Recension
Shkruan: Shefqet BYLYKBASHI
Romani “Mes dhembjes dhe krenarisë” i kushtohet temës së krenarisë dhe dhembjes njëkohësisht, të qëndrimit në fatkeqësi dhe të ndihmës morale nga familja, dhe të një doze harrimi që i bëhet personazhit të këtij romani, Bardhit, nga shoqëria demokratike.
Libri më i ri, i autorit tashmë të njohur në rrethet tona letrare, Safet Hasani, që tani do ta kemi në duar, përqendrohet rreth personazhit kryesor të këtij romani, Bardhit, dhe luftën çlirimtare që zhvillohet në Çyqavicë, zonë malore që ngrihet në mes trevës së Drenicës dhe Artakollit, roman i cili për autorin është inspirim nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhi në fund të shekullit të XX-të.
Karakteri i Bardhit, është dhënë me mjaftë realizëm dhe me plot dhimbje fizike e morale.
Duke u nisur nga titulli i këtij romani, çdo lexues menjëherë hyn në qendër të diçkaje që ndodhët në largësi të barabartë ndërmjet dhembjes dhe krenarisë; që ndodhët në fundin e dhembjes e kreut të krenarisë, thënë me pak fjalë, që ndodhet midis një ane e anës tjetër, te të dyja këtyre medaljeve.
Autori Hasani duke iu rikthyer ngjarjeve nga lufta, hyn deri në thellësi të dhembjes, nëpërmjet personazhit të tij. Kalon të gjitha rrathët e mundimit, shqetësimit dhe vuajtjes, sëmbimit, therjes dhe kalon si një dritë shprese, në suksese e fitore, duke arritur që artistikisht të na i ofroj vetitë e cilësitë e shquara dhe traditat e shkëlqyera të popullit ton] liridashës nëpërmjet heroit të këtij rrëfimi, Bardhit.
Bardhi, një i ri, i radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare, entuziazmohet nga lufta e drejtë për liri, plagoset, shërohet…, i përkeqësohet gjendja, përsëri, por, ai nuk dorëzohet lehtë. Luftën e tij për të jetuar e vazhdon duke duruar dhembjet e plagës.
Bardhi, në këtë roman, shpeshherë na jep të kuptojmë, deri sa ai mediton, se i është bërë barrë e rënd gruas, fëmijëve, të afërmeve dhe shoqërisë. Bardhin ndonjëherë e shohim të dëshpërohet, ndonjëherë të jetë krenar për gjymtyrët që ia fali atdheut. Jeta e tij ka kriza siç edhe ndodh me invalidët e çdo populli. Derisa ai jeton me qira, i bëhej se vç edhe kjo i mungonte për ta plotësuar mozaikun e rëndë të jetës së tij.
Bardhin më shumë e mundon vuajtja e tij shpirtërore sesa ajo fizike që ia sjellte plaga e këmbës së tij të amputuar.
Kishte edhe ditë të lumtura të jetës së tij, derisa mezi ecte me paterica nëpër shtëpi. Jetonte me gëzimin e fëmijëve të tij. Donte që ata të shkolloheshin e edukoheshin dhe t’i shërbenin vendit me devotshmëri.
Romani, i Safet Hasanit “Mes dhembjes dhe krenarisë” ngre lartë shqetësimin e shoqërisë sonë për një përkujdesje më të theksuar ndaj atyre që falën gjymtyrët për atdheun dhe njëkohësisht tregon forcën shpirtërore të njeriut për dashurinë ndaj familjes, atdheut dhe lirisë.
Kjo kategori e luftëtarëve kërkon më shumë përkujdesje dhe respekt nga shoqëria dhe shteti, duke ua vlerësuar guximin, trimërinë dhe sakrificën që ata bënë në luftën për çlirim.
Uroj që shkrimtari Safet Hasani, të na pasurojë pa ndalur, kohë pas kohe, edhe me libra tjera, për ushtarë dhe heronj të popullit tanë, që me gjymtyrët e tyre, me gjakun e tyre bënë që ne, sot, të frymojmë lirshëm dhe të shijojmë frytet e lirisë si rrjedhim i flijimit të tyre.
Personazhi i këtij romani, Bardhi, me këmbën e amputuar, një ditë nuk u ngrit dot në këmbë. Por, e ngriti gjer lartë në qiell lavdia e tij!
Prishtinë, shtator 2019.