Përfundimisht Mali i Zi nuk do të mbesë me tutje vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk e ka ndërruar pushtetin, sepse pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shumica e re parlamentare pas tre muajve me 4 dhjetor 2020, me 41 vota për, votoi qeverinë e re e cila paraqet një ditë të madhe për demokracinë në këtë vend. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse u bë ndryshimi i pushtetit në mënyrë demokratike pas tridhjetë viteve në pluralizëm, që do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë e re duke marrë parasysh krizën e përgjithshme shoqërore, ekonomike e shëndetësore me përmasa të mëdha andaj meriton përkushtim jo vetëm profesional për të tejkaluar këtë epidemi me pasoja të mëdha shoqërore.
Nail Draga
Përveç premtimeve parazgjedhore për demaskimin dhe demontimin e strukturave të ndryshme shtetërore dhe miratimin e ca ligjëve siç janë ai i prejardhjës së pasurisë, lustracionit etj., Qeveria e re e Malit të Zi do të jetë pa përfaqësuesit e partive politike të shumicës parlamentare duke qenë rast i panjohur deri më tash në pluralizëm por edhe pa përfaqësuesit autentik të popujve pakicë, të cilët në njëzet vitet e fundit ishin pjesë e kabinetit qeveritar, duke prezantuar kërkesat dhe shqetësimet e popullsisë përkatëse në veçanti si dhe diversitetin nacional, gjuhësor e fetar, si vlerë e demokracisë pluraliste në këtë mjedis multinacional.
Ndonëse kemi të bëjmë me një shumicë parlamentare heterogjene me koncepte dhe programe të ndryshme, madje dhe me animozitete personale Qeverisë së re të Malit të Zi, duhet dhënë shansë për të vepruar sipas programit të saj. Ndonëse një qeveri e tillë për nga forma duket se është e eksperteve, teknike, apo e pakicës, ajo ka përgjegjësi para qytetarëve përkatësisht të elektoratit votues për të inicuar dhe realizuar në praktikë çështjet të cilat janë prezantuar në fushatën parazgjedhore.
Qeveria me 12 ministri
Përveç kryeministrit(Z.Krivokapiq) dhe ndihmës kryeministrit(D.Abazoviqi), qeveria e re do të ketë 12 ministri, që është rast i panjohur deri më tash në pluralizëm në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se qeveria e mëparshme kishte në përbërje 18 ministri, reduktimi i tyre paraqet qendrim të guximshëm të kryeministrit Z.Krivokapiq, duke dëshmuar se do të kemi racionalitet në shpenzimet financiare, në këtë kohë të krizës ekonomike.
Në përbërjen e kabinetit qeveritar, bie në sy emërtimi i ministrave që nuk janë nga partitë politike, që është risi jo vetëm në Mal të Zi por edhe në regjion. Nga ana tjetër duhet cekur se në kuadër të qeverisë nuk është emëruar asnjë ministër nga ana e popujve pakicë, qe është veprim iritues, duke ditur se nga viti 1998, ata ishin pjesë e qeverisë në mënyrë të vazhdueshme.
Shqiptari në pozitën e nënkryetarit të qeverisë
Në strukturën organizative risi paraqet pozita e një nënkryetari të qeverisë, që kësaj here ishte rezervuar për kryetarin e partisë URA(D.Abazoviqi) si pjesëtare e koalicionit të shumicës parlamentare. Me këtë zgjedhje për përfaqësuesin nga popullsia shqiptare cekim së është pozita më e lartë e një individi deri më tash në pushtet në Mal të Zi.
Përkujtojmë me këtë rast të dhënën se për tridhjetë vjet të pushtetit pluralist, DPS(PDS) në asnjë ministri nuk ka emëruar ndonjë shqiptar, edhe pse ka qenë e votuar në mënyrë të konsideruar nga elektorati votues shqiptar, nga del se kësaj partie shqiptarët iu janë dashur për vota e jo ti zgjedhin në vende udhëheqëse në qeveri.
