SHAJENI RUGOVËN SE U ÇLIROI…

0
2031
Ibrahim Rugova, portret

Arben Çokaj

Qëllimi i Rugovës ishte pavarësia e Kosovës dhe ai përdori çdo mjet për t’ia arritur kësaj. Prandaj ai ishte i gatshëm që ta firmoste edhe Marrëveshjen e Rambujesë, e cila i hapi rrugë sulmeve të NATO-s mbi Serbi, që bënë të mundur edhe çlirimin e pavarësinë e Kosovës.

Përderisa Kosova nuk mund të çlirohej pa ndërhyrjen e NATO-s, Rugova u fokusua më shumë te përkrahja ndërkombëtare dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë.

* * *

Ishte diku viti 1997-98, kur baci Adem me origjinë nga një fshat i Kumanovës, me tehspie në dorë, më thotë në Kopenhagë: “A thua do ia mbërrij asaj dite, që ta shoh Kosovën e lirë?“. Instinktivisht, pak për ta inkurajuar atë, e pak edhe për t’i dhënë guxim vetes, i thashë: “Nuk ka me qenë e largët dita, kur Kosova ka me u çlirua…” Tani është e lehtë me folë, se punët janë kryer…

Në diskutime të vazhdueshme në lidhje me Kosovën e pavarësinë e saj, me njerëz të ndryshëm e të niveleve të ndryshme, përgjatë viteve, shikon se shqiptarët, në bazë të dijes e interesave kanë edhe preferencat e tyre dhe bëjnë edhe vlerësimin e tyre për realitetin politik dhe zhvillimet në Kosovë, që nga përpjekjet e para të shqiptarëve për liri në Kosovë, e deri në ditët e sotme.

Që në fillim, duhet patur parasysh diçka, se pavarësia e liria e Kosovës është një produkt i të gjithë atyre shqiptarëve, që në një mënyrë a tjetër e dhanë kontributin e tyre për liri e pavarësi. Dhe jo si kontribut i një njeriu të vetëm. Por shoqërisë i prin dikush, një ose disa drejtues, lidera, dhe më i dalluari ndër ta, në këtë drejtim, ishte Presidenti i zgjedhur e tashmë historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Për ata që njohin rolin e liderit në një shoqëri, nuk mund ta injorojnë Rugovën, por e vlerësojnë atë dhe i japin atij meritat që i takojnë. Unë kam ndeshur në shumë prej atyre që e bëjnë këtë, njerëz të thjeshtë e intelektualë, por kam ndeshur edhe në intelektualë shqiptarë etj., që nga zilia personale, apo nga inati se Rugova nuk u dënua asnjë ditë, ndërsa ai për vete bëri 28 vjet burg, apo nga urrejtja se atë e burgosën serbët dhe ia bënë kokën me gunga, e fajin për këtë ia ka Rugova ‘paqësor’, që s’mundi ta shpëtonte, e përderisa Rugova nuk u arrestua për vete, por u tregua i zgjuar që t’i shpëtonte burgut serb, tani le ta injorojmë Rugovën e pacifizmin e tij, le ta përqeshim atë “coftinë” etj…

Rugova në studimet e tij u mor me refuzimin estetik. Më duket se ka botuar edhe një libër me një titull të tillë, kaq domethënës e simbolik. Njerëzit në përgjithësi nuk e kuptuan se Rugova ashtu i refuzoi edhe serbët, estetikisht. Por kjo ka ndikimin e vet publik, si në sjelljen stoike të Rugovës, po ashtu edhe në topitjen e serbëve para tij. Serbët nuk do të ishin kursyer jo, mos i keqkuptoni gjërat, ashtu si i vranë të atin, do e kishin vrarë edhe këtë, por Rugova e dinte këtë dhe u tregua i zgjuar, fitoi kapital politik dhe mbështetje popullore dhe i bëri gjërat mbi tavolinë, hapur, dhe i qëndroi që nga fillimi idesë së tij të thjeshtë, por kuptimplote: “Pavarësi për Kosovën, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë“. Ky togjalësh i qëndrueshëm si konstrukt përfshinte në vete edhe misionin e tij prej një lideri të lindur, i cili përfaqësonte pavetëdijen e gjithë shqiptarëve, që e donin lirinë e Kosovës. Dhe duke qenë se ishte formuluar bukur, thjeshtë e qartë, i mbyllte rrugë diplomatikisht edhe spekulimeve dhe kuptohej edhe nga një shtresë e gjerë e popullsisë…

