Sami Repishti: Mendime për romanin: “Dëgjo floriri im” të shkrimtarit Kristaq Turtulli

0
485
Kristaq Turtulli - Dëgjo floriri im

Respekt dhe mirënjohje për profesorin, të vuajturin, fisnikun, të nderuarin Sami Repishti. Po e ndaj me ju të nderuar miq mendimet e tij për librin tim voluminos: Dëgjo, floriri im.

| E Mërkurë, 22.06.2011, 06:58 PM |

Thënia paradoksale “nga dhembja del nganjëherë edhe kënaqësi” m’u kujtue mbas leximit te romanit “Dëgjo, floriri im” (sa i bukur ashte ky titull!) i shkrimtarit plot talentue Kristaq Turtulli.

Ne këtë roman, autori prolifik, tregohet shkrimtar me talent, vrejtes i mire i njerëzve dhe ngjarjeve, paqedashës edhe ne mes te terrorit komunist ne Shqipëri, dhe i guximshëm me munde vdekjen me një jete qe meriton te jetohet, e urrejtjen me te mirën dhe dashurinë e pakufishme, me munde gënjeshtrën me një qëndrim besnik ndaj vetes, dhe me shpresue pa dëshpërim edhe ne mes te rrethit te nëntë te ferrit dantesk. Nga fundi i “gropës se qyqeve “pa dalje, ai ngrihet si feniksi mbi te keqen qe e mbyte, e proklamon me dinjitet vlerat e mëdha te dashurisë se vërtetë, te dinjitetit njerëzor universal, e te besës shqiptare.. Kjo situate e rralle ne mesin e shoqërisë sonë përshkruhet ne librin “Dëgjo, floriri im” me një stil te shpejte, te rrjedhshëm, mbushe me adjektiva, pak korçar te kripur me fjale e shprehje te tipit “natyralist”, por gjithherë ne lidhje te vazhdueshme me gjuhen e popullsisë se thjeshte te qytetit.

Histori e rralle kjo e autorit Turtulli, por a njohun mjaft mire nga nji popull qe u shtyp per ma shume se katër dekada. Arbi, student i shkëlqyeshëm ne shkolle, rritet i lumtun ne gjiun e një familje te shëndoshë ku arti e muzika zinin nji vend kryesor. Ne qendër te kësajë celule te vogël shoqenore mbretnon dashunia per njeni tjetrin, e mirëkuptimi i plote qe zakonisht përjashton situatat e vështira.

Arbi fiton nji burse studimi për ingjineri pranë një universiteti rus. Atje, ai i kushtohet studimeve me pasionin e shkencëtarit dhe devocionin e te riut qe dëshiron te ndihmoje atdheun e vet. Gjate këtyre viteve, muzika i jep rastin te njihet dhe te dashurohet me një kolege ruse, Irina, e cila percepton shpejt natyrën e ambël dhe karakterin fisnik te djaloshit shqiptar. Lidhja e tyne përfundon ne martese.

Arbi kthehet vetëm ne Shqipëri. Irina përgatitën dokumentacionin e nevojshëm. Bahet dasma shqiptare. Mbas pak kohe, ajo i adaptohet gjendjes se re. Nji aksident banal i kushton jetën babës saje ne Rusi dhe ajo kthehet pre ngushëllim te nanes. Fati e do qe marrëdhëniet shqiptaro-ruse te prishen gjate qëndrimit te saj ne Rusi, dhe asaj nuk i lejohet kthimi ne Shqipëri. Këtu fillon tragjedia e madhe qe shkatërroi shume jete e shume familje: burra, gra e femijë u ndanë për jete nga njeni tjetri sepse kështu e donte faraoni paranojak i Partise… Arbi thirret ne zyre dhe vihet para një zgjedhje prometheane: prano nenshtrimin ndaj zotave te Partise -ndamjen nga grueja dhe demaskimin publik te Bashkimit Sovietik-, ose rrjedhimet e qëndrimit kokëfortë dhe rruajtjes se pavarësisë e dinjitetit personal me një Jo! te fuqishem. Arbi i frymezuem nga koncepti i “besës” shqiptare dhe i mbushun me një dashuni qe ishte tashma “leitmotivi” i jetës tij, zgjodhi te dytën. Shpata e Partisë ra pa mëshirë: njëzetë- e-pese vjet burgim te rënde me pune te detyrueshme ne minierat e bakrit, si “armik i popullit” Te dy prindërit pleq te këtij armiku u internuen ne një fshat ku “pula hante gur“ dhe vdiqën te harruaruar e te perbuzun.

