13.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

“SELAM ALEKYM”

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

NGA KALOSH ÇELIKU

Paradite, përmes telefonit celular m’u paraqitë djali, Deni: Përshëndetje! Jam duke dalë me Gonxhen në kopështin e lojërave saja të përditshme, dhe ndërkohë: edhe, unë ta pi një kafe. A, do të vish me ne, apo je i zënë me ato punët tua “artistike”? Po, i them: jam duke punuar në laptop një shkrim publicistik të radhës për Ditën e Nesërme. Përmëtepër, sot është e dielë, ditë pushimi. Por, jo edhe për mua si shkrimtar. Dhe, nuk e kisha ndërmend të dal në “Bit-Pazar”. E, as te “Parku i Grave” pas Muzave të mia besnike. Mirë do të ishte, mos t’ju pengoj Ditën e Sotshme, dilni vetë dhe gëzonje këtë Ditë me Diell, në mes të Dimrit Madh!

E di ti, m’u përgjigjë djali. Po, të duash ec me ne në “Bit-Pazar”. Ose, dalim edhe matanë Urës Gurit, përtej Vardarit tek “Parku i Grave”. Dëllinjat komuniste, që ti i do aq shumë dhe ke kujtime të paharrueshme nga shkolla e mesme, e që Sot janë bërë Pisha “demokratike”. Iu, përgjigja: Javë ka, që nuk e kam parë Gonxhen, e as Fisin. Përmëkeq, që sot u ka ra edhe virusi i gripit, në Shkup. Nuk ka problem, Sot e lë shkrimin publicistik përgjysëm, edhe atë: Shkaku Gonxhes dhe Fisit. E vazhdoj pasmesnate, ose Nesër, ndonjë Ditë tjetër me Diell mbi Çelëvjollcë.

Erdhi djali, dhe më mori me makinë për t’u arratisur në “ajër të pastër”, rrëzë Kalasë Dardane. Matanë, Urës Gurit dhe Vardarit. U ulëm para këmbëve të Filipit Maqedonisë. Shkaku, se: Këmbët e Olimbisë, Sot me fëmijë në bark, gjinj dhe prehër, janë bërë “haram” (mulli egjëre). Edhe, Aleksandri Madh për selfie të turistëve dhe ferexhezezave. E, unë turrem me vite pas “hallallit”. “Armikut të pabesë” të Omar Khajamit.

Kokëmëkokë me Gonxhen e vogël, ulemi para këmbëve të Filipit të Maqedonisë me grushtin lartë në kokë si Xhaxhi Enver, në mes të Shkupit Shqiptar. E porosisim edhe nga një pije “hallall”, raki rrushi. Gonxhen, që me virus gripi tradicional, për fat ende nuk e ka zënë paniku i atij kinez koronvirusi, ose rus. Përpiqemi, ta mashtrojmë disi cucën me ndonjë lëng frutash mali. Përroni të Thanës me burime, kur Gjyshi saj si bari dhe nxënës i Shkollës Fillore në Katund, nën hijen e dardhave gorrice i kulloste dhe i milte me kusi dhentë deleruda. Edhe pse, ndonjë dele e nënkryeme qafërjepur ikte me të katra, nuk donte që ta mjelë Gjyshi. Asaj kohe, i biente edhe fyellit. E, më vonë, në shkollën e mesme në Shkup, edhe kitarës.

Vite, kur përveç bukës përditshme të misërit dhe kripës (ujin e kishte burimeve të maleve), në janxhëk i mbante me vete ditenatë edhe Librat e Këndimit. Librat e kohës, të Ministrit Arsimit Ernest Koliqi. Kalibrin e të cilit arsimor, nuk e kemi edhe sotekësaj dite: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

Herë pas here, dilte edhe te Çifligu i Xha Derallës pas filizave të shtogut për një fyell bariu. Qoftë ai, edhe një pipizane shelgu. Këngës baritore t’ia thotë si burrat e mejdanit: “ O Çobani Tatës, bre djal! Lëshoi dhentë shullanit, medet-o! Haj, haaaj! Lëshoi dhentë shullanit -o! Holli dhentë kën vathës -o! Haj-haaaj, holli dhentë kën vathës -o, medet-o!“ Çiflig, që Sot është mbushur me ferra dhe gjarpërinj helmues të larmë, rreth Shtëpisë.
Ose, ndonjë zogëze për drekë: së paku pite, një picë. Qengjin, e han ujku.

Edhe, e ka dënuar te Burimi, se: ia ka turbulluar ujin. Edhe, pse: Ujku pi ujë më lartë tij, e ky poshtë urës në lumë. Përrallë e Abetares, që e di edhe Gongja e vogël. Ujku, jo vetëm që e ka hëngër qengjin, po e ka hëngër edhe gjyshen e Kësulkuqes. Prandaj, edhe shpesh e këndon vjershën e poetit Qamil Guranjaku: Qengji vogël, be, beee ban. Unë, mbledh lule e ti ha bar. Be, bee, beee… Tekstin e së cilës, Gjyshi ia ka ndryshuar pak, dhe e këndon në një version tjetër, të ri: Qengji vogël, be – beee ban. Qengji, mbledh lule, e Gongja ha baar. Be, beee… Piskat, voglushja: Jo, Gonxha mbledh lule! Lopa, ha bar.

