Serwer: Kishte plan për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, ja çfarë do të ndodhë tani

0
481
Daniel Server

Daniel Serwer

INTERVISTA MË: 12 PRILL 2020, NË BOTASOT.INFO

Analisti amerikan, Daniel Serwer, thotë se administrata aktuale amerikane është ndryshe nga administratat e kaluara dhe do të ishte veprim i zgjuar për Kosovën, që të zgjerojë mbështetjen e saj në botë, duke sprovuar edhe fuqitë tjera të mëdha.

Serwer, i cili beson se qeveria amerikane mbështeti rrëzimin e qeverisë së Kosovës, shprehet i bindur kishte një plan për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi, që tashmë është ide e vdekur.

Ai, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se mundësitë që administrata amerikane të çonte përpara negociatat për një marrëveshje gjatë këtij viti, janë ngushtuar nga situata me COVID-19.

Dy javë më parë qeveria e kryeministrit Albin Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi në parlament. Ka shumë vëzhgues edhe në Shtetet e Bashkuara që thonë se rrëzimi i saj u bë edhe me ndihmën amerikane. Çfarë mendoni ju?

Serwer: Mendoj që Shtetet e Bashkuara ishin të pakënaqura me zotin Kurti dhe e mbështetën rrëzimin e tij. Po.

Kurti tha se rrëzimi i qeverisë së tij ishte heqje e pengesës për planin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh. Nga ana tjetër diplomatët amerikanë, Richard Grenell, Mathew Palmer dhe Philip Kosnett, në një deklaratë të përbashkët thanë se nuk ka një plan të fshehtë. Ka apo nuk ka plan të tillë, zoti Serwer?

Serwer: Ata thonë se nuk ka një plan të fshehtë, por zoti Palmer nuk e ka nënshkruar atë pjesë të deklaratës, ishte deklaratë e zotit Grenell, se ai nuk e ka parë një plan të tillë. Nuk ka dyshim që kjo është diskutuar ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, nuk ka dyshim që amerikanët dhe evropianët e dinë për këtë. Amerikanët kanë lënë të kuptohet se do të ishin të hapur për një marrëveshje për shkëmbim territoresh, ndërsa shumica e evropianëve, posaçërisht Gjermania që mori rolin kryesor, janë shprehur kundër.

A mendoni se Shtëpia e Bardhë është pjesë e planit?

Serwer: Ata thanë atë çfarë thanë se janë të hapur për çdo gjë për të cilën Vuçiqi dhe Thaçi pajtohen dhe sigurisht mendoj që ka njerëz në qeverinë amerikane, që i kanë diskutuar planet me Vuçiqin e Thaçin, nuk ka mëdyshje në mendjen time për këtë. Dhe shenjat që po dërgojnë janë pozitive për atë që unë mendoj se do të jetë shumë negative.

A e keni parë një plan të tillë zoti Serwer?

Serwer: Kam parë shumë plane sikundër edhe ju në rrafshin publik. Nuk e di në tërësi prej nga vijnë, nuk e di se çfarë statusi kanë në botën zyrtare, por çështja është se të dy, edhe Thaçi edhe Vuçiqi e kanë pranuar se po mendojnë për shkëmbim territoresh.

Pra, kjo do të thotë sipas jush se plani është hartuar nga zoti Thaçi dhe zoti Vuçiq dhe është pranuar nga të tjerët?

Serwer: Nuk ka arritur ndonjë shkallë serioze të pranimit. Nuk jam madje i sigurt që Vuçiqi dhe Thaçi kanë rëndë dakord për ndonjë gjë. E dini që Thaçi dëshiron të gjitha komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë dhe Vuçiqi nuk mund t’i jap ato. Vuçiçi dëshiron jo vetëm Leposaviqin, Zubin Potokun e Zveçanin, por po ashtu, dëshiron edhe Mitrovicën e Veriut dhe Thaçi nuk mund t’i jap këtë atij. Dhe nuk mendoj që shkëmbimi i territoreve mund të kalojë në referendum në asnjërin vend. Kjo nuk është marrëveshje që mund të arrihet në mënyrë demokratike. Nuk e di pse vazhdojnë ta diskutojnë këtë. Më duket si rrugë qorre.

Për shumëkënd edhe në Shtetet e Bashkuara, angazhimi i ambasadorit Richard Grenell dhe Shtëpisë së Bardhë është mbase mundësia e fundit për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tyre Kosova nuk duhet ta humbas këtë mundësi. A ka vërtetë një mundësi të tillë zoti Serwer?