Rugova në atë qetësinë e tij stoike, nuk ta mbushte mendjen se është edhe aq i zgjuar, por koha e vërtetoi se ai ishte një njeri i madh dhe i zgjuar, koha e vërtetoi këtë edhe para atyre që e urrenin më shumë, se u zuri vendin, disa individëve me kontribut atdhetar e intelektual, të cilët edhe për të nxjerrë veten në dritë, me idenë se ata e meritonin, nuk e pranonin dhe nuk e pranojnë as sot, rolin e madh e të pazëvendësueshëm, që Rugova luajti në ato kohë të vështira, për Kosovën e për popullin shqiptar.

Po përshkruaj këtu disa elemente kruciale, në mënyrën time, për të treguar se ku qëndronte “magjia”, forca dhe pushteti i Rugovës dhe roli i tij i pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Para shpërthimit të luftës në Kosovë, një delegacion amerikan e merr Rugovën me vete dhe shkojnë në zonat e pushtuara nga serbët, të Luginës së Preshevës e Bujanocit… Populli shqiptar i shkretë e i tharë për liri atje, sa e sheh Rugovën duke zbritë në tokë, kujton se u ul Perëndia në tokë. Ulen në gjunjë dhe fërkojnë sytë, e luten mos shohin ndonjë hije… Këtu amerikanët e kuptuan se, populli shqiptar e do dhe e sheh Rugovën si liderin e vet.

E kjo e rriste edhe më shumë urrejtjen e Ademit, Rexhepit, Albinit, Hashimit, Xhavitit e Ibrahimit etj. etj. (Ndonjë prej këtyre krerëve kosovarë, mund ta donte Rugovën të vdekur, jo për gjë tjetër, por se i kishte marrë namin… Këta ishin gati të bënin gjithçka për ta nxjerrë veten në dritë, e nuk shqetësoheshin shumë, se mund ta linin Kosovën nën Serbi e në errësirë…) për Rugovën e ndikimin e tij publik, në vend që të rriste respektin e tyre për të. Por popujt e shtypur nganjëherë rrinë të shtypur edhe sepse nuk dinë, e nuk pranojnë të zgjedhin lider… do secili kakareç të jetë lideri numër një… E në këtë përpjekje të çoroditur të krerëve të një popullsie të shtypur, ku secili përpiqet të dalë i pari, ata shtyjnë njëri-tjetrin në gropë dhe nuk dalin kurrë nga shtypja, se i ndihmon edhe pushtuesi, për të mos dalë…

Një rast tjetër, ku një gazetar ndërkombëtar e përshkruan me respekt një histori për Rugovën, është edhe përshkrimi që bën gazetari danez i gazetës Politiken, Jens Holsoe. Ai tregon për lexuesit e gazetës, se të gjithë ishin mbledhur dhe po prisnin të dilte Rugova në një deklaratë për shtyp: “sa doli ai, të gjithë heshtën, jo nga frika, por nga respekti!

Dhe vijmë në fund, në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë, ku gazetari britanik Tim Judah e përshkruan atë që ndodhi në ‘fermën e deleve’ në Rambuje… Hashim Thaçi nuk pranonte ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë, pasi nuk e kishte nënshkruar as Millosheviç. Sali Berisha e Adem Demaçi etj. ishin kategorisht kundër nënshkrimit. Kjo për shkak se donin më shumë, a për shkak se donin të bënin si Millosheviçi, kjo nuk dihet. Por doli Rugova e tha: “E nënshkruaj unë marrëveshjen, si President i zgjedhur i popullit të Kosovës.” Kjo deklaratë e tij u mbështet edhe nga Veton Surroi.

Rugova e kuptonte se ku i dhemb popullit të vet, ndërsa liderët e tjerë shqiptarë donin më shumë të përmbushnin egon e tyre, se sa të zgjidhnin hallet e popullit. Kjo u pa më vonë edhe në veprimet e tyre të pasurimit mbi kurrizin e popullit të varfër. Prandaj Rugovën e donte shumica e popullit të Kosovës, kishte besim te ai, edhe pse politika e tij paqësore ia kishte sjellë ngushtë Kosovës, ku një pjesë e popullit filloi me të drejtë, të rebelohej e të kapte armët “o liri, o vdekje!” Por, mund ta kishin pësuar edhe më keq, si në Bosnje, nëse nuk tregohej kujdes…

Nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë ishte hapja rrugë e forcave aleate, për të ndërhyrë në Kosovë dhe nuk shkoi larg, kur avionët luftarakë të NATO-s fluturuan mbi Serbi dhe i futën ethet popullit luftarak e grabitqar serb. Ky detaj nuk duhet harruar, pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk mund të çlirohej. Dhe po të mos ishte elementi Rugovë aty, mund të ndodhte që, ajo marrëveshje nuk do të nënshkruhej dhe shqiptarët do të humbnin edhe një herë shansin e tyre për liri, si më 1878.

