SALI BOLLATI — ÇAM SHQIPTARO-AMERIKAN I MBIJETUAR I GJENOCIDIT GREK TË 1944 JO, JO, NUK HARROHET ÇAMËRIA!

0
677
Sali Bollati - Frank Shkreli

Sali Bollati nga Çamëria me Frank Shkrelin nga Malësia, në Kuvendin e qytetit të Nju Jorkut, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntor, 2019. Kështu i duam të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim:Të bashkuar, në gëzime dhe në hidhërime, për një të ardhme të përbashkët kombëtare, më të ndritur!

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Çdo vit në Qershor, Çamët kudo që gjënden në botë, përfshirë komunitetin çam në Shtetet e Bashkuara, kujtojnë viktimat e masakrës së vitit 1944, kur forcat e gjeneralit famëkeq grek, Zervës kanë ekzekutuar barbarisht mijëra shqiptarë përfshirë gra, pleq e fëmijë nga qyteti i Paramithisë në Çamëri. Kjo masakër njihet si njëra prej masakrave më të mëdha dhe më çnjerëzore të Luftës së dytë Botërore, kur forcat terroriste greke të gjeneralit Zerva, brenda një nate, vranë e prenë një numër të madh shqiptarësh çam të atij qyteti.

Shifrat, në të vërtetë, janë tronditëse! Sipas burimeve, brenda dy ditësh, janë masakruar dhe vrarë qindra njerëz të pafajshëm, kryesisht, gra, fëmijë e pleq. Pas këtyre vrasjeve në qytetin e Paramithisë çame, shovinistët grekë vazhduan spastrimin etnik nepër fshatra dhe qytete të tjera të krahinës së Çamërisë shqiptare. Sipas burimeve të besueshme, deri në mars të vitit 1945 janë vrarë rreth 2900 çamë, vetem e vetëm, se ishin shqiptarë. Ndërsa të dëbuar nga shtëpitë e tyre, rrugëve, nga uria dhe sëmundjet mund të kenë vdekur rreth 4000 çamë dhe afër 40.000 të tjerë janë përzenë me një dhunë të egër, të paparë etnik-spastruese duke i dëbuar çamët nga shtëpitë dhe trojet e tyre mijëra vjecare. Të uritur e të rraskapitur ata kanë arritur, më në fund, të hynin në Shqiperi. Përfundimi tragjik ishte se për afërsisht 1/5 e popullësisë shqiptare e besimit mysliman çam u çfaros, ndërsa shqiptarëve çamë të besimit të krishter, ju ndalua kategorikisht përdorimi i gjuhës amtare.

Nëse historia do ta cilësojë këtë tragjedi si një masakër të çamëve të pafajshëm, si një gjenocid, masakër a po diçka tjetër, kjo mbetet në duart e historianëve të vërtetë dhe të paanshëm evropianë dhe shqiptarë. Por ajo që vihet re, nga viti në vit, përsa i përket kësaj tragjedie të vërtetë njerëzore të çamëve nga forcat greke, është vazhdimësia e hipokrizisë dhe mohimit nga ana e shtetit grek se asgjë e veçant nuk ka ndodhur, se gjoja një masakër e tillë nuk ka ndodhur në Çamëri. Por të çuditë edhe heshtja konveniente dhe vazhdueshme e autoriteteve shqiptare, nga viti në vit, për të kujtuar zyrtarisht këtë tragjedi, në një mënyrë ose në një tjetër — duke vazhduar në kështu politikën mohuese të regjimit komunist të Enver Hoxhës që nuk e përmendi tragjedinë çame për 45 vjet ashtu siç nuk përmendej as masakra e Tivarit, e mijëra shqiptarëve nga Kosova nga UDB-ja jugosllave me dijeninë dhe me ndihmën e Sigurimit të Shtetit shqiptar.

Sali Bollati i mbijetuari i masakrës çame
në paradën vjetore të shqiptaro-amerikanëve në Manhatan të Nju Njorku

Ndërkohë, autoritetet shqiptare këto 30-vjet post-komunizëm kanë mundësuar dhe lejuar ndërtimin e monumenteve në tokën shqiptare, kushtuar, “heronjve turq” të rënë në vendin e tyre, në mbrojtje të diktatorit Erdogan, ose varrezat greke dhe monumente të tjera në jug, ndërkohë që në veri të Shqipërisë gjithashtu vihet re prania e simboleve të ndryshme serbo-malazeze,ndërkohë që anë e mbanë trojeve shqiptare po fshihen gjurmët iliro-arbërore. Tragjedia çame, si dhe i masakrat e tjera, siç është ajo e Tivarit, ndonëse janë larg vëmendjes së autoriteteve zyrtare shqiptare në — Tiranë dhe në Prishtinë — dhe të “zbuluesve” të rinjë të të pazbulurave — ato mbahen mend dhe kujtohen në mendjen e popullit dhe të dëshmitarëve të gjallë, si krime kundër njerëzimit, sepse të tilla janë. Prandaj, si krime kundër njerëzimit, ato nuk mund të harrohen dhe të konsiderohen, thjeshtë, vetëm si “padrejtësi historike”, kundër shqiptarëve.

