Ai, FEHMI OPSHAFI, shkrimtari, poeti, aktori, regjisori, krijuesi, mërgimtari… sapo mësova se iku…
Iku për të mos ecur si filiz kavaku rrugëve e mjediseve të Athinës, ku u takova dhe piva kafe viteve të mërgimit.
Nuk do ta takoj më veçse në librat që kam në bibliotekën time me përkushtimin e tij.
Nuk do ta takoj më veçse në bisedat me të në arkivin tim të gazetarit.
Një prej tyre po e përcjell me mesazhin e tij njerëzor e atdhetar:
“Sa pak i dhamë Atdheut, vëlla, sa pak i dhamë…”
Abdurahim Ashiku
Athinë, 14 janar 2020
* * *
Në qoftë se doni t’i dërgoni një mesazh, pyesni për numrin e celularit të tij tek “VATRA SHQIPTARE – Patision 25“. Më 24 shtator 2007 mbush 73 vjet largësi nga vitlindja e tij, 1934…
Në qoftë se doni të mësoni se kush ishte “Dashuria e parë“ e tij, përsëri shkoni tek “VATRA SHQIPTARE – Patision 25“, trazoni librat dhe mes tyre do ta gjeni atë.
Në qoftë se doni të dini se kush është, atëherë po ju them që është një burrë që në pamje nuk e nxjerr në pension, që në gjallërinë e trupit, të lëvizjeve dhe në mimikën e fytyrës dhe të shpirtit të tërheq e të bën për vete. Quhet Fehmi Oshafi, me prindër të ardhur nga Dibra e Madhe në vitet më të vështira të kombit tonë, atëherë kur në një tavolinë të madhe në Londër fuqitë e mëdha të botës, me indiferentizmin e kriminelit profesionist, e ndanë Shqipërinë për palcës së kurrizit, prenë dhe morën kokat e krahinave, Dibrën, Prizrenin, Gjakovën… Kosovën, Pologun, Ulqinin, Tivarin…
Në qoftë doni të dini diçka nga jeta e tij atëherë me siguri rreth boshtit të saj do të shohësh të marrë mish e të rrotullohet: “Një kohë e shkurtër si aktor i teatrit Popullor”, “Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e regjisurës“, “Regjisor i estradës profesioniste të Elbasanit”.
Ndërkohë punonte edhe studionte me korrespondencë duke marrë diplomë në Universitetin e Tiranës në degën gjuhë – letërsi.
…Si asistent – regjisor në disa filma të Kinostudios “ Shqipëria e Re “, ai do të aktivizohej edhe si aktor në disa role të dorës së dytë, ku ndër më të goditurit do të ishte roli i bashkëpunëtorit shkencor në filmin “ Përse bie kjo daulle “ sipas romanit të Kadaresë “ Dasma “.
…Më pas do të vinin filmat e tij artistikë të pavarur. Kinospektakli “Estrada në ekran“ i dha çelësin e hapjes së dyerve të mëdha të kinematografisë. “Kapedani“ aq i njohur dhe aq i dëshiruar nga spektatori shqiptar është vepra e tij e parë e madhe, vepër e cila do të pasohej nga kinokomeditë “Ëndërr për një karrige“ dhe “Zëvendësi i grave“. Filma të tjerë të tij të njohur të regjisorit Oshafi janë “Thirrja“, “Dëshmorët e monumenteve“, “Dritat e qytezës“, “Në emër të lirisë“, “Pas takimit të fundit“…
“Shoku ynë Tili“ jo vetëm u bë një nga filmat më popullor të regjisorit Oshafi por për vlerat artistike dhe për mesazhin që përcillte u nderua me medalje ari në Festivalin Ndërkombëtar të Salernos në Itali…
“ Dashuria ime e parë “ është një përmbledhje poetike e Fehmi Oshafit, tashmë emigrant, një njeri i privuar nga puna dhe profesioni, një njeri që dashurinë e tij të vërtetë ia kanë mbyllur në kafaz. Rrënja e pemës së tij poetike ka gjetë truall dhe është zgjuar, ka thyer muret e kafazit dhe ka çelë një lule aromë mirë…
Po cila është “Dashuria e parë” e njeriut Fehmi Oshafi ?
Atë do ta gjesh në çdo fjalë, në çdo varg, që nga faqja e parë deri tek ajo e fundit, që nga vargu i thyer deri tek ai klasik…
Por, e përmbledhur, e koncentruar, e lidhur me shpirtin e tij, ajo është ngjizur tek “Në vend të parathënies – Dashuria ime e parë“, një parathënie në vargje, një biografi e shkurtër në vargje, një dashuri e shprehur në një formë që, të paktën unë, e has për herë të parë.
“Kur nisa vargje të thur poezi, e nis “biografinë” e tij poeti, Kur isha i ri, Më dehën më tepër aromat e saj, Se lulet në maj…”
Por një ditë djaloshit të ri “Vargjet që shkelnin në shtigje të reja, iu vranë në beteja“. Atij do t’i ftohej muza dhe, siç thotë me zemër të vrarë: “një ditë e braktisa, dhe rrugë tjetër nisa..”
Po pse e braktisi poezinë ? Çfarë bukurosheje i doli përpara dhe ia mori mëndët dhe e çoi në tjetër shtrat jete ?
