Nga Mero Baze – TemA, 8 gusht 2018
Debati që ka ngjallur nisma e presidentit Hashim Thaçi rrezikon të prodhojë një kakofoni mbarëshqiptare, duke u përzierë me tema të tjera, si e shkuara e keqe e Berishës me Kosovën, apo konsensusi i sotëm politik i diskutueshëm rreth Hashim Thaçit.
Atë që nuk thotë as presidenti Hashim Thaçi dhe as politikanët e tjerë shqiptarë, si ata që e gjykojnë, dhe ata që e mbështesin, është se nga çfarë pozitash po ulet në tryezë të bisedimeve Kosova, dhe nga çfarë pozitash po ulet Serbia.
Që të jemi të qartë, Kosova është fituse e luftës me Serbinë falë mbështetjes ndërkombëtare, dhe ajo ka ata kufij që ka pasur në ish- Federatën Jugosllave pasi ka qenë krahinë autonome. Mbi bazën e këtyre kufijve është bërë lufta dhe paqja 20- vjeçare.
Nevoja për një marrëveshje historike me serbët sa i përket njohjes së kufirit, është jetike për Kosovën dhe Serbinë. Por ky nuk është një proces “demarkacioni”, pra definim paqartësish topografike, si me Malin e Zi, apo si Shqipëria me Greqinë.
Për Kosovën është proces që konsolidon Pavarësinë nga vendi që është shkëputur me luftë, kurse për Serbinë është proces i ndarjes së saj territoriale.
Por, duhet të jemi të qartë dhe të vetëdijshëm se për Serbinë, Kosova është ende pjesë e saj. Ajo nuk njeh jo vetëm kufijtë e Kosovës, por asnjë gjë nga Pavarësia e saj.
Ajo e pranon atë vetëm si realitet të dhunshëm të ofruar nga Perëndimi, dhe po përpiqet të negociojë disa nga ato që ajo i quan lëshime, dhe që për ne janë tragjedi kombëtare.
Për Serbinë, Kosova është 100 për 100 e tyre dhe ata janë ulur në tryezë të bisedimeve të lëshojnë një pjesë të madhe të territorit, banuar nga shqiptarë, dhe të mbajnë ato banuar nga serbët.
Është një ide primitive dhe tërësisht reaksionare për momentin, por ky është realiteti i palës serbe. Të gjithë duhet ta dimë se kur presidenti Vuçiç ulet përballë presidentit Hashim Thaçi, e shikon atë si një grabitqar që i ka marrë Kosovën dhe që në shenjë pajtimi, do ulen të flasin si “burrat”, se nuk mund ta mbajë të gjithë, por një pjesë, ndoshta më të madhen.
E di që kjo ide është skandaloze për shqiptarët, pasi veshët e tyre nuk janë mësuar ta dëgjojnë kurrë këtë, por kjo është pikëpamja serbe për Kosovën. Dhe kur ata flasin se do bisedojmë të njohim kufijtë e Kosovës, flasin për një Kosovë të gjymtuar.
Çdo kundërpërgjigje e ngjashme si kjo e Thaçit, duke tentuar të vendosë në tryezë, balancime me kërkesa që lidhen me shkëmbim territori, nuk e përmirësojnë situatën, pasi pranojnë hallin serb.
Serbia nuk ka për ta njohur Kosovën në tërësinë e vet dhe ky është një dëm për Kosovën dhe Serbinë. Por vetëm kaq. Çdo opsion tjetër është dëm dhe për të tjerët në rajon. Ndaj Kosova duhet ta marrë më qetë këtë proces. Thjesht të vazhdojë rrugën e saj pa e njohur Serbia.
Serbët e kanë opsion të vetëm ndarjen dhe nuk duhen balancuar në këtë pikë. Nëse Serbia s’ka opsion tjetër, s’ka as zgjidhje.