Përederisa, babai dhe gjyshi përpiqen ta mashtrojnë disi Gongjen e vogël, për ndonjë lëng mali ose specialiatet tradicional shqiptar, ajo ngulë këmbë me të veten inatçore. Nuk do asgjë në sofër. Matanë, në rrugë një rom i fshirjes të këpucëve, pandërprerë i bie me “çetkë” druri sofrës tij të bukës. Dhe, bënë zhurmë shurdhuese para kafenesë. Kalimtarëve. Nuk më pengon mua kjo zhurmë “muzikore” në “Bit-Pazar”, Shkup. Shkaku, se: jam rritur dhe mësuar me këto zhurma “kulturore” të përditshme të partive politike dhe “bosave” të këtij qyteti, sa herë që jemi në prag të parazgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Aspak, nuk e lodh trurin me këto provokime rrugaçe – politike.

Djali, e humbi durimin. Papritmas, e ngriti zërin. Reagoi ashpër: Mjaftë më, ndale atë zhurmë shurshuese “muzikore – ekonomike”! A, mund të pushosh ti me ato zhurmat e tua provokative? Romi, nën strehë të Kishës Ortodokse “Shën Dhimitri” e ndali zhurmën “koncenrtale” me “Çaje shukarie” të këngëtares rome Esma Rexhepova, që nga koha e sistemit komunsit të shokut Tito e dëgjohej me të madhe asaj kohe edhe në shtëpitë shqiptare dhe Jugosllavi. Heshti. Nuk bëri zë nën Kishën e “Shën Dhimitrit”. Edhe, kamarierët e kafenesë e ulën kokën mbi tavolinë . Aspak, nuk e njihnin djalin me të cilin isha ulur përpara këmbëve të Filipit të Maqedonisë, Gonxhen e vogël. Ardhëmërinë e Ditës Nesërme. Po, gjithësesi më njihnin mua si vizitorë i shpeshtë i kësaj kefeneje, “pijanec” me diplomë dhe “armik” i shtetit “përbashkët”, në Shkup.

Dikur, me djalin e ndërruam lokalin. Shprehi e imja, që nga sistemi komunist t’i ndërroj lokalet për një shteg tjetër pas Çuke, dhe kërkoj dëllinja strehimore qysh si nxënës i shkollës mesme në Shkup. Shkaku, se: Gonxhja donte pite! Edhe, pasi e pastruam dëmin në këtë lokal, dolëm nëpër “Bit-Pazar”. Rrugës, na ndalon një “kalimtar rasti”, fundekrye çokollatë “musliman”, dhe na përshëndeti: “Selam Alekym”! Tungjatjeta, iu përgjigja unë. Dhe, pas pak në gjuhën angleze: “Inspikt ju English”? Jo, i përgjigjem në gjuhën shqipe. “Parlez vous francais”? E pyes, unë në gjuhën frenge.

“No”, më përgjigjet “kalimtari rastit” në gjuhën angleze. Ndalu pak, i them djalit duke menduar se kërkon ndonjë ndihmë orientimi: institucion, rrugë, adresë në Shkupin Historik të Shqiptarëve. Djali, e pyet në gjuhën angleze, se për çka e ka “hallin”? A, ka nevojë për ndonjë ndihmë? I përgjigjet në gjuhën angleze.

Meqenëse, unë nuk e njoh gjuhën angleze, vetëm aqsa të komunikoj për nevoja personale me telefonin celular dhe laptop -in, i them djalit: Çka thotë, është puna? Cilën adresë kërkon në Shkup. Djali më përgjigjet, mos pyet fare: I kërkon dhjetë denarë! Dhe, e hapë qesen. Po, unë nuk i pskam në xhep, thotë djali t’ia jap dhe heq qafe. Para më të imta, hë për hë i kam sot 1.000 den në xhep. Para, të cilat nuk mund t’ia jap këtij “kalimtari të rastit”, se do të më duhen për vete, në Shkup.

I hudha një sy këtij “kalimtari rasti” nga këmbët tek koka. I veshur këmbekrye me tesha të shtrenjta, marka evropiane të firmave njohura botërore dhe “ranec” lëkure në shpinë, hedhur krahëve. Nuk m’u duk si “kalimtar rasti”. Qindpërqind, kishte para edhe më shumë se unë, në xhep dhe bankë. Thashë, me vete: Ky mund të jetë gjithëçka, por jo edhe lypës “musliman”.

Ndalë, i thash djalit! Mos, u ngut: I kam unë do “lira” në xhepin e vogël të pantollonave. Dhe, ia dhash pesë denarë. Edhe, ato: që të gjitha ishin nga një denar “kalimtarit rastit” të “Bit-Pazarit”, në Shkup. Ai i mori paratë. Unë, në gjuhën shqipe, i thash djalit: Thuaji, se: këto janë nga ari, lira turku.

Nuk e di, se: A, ia përcolli djali këtë përgjigje, “kalimtarit rastit” . As, edhe e pyeta…

Artikulli përpara
Artikulli tjetër
- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit