Do të doja të prezantoja librin e ri të një pjesëtari të njohur të Mërgatës shqiptare të Evropës. Ibrahim Kelmendi nuk është kushdokushi. Ai është për rreth 30 vite aktiv në gjirin e asaj që të shumtën e kohës është quajtur Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, e cila, siç dihet sot, njihet me emrin LPK dhe është e pranishme me një deputet edhe në Parlamentin e Kosovës.
Këtu nuk do të shkruaj për këtë, por për librin Atentatet dhe për autorin e tij, pasiqë në rastin konkret ata as nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Ibrahim Kelmendi edhe më parë e ka sprovuar pendën e tij në publikime e libra të tjerë. Por, kësaj radhe ai ka dalë me një libër, që në fakt është një evokim kujtimesh nga gjiri i Lëvizjes atdhetare më të përfolur e më të kontestuar, njëherit edhe më të lëvduar e më të glorifikuar.
Në ballë të saj, mu në majat e saj, bile edhe ndër themeluesit e Lëvizjes, të gjithë e kanë ditur se qëndronte vetë Ibrahim Kelmendi. Lidhur me të janë thënë e stërthënë gjera tepër fantastike. Ka pas aq shumë përgojime, sa mua personalisht më brengoste dhe njëherit më mahniste këmbëngulja e tij për të heshtur. Ai heshtte pothuajse për gjithë bjeshkët e thashethemnajave. Nuk ka shumë muaj qyshse në një komunikim përmes postës elektronike i kisha shkruar se ai duhej, më në fund, të shkruante versionin e tij lidhur me atentatin e UDB-së mbi Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën.
E kam ruajtur atë komunikim relativisht të shkurtër dhe nuk e kam vështirë të kujtoj se ai ende kishte mëdyshjet e tij që do ta bënte librin, do ta linte për një kohë tjetër apo do ta braktiste fare një ide të tillë. Kjo ishte përshtypja ime e asaj kohe dhe mbështetej në një gati indiferencë e tij lidhur me një libër eventual. Por një gjë e kisha të sigurt: Ibrahim Kelmendi ishte njëri ndër njohësit më të mëdhenj të realiteteve të mërgatës shqiptare. Për mendimin tim ai ishte një profesionist në politikë.
Student gjerman dhe për pasojë një njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës gjermane, një orator shembullor, një njeri i hazërxhevapeve, siç thonë, Ibrahim Kelmendi më pati fascinuar mua dhe një mikun tim, shkrimtar i shquar slloven, kur të ftuar nga një asociacion për të drejta të njeriut nga Munihu (München), patëm shkuar që të shpalosnim dosjen shqiptaro-sllovene të Kosovës se vitit 1989. Miku im, më një nuhatje fantastike, më pat thënë e më vonë edhe e pat shkruar në shtypin slloven, se lider i ardhshëm i Kosovës se re paskomuniste do të ishte Ibrahim Kelmendi. Peter Bozhiç quhej shkrimtari slloven dhe si fëmijë kishte kaluar nëpër kampet naziste në Gjermani.
Nejse, kjo është ajo që më ka mbetur në kujtesë nga ajo kohë. Tashti kemi librin Atentatet. Kemi edhe autorin e tij, për të cilin thashë se e konsideroja një njeri me profesion politikani. Tash Ibrahim Kelmendi nuk është askund në politikë. Apo ai vazhdon ta bëjë politikën në mënyrën e tij tejet origjinale. Edhe libri i tij është origjinal në shumë pikëpamje. Origjinal si zhanër. Ai e quan roman, mbase për të shpëtuar nga grackat e akuzave që pas botimit të librit atij mund t’ia bëjnë njerëz që janë përmendur me emra të gjymtuar, me emra të shpifur, me emra të vërtetë.
Mirani është personazhi kryesor i librit dhe nuk është vështirë të merret vesh se ai personifikon vetë autorin. Ç’deshi Ibrahim Kelmendi që të shfaqet me këtë libër vetëm tashti? Ishte një shqetësim i tij intelektual, apo një kthim kusuri të gjithë atyre që e kishin sharë e akuzuar derisa ai kryesisht heshtte? Mund të jetë dhe mund të jetë tjetra, por mund të jenë edhe të dyja bashkë. Sido që të jetë, pasi e lexova librin, edhe unë kam nxjerrë konkluzionet e mia:
E para, libri i tij e pasuron atë që ne e quajmë literaturë e Diasporës shqiptare, e cila dita ditës po bëhet më e begatshme dhe pasuruese e letërsisë dhe publicistikës sonë kombëtare.
