SA DATA ÇLIRIMI KA KOSOVA?

0
1306
Kosova - pavarësi - flamur

IDRIZ ZEQIRAJ

Më 12 qershor të këtij moti, mbushën 20 vjet nga dita e çlirimit të Kosovës. Megjithatë, vazhdon laramania e festimit të datave të çlirimit! Ato fillojnë nga data 9 deri 20 qershor! Pse ndodhë kjo? Thjesht, “komandandantët” duan ta promovojnë vetën e tyre, edhe pse shumica absolute syrësh, ishin larg përballjeve me pushtuesin, larg komandimit të luftëtarëve, larg luftës.

Realisht e faktikisht, Kosova është çliruar ditën që ka marshuar tanku i parë i NATO-s, nga Ilirida drejt Kosovës, pra, ka kaluar kufirin në Bllacë, pikërisht, më 12 qershor 1999. Andaj, Kosova ka vetëm këtë datë të çlirimit dhe kjo duhet festuar. Atëherë, kujt i duhen datimet festive të “çlirimit”: 9,10,11,13,14,15,16,17,18,19,20 qershor 1999?! Thjeshtë, falsifikatorëve të historisë më të re të Kosovës. Trimërinë që duhej demonstruar përgjatë luftës me armë, po e manifestojnë pas luftës, tani, me fjalë!

Pse pushtetarët, të dominuar nga “komandantët”, nuk caktuan, zyrtarisht, datën e çlirimit, edhe pse kanë kaluar dy dekada? Përgjigja do të ishte kjo: “Komandantët”, në kërkim të një datimi luftarak të tyre, ato ditë qershori, nuk arritën ta lëndëzojnë me luftë dhe lanë datë të hapur, qëllimisht, për ta përvehtësuar luftën e pabërë, me fjalime bombastike.

Rrjedhimisht, Kosova sot ka 11 festa të çlirimit, në disa komuna të saj! Dhe, poshtërsisht e kriminalisht, heshtet! Shpenzohet në kohë dhe mjete materiale, duke e falsifikuar edhe historinë. Ndërkohë, të gjithë e dinë kotësinë e këtyre organizimeve, sa të qëllimshme, aq edhe të panevojshme.

Mendoj se është bërë boll, madje, tepëruar. 20 vjet shpërdorim, abuzim e falsifikim të datave, kinse, çliruese të Kosovës. Ka ardhur koha t`i jipet fund anomalive, shumësisë të datave çliruese. Data 12 qershor është datë faktike e çlirimit. Dhe, kjo duhet të zyrtarizohet, duke anashkaluar e amortizuar të gjitha datimet tjera, si festime fiktive.

Qëllimet e errëta të “komandantëve” i dinë mirëfilli kryetarët e komunave, në përgjithësi, por, edhe ata të komunave fituese nga LDK-ja, në veçanti. Ata, të paktën, e dinë edhe datën e çlirimit të Kosovës, përkatësisht, edhe të komunave, ku kanë pushtetin lokal, 12 qershorin. Dhe, ata duhet të përgaditën për festën zyrtare të çlirimit, duke bërë njoftimin përkatës, për të gjithë qytetarët e komunës së tyre. Dhe, assesi të bëhen bisht të “komandantëve” matrapazë, që festojnë në datimet tjera dhe jo 12 qershorin.

Anomalia e përzgjedhjes të festave

Janë për çdo kritikë edhe përzgjedhja e disa datimeve festive të Kosovës dhe anashkalimin e disa datimeve meritore. Pse duhet të jetë datë festive -Dita e Evropës-, “9 Maji”, kur vet Evropa e ka ditë pune?!

Kushtetutë kanë të gjitha shtetet e botës. Është një dokument zyrtar, por, që nuk përbën asgjë të veçantë. Atëherë, pse është ditë pushimi? Sepse, Shqipëria komuniste e ka pasur ditë pushimi “11 Janarin”, si ditë e Kushtetutës. Dhe, tani, majmunët pushtetarë enveristë, e kopjojnë. Është diç krejt tjetër -7 Shtatori 1990- , Kushtetuta e Kaçanikut, e shpallur nën terrorin e pushtuesit serbo-sllavë. Dhe, nëse, vërtet, duhet festuar Dita e Kushtetutës, do të ishte -7 Shtatori- dhe jo ajo e shpalljes në sallën luksoze të Parlamentit, Kuvendit!

Pse u “harrua” -Dita e Flamurit Kombëtar-, “28 Nëntori” 1912?! Shenjtëria e kësaj feste ka veçantinë supreme. Për Flamurin Kombëtar, atdhetarët shqiptarë të Kosovës, kanë bërë sakrifica ekstreme, deri në flijim. Andaj, duhej respektuar dhe shpërblyer atdhetarët e amëshuar dhe ata të mbijetuar. Kjo përdhosje e historisë, duhet korrigjuar.

Dita e dëshmorëve, -5 Maji-, e caktuar ditë pushmi, në ditë-rënien, e familjarëve të Lagjës Jasharaj, pra, në Masakrën e Prekazit, është meritore. Aq më parë, kur kjo datë përkon edhe me ditën e dëshmorëve në Shqipëri, në datë-rënien e sekretarit të Rinisë Komuniste Shqiptare, Qemal Stafa.

Tendenca tallëse e armiqësore ndaj Familjes Jashari

Por, sorollatja, për tri ditë radhazi, në Kompleksin Memorial në Prekaz, të “komandantëve” balosha, është përdhosje, madje, deri në tepëri, të dëshmorëve dhe të viktimave të shumëta të familjeve të Jasharëve. Në Kosovë numërohen 400 masakra, njëra nga ato është edhe masakra në Lagjën e Jasharëve. Disa syrësh edhe më të mëdha në numrin e viktimave. Dhe, po t`u kushtohen nga tri ditë vizita, secilës masakër, llogarisni se në ç`përmasë do të arrinte pisllëku i pushtetarëve kriminelë, duke harxhuar shumë dhjetra-mijëra euro, për secilën syrësh. Ndërkohë, pushtetarët korruptivë e lapanjozë, rendin pranë kullës rrënojë të plakut fisnik Shaban Jashari, Hero i Kosovës!

Realisht, edhe pse -5 Maji- është caktuar si -Dita e Dëshmorëve-, për të gjithë Kosovën, ajo po kufizohet vetëm në Prekaz. Pra, nuk respektohet as për së afërmi. Masakra sa e ngeshme, aq edhe e dhimbshme e Prekazit, është falsifikuar e tëra. Qendresa familjare e Shaban Jasharit, me djemtë Hamzