Dorëshkrimi nën lupë
Nga Sinan GASHI
Nuk janë të rralla njohuritë për sakrificën që bën shkrimtari për ta krijuar veprën e tij, ku përveç dhuntisë dhe dijes, ai sakrifikon edhe kohën, shëndetin e çka jo nga vetja për të thënë diçka të mirë dhe me interes për kohën, sa edhe për ta nxjerr dufin që e mundon së brendshmi për të shëmtuarat që manifestohen në kohën e tij e ai, si individ, nuk ka mundësi që t’i largojë ato, por vetëm një mënyrë e manifeston atë pakënaqësi, duke thënë atë që duhet ndryshuar, e njëkohësisht edhe e ndjen veten më të lehtësuar pas atij mesazhi shkrimor. Këtu është edhe reale e dhëna se arti është lehtësuese e shpirtit të ngulfatur, pra është terapi shpirtërore.
Robert Prifti
(1925-1993)
Ndër krijuesit që ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, vetëm që të shpëtojë krijimtarinë e tij nga asgjësimi, duke manifestuar tri mënyra preventive, po ashtu ta jashtëzakonshme, është shkrimtari Robert Prifti (1925-1993) nga Korça. Ai me këtë mbetet pa dyshim unik në letrat shqipe për mënyrën e fshehjes së krijimtarisë nga diktatura, ngase ishte në shënjestër të sigurimit të shtetit dhe po ashtu krijimtari e tij shprehte mjerimin shoqëror në Shqipërinë e kohës, ku ai nxirrte dufin ndaj të shëmtuarave shoqërore…
Duke jetuar në sistemin diktatorial, i cili përcjelljen e atyre që nuk u shkonin për shtati e kishte mënyrën më perfide dhe më të shëmtuar, ani pse këtë intelektual të vyer e shumë të përgatitur, e kishte degdisur sa andej sa këndej nëpër lokalitete të ndryshme, për të përfunduar së fundi mësues të thjeshtë fshati, vetëm vullnetin për krijimtari nuk mundi t’ia largonte për asnjë çast.
Por, frika nga gjetja e tyre shkrimeve, e pastaj përjetimi i kalvarit mu për shkrimet e tij, deri në burg a pushkatim, ashtu siç i kishte ndodhur Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Trifon Xhaxhikës, Fazli Greiçevcit, Havzi Nelës e dhjetëra të tjerëve, kishte zgjedhur tri mënyra për fshehjen e tyre, që edhe sikur t’i gjenin ato, në mënyrë që ai të shpëtonte si njeri dhe njëkohësisht veprat t’i shpëtonin si krijimtari: përdorimi i pseudonimit, shkruarja me llupë dhe shkruarja në gjuhë të huaj.
1. Firmosja me pseudonime
E para, edhe pse të gjitha ato vepra, jo të pakta në numër, ishin në dorëshkrim, i kishte firmosur me dy pseudonime, Robert Elin dhe Trevor Elin, që realisht tingëllonin si autor të huaj, duke menduar se këto do të merreshin se janë nga një autor i huaj e, mbase, arsyetoheshin me një punë përkthyesi, e asgjë më shumë, kur edhe interesimi i sigurimcave do të largohej pa ndonjë ndëshkim.
Sido që të jetë, vënia e pseudonimit në vend të emrit të vërtetë rrëfen për një sakrificë kur, për arsye objektive sistemore, nuk mund ta vejë emrin e vet, pra nuk mund ta përjetojë kënaqësinë e dëshmimit dhe krenarisë e kënaqësisë që i sjell puna intelektuale, e cila nuk është privilegj i secilit.
2. Shkruarja me llupë
E dyta, shkrimin e tyre e kishte bërë me dorë dhe vetëm përmes syrit zmadhues të llupës. Nëse hiqej ajo, ato ishin aq të vogla, gati të padukshme, sa nuk do i zgjonin askujt kureshtjen për t’u thelluar në ato. Në fakt kishin pamjes sikur ishin vija koti, pa asnjë domethënie.
Veç tjerash, kjo mënyrë pune sjell një torturë dhe përjetim tëpër të rëndë se, ana teknike është anormale dhe lëvizja e lupus nga dora kur dora tjetër lëvizë për punë, krijojnë një nervozizëm e lodhje, të cilat i mund vetëm dashuria tej mase për krijimtarinë sa edhe ideali i pashoq… tjera, kjo formë mikroskopike e lind dystimin se do të hidhej si e pavlerë, nëse dikujt nuk i shkon mendja, në mos vetëm për kuriozitet, që të deshifrojë këtë kaligrafi mistike.
E, shkruesi, këso radhe Robert Prfti, do të ishte tepër i zhgënjyer nëse nuk do besonte se një ditë ajo do ishte në formë libri dhe do bëhej pjesë e letërsisë shqipe, prë ta faktikuar përjetimin e rëndë të autorit – shoqërisë, por edhe sakrifica dhe talenti i autorit të zhbëheshin, pra do shkonin huq.
3. Shkruarja në gjuhë të huaj.
E treta, ai në të vërtetë ishte një poliglot; njihte tetë gjuhë të huaja (latinisht, greqisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, italisht, gjermanisht, spanjisht), por krijoi vetëm në italisht, ani pse gjithmonë jetoi në Shqipëri dhe gjuhën e mëmës e donte si asgjë në botë.
Edhe këtë formë e mendonte se ishte një shpëtimtar, duke menduar se pseudonimi emër i huaj, pastaj edhe gjuha po e huaj, përfundimisht do të ishte një fshehje reale para atyre që e dinin se ai nuk ishte aspak i kënaqur me sistemin dhe, gjithsesi, në veprat e tij kishte rrëfyer për realitetin e hidhur të shoqërisë shqiptare.
Vetëm pak para vdekjes, i kishte botuar disa vepra në Romë, në gjuhën në të cilën edhe i kishte shkruar, ndërsa veprat e tjera, pas vdekjes, i biri po i përkthen në shqip dhe natyrisht po e shohin dritën e botimit. Ndër to ka poezi, tregime dhe romane.
Veprat janë:
1. “Le subcorticali epitaffi di vita”, poezi, Roma,
2. ”Divertimento col pianto”, poezi, Roma,
3. “Aforismi e pensieri”, Roma,
4. “Il sole dei morti“, tregime,
5. “I’occhio del Polifemo“, roman,
6. “Il segno distrintivo della violenca”, roman,
7. “La filicita della paura“, roman,
8. “ I duo lehti di Procoust “, roman.
Pos tri veprave që i pa të botuara për së gjalli në Itali, veprat e tjera po i shqipëroi i biri dhe i ka botuar shtëpia botuese Omsca në Tirana.
“Bota sot” online, 15 mars 2020