SELANIK E TATËPJETË, QYSH KA QËNË DO TË JETË

0
1234

Postim në FB nga Artan Lame

Kujton Fan Noli pak a shumë kështu. U ulëm një herë me Faik benë (Konicën) dhe vendosëm të kthejmë në shqipet veprat e të mëdhenjve shkrimtarë të botës me qëllim që kështu të lartojmë gjuhën shqipe dhe t’u ndriçojmë kokat shqipëtarëvet kokëbosh. Bëmë një listë të veprave, e ndamë në mest, gjysmat unë e gjysmat Faiku dhe e lamë të shihemi pas ca kohe për të parë sa kishim ecur. Unë si unë që kur shtrohem punoj, ndërsa Faiku si Faiku, që sqima nuk e le të ulnjë kurrizin.

Kur u poqmë pas nja gjashtë muaj, unë kisha ecur me të miat goxha shumë, ndërsa Faiku, aha, as kish shkruar një faqe. Faik be, i them, po pse kështu do t’ua ndritim kokën shqipëtarëve, pa punuar? Faiku më sheh, sefte i zënë ngushtë, dhe pastaj ma kthen: “Imzot, unë i mora t’i nisnja përkthimet, por pastaj u mejtova e bëra hesap: Ndër dhjetë shqiptarë, vetëm njëri di shkrim e këndim. Ndër dhjetë nga ata që dijnë shkrim e këndim, vetëm njëri do t’i këndojë këto vepra. Ndër dhjetë që do t’i këndojnë, vetëm njëri do t’i kuptojë. E pra për një shqipo të vetmë do t’i hyj gjithë kësaj pune e kasaveti unë Imzot?!”. Ndoshta me të tijën kish të drejtë, por unë e vazhdova i vetëm pjesën time, e mbyll historinë Qytezalliu i Madh.

Ndonjë shekull pas Nolit e Faikut, si sot nja tri vjet të shkuara, një pasdite na thosh Ani Tarja, mua e Tan Shkrelit, se po merrej me një ekip televiziv italian dhe të përshkonte më këmbë gjithë gjurmën e rrugës Egnatia nga Durrësi deri në Ohër, me qëllimin që më pas të bënin një dokumentar për atë udhë, ndër më të rëndësishmet e botës antike. Sa për t’ua sjellë ndër mend, kësaj ane të Adriatikut, rruga Egnatia niste nga Durrësi, vijonte në Kavajë, Peqin, Elbasan, merrte luginën e Shkumbinit deri diku përmbi Përrenjas, për të dalë më pas në Ohër, apo Ohrí, siç i thonin në kohë të turkut. Prej Ohrisë udha heq tutje për në Manastir e Selanik, për të përfunduar në Stamboll a Kostandinopojë, a si të doni thoini.

Oh Sa bukur, u them të dyve, Shkrelit e Tares, në një farë mënyre ky dokumentar do të ishte veç variant modern i shënimeve të lëna nga udhëtarët që kanë kaluar asaj ane në të gjitha kohërat, nga antikiteti, në mesjetë, më pas romantikët e shekullit XIX, e deri tek përshkrimet e italianëve që e përshkonin në vitet e luftës II Botërore.

Eh, aq më pëlqen ideja e Auronit, sa do të doja ta bënim edhe ne, pasi do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për të kuptuar qysh rrugëtonin të vjetrit, si i kalonin ata orët e gjata të udhëtimit, çfarë shihnin, dhe gjithë mënyra mesjetare e të udhëtuarit. Madje u thashë se, meqë janë të shumtë udhëtarët e huaj që e kanë bërë e përshkruar këtë udhë, duke e bërë edhe ne vetë, do të hynim në një fare mënyre në lëkurën e mëndjen e tyre…

Në këtë pikë ndërhyn Shkreli, që e gjen gjithnjë se ç’duhet bërë për të mos e bërë një gjë, dhe thotë: “Shiko, rrugën në këmbë e bënin sejmenët dhe hallexhinjtë, se zotnitë e bënin në kalë. Udhëtarët që kanë lënë shënime e kujtime, ishin zotnij e jo barinj dhe, meqë edhe ne e mbajmë veten për të tillë, s’mund ta bëjmë duke ecur më këmbë. Vetëm ai që rrugëton majë kalit, e ka mendjen te bukuritë e peisazhit dhe tek meditimet romantike, apo jo?!” Hej dreq, kishte të drejtë. Duhej ta bënim rrugën hipur majë kalit.

Dakord i them, ende plot frymëzimin e Shqipërisë romantike të akuareleve të Edward Lear-it dhe të shënimeve të Lord Byron-it, do hyjmë të bëjmë një kurs hipizmi dhe më pas do ta bëjmë rrugën në kalë, pa le të dalë ku të dalë. Auroni u tregua entuziast, duke marrë përsipër të na hiqte udhën, ndërsa ne, dy udhëtarët e ngeshëm kaluar mbi kuaj, do filozofonim grykës së Shkumbinit teksa kalonim kalldrëmet diku në urën e Kamares, nëpër qetësinë që thyhej vetëm nga patkonjtë e kuajve. Bukur apo jo!

I hyra gjithë pathos kursit të kalërimit, pa e menduar se do të më hynte aq thellë në gjak kontakti me kuajt, sa ende vazhdoj të kalëroj të djelave kur mundem nëpër kodrat e Tiranës, natyrisht nëpër ato që nuk janë zënë ende nga pallatet. Po Shkreli? Hiç. Sa më ngriti mëndjen mua, se kuajve s’ua pa bojën as për nishan. Po Auroni? E pyes, e më thotë se dokumentari është gati, e së afërmi do të shfaqet. :p