Fatkeqësisht, edhe sivjet kaloi edhe një përvjetor tjetër i masakrës së Çamërisë, pa u kujtuar siç duhet dhe pa u dënuar si një masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo tragjedi nuk harrohet kurrë nga një i mbijetuar i asaj masakre, miku im i shtrenjtë, mbijetuesi i asaj tragjedie, Z. Sali Bollati, ose “Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan, i Mbijetuar i Genocidit grek të 1944”, siç preferon të nënshkruaj mesazhet elektronike që më dërgon nga hera në herë. Çdo vit, në një mënyrë ose në një tjetër, komuniteti çam në Shtetet e Bashkuara shënon, modestësisht, këtë përvjetor tragjik duke kujtuar viktimat e asaj tragjedie. Unë jam shpesh në kontakt me Z. Sali, pasi kemi mjaft përputhje mendimesh mbi shumë gjëra që lidhen me historinë dhe fatin e Kombit tonë. Para disa ditësh prej tij mora një letër që, Z. Sali i kishte dërguar Hirësisë së Tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, Kishë e cila është pasuese e Kishës së Fan Nolit, për pjesën jugore të kontinentit amerikan – me komunitete kishtare të veta në Argjentinë, Brazil, Kili dhe Uruguaj.

Si një i mbijetuar dhe dëshmitar i gjenocidit grek të 1944, në letrën e tij Z. Bollati falënderon Hirësinë e Tij Aleksandër, për Meshën dhe ceremoninë fetare me të cilën Hirësia eTij kujtoi më 27 Qershor, 2020, Martirët e Çamërisë Shqiptare të masakruar e vrarë me 1944 në Paramithi e të cilët kanë mbetur pa varre në Trojet Etnike Shqiptare. Në mesazhin e tij falënderues drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, Z. Bollati kujton ato ditë të vështira për shqiptarët e Çamërisë nga një përspektivë personale duke kujtuar emërat e më të afërmve të tij që janë masakruar nga forcat greke: “Në Ditën e fillimit të masakrave dhe vrasjeve të Shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët bizantinë grekë -27 Qershor 1944”, shkruan Bollati, “isha vetëm 7 vjecar, në vendlindjen time në Paramithinë Shqiptare. Mbas masakrave dhe vrasjeve të gjyshit tim 82 vjecar, Imam Muharem Bollatit, gjyshes 72 vjeçare Ruhije Bollati, Babait 52 vjeç, Ibrahim Bollati, Nenës 36-vjeçare Betula Bollati, vëllait 13 vjeçar Ferhat Bollatit.

Më poshtë një urim dhe mesazh tepër domethënës i Kryepeshkopit Aleksandër i Shqiptarëve, udhëheqsit shpirtëror të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, me rastin e Ditës së Pashkëve drejtuar të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës dhe pa dallim feje a krahine:

Krishti u Ngjall! Me zemër ju uroj Gëzuar Pashkët, Vllëzër dhe Motra dhe Miqtë e mi Shqiptarë Ortodoksë dhe të gjithë atyre që e festojnë ketë ditë, kudo që gjindën, e për shumë vjet! Urime e paqë bekim dhe dashuri në familjet tuaja.

Përfitoj nga rasti për të përshëndetur me dashuri të gjithë Myslimanët, Bektashianët, Agnostikët, Ateistët dhe të Krishterët, Vëllezërit e mi të gjakut: Urimet më të mira për të gjithë ju! Paqë, lumturi e begati gjithmonë! Rofshin të gjithë Shqiptarët në të gjithë botën, pa dallim Feje! ️Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar, përgjithmonë! ️Rroftë Shqipëria Etnike! I Lirisë se Ilirisë. Autoktonus! Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Kryepeshkop +Aleksander i Shqiptarëve, Bir i Shqiponjës! (Marrë nga portali i Kryepeshkopit)

Vëllai tjetër 5 vjeçar Faruk Bollati vdiq në burgun kamp-përqendrimi së bashku me motrën 2- vjeçare Makbule Bollati. Unë së bashku me motrën tjetër 9 vjeçare, Qerime Bollati; falë Zotit mbijetuam mbas 6 muajve në burgun e Paramithisë. Ushtarët anglezë na transportuan tek Nëna Shqipëri. Po ju rrëfej se të njëjtat masakrime e vrasje i vuajtëm bashkë me mbi 600 shqiptarë të pafajshëm çamë Paramithiotë dhe me mbi 2900 çamë shqiptarë të tjerë. Ndërsa mbi 40.000 të tjerë u pritëm nga vëllezërit tanë në Shqiperinë Nanë”, i shkruan Sali Bollati, Hirësisë së tij Aleksandrit, udhëheqësit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, ndërkohë që e falkënderon, përzemërsisht, Kryepeshkopin për ceremoninë fetare që zhvilloi më 27 të qershorit 2020, në kujtim të viktimave të pafajshme të masakrës së Çamërisë të vitit 1944, në kujtim të atyre që ai cilëson si, “Tmerret që nuk harrohen” ka shkruar Z. Bollati.

