Sandër Lleshaj prononcohet për panikun e ngjallur nga lajmet e rreme për tërmetet

0
599
Sandër Lleshaj për Report TV

Sander Lleshaj në FB

Intervista telefonike për “Report TV”

Pyetje: Lidhur me reagimin që ju keni bërë më herët për këtë “fakenews”, cili është komenti juaj për këtë rast?

Përgjigje: Kjo është një situatë e cila nuk meriton as komente, aq e trishtë dhe e shëmtuar është, në një kohë kur i gjithë vendi ishte i përfshirë në një aksion të madh për lehtësimin e pasojave të tërmetit, të pazakontë prej shumë vitesh. Në një kohë kur e gjithë Shqipëria ishte e përfshirë në një valë të madhe solidariteti të qytetarëve të prekur nga tërmeti, pati edhe një përpjekje fatkeqësisht të turpshme për të krijuar probleme shtesë, për të krijuar panik, për të bërë saktësisht të kundërtën e asaj që duhet të bënte çdo qytetar shqiptar; përpjekje për të mbjellë panik, ndërkohë që duhej qetësia.

Pyetje: Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se janë shoqëruar disa gazetarë të “syri,net” faqe që publikoi këtë fakenews. Sa është numri i gazetarëve të shoqëruar deri më tani lidhur me këtë lajm?

Përgjigje: Në qoftë se keni ndonjë pyetje tjetër që nuk i referohet zotërisë që përmendët, mund t’i përgjigjem. Referencave ndaj atij zotërisë që përmendët, nuk iu kushtoj asnjë lloj vëmendjeje. Po të keni pyetje me ndonjë referencë tjetër, mund t’i përgjigjem.

Pyetje: Si e keni parë, në fokusin tuaj këtë situatë, edhe si qytetar i këtij vendi?

Përgjigje: Situata për të cilën po flasim, ashtu siç i referoheni frymës së panikut, që u përhap mbrëmë, është krejtësisht e pazakontë, madje rrallë ka ndodhur që në këto situata të përzihen zëra që duan të prishin punë. Është e mirënjohur që edhe në luftë ulen armët, kur prevalojnë çështje humanitare. Ne tani jemi në një situata ku prevalon interesi qytetar, prevalon çështja humanitare dhe mbjellja e panikut është krejtësisht, e para, e pamoralshme, e pandershme pastaj krejtësisht e paligjshme. Madje shoqërisht e rrezikshme, sepse përmes krijimit të panikut u tentua të krijohen probleme dhe u krijuan hapësira për dëme të tjera.

Të kini parasysh, nëse qytetarët ftohen të lënë shtëpitë e tyre në panik, krijohen hapësira për krimin, krijohen hapësira për fenomene të tjera, të cilat nuk duhet kurrsesi të lejohen, për të mos thënë pastaj bllokimin e rrugëve, bllokimin e trafikut, nevojat qytetare për të pasur rrugë të lira.

Mos harrojmë që Tirana ka trafik të rënduar në çdo kohë të ditës apo të natës. Në qoftë se ne ftojmë qytetarët të dalin në rrugë me mjete është vërtet një kontribut jashtëzakonisht i dëmshëm që i bëhet sigurisë publike, që i bëhet interesit qytetar. Dhe ata që e bënë duhet të përballen me drejtësinë për arsye se nuk bëhet fjalë për një përpjekje të grupeve të caktuara, të individëve të caktuar, por bëhet fjalë për përpjekje të mirëllogaritura të mediave të caktuara.

Dhe ky është thelbi i problemit. Këtu nuk është fjala që u angazhuan qytetarë të papërgjegjshëm, por u angazhuan njerëz të paguar, të cilët përhapën ekzaktësisht lajme të rreme, për të krijuar pikërisht atë që u krijua.

Pyetje: Lidhur me paketën “anti-shpifje” kur pritet të implementohet për t’u dhënë fund situatave të tilla të pazakonta?

Përgjigje: Rasti i mbrëmshëm është një rast tipik, që na provon rëndësinë që ka pastrimi i mjedisit mediatik nga lajmet e rreme, nga rrena. Sepse i themi fakenews, por në shqip do të ishte më bukur t’i thonim “rrena publike” dhe miratimi i legjislacionit përkatës, i cili ndihmon median e lirë dhe përhapjen e fjalës së lirë, por pengon përhapjen e rrenës publike është domosdoshmëri.

Fjala e lirë dhe rrena publike janë dy gjëra të kundërta të njëra-tjetrës dhe ne duhet të krijojmë hapësira të plota për fjalën e lirë dhe duhet të krijojmë bllokim të mirëfilltë për rrenën publike, e cila shkakton pasoja të mëdha.

Për këtë arsye edhe procesi i miratimit të legjislacionit përkatës në këtë fushë është në rrugën e vet dhe shumë shpejtë do të ketë hapa të nevojshme nga qeveria dhe nga legjislativi, për t’i dhënë udhë atyre ndryshimeve ligjore, të cilat e rregullojnë këtë hapësirë ende të parregulluar.

Pyetje: U ndalëm këtu, duke pasur parasysh që sipas Kodit Penal këto quhen dhe akte kriminale në fakt terroriste ekzaktësisht…

Përgjigje: Sigurisht që Kodi Penal parashikon masa shumë të qarta dhe të forta për këto tentativa të krijimit të panikut, për arsye se pasojat që mund të shkaktojnë janë të jashtëzakonshme. Pasojat që mund të shkaktojnë përhapja e panikut janë më të rënda se pasojat e akteve të veçanta individuale kriminale, sepse këto shkaktojnë pra efekte të jashtëzakonshme, kështu që dhe masat duhet të jenë të tilla.

Ne po marrim masat për rastin konkret, Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, prokuroria, janë të angazhuara për ta hetuar në thellësi këtë tentativë të rrezikshme që u konsumua dje, ndërkohë që siç ju thashë, masat po merren edhe për të ndërhyrë në sistem, në mënyrë që tentativa të tilla të mos kenë suksese, për ndryshime ligjore e kam fjalën.