Shqiptarët pa pjesëmarrje në qeveri
Fillimisht në lidhje me këtë çështje duhet thënë se te dy listat zgjedhore të shqiptarëve nuk kanë pasur konsenzus për pjesëmarje në qeveri. Dhe nuk kishte mundësi të ishte ndryshe, sepse një koncept i tillë ka munguar edhe para zgjedhjeve sepse në sajë të animozitetëve dhe egoizmit nuk u arrit të formohet një listë e përbashkët, por në zgjedhje u paraqitën me dy lista, duke fituar së cila nga një mandat të deputetit. Ndërsa pas zgjedhjeve lista zgjedhore „Së bashku me nji za“ u deklaru fillimisht se nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie, duke theksuar dallimet programore dhe qendrimin ndaj pakicave kombëtare.
Ndërsa nga ana tjetër „Lista shqiptare“, ka zhvilluar biseda me kandidatin për kryeministër, madje duke i paraqitur listën e kërkesave. Por, edhe pse fillimisht u duk se kërkesat e tilla do të pranohen dhe do të ofrohen edhe poste qeveritare, me pas ata theksuan se kërkesat e tilla nuk mund të pranohen çka ndikoj qe edhe kjo listë zgjedhore të refuzoj të jetë pjesë e qeverisë.
Nga situata e krijuar del qartë se mandatari për kryeministër nuk ka pasur ndonjë ofertë serioze për pjesëtarët e pakicave kombëtare, për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar, sepse siç duket ata nuk kanë qenë në interesin e tij programor, andaj kjo qeveri do të jetë pa përfaqësuesit autentik të pakicave kombëtare. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se nuk është në favor të realizimit të barazisë qytetare e nacionale, në mjedis multinacional sikurse është Mali i Zi.
Pakicat duhet të jenë pjesë e qeverisë
Duke marrë parasysh standardët ndërkombëtare dhe demokracinë pluraliste subjektet politike si përfaqësues autentik të popujve pakicë(boshnjakët, shqiptarët e kroatët), duhet të jenë pjesë e qeverisë, sepse ata janë pjesë e mozaikut politik dhe vlerë e demokracisë pluraliste. Por, në këtë aspekt duhet thënë se këtu ekziton defekti ligjor, përkatësisht kushtetutar, i pranishëm në pluralizëm, andaj kjo çështje duhet të definohet me kushtetutën e Malit të Zi.
Vetëm përmes kushtetutës kjo çështje do të zgjidhej në mënyrë të përhershme, e jo sipas disponimit dhe interesave të partive politike, përkatësisht të atyre që formojnë shumicën parlamentare. Andaj, në këtë mandat parlamentar duhet bërë përpjekje që kjo çështje të marrë drejtimin e duhur për ta zgjidhur, ku përveç ndryshimeve në ligjin zgjedhor, edhe kjo çështje duhet të jetë e obliguar sepse është në favor të demokracisë dhe barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis.
Duke marrë parasysh së në qeveri do të mungojnë përfaqësueist autentik të popujve pakicë, prezantimi i çështjeve preokupuese në aspektin zhvillimor dhe të investimeve kapitale do të jenë në pritje të shqyrtimit të tyre, andaj çdo gjë do të mbesë në disponimin dhe angazhimin e qeverisë aktuale.
Listat e hapura në favor të demokracisë
Shumica parlamentare duhet të fillojë të realizoj në praktikë premtimet nga fushata parazgjedhore, duke dëshmuar seriozitetin e qeverisjës dhe të demokracisë parlamentare. Këtu kryesisht kemi të bëjmë me ligjin e prejardhjës së pasurisë, ligjin e lustracionit dhe ate te ligjit zgjedhor. Ndërsa në mënyrë të veçantë kemi të bëjmë me vendosjën e mekanizmit të listave të hapura, duke aplikuar demokracinë e munguar qytetare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim, e jo sipas shijës së kryetarit të partisë apo të klanëve të ndryshme.
Derisa Mali i Zi nuk do të ndryshoj sistemin zgjedhor duke miratuar listat e hapura zgjedhore, në mënyrë që qytetari të zgjedh deputetin, këshilltarin sikurse kryetarin e shtetit, nuk mund të flitet për shtetin serioz, përkatësisht demokracinë parlamentare e cila është rezultat i votës legjitime të qytetarëve.
Partitokracia në pluralizëm
Në Mal të Zi edhe në pluralizëm kemi formën e votimit të listës zgjedhore partiake, nga del së pushteti deri më tash nuk ka bërë përpjekje për të ndryshuar formën ekzistuese, sepse këtu dominon sistemi partitokratik, që në një formë i ngjason monizmit.
Forma e deritashme e votimit dëshmon se qytetari nuk është pronar i votes së tij por ate ia ka “dhuruar” partisë, e cila mund të vendosë në emër të tyre. Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me mungesën e vetëdijës së qytetarëve për të kuptuar se ato janë pushtet, e jo partitë. Sepse janë qytetarët që me votën e tyre zgjedhin e jo e kundërta, por disave siç duket nuk iu konvenon që qytetarët të kenë të drejta të tilla, por ata të mbesin gjithnjë makineri votuese të partive të ndryshme. Dhe nga gjendja e tillë ekzistuese del qartë se Malit të Zi edhe në kohën e pluralizmit institucioneve shtetërore dhe parlamentit iu mungon legjitimiteti.
Legjitim është vetëm presidenti i shtetit
Por, në këtë aspekt legjitim është vetëm një organ në sistemin juridik në Mal të Zi, e ky është presidenti i shtetit, sepse vetëm ate deri më tash e zgjedhin qytetarët. Dhe në mënyrë analoge duhet të ndodh edhe me zgjedhjen e deputetëve e këshilltarëve, e jo të zgjedhin listat partiake. Por, të gjithë jemi dëshmitarë së në Mal të Zi, subjektët politike si pozita dhe opozita, deri më tash nuk kanë shprehur gadishmëri për ta ndryshuar ligjin zgjedhor, sepse siç duket partive nuk iu konvenon për të humbur pozitat e tyre.
Mungesë e dëshirës për ndryshime
Në sajë të informacionëve që disponojmë nga viti 1998, kur ligji zgjedhor është miratuar me dy të tretën e shumicës parlamentare, deri më tash janë bërë 15 ndryshime të këtij ligji, por për çështjën themelore nuk kanë shprehur dëshirë jo për ta zgjidhur, por as trajtuar në seancë parlamentare. Sepse është e drejtë elementare e qytetarëve për të zgjedh kandidatin në listen zgjedhore, me emër dhe mbiemër, ashtu sikurse zgjidhet kryetari i shtetit.
Një formë e tillë e votimit do të krijonte barazi qytetare, duke iu mundësuar qytetarëve që të votojnë për kandidatin për deputet apo këshilltar sipas preferencës së tyre, e jo për ate të vendosë partia, përkatësisht kryetari i saj apo një grup individësh reth tij, duke mos respektuar vlerat profesionale, individuale e meritokracinë si kategori shoqërore.
Ligji i tillë mund të aplikohet në zgjedhjet lokale
Andaj, një ndër prioritetët e qeverisë së re, duhet të jetë edhe ndryshimi i ligjit zgjedhor, sepse duhet të realizohet në praktikë premtimi parazgjedhor. Në këtë aspekt besoj se nuk do të mungojë vullneti politik nga shumica parlamentare, madje mendoj se do të mbeshtetet edhe nga opozita, sepse një ligj i tillë është në favor të demokracisë parlamentare. Vetëm me miratimin e një ligji të tillë, qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre që do të jenë legjitim sikurse dhe vet parlamenti.
Në këtë aspekt ekzistojnë modele të ndryshme, që mund të zbatohën edhe në Mal të Zi, siç është p.sh. ai në Kosovë, por edhe të ndonjë vendi tjetër në regjion, duke mos anashkaluar pjesëtarët e popujve pakicë, të cilët janë pjesë e mozaikut politik në këtë mjedis.
Pasi, në vitin e ardhshëm në disa komuna në Mal të Zi do të mbahën zgjedhjet lokale, nëse ka vullnet politik, fillimisht një ligj i tillë nëse do të miratohej nga parlamenti vitin vijues, ai do të aplikohej në këto zgjedhje, duke zbatuar në praktikë për të parën herë vullnetin e qytetarëve e jo të partive politike në procesin zgjedhor.
(5 Dhjetor 2020)