Serwer: Nuk ma ha mendja. Edhe vet Grenelli e ka bërë të qartë se nuk mendon kështu. Ai nënvizon se është duke punuar në marrëveshje ekonomike në dobi të ndërsjellë, disa përmirësime anësore në vend të marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Nëse është kështu ai po e bën gjënë e duhur, ndonëse unë kam dyshimet e mia. Puna e parë e duhur është përmbushja e marrëveshjeve teknike që tashmë ekzistojnë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për mua kjo është domosdoshmëri dhe ka edhe shumë gjera të tjera që duhet të bëhen përfshirë hapjen e tregut serb për prodhimet e Kosovës, meqë ka shumë pengesa serioze për këtë. Unë besoj se në fund të gjitha tarifat ndaj mallrave serbe duhet të hiqen. Një pjesë janë hequr, por nuk kam parë asnjë veprim reciprok nga Beogradi.

I gjithë debati rreth tarifave në Kosovë nxiti përplasje rreth marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Për shumëkënd këto marrëdhënie janë dëmtuar tashmë. Ju si mendoni?

Serwer: Dua të them atë çfarë i kam thënë verën e shkuar kryeministrit. Kosova duhet të zgjerojë mbështetjen për vete në komunitetin ndërkombëtar. Ajo varet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit janë të pasigurta. Janë të tilla në NATO, në marrëveshjet me Japoninë e Korenë e Jugut, janë të pasigurta në marrëdhëniet me Rusinë e Kinën. Kjo administratë është krejt ndryshe nga administratat e kaluara amerikane. Zgjerimi i mbështetjes do të ishte veprim i zgjuar për Kosovën. Përtej këtyre debateve për shkëmbim territoresh e tarifash, Kosova ka nevojë për zgjerim të mbështetjes.

Por, me kënd zoti Serwer? Për shumëkënd Shtetet e Bashkuara janë mburoja reale ushtarake për Kosovën, e cila kërcënohet nga Serbia dhe Evropa nuk është një mburojë e tillë?

Serwer: Nuk mendoj se Kosova është e kërcënuar seriozisht nga Serbia më. Ka një pjesë në veriun e Kosovës që mund të jetë ushtarakisht e kërcënuar nga Serbia, por Serbia e di që nuk mund ta marrë Kosovën sepse do të krijonte situatë të pa menaxhueshme për Serbinë. Ju duhet të kuptoni që Gjermania ishte mburojë politike dhe ka ndërhyrë vazhdimisht për të mbrojtur Kosovën. E kujtoni kur ndërhyri kancelarja Merkel për të filluar vërtetë bisedimet Beograd – Prishtinë.

Mendoj se marrëdhëniet më të fuqishme me Gjermaninë janë të rëndësishme, qartazi marrëdhëniet e fuqishme me Zvicrën po ashtu janë të rëndësishme. Por mendoj se Kosova duhet të eksperimentojë dhe të sprovojë Rusinë, Kinën dhe fuqitë e tjera të mëdha. Është fakt se në këtë situatë gjeopolitike, në të cilën ndodhemi ato kanë vota, madje vota më të fuqishme sesa që i kishin në të kaluarën. Serbia ishte e zgjuar më lidhjet me Kinën, ishte e zgjuar me lidhjet me Rusinë. Kosova duhet të sigurojë një farë marrëdhëniesh më këto vende.

Por Rusia kundërshton shtetësinë e Kosovës dhe mbështet fuqishëm Serbinë. Si gjetka Kosova rrugë për të krijuar lidhje me Rusinë?

Serwer: Kjo është sfidë diplomatike. Unë nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje për ju, janë njerëzit e Kosovës që duhet të përgjigjen për këtë. Unë kam punuar ngushtë me ministrinë e Jashtme në Kosovë dhe e di se ka shumë njerëz të zotë, që mund të jenë të besueshëm për të provuar ujërat me Kinën e Rusinë dhe me të tjerët. Mendoj se Turqia është një mbështetëse e rëndësishme për Kosovën po ashtu. Por, mendoj se kjo varësi e madhe nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë bërë të pasigurta në marrëdhëniet me tërë botën, jo vetëm me Kosovën, por më të gjithë, është e pamatur.

Kohët e fundit ka një hendek në qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rreth zhvillimeve në Kosovë. Çfarë mund të jenë pasojat për Kosovën nëse këto ndarje thellohen?

Daniel Serwer: Mendoj se ka dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian posaçërisht rreth shkëmbimit të territoreve por jo vetëm rreth kësaj. Zgjedhja e Grenellit, i cili ka marrëdhënie skajshëm të këqia me Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, do të thotë se ai nuk mund të luajë rolin tradicional të të dërguarve amerikanë, që të paraqiten në duet me evropianët, duke mos lënë hapësirë ndërmjet vetes dhe evropianëve gjë që ka funksionuar gjithnjë në Ballkan. Kjo është mënyra si e bëjmë punën më së miri në Ballkan. Me evropianët, jo kundër tyre. Kjo nuk është e mundur me Grenellin.

Këshilla ime është, merrni nga ajo çfarë ofron Grenelli. Ai dëshiron të çojë përpara këto përmirësime të marrëdhënieve ekonomike, fluturimet ndërmjet kryeqyteteve, linjë hekurudhore ndërmjet tyre. Nuk kam vërejtje, ndaj këtyre gjërave fare. Në fakt sa më shumë që përqendroheni në çështjet ekonomike konkrete të interesit të ndërsjellë do të jetë në të mirë të të gjithëve. Por kjo nuk është zgjidhja gjithëpërfshirëse. Megjithatë, nuk është pa rëndësi përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike. Mendoj se sprovimi i ujërave nga zoti Kurti me heqjen e disa tarifave është një veprim i mirë, por Serbia duhet të përgjigjet. Duhet të ketë një formë mbase jo ‘quid pro quo’ (lat: favor për favor), por njëfarë reagimi të ndërsjellë, që do të inkurajonte Kurtin të shkojë më tej.

Është e paqartë për mua se sa mund të bëjë kryeministri në detyrë, por besoj se është me rëndësi, që Serbia të hedhë disa hapa dhe të përgjigjet ndaj asaj çfarë Kurti bëri. Por nuk po shoh trysni amerikane mbi serbët, që ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është pjesë e pasigurisë së Shteteve të Bashkuara. Mund t’ju siguroj se në të kaluarën Shtetet e Bashkuara do të “përdridhnin ndonjë dorë” në Beograd. Nuk po duket se po e bëjnë këtë fare.

A ekziston ndonjë mundësi që zoti Grenell dhe administrata e presidentit Trump të çojnë përpara një marrëveshje para zgjedhjeve presidenciale amerikane?

Serwer: Mendoj se kishte mundësi të tillë, por pandemia e COVID-19 i ka zvogëluar shanset për një gjë të tillë. Nuk kemi hapësirë për t’u përballur me të gjitha gjërat përpara. Koha po ikën. Presidenti do të jetë së shpejti i ngarkuar me çështje të brendshme. Sinqerisht gjithnjë kam menduar se është e tepërt të mendosh se marrëveshja Prishtinë – Beograd do tërhiqte shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara, madje edhe një ceremoni në Kopshtin e trëndafilave do të ishte një rrëfim për një apo dy ditë, por jo më shumë. Mendoj se shanset për këtë po zvogëlohen tani shpejt, sepse epidemia po bëhet më e rëndë në Shtetet e Bashkuara.

Cila është e ardhmja e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe cila është adresa e duhur? Uashingtoni, apo Brukseli?

Serwer: Tani për tani e ardhmja është në këto përmirësimet e marrëdhënieve ekonomike. Madje zbatimi i marrëveshjeve teknike, posaçërisht të asaj për energjinë do të ishte hap në drejtimin e duhur. Mendoj se Brukseli dhe Washingotni mund të pajtohen për këtë. Madje, ndonëse Grenelli nuk është ai që do të zgjidhja për të bashkëpunuar me evropianët, mendoj se evropianët mund të punojnë paralelisht me të në marrëveshjet ekonomike. Por, ajo çfarë nuk mund të bëjnë është që të pajtohen me amerikanët rreth shkëmbimit të territoreve. Nuk mund të ketë konsensus në Bashkimin Evropian në favor të kësaj. Në fakt Gjermania i është kundërvënë fuqishëm dhe e ka bërë të qartë këtë. Ka vende tjera që i janë kundërvënë po ashtu. Mendoj se ajo ide ka vdekur, por është një mumie që pret të ringjallet nga disa të marrë. Por, ujditë ekonomike duhet të përmirësohen. Oda Ekonomike e Serbisë për shembull, është e vetëdijshme për vështirësitë e Kosovës, që të eksportojë në Serbi dhe nuk kundërshton zgjidhjen e këtyre problemeve me sa kam kuptuar unë.

Mendoj se ka hapësirë në rrafshin ekonomik në të ardhmen e afërt. Zgjedhjet amerikane janë në nëntor. Nuk e di se cili do të jetë rezultati i tyre, por jam i bindur se qasja e administratës (Joe) Biden do të ishte tërësisht ndryshe nga qasja e administratës së Trumpit ndaj çështjeve të Ballkanit. Zoti Biden është mbrojtës energjik i sovranitetit, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës dhe mbrojtës energjik i rrugës evropiane për Ballkanin dhe do të punonte ngushtë me evropianët. Por, duhet ta dini se Kosova nuk është një çështje për të cilin njerëzit në Uashington flasin shumë. Po, më shihni mua të shkruaj për të, apo disa kolegë të mi që shkruajnë për këtë. Por, duhet të kuptoni se po ndryshojnë përparësitë në Uashington dhe duhet të merreni vetë me shumë gjëra.

Mendoj se ideja e Kurtit për reciprocitet me Serbinë ishte gjëja e duhur. Duhet të dihet se Albini nuk ishte favoriti im, posaçërisht nuk e kam pëlqyer idenë e tij të referendumit për bashkimin me Shqipërinë. Mendoj se kjo nuk vjen ne shprehje. Por në reciprocitetin me Serbinë ishte ide e duhur dhe shpresoj që kushdo që e zëvendëson si kryeministër t’i qëndrojë kësaj ideje. /VoA/