Gjate viteve te burgut, ne minierat e bakrit, Arbit i japin edhe pese vjet tjera burgim per arsye te nji incidenti banal te paprovokuem. Tridhjete vjet i mbyllur, i rrahun, i përndjekur dhe i padëshirueshëm. Fatmirësisht, lirohet me 1991, me ramjen e turpshme te diktaturës se proletariatit, mobilizohet, shëron plagët qe akoma rrjedhin gjak, zhgënjehet nga zhvillimet e “demokracisë se brishte” dhe ndjek ëndrrën tridhjete vjeçare: bashkimin me Irinen qe ai arrine me përpjekjet e një trupi te sfilitur. Ma ne fund zbulon se tridhjete vjet ma pare kishte linde nji vajze, nga martesa e tyre e shkurte, dhe se Irina ishte shtruar ne nji spital.. I ringjallun me vajzën Tamara, i lumtur me praninë e Irines, ai përfundon:

“Tërhoqa kokën e saj me kujdes dhe e putha ne buze. Puthja ishte e mrekullueshme, m’u duk sikur po pij ujë te ftohte mbas një vere tropikale, tmerrësisht e nxehte, dhe nuk kisha te ngopur”. Fund!

Nga poeti korçar, Vehbi Skenderi, kam lexuar tani se voni këto vargje:” Kur ke diçka për te thëne/diçka qe se mban dot për vete/Qe nuk ia thua e se shkund dot prej zemre/dhe qe nuk shkiqet kudo qe vete/Trokit ne hënë/thuaja hënës”

Këto vargje m’i kujton i talentuari Kristaq Turtulli kur deklaron se “doja te jetoja si zakonisht vetminë…”(12)”…Po jetoja lirinë time. Është mrekullisht…dhe e këndshme te jetosh vetminë tende. Por nganjëherë, liria eshët krejtësisht e paqarte…”(51) Për autorin, kjo liri krijon mundësi t’i japësh jetës kuptim…Ashtu si gjyshi Rubin “…nëpërmjet kitarës dhe këngës… Flake tutje brengen njeri, dhe mbill gëzimin”(18) flet studenti i ri.

Dëshpërimi i pare u shkaktuar nga “dhunimi i nenës” nji akt shtazarak orkestruar nga gruaja xheloze e komisarit politik. Atëherë, ai kupton se “…prindërit e mi nuk mund te luftonin kundër masivit te lemerishëm te hijes qe rendonte dhimbshëm mbi qytet”(91) Dhe kjo mynxyrë për nji babe invalid i luftës qe mendonte se “…po te duhen e respektohen njerëzit, gjendet shume shpejt çelësi, gjuha e përbashkët e komunikimit”(105)
Asgjë ne jetën e Arbit nuk tregon prirje për aventure, aq ma pak për keq bamje e rrezikshmëri. Jete e qete, punëtore, e ndershme, dhe e mbështjelle me dashuri te mirësjellje. Perse atëherë ky tërmet qe rrezoi dhe përmbysi jetët e qeta te qytetareve te ndershëm?

Nji mik i këshillon nënshtrimin: ”I dashtuni mik, ne jetë duhet të jesh praktik, më elastik. Sepse asnjë nuk ka dale fitimtar kur ka dale kundër rrjedhës”(168) Arbit i sillen rrotull kujtimet e ditës kur Irina u largua nga aeroporti: “Ne derën njëkatëshe me kompensate te vjetër ishin shkruar shtrembër me boje vaji te bardhe: ”W.C” Banja ishte e vogël dhe e piste. Lavamani ishte i irnosur, togje me letra te ndotura ishin flakur ne cep”.(109) Kjo ishte edhe bota qe e rrethonte e qe kërkonte nënshtrimin e tij. “Njerëzit e aksionit martohen e nesër shkojnë ne are te punojnë me norme dhe me gara”.(110)… e të shqetësohesh nga largimi i gruas. I dukej sikur i thoshin, ndërsa kalonte neper rrugët plot gropa te vogla te kryeqytetit…me pallate pesëkatëshe me tulla te kuqe dhe uniforme. Uniforme ndërtesat, uniformitet tek njerëzit. Arbi reagoi:”…kjo është një disfate dorëzim pa kushte. Kjo është nihilizmi…Mohimi i gjithçka je…Por…njeriu shpesh ka dale kundër rrymës dhe ka triumfuar!” (149)

Kudo qe shkonte, ai gjente te njëjtën situate. Ne dyqanet e shitjes ku mungonte gjithçka, askush nuk guxonte te fliste; ishte nji ambient kafkaesk “acarues, i zymte, zhurmues dhe gati armiqësor”(117) Sepse ne boten e mbas luftës ne Shqipëri “…zbriten te tjerë nga mali; ata ishin pothuaj te rinj, te padale, te paditur, te pastërvitur, te vrazhde, por gjithë epsh e dëshirë për te bere seks…e krijuan ne qytet çetat e para te orgjisë dhe te seksit” (`78) Për Arbin po lindte nji bote e re qe e frikësonte, dhe e tërhiqte mundimshëm neper shtigje te verbëri”.(203) Josef Kafka ne Shqipëri…!

Ishin bijtë e shekullit te ri. Mbrojtës te gjakut te dëshmoreve heroike, te fitoreve te shkëlqyera…” Me mbërtheu inati , por duhej te ruaj gjakftohtësinë” mendoj Arbi Po jetonte ne boten e urrejtjes e mërisë, pa kurajë te ankohej. Ajo qe donte te thonte ishte se :”…ata qe drejtojnë, pra koka e merimangës, ishin me te pagdhendurit, por ata po kaliteshin ne kudhrën e dinakërisë, poshtërsisë, hakmarrjes, primitivitetit , perversitetit, gjakësisë”(211) pa kurajë te thotë haptazi, me za te nalte. Sepse e dinte mire cilët janë ata me te cilët do te ballafaqohej: oficeret e Sigurimit “te pamëshirë, te egër, gjithë urrejtje, sikur te kishin përpara keqbërësin me te tmerrshëm” dhe jo nji te ri, viktime e pafajshme.

I arrestuar për “refuzimin” përjeton ballafaqimin me “turmën”, fqinjat e lagjes. Disa te gëzuar qe përjetojnë nji argëtim me tragjedinë e tij.

“Mu kujtua përnjëherësh Mesjeta…”(227) shkruan ai, Inkuizicioni, djegia ne turrat e druve, burgjet me qeli te errëta, pa drite, pa ajër. Me dukej sikur rrugica ishte e përmbytur nga zjarret dhe flaket e injorancës e urrejtjes se verbër te turmës pa koke, pa shpatulla, pa këmbë, thjeshte një mase amorfe përmbytur nga lesheriket…“Te varet, te varet krimineli! ”bërtisnin amebat e lagjes, turme qe kishte pranuar ekstazën e poshtërimit ideologjik, ne nje kohe kur“…te gjithë fisnikëria shqiptare, familjet e mëdha kaluan neper labirintet e nëndheshme te tmerrit, u torturuan, u shpërbenë, u shfarosen, pothuajse njëherë e përgjithmonë.. Turma e verbër i nëmi, i mallkoi, i qëlloi, i dënoi, njëlloj si ndodhi me mua…”(225)

Kjo ishte diktatura e proletariatit pa maske, nëna e dhunës, urisë, errësirës.
Me arrestimin, Arbi po hynte ne nji bote te re”…bota e nëndheshme e neveritjes, e torturës, dhe e shpërfytyrimit. Ferri i frymëmarrjes se re “(231) Lamtumire fletët e nderit te universitetit dhe studimet pasuniversitare për te mbrojte doktoratën, kontributi i nji eksperti, dhe idealizmi i nji te riu qe ëndërronte shërbimin për popullin e vet. “Le te bëjnë minjtë foletë, ose krimbat e lyrshëm…(232) sepse ai qe refuzoi te ndajë gruan e re me nënshtetësi ruse u bë, brenda ditës, “,,,krimi i ndyre qe kërkonte te diskutonte fjalën e partisë, te luaj me nderin, dinjitetin e kombit…Nuk e di ti, more pusht- i thane – se partia ka shume halle, se punon pa u lodhur për te mirën e popullit, ndërsa ti kërmë e shqetëson…”(251) Farse vdekje-prerëse!

