Sa më shpejt që të largohesh nga mundësitë që ke humbur, aq më shpejt do të hapen shtigje të reja

0
74
Feiz Demiri

Feiz Demiri

Shpesh në jetë ndeshemi me frikën dhe pasigurinë e në shumë momente nuk mund ta tejkalojmë atë. Jeta është e tmerrshme dhe e bezdisshme të vazhdon nën nënshtrimin e mendimeve të frikshme. Andaj, është qenësore dhe e domosdoshme që njeriu të mos jetë rob i frikës dhe i pasigurisë. Duhet të ecësh drejtimit të ri dhe ta njohë veten të çliruar. Vogëlushi im, po ta imagjinosh me kokën tënde një drejtim të ri, kjo mandej të cytë drejt atij drejtimi dhe të shpie në sukses. Njeriu asnjëherë nuk duhet ta mendojë atë që e ka humbur, por atë që me kohë mund ta fitojë.

Me gjithë fuqinë, potencialin dhe zhdërvjelltësinë, duhet ecur drejt shtigjeve dhe labirintheve që t’i sjellë jeta. Sa më shpejt që të largohesh nga mundësitë që ke humbur, aq më shpejt do të hapen shtigje të reja. Vogëlushi im, është gjithnjë më e sigurt kur kërkon shtigje dhe labirinthe të reja gjatë jetës, se sa të stepesh apo të ngelësh në një vend. Ndoshta mendimet e mëparshme dhe shqetësimet nga frika të kanë penguar të ecësh drejt rrugës së re, ama duhet ta mbash në mend që bindjet e vjetra, asnjëherë nuk sjellin progres të ri.

Vogëlushi im, t’i dallosh herët ndryshimet e vogla, të ndihmon t’iu përshtatesh edhe ndryshimeve që pasojnë. Hidhe prapa krahëve të kaluarën dhe përshtatju së tashmes. E vetmja që duhet ta mësosh nga e kaluara janë gabimet, e aty duhet të reflektosh që të mos i bësh më. Në jetë duhet të jesh i kthjellët dhe t’i marrësh gjërat me thjeshtësi. Ndërlikueshmëria dhe kompleksiteti ngatërrojnë.

Në jetë duhet të jesh elastik, që të përballesh me gjeturinë e zhdërvjelltësinë, ngase të ngurtët gjithnjë humbasin. Vogëlushi im, brenda teje struket një potencial i paparë dhe i pazbuluar, çdo gjë varet nga ti se si di ta zbulosh dhe ta shfrytëzosh ndaj një qëllimi, sa më të lartë. Vogëlushi im, ndryshimi vjen nga ti, ti je ndryshimi i vetës tënde… Lëviz pas tij dhe shijoje atë.