Më 1878, në Kongresin e Berlinit u vendos coptimi i trojeve shqiptare, që ishin ndarë në 4 vilajete me shumicë shqiptare, nga pushtuesi osman. Shqiptarët e ndarë nga turku, e të ndarë nga Europa, e tani edhe të ndarë mes vetes, në 4 besime fetare të ndryshme, të imponuara nga pushtuesi osman, në kohën kur mohohej gjuha shqipe dhe etnia arbërore prej pushtuesit osman. E çfarë bëjnë shqiptarët më 1878, gafën më të madhe, që na kushtoi sa qimet e kokës?! Mblidhen në Prizren, e shumica e forcave shqiptare në atë kohë, muhamedane, vendosi të kërkonte autonomi nën Turqi, në kohën kur fuqitë Europiane kërkonin, që ushtria osmane të dilte jashtë Ballkanit.

Por jo, jo pa i ndarë edhe një herë shqiptarët, përfundimisht. Kështu ishim gati të humbasim edhe në Rambuje, nga lidershipi i paditur, ngatërrestar, me komplekse të narcizmit, për të nxjerrë veten në dritë dhe i kryesuar edhe nga një gomar. Mirë që ishte Rugova, që ishte në gjendje t’i kuptonte këto procese e zhvillime politike dhe që e dinte se kur nuk je i fortë sa duhet, nuk mundesh t’ia vësh serbit kufirin te thana, dmth. te molla e kuqe, por duhet të pranosh edhe kompromise të dhimshme, e humbje relative…

Prandaj, pa u zgjatur më në këtër përmbledhje të shkurtër të atyre ngjarjeve të vrullshme, mund t’u them atyre që nuk shohin përpara, që ta zhvillojnë Kosovën e lirë e të pavarur, me punë e me prodhim, dhe me forcim të shtetit dhe ekonomisë së Kosovës, por shohin ende të shajnë Rugovëm, i cili ishte një misionar politik, një misionar i pavarësisë së Kosovës: shajeni sa të mundeni, se u çliroi… Njerëzit e mësuar me pushtim kanë një kulturë neurotike, shajnë gjithmonë e gjithëkënd nga pakënaqësia. Kështu sot nuk kanë kë të shajnë tjetër, se serbi ka ikur, po shajnë Rugovën…

Në një përgjigje që po i ktheja një anti-rugovisti të indoktrinuar në Facebook, nuk mund ta përmbaja banalitetin dhe i thashë: “Ju dhjeni gjithçka, dhjeni secilin që është përpjekur për lirinë e Kosovës, dhjeni Rugovën, mua etj. Por kam frikë se do të mbeteni pa miq. Rugovën e respektonte Bill Clinton, Tony Blair, Havier Solana, etj. Po këta llopovët e sotëm, që e drejtojnë Kosovën, a i respekton kush në Perëndim?! Kam frikë se do të dhjeni edhe lirinë e pavarësinë e Kosovës, të fituar me aq mund. Serbia po paguan për islamizimin e Kosovës, ndoshta paguan edhe për të futur destabilizim në Kosovë… E unë nuk e di se cili është misioni juaj i dhierjes… Ndoshta edhe këtë po kërkoni, destabilizimin e Kosovës!

Prandaj Rugova ishte një përjashtim. Një lider që ndoshta nuk u kuptua plotësisht në përpjekjen e tij dhe nga të gjithë, por populli shqiptar e donte dhe e respektonte atë. Ishte një lider, që nuk i vjen shpesh një shoqërie, në atë përpjekjke të vështirë! Prandaj, respektojeni Rugovën dhe ruajeni me punë të mira pavarësinë e Kosovës, që e fituat edhe me kontributin e tij. Lëreni Rugovën të prehet në paqe!

Publikuar edhe në:
BotaSot.Info dhe
RevistaDrini.Info