Serbia si kriminele, Bosnja si viktimë

0
730

Dionis Xhafa

Nëse rajonin e Ballkanit e konsiderojmë si një familje të madhe e se në atë ka disa anëtarë, atëherë me siguri që kriminelja më famoze e kësaj familjeje do të ishte Serbia. Nëse i rendisim shtetet e tjera, me siguri që pastërti në asnjërin shtet nuk do të gjenim, por se zor se gjen shtet e vend më kriminal se shteti serb.

Pikënisjen për një metaforë të tillë e kam marrë nga një lajm i ditëve të fundit. Rezulton se shteti serb është paditur nga ana e Bosnjës, për krimet që ka kryer në vitet pas zhdukjes nga harta të shtetit multietnik të Jugosllavisë. Kjo padi ka qenë e hershme në OKB dhe se në atë kohë Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte vendosur se në masakrën ndaj myslimanëve të Bosnjës kryesisht ka pasur gjenocid, por se Beogradi nuk del fajtor.

Saraveja ka nisur sërish dokumente dhe fakte në OKB, përmes një prej politikanëve më të mirë të Bosnjës Bakir Izetbegoviç që thotë se në tokën boshnjake janë kryer krime që mund të cilësohen si gjenocid e se këto krime janë kryer nga Serbia. Izetbegoviç kërkon që Serbia të shpallet e fajshme nga ana e OKB-së për akuzën e gjenocidit.

Kjo gjë ka nxitur reagimin e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, që deklaroi se veprimi që ka kryer Bosnja, duke apeluar vendimin pra, çon raportet mes Beogradit dhe Sarajevës 24 vjet mbrapa. Këtë gjë e thotë Vuçiç, i cili është gjithashtu një nga shkaktarët e plagëve të Ballkanit, e djegies së Bosnjës, më së paku përmes retorikës së tij ultra-nacionaliste e antiboshnjake e antimyslimane, në atë kohë. Vuçiç ngjan sikur flet kundër njohjes së një gjenocidi, ku vetë kreu i qeverisë serbe ka qenë dëshmitar.

Serbia shfaqet sërish njëlloj sikurse krimineli, që kur del nga burgu dhe se do ta fusësh sërish në birucë se nuk merr vesh, bën të fortin e gangsterin, në vend se të ulë kokën dhe të jetë modest. Nga ana tjetër, Bosnja për fat të keq vijon të mbetet republika, e ngërthyer në të katërta anët nga krimi serb. Me kriminelë në politikë, me liderë gangsterë serbë si Milorad Dodik që ngre flamuj të nacionalizmit mu në mes të republikës, me ndarje, copëtim, dhimbje e tragjedi.

Përtej gjykimit të OKB-së në kohët në vijim, nëse Serbia ka qenë apo jo fajtore për gjenocidin e kryer në Bosnjë, një gjë është e sigurt: Serbia mbetet shtet kriminal dhe sikundër gangsterët, nuk e njeh krimin e vet!