SARAJE ZALLI

0
289
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

ESE

…Unë çdo ditë dëgjoj se si pulsi më rreh dhe profetizova ardhmëri të ndritshme. Ti, poezi, më përqafove krejt afsh me kahënitjen tënde shpirtërore… Ohhh sa mirë e ndiejva veten në fshat… Përqafimi yt ishte përqafimi i muzave yjore…
Tungjatjeta poezi – mbretëreshë dielli!

Të përkthej në këtë gjuhë të përditëshmërisë, ani pse kaherë dëgjova të thonë se nuk e duron dot… s’e duron dot “qafiri”… i është futur një pylli pa shtegdalje!

Por, si për inat të tyre, në agsholin më të hershëm se agimi, në mëngjesin e stërhershëm, kur askush nuk më sheh e ndjen gjë, mua më qaset Poezia – Mbretëresha e dielltë…!

Mirë se vjen, mëngjes dhe ti, ditë dhe ti, o buzëmuzg!
Tungjatjeta poezi!

Tungjatjeta, o Fatlumja fshehtësi e madhe e botës së bardhë, me lumbardhët që fluturojnë në paanësi… Ti që m’i hape portat e qiellit… Sa shumë diell më paskërka zemra…

Mos vallë, Muza Eratò, të solli te porta ime, ajo mikesha, më e lulzuara e valleve?… A të duhet edhe diçka për të kaluar mbi urëbardhën magjike me bukurinë, dashurinë, burimet, të parathënat, zgjuarsinë e frymëzimet?… të gjitha të para nga vera e vreshtave… sikurse pa bukë i uritur e pa ujë i etshëm si kumi?! Se pa poezinë nuk di as çka jam! Ajo është shpresa!… hajdede edhe sikur të mos i besosh vetvetes, ktheje nga ta kthesh, ajo mbetet pastërtorja e pagëzimit…!

Duhet të qëndisen motivet dhe situatat me mjeshtri milimetrike, se ngatërrohesh në rrjetën e flokëve të hënës, te ajo pogaçe e verdhë si misërnike… aty është lirika e poezsë që sërish s’më mjafton siç është e i them vetes: Oooo… qysh moti, kahmoti e kaherë, që nga fillimi i kësaj bote të bardhë, me katër grushta dhèu, ajo rrodhi dhe kulloi lumejve të mi të fshehtë, duke mbajtur pishtarë…!

Poezia ka ndezur zjarrin ndër netët e mia të gjata e të pagjumta… Ajo ka qenë Zonja e madhe e diellit, mbretëresha e rrugëve, e shtigjeve, e arave të bukës, gjoleve, lumenjve, deteve e bjeshkëve ku të magjeps shpezëria me cicërimat si mjalti i bletëve të kafenjta…. Të gjitha këto i kam lexuar në Librin e agimeve…

Zbatoj në dhjetravjeçarë urdhërin dhe porosinë e zemrës sime dhe them: Rrih dhe vazhdo këngën tënde… sido qoftë, ajo është Poezia jote – Mbretëreshë Dielli!… Madje edhe vitet e diellit, edhe vezullimin e yjve dhe numrin e pikave të shiut në det, dhe numrin e gjetheve në pyll, dhe numrin e psherëtimave nën qiell, ti ndryji në poezi… Dhe mos u vra për çka më nuk di e çka s’ke pëshpëritur ende!… e shkëlqyera ime, e plotfuqishmja ime, më se e nevojshmja dhe diellorja, ti, Poezi, Zoti im potent, Zoti im robërues!… Poezi që derdh mrekulli e gjithçka e lartëson!… Poezi që djeg fshehtësitë si ashklat dhe shkretëron nëpër botë si zjarret!!!

Dhe çka të them më për Atë?!… se janë të varfëra të gjitha ato që them… se kot i zgjoj fjalët porsi stralli nga zalli e i hedh përpjetë, me shpresë se në lartësi, larg tokës së turbullt dhe me balltakë, do të marr krahë, do të valoj dhe shushuroj si zogjtë e Kopshtit të Edenit, si zjarret, si kasnecët…

Sa e çuditshme qenka kjo botë! Vetëm grushtat e dritës verbuese e mëkojnë Poezinë – Mbretëreshë Dielli!… Ajo është ëndrra e fëmijëve që bëjnë saraje zalli… ajo është meraklesha e dy të dashuruarve që ecin ngadalë të përhumbur… e ku nuk është ajo…?!

Ajo i jep dritë syrit të shohë – ajo, Dritëpoezia!

Në Vendlindje, qershor/korrik 2019