Gjykimi ishte nji tjetër farse e shëmtuar. Ne mes te prokurorit dhe trupit gjykues nuk kishte dialog. Vendimi vinte nga Partia. Ata, ne gjyq, zbatojshin urdhrin e Partisë. As pyetje, as sqarime. Vetëm deklarata e vendime te preme për veprimtari armiqësore te pavërtetuar, si grup megjithëse pa asnjë shok, ne bashkëpunim me armiqtë e jashtëm, megjithëse nuk njeh asnjë te huaj…!Ai e dinte tashmë “sekretin” e akuzave te kurdisura!

Prokurori kërkon dënimin me vdekje. Disa ‘shoke” te punës dëshmojnë me fituar favore. “Ai” ka krye tradhti te nalte kundër atdheut, partisë e popullit…ky armik qe i qëndron besnik martesës qe respekton. Nga salla duartrokitje te fuqishme, ovacione. Asnjeri nuk përcakton krimin imagjinar…ndarja nga gruaja nuk zihet me goje. Akuza ashte banale sa qe nuk zihet me goje fare. Dy jave ma vone u dha vendimi: njëzetë-e -pese vjet burgim te rëndë me pune ne minierat e bakrit. “Njëzet-e-pese vjet heqje lirie nuk kane ndryshim nga nji vdekje, vrasje ose pushkatim” tha ai me dëshpërim. Oficeri filozof e ngushëlloi:

”Burgu, – tha ai, ka dy dyer, vdekja ka vetëm një” .

Para nji dileme ekzistenciale hyne, për nji minute te vetme, krimi i dyshimit. “Po te kisha lenë Irinen nuk do te ndodhej kjo, me foli një zë i fshehur brenda qenies sime”. Pastaj, i trembur nga nji mendim i këtillë poshtërues sikur zgjohet nga nji ëndërr e keqe, e i thotë vetes: “Ë thua edhe këtë more pusht….Ti sot bën pazar me ndjenjat. Ptu, ti sikur je burrë me karakter mor Arbi! Ajo burrëria shkoi e vate, tani ka vetëm burrecë…”(293 Nga frika e turpit, ngren kokën me guxim, vendosmëni me i qëndruar besnik vetes, me jetuar nji jete autentike, pa friken “e tjetrit” e te shikimit qe vret, ai deklaron: “Nuk isha një çilimi por një njeri qe kishte pranuar pa kompromis sakrifikimin për dashurinë”. (296)

Vitet e burgut ndoqën njeri tjetrin me vështirësi, te gjata si udhëtimi i pafund. Njerëz, ngjarje, shtypje, vuajte e shnjerezim…e momente komike ne atë pus te zi.

Naratori përshkruan ardhjen ne burg te “grupeve anti-parti” qe kishin guxuar -ose te paktën akuzoheshin se kishin guxuar!- me vunë ne pyetje fjalen e faraonit te kuq. Dalja e tyre ne mes te burgosurve ishte “…një parade tragji-komike e te gjitha kohëve te burgut. Ata capiteshin, te habitur, te hutuar, te shokuar, te ankthuar, te c’merituar”.(311) dhe te turpëruar para botes se nëndheshme qe i përçmonte për dobësitë e tyne. Grindavecet!

Me rrokullisjen e turpshme te sistemit komunist dhe rrëgjimit diktatorial, Arbi lirohet me nji bagazhe tridhjete vjeçar burgu ne kurriz…”Po frynte një fryme e re…. Por unë isha i huaj ne vendin tim.(317) Bota shqiptare kishte ndryshuar shume.

Dalja ne boten jashtë burgut – a kishte me te vërtetë liri?- Arbi kuptoj shpejt se te tjerët – e sidomos prinderit e tij- kishin vuajtur edhe ma shume nen kërbaçin e kuq: “persekutim, internim, uri, torture, mohim, mizori, ignorance, trusni, politike e fëlliqur, idiotism fatal, vetmi e përbuzur pleqërie, dhe vdekje mizore”. (324)

Ne internim, nëna kishte vdekur e rrezuar misteriozisht ne nji grope te hapur. Babai e kishte zbuluar ne mëngjes te ngrire nga bora, e kishte marre ne krah tue ece përmes fshatit, por askush nuk kishte pase guximin me nxjerre kokën prej dere te vështronte atë qe ngjiste. Ajo ishte nana e nji “armiku” te tmerrshëm dhe përfundimi i tyre ishte i pritshëm…“Arsyeja e vërtetë e rrëzimit te nenës nuk u zbulua kurrë, e perse duhej një hollësi e tille e panevojshme?”(325)

Jashtë burgut, Arbi nuk ndjeu asnjë kënaqësi apo hakmarrje. As nervozizëm. Dhe rrëfehet:
”Nuk isha i mbërthyer nga kompleksiteti i hakmarrjes se verbër, por me shume me ngacmonte mendimi mbi fatin e demokracisë se brishte…Isha një ishull i vogël ne detin e madh indiferent te njerëzve…Unë besoj ne demokracinë e brishte qe mund te vendose ne te ardhmen drejtësinë ne vend, pa hakmarrje!”

Ky ishte testamenti fisnik i nji te përndjekuri qe mundte instinktin e forte, urgjent me u hakmarrë. Ky ishte triumfi i tij!

I zemëruar nga ajo qe kishte jetuar për tridhjetë vjet, dhe thellësisht i zhgënjyem nga ajo qe po gatuhej nga elementi ish-komunist ne nji Shqipëri qe reklamonte demokracinë, Arbi ngre krahun dhe i bie me grusht murit përball. Kullon gjaku nga plaga por ai gjen forcën morale me thane:

”Unë nuk mund te ngrije kurrë dore mbi njeri!” Me këtë deklarate te sinqerte dhe sublime – çfarë kontrasti me keqdashjen çnjerëzore te Sigurimit!-ish i burgosuni tregonte superioritetin e tij moral; ai vuloste pa mëdyshje fitoren e tij finale mbi “te keqen e madhe” qe kishte shkatërruar atë, gruan, prindërit, familjen e shoqërinë shqiptare për afër gjysmë shekulli. Ish i burgosuni kishte triumfuar.
Për vete e për te tjerët, ai shpjegon:

“Jam një njeri qe kam një bese dhe mbrojta një dashuri….Ne kemi mallkimin e rende për atë qe shkel besën…Sidoqoftë, besa mbetet, trashëgohet…Është sakrifice sublime te mbrosh dashurinë dhe është shume e lehte ta pështysh atë! Nuk ka gjë edhe ne qofte se nuk e di”. (403)

Janë shumë të rralla tregimet e vuajtjeve me dekada ne burgje dhe kampe përqendrimi qe përfundojnë me nota pozitive si romani i madh “Dëgjo, floriri im”. Vuajtja lodhja, dhe ne shumicën e rasteve çoroditë njerëzit deri ne çnjerëzim, i ban kafshë pune….Dhe ne qofte se vuajtja nuk përfundon me nji proces përmirësimi te vetes sonë, ajo ka qene pa qellim, sipërfaqësore, e kufizuar ne dhimbjet e fizikut tone. Shume e rëndë, s’ka dyshim, por pa thelb, pa frymën e rezistencës koshiente kundër se keqes qe lartëson, qe ban atë mishërimi i fisnikërisë. Me urrejtje, me u hakmarrë, me jetuar me meri dhe vetëm për mërinë e përhershme do te thotë me konsumuar deri ne fund helmin qe shërben shtypësi, ai qe kërkon asgjësimin tone te plote.

Rezistenca nuk ashte thjeshte lufta për mbijetese fizike para kërcënimit te vdekjes. Rezistenca ashte fryma e nalte njerëzore qe na mbushe me besim se mendimi i jone, akti i jone, qëndrimi i jone justifikohen vetëm nga dashuria e jone për njerëzimin mbar, nga fryma e vëllazërimit qe dashuria na ofron, e qe këshillon faljen e pajtimin …edhe për fajtorin! Shume e vështirë por shume fisnike!

Ja pra ky është ky superioritet moral e shpirtëror qe na siguron lavdinë e nderin e qenies njeri – te lire e me dinjitet, te pajisur me arsye dhe me ndërgjegje dhe, që na i afron me talent dhe vërtetësi shkrimtari ynë i talentuar Kristaq Turtulli, në romanin e tij të madh: DËGJO FLORIRI IM.

Prof. Dr. Sami Repishti
Ish i burgosur politik
ne Shqipërinë komuniste (1946-56)
dhe Jugosllavine komuniste (1959-60)

Ridgefield, CT. USA