Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?

0
469

Përgjigjet Rexhep Qosja, 10 mars 2019

MekuliPress ju sjellë një pjesë të intervistës së akademik Rexhep Qosjes, dhënë një mediumi shqiptar që në vitin 2012. Ja mendimi i akademikut Rexhep Qosja rreth ndarjes apo lëvizjes së kufirit të Kosovës:

Ndarja e Kosovës po shikohet gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, po edhe ndërkombëtarët e mohojnë herë pas here. Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?

– Edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës ishte bërë çështje ndërkombëtare, nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm në ish-Jugosllavi dhe në botë flitej për ndarjen e Kosovës. Ndarja shihej si zgjidhje e përhershme, historike e çështjes së Kosovës, domethënë e konfliktit shqiptaro-serb. Kush i ka lexuar kujtimet e ambasadorit amerikan në Beograd, Cimerman, do të shohë se ndarja e Kosovës atëherë përcaktohej në përpjesëtime të papranueshme për ne. Unë, personalisht, e shihja, ”ndarjen” në përpjesëtim me numrin e banorëve në Kosovë: shqiptarëve do t’u takonte aq sa janë në Kosovë, domethënë rreth 90 për qind, kurse serbëve rreth 10 për qind – aq sa ishin në Kosovë.

Sot, sa mund të gjykohet nga shkrime të ndryshme në shtypin në botë dhe në Serbi, askush nuk flet për ndarje të tillë si para luftës. Tani folja ndarje futet në thonjëza. Tani flitet për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Analistët amerikanë “ndarjen”, në të vërtetë “lëvizjen” e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë e quajnë modifikim i kufirit. Serbëve, në njërën dhe shqiptarëve, në anën tjetër, do t’u takonte aq sa ishte përqindja e tyre në Kosovë në prag të luftës.

Sipas deklaratës së anëtarit, duket më përfaqësues të Treshes në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, Volfgang Ishinger, Grupi i Kontaktit do të pranonte çdo zgjidhje me të cilën do të pajtoheshin të dy palët e kjo domethënë edhe me “ndarjen”, lëvizjen, modifikimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët tanë në Prishtinë dhe në Tiranë u ngritën shumë zemrueshëm kundër idesë së “ndarjes”, lëvizjes, modifikimit të kufirit. Ç’është e vërteta, zyrtarët në Tiranë u ngritën kështu vrullshëm mbasi pritën disa ditë, dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë, se çka do të thonë vendet e Grupit të Kontaktit. Nuk më duket politikisht e arsyeshme ngritja e tillë e pezmatuar ndaj një ideje reale a utopike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve sesa të serbëve. Do të mendojmë, kështu, realisht, në qoftë se nuk harrojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën: të gjitha për njërën palë e asgjë për palën tjetër.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse zyrtarët serbë edhe më vendosmërisht se zyrtarët tanë u ngritën kundër idesë së”ndarjes” së Kosovës dhe ata ngrihen kundër kësaj ideje sepse e dinë se nuk mund të flitet më për ndarje, por për lëkundje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. E dini si e tha peshkopi i Kosovës, Artemije: “më e mirë është për serbët pavarësia e Kosovës që nuk do ta pranojmë kurrë sesa ndarja me të cilën do të pajtoheshim. Atë që nuk e pranon mund ta kthesh një ditë, kurse atë që e pranon nuk mund ta kthesh kurrë”!

Lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që do të bazohej në përqindjen e popullsisë shqiptare, në njërën anë dhe serbe, në anën tjetër,në prag të luftës dhe që do të sillte edhe lëkundje vullnetare të kësaj popullsie, do të ishte zgjidhja përfundimtare, historike e çështjes së Kosovës. Dhe, kjo zgjidhje do të varroste përgjithmonë iluzionet e peshkopit Artemije dhe të tjerëve, shumë të tjerëve, që mendojnë si ai në Serbi, kurse do ta bënte të mundshme vetëvendosjen, domethënë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pa pengesa nga ana e faktorëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye kundërshtimet e pezmatueshme që iu bënë idesë së “ndarjes”, domethënë të lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë nga ana e disa ministrave dhe intelektualëve tanë, më duken të pamenduara mirë. Njëri nga shkrimtarët tanë deklaroi, mbasi dëgjoi si reagoi Tirana zyrtare, se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e rrezikshme sepse – tha ai- rrezikon rajonin dhe, madje Evropën! Pse?

Pse lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë do të rrezikonte rajonin dhe Evropën? Sepse, na përgjigjet ky shkrimtar, duke përsëritur klishenë zyrtare, shembullin e ndarjes së Kosovës do ta ndiqnin edhe të tjerë në rajon dhe në Evropë. Dhe, ashtu Evropës do t’i hynte flaka! E po si mund të flitet ashtu? Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht? Në qoftë se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë pse të ngrihet kush kundër pajtimit të tyre. Po të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë se do të ishte më së miri që të gjendet zgjidhje rreth së cilës do të pajtoheshin të dy palët. Pse do të rrezikonte rajonin dhe Evropën pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve për lëvizjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë?

Në qoftë se hungarezët e Rumanisë, turqit e Bullgarisë, baskët e Spanjës kanë kushte gjeografike dhe arsye etnike për të kërkuar lëvizje kufiri, por këtë nuk e pranojnë rumunët, bullgarët e spanjollët gjendja e tyre mbetet siç është sot dhe marrëveshja shqiptaro-serbe nuk ka se si t’u fusë zjarrin Rumanisë, Bullgarisë e Spanjës. Faktorët ndërkombëtarë e me ta edhe ne po themi se rasti i Kosovës është rast i veçantë, i pangjashëm me raste të tjerë. Dhe, vërtet është rast i veçantë. Pse atëherë të mos i lejohet ta tregojë këtë veçanësi edhe me të drejtën e lëvizjes së kufirit me Serbinë nëse pajtohet edhe Serbia. Domethënë, lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën do të pajtoheshin shqiptarët dhe serbët, nuk ka se si të rrezikojë rajonin dhe Evropën, nuk ka sesi të ndezë zjarr askund përpos në kokat letrare! Apo jo.

/MekuliPress.com/