Megjithëse ishte fëmij 7-vjeçar dhe ndonëse kanë kaluar 76 vjetë, Sali Bollati nuk e harron kurrë masakrën e Çamërisë, atë akt mizor, antinjerëzor shovinist ndaj njerëzëve, krejtësisht, të pafajshëm, kryesisht pleq e femijë”, kujton ai, duke nënvijuar falënderimet e tij më të thella për Peshkopin Aleksandër — të cilin e quan një “Pishtar të Shqiptarizmës së vërtetë” dhe “Përfaqsues i denjë i të nderuarit të madh Fan Nolit” — “Për veprën e tij të mishërimit të shpirtërave shqiptarë të Çamërisë Martire”, në ceremoninë e organizuar prej peshkopit, në kujtim të përvjetorit të masakrës së Çamërisë më 27 të qershorit që kaloi.

Fatkeqësisht, përvjetori i masakrës së shqiptarëve në Çamëri, përkoi sivjet me një fushatë denigruese që për pothuaj dy javë tani ka pre-okupuar opinionin publik shqiptar ndaj dy shkrimtarëve të mëdhej të Kombit Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si rezultat i një studimi, që shumë analistë dhe komentues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë si shpifës. Në vend që historianët dhe studiuesit dhe pretenduesit tanë shqiptarë që gërmojnë nga një arkiv ndërkombëtar në tjetrin për të “zbuluar” të bëmat dhe të pa bëmat –gjoja “tradhëtitë” dhe “bashkpunimin” e këtyre burrave të dalluar për kontributet shumë të çmueshme kombëtare, – do të kryenin një detyrë më të ndershme dhe më patriotikte po të angazhoheshin për zbardhjen e këtyre historive tragjike të Kombit shqiptar, siç janë, ndër të tjera, masakra e Çamërisë dhe masakra e Tivarit.

A nuk do të ishte më mirë që në përvjetorin e masakrës së Çamërisë – në vend që të këthehet kujtesa e regjimit të Enver Hoxhës dhe metodave të tija të zbulimit, me këto gjueti shtrigash ndaj ish-kundërshtarëve të tij politikë –studiuesit tanë të nderuar të ndërmerrnin studime apo punime– të jepnin një kontribut të vërtetë në historinë e Kombit duke realizuar, vërtetë, punime shkencore mbi këto masakra. Si për shembull, të dilnin me një studim serioz, bazuar në burime të besueshme historike, vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, mbi faktet historike të masakrës të shtatorit 1944, në Çamëri, në vend që të denigrojnë Martin Camajn dhe Ernest Koliqin, apostullit të përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare.

Ka qenë shtatori i vitit 1941, kur — me një vendim të Ministrisë së Arsimit, në atë kohë, kur ministër i saj ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, u dërguan në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare ku flitej shqip, në Maqedoni e në Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e tija në hapjen e shkollave shqipe dhe në realizimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare, që deri atëherë shtypej egërsisht nga okupatorët e trojeve arbërore.

Frutat e atij akti, pothuaj 80-vjet më parë, janë sot të qarta, për të gjithë ata që duan të shohin: Kosova e lirë, shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 120 shtete dhe shpresojmë siç thonte dikur Dr. Ibrahim Rugova, në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara. Janë dëshirat e shfaqura të qindra mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, një ringjallje e një krenarie kombëtare dhe të identitetit kombëtar, shpresojmë për shekuj të shekujve. Pasi jemi duke kujtuar Çamërinë martire, nga ato që dimë, konstatohet se me urdhër të Ernest Koliqit në Çamëri janë hapur në atë kohë, shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë. Por do të donim të dinim edhe më shumë për këto shkolla dhe sidomos edhe për kontributin e misionarëve të parë të përhapjes së kulturës dhe të gjuhës arbërore, të cilët u dërguan në Çamëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga ky “poliagjenti” dhe “kolaboracionisti” Ernest Koliqi.

Unë jam i sigurt se, me këtë rast, edhe miku i imi nderuar, Z. Sali Bollati-Çam Shqiptaro-Amerikan, i Mbijetuar i Gjenocidit grek të 1944, do të ishte shumë më i kënaqur nëqoftse dikush do të jepte një një kontribut të tillë historik dhe kombëtar, pikërisht, në këtë përvjetor të masakrës së Çamërisë, në vend që të denigrojnë, me metoda enveriste, dy nga personalitet e njohura të Kombit. Kjo do të ishte mënyra më e ndershme dhe më njerëzore për të kujtuar viktimat e pafajshme të krimeve greke në Çamëri, në këtë përvjetor të masakrimit të shqiptarëve çamë, por dhe në çdo përvjetor tjetër në të ardhmen.