Poeti thotë “Mu shfaq si vegim shpirti më poetik, /Në fenerin Magjik./ Më hodhi
dritëhijet në imagjinatë, / Muza e artit të shtatë.“
Ai do ta linte poezinë për kinematografinë…
Megjithatë për njeriun Fehmi, për kinematografin Oshafi, “ …plagë e pa mbyllur do të mbesë gjer në varr, / Dashuria e parë./ Një plagë që me vargje e lidh, e fashoj, / Sa herë që krijoj “…
Pas “biografisë” dhe “zbulimit të dashurisë“ vargjet e poetit ndalen tek Atdheu, tek brenga e njeriut që mendon se sa pak i dhamë atij:
“Sa pak i dhamë atdheut, vëlla, / sa pak i dhamë./ Gënjenim veten duke thënë: / se mjaft i dhamë./ Gënjenim veten dhe Atdhenë, / sa herë i thamë, / Se dhamë sa mundëm, / kur e dinim sa pak dhamë…“
Dhembja e njeriut – poet ngushet e shpërthen, siç shpërthen lumi i fryrë digat, siç shpërthen shpirti i vrarë ndjenjat: “ Pa dritë e lamë, në dritë të syrit, / më se pamë, / Ndaj kombet tjerë te derdha e gardhit, / shpesh i pamë. / Lëvdonin veten, se në qafë / askujt s’i ramë,/ Dhe hapur derën për të huajt, vetë e lamë…”
Brenga e njeriut, poetit, intelektualit vjen e rritet, rritet dhe në rezonancë vjen e në një çast shpërthen:
“Rënkon Atdheu se pa gjak të ri, / e lamë. / Ndaj anemik, kur ikëm larg prej tij, / e pamë. Pa gjak në trup, pa mend në kokë, / Pa shpresë e lamë. Ndaj dhe një fjalë me vend s’e thotë,/ dhe fjalën vramë. Dhe pa të djeshmen dashuri, / Atdhenë e lamë, Ndaj s’e përfill më asnjeri, / madje e shamë. Dhe pak nga pak, pa dinjitet, / Atdhenë lamë. Në sarkofag dhe shtetin vetë, / një ditë e pamë… Sa pak i dhamë Atdheut, vëlla, / i dhamë. Sa pak përbrenda nesh, vëlla, / Atdhenë e pamë.“
Ishte kjo një elegji, një këngë vaji, nga ata lloj këngësh vaji që vetëm vajtojcat e maleve dinë t’i thurin e t’i nxjerrin nga thellësia e shpirtit. Vaji është me adresë të përveçme – ( Kushtuar vëllait tim, kompozitor ) – poshtshkruan autori, por është edhe për mua, edhe për ty, edhe për ne, edhe për ata që janë atje dhe janë këtu. Nuk e di në se ndonjë kompozitor e ka marrë dhe hedhë mbi pentagram. Dhe në qoftë se nuk e ka marrë, dhe në qoftë se nuk e ka lexuar, do të bëjë mirë ta marrë. I bën mirë vetes, por i bën mirë e më mirë Atdheut, të cilit “Sa pak i dhamë…”
Vjen një moment tjetër që poeti, nga thellësitë e qelizave të ndjenjave të tij pyet veten:
“Ç’po ndodh kështu me mua, këtu në vend të huaj ?/ Të njëjtën gjuhë flasim dhe prapë jemi të huaj, / Të huaj të një gjuhe, të huaj të një gjaku, / Të huaj të një dere, të huaj të një pragu !…”
Libri poetik është befasues në të 91 faqet, nga e para tek e fundit, në poezitë e shkurtra, në elegjitë, në poema, në filozofi e humor. Fjala e dalë nga jeta e moluskut shqiptar herë del si ujëvarë bjeshkësh, herë si dëborë e bardhë majëmalesh, herë si xhevahir i rrallë. Por del edhe nga gryka e pushkës së jetës. Nuk del si plumb, nuk vret, por matet të shërojë plagët e kohës. Se si thotë një fjalë e vjetër e trimërisë popullore ? “Plumbi del me plumb nga plaga xherah !“ Dhe kjo, ndoshta më e qartë, më e dhimbshme, por “plumb pas plumbit” del në poezinë “Vështirë, koleg“ kushtuar, siç nënvizon ai “Kolegut tim, kinoregjisorit të mirënjohur Viktor Gjikës “
“Vështirë koleg, vështirë të jesh artist i ndershëm, / Që nderin mos ta shesësh për tituj dhe para. / Të bëhesh shërbëtor pushtetarësh të pandershëm, /T’i bësh “parrullat” art, madje, vepra të mëdha..”.
Për autorin sot është vështirë ta shohë në sy realitetin, të mbrosh të vërtetën, të jesh poet dhe qytetar, të jesh njeri i barabartë me veten në çdo çast…
“Të kesh fytyrën tënde dhe në qofsh gjeni, / Edhe nëse lavdia të ndjek nga pas…”
U zgjata paksa në kërkim të fjalës – flori. Mora një dorë për lexuesin e gazetës dhe lash një thes për lexuesin e librit…
ABDURAHIM ASHIKU
Athinë, 5 shtator 2007