Serbofobia dhe islamofobia

0
996

Gani MEHMETAJ

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës këto ditë lëshoi një mallkim (fatva) kundër qytetërimit planetar, duke e akuzuar pse vuan nga islamofobia. Ai në veçanti iu drejtua shqiptarëve pa e lodhur kokën të mendojë: kanë arsye të jenë islamofobë shqiptarët apo vuajnë kot nga frika e islamit? Kreu i BIK-ut po ato ditë, kur e lëshoi mallkimin, nuk e pa të arsyeshme të gjykojë, as të dënojë krimet e shëmtuara islamike: vrasjen e dhjetëra të rinjve në Mançester, vrasjen e 30 koptëve në Egjipt, krimet e përdhunimet e organizatave terroriste islamike në Irak, Siri, Afganistan e Pakistan, por i mallkoi ata që i ka mbërthyer tmerri nga islami. Është fajtor viktima që e vuan sëmundjen, apo shkaktari i sëmundjes?

Tridhjetë vjet më parë pushteti i Serbisë, mediet e intelektualët luftënxitës nga Beogradi na akuzonin e mallkonin pse vuajmë nga serbofobia, ndërsa policia, ushtria e shërbimi i tyre i fshehtë vrisnin pa mëshirë shqiptarë të të gjitha moshave. Ishim ne fajtorë që vuanim nga frika e dhunës serbe, apo ishin fajtorë ata që e shkaktonin këtë dhunë?

Serbofobia u tregua frikë e arsyeshme e reagim i natyrshëm ndaj tërbimit serb në Gadishullin Ilirik. Shqiptarët, kroatët, boshnjakët e sllovenët më të drejtë vuanin nga serbofobia, sepse tmerret serbe i kishin përjetuara edhe më parë. Bashkësisë ndërkombëtare iu desh kohë ta kapte këtë frikë dhe të na ndihmonte. Bisha serbe u vu në kafaz, nuk paraqet rrezik, por duhet të mbikëqyret.

Frika nga islami, -islamofobia, një tmerr tjetër që e ka mbërthyer jo vetëm Gadishullin Ilirik, por ankthi nga tmerret islamike po e le pa gjumë planetin. A duhet ta akuzojmë gadishullin tonë, kontinentin e botën pse vuajnë nga islamofobia, apo duhet të kërkojmë mekanizma që t’i kundërvihemi shkaktarit të kësaj murtaje në përmasa planetare?

Islami edhe në kohën më të re bëri tmerre të papara në shtetet arabe, vrau mijëra myslimanë e jo myslimanë në Siri, Irak, Avganistan, Pakistan, Jemen etj. Islamikët përdhunuan mijëra gra, duke i trajtuar skllave të seksit. Por islamofobia u bë makth e lëngatë për botën pas shkatërrimit të dy kullave binjake në Nju Jork, kur vdiqën mijëra amerikanë pa hak as hile. Vdiqën edhe shumë shqiptarë. Islami po bëhet tmerr i shqiptarëve pas vitit 1999, kur u çliruam nga Serbia dhe e hoqëm qafe lëngatën e serbofobisë.

Krimet islamike janë bërë makth i qytetërimit, fobia më e madhe në planet. Është fajtor njerëzimi i sotëm që vuan nga islamofobia? Duhet t’i mbyllesh sytë para shpërthimit të bombave në stacione treni, në shëtitore e diskoteka, në grumbullime njerëzish, ku ka më së shumti fëmijë, gra e pleq. Janë fajtorë ata që vuajnë nga islamofobia, apo ata që po e ushqejnë islamofobinë?

Dikur edhe serbët na akuzonin pse vuajmë nga serbofobia, ndërsa na keqtrajtonin e vrisnin në çdo hap. Dhjetëra politikanë e publicistë shqipfolës villnin vrer kundër shqiptarëve që vuajmë nga serbofobia, ndërsa nuk merreshin me krimet serbe kundër nesh. Dhjetëra shqipfolës edhe sot na akuzojnë pse vuajmë nga islamobobia, ndërsa nuk duan ta lodhin kokën: kemi arsye apo jo të lëngojmë. Nuk i dëgjova këta denoncues të dënonin krimet islamike. Përkundrazi, si papagaj e pllaka të prishura gramafoni e përsërisin me cinizëm: feja islame është fe e paqes!

Akuzën serbe për serbofobi e modifikoi kreu i BIK-ut në- islamofobi, ndërsa do të duhej të përcillte porosi paqe e pajtimi. Por nga kreu i BIK-ut vështirë pret mesazhe paqe e pajtimi, sepse besimtarët e tij shkuan në Siri, Irak, e Avganistan, ku bënë krime të shëmtuara. Po ata besimtarë që mësimet për vrasje e luftë fetare i morën nga hoxhallarët , kërcënojnë qytetërimin. Nga foltoret e xhamive u mobilizuan ata që sot luftojnë a u vranë në Siri; në xhami u bë rekrutimi i tyre; nga xhamitë e BIK-ut dolën mallkimet e ndotësitë kundër historisë sonë kombëtare, personaliteteve e emrave më të kumbueshëm jo vetëm kombëtar; nga xhamitë u nxitën mos durimet fetare; në xhami u predikua lufta vëllavrasëse shqiptare.

Prandaj islamofobia nuk është sëmundje e shpifur nga kotësia, as pse qytetërimi perëndimor, pra edhe i shqiptarëve që i takojnë këtij qytetërimi, kanë nevojë për urrejtje. Islamofobia është sëmundje reale, që e mbërtheu njerëzimin, e ka kapluar si makth edhe Dardaninë e Shqipërinë. Këtë gjë e kanë të qartë edhe në kreun e BIK-ut, por duan ta akuzojnë tjetrin, para se ata t’i akuzon dikush, ashtu sikurse bënin serbët: sulmo para se të te sulmojnë.

Frika nga islami e servilizmi ndaj modës beduine i ka bërë njerëzit në Dardani, në Shqipëri e Maqedoni të urojnë ramazanin me pamje të beduinit në shkretëtirë, duke bërë iftar, që s’ ka ndodh kurrë më parë; frika e servilizmi puthadorë i ka çrregulluar një shtresë të shqiptarëve sa të gënjejnë familjarisht kinse agjërojnë, duke postuar foto të darkës së ramazanit, ndërsa gotën e rakisë nuk e heqin kurrë nga goja; frika e pasiguria ka ndikuar që të mos thonë çka ndjejnë, t’i shmangën opinioneve personale etj.

Islamofobia ka nis t’ua prish trurin e karakterin një shtrese servilësh, frikacakësh e të paqëndrueshmish. Ata që deri dje të akuzonin për armik të vëllazërim-bashkimit e urrejtës i serbeve, pra edhe serbofob, sot të akuzojnë për urrejtës ndaj islamit, ndaj turqve e arabëve. Armiku ndryshe s’ka se si sajohet. Ata duan të sajojnë armiq që t’i godasin.