E dyta, libri Atentatet do të çojë shumë pluhur dhe do të nxisë edhe të tjerë veprimtarë në Diasporën tonë që të shkruajnë memoaret e tyre. Bile kjo do ta inkurajojë më shumë edhe vetë Kelmendin që të shkruaj edhe libra të tjerë. Sepse, nëse përpara është thënë se fjala nxjerrë fjalën, tash mund të thuhet, sidomos në rast si ky, se libri nxjerr librin, tëndin apo të tjetrit që do ta kundërshtojë librin tënd.
E treta, libri Atentatet, në të vërtetë është një kundërgoditje e fuqishme për gjithë ato që unë i quajta fabrikues të atyre bjeshkëve të mëdha të shpifjeve e të thashethemeve.
E katërta, përmes romanit të tij politik dhe memoaristik, Ibrahim Kelmendi ka sfiduar edhe ata që ende janë të fuqishëm dhe që janë gjallë, por që kanë qenë, për faqen e zezë të tyre, shërbëtorë të UDB-së famëkeqe, e cila ka veshur në të zeza shumë motra e nëna. Po të zhvishej nga ai petk i hollë i literaturës së mirëfilltë, anarkisti Ibrahim, siç e kanë quajtur të tjerët dhe që, siç duket, i pëlqen ta quajnë, përmes kësaj vepre u ka hapur shtegun zbulimit të shtisëve e dorasëve mbi vëllezërit Gërvalla dhe të Kadri Zekës.
Libri ka sfiduar rëndë spekulantë të ndryshëm që akuzonin pa fije turpi njerëz të pafaj për gjoja vrasjen e tre heronjve të Kosovës. Po të kishim të ndërtuara struktura drejtësie, siç ka në vende evropiane, prokurorët, qysh në ditën e daljes së librit në treg, do t’i priste një punë e ngutshme.
Dhe e pesta, libri edhepse voluminoz, lexohet me një frymë. Libri ka ritmin e tij që të rrëmben dhe të bën të jesh ngjitur me te deri në faqet e fundit, kur në kopertinë qëndrojnë vlerësimet e Prend Buzhalës e të Adem Gashit. Ky i fundit në parafjalën e tij ka lënë të shkruar: “Ky shkrim s’është gjë tjetër veçse një akt dëshmimi i autorit, blatuar hyjneshës se tij, të vetmes dhe të tërëkohshmes.” Prend Buzhala, ndërkaq, flet për Rrëfimtarin autorial dhe për librin, që lexohet si dorëshkrim letrar.
Vetë autori e ka parë të udhës që në fund të sqarojë (citoj): “Ngjarjet e romanit janë fragmente të jetës dhe veprimtarisë në ekzil, gjatë viteve 1979-1982, të personaliteteve tashmë historike, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla dhe të bashkëveprimtarëve e të kundërshtarëve të tyre. Ato janë pasqyruar ashtu siç i kam përjetuar dhe siç i kam mbajtur mend, pa pretendime për të qenë të vërteta historike. Mendimet dhe vlerësimet janë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet.”
Krejt në fund edhe ky element i rëndësishëm për raste të këtilla: Libri është botuar nga Focus, është botuar gjatë janarit dhe fillimshkurtit nga shtypshkronja Blini në Gjakovë. Kopertinën e ka punuar Ngadhnim Memhmeti në Shkup, ndërsa për faqosje autori nuk ka paguar asgjë, sepse e ka bërë vetë. As shtypi nuk i ka kushtuar gjë, sepse brendësinë e ka financuar Focusi, kurse kopertinën Ngadhnjim Mehmeti. Deri në dalje të librit autori është ndihmuar me mbi 3.000 euro nga individë të ndryshëm. Pra, mund të kenë ardhur ende në adresën e tij, sepse ai aty ka të shënuar edhe dy konto bankare.
Është shënuar se libri është botuar në 3.000 ekzemplarë dhe është paralajmëruar se do të ketë edhe një ribotim. Nga kjo pikë Ibrahim Kelmendi del krejtësisht dhe plotësisht i suksesshëm, sepse në epokën paskomuniste librat nuk botohen më në tirazhe kaq monumentale. Ndërsa polemikat për librin, pa ftohur mirë ai nga rotativat, kanë filluar me bujë. Ne diasporikët, kësodore, do të fusim bashkëkombësit tanë në Atdhe që t’i flugën leximit dhe t’i shkëpusim nga limonadat serike latino-amerikane.
(Revista REPUBLIKA, nr. 3, 2007)