë atë kohë, kërciti fort; u ça dhe u hap si lëvorja e trashë dhe e ashpër e një trungu lisi nga rrufeja.
Ato çaste, unë mërmërita diçka që nuk u mor vesh, sepse e folura ime qe krejt memece.
Kur ajo kishte përfunduar me buzët duke i përsosur gjer në detajet më të imta, ajo shushurima e lashtë e valëve u kthye në një pëshpërimë të ngrohtë e të ëmbël. Pëshpërima ime:
– Për hir të zotit, më thuaj, si quhesh, – iu luta. Po në çast e kapa veten gafil, sepse mendja më tha, që përsosja nuk mund të kishte një emër.
Dielli më vështronte që nga e kaltra e syve të saj. Rrezet e tij të ngrohta, depërtuan thellë në shpirtin tim dhe nuk lanë skutë pa ndriçuar. Gonxhja e trendafilit që ajo mbante për buzë, çeli! Buzëqeshja e saj! Një aromë trallisëse mbushi ajrin atypari.
– Dashni më thërrasin, – tha ajo. – Por në fakt, nuk jam Dashnia.
– Cila je, atëherë?!
– Jam feksi i saj dhe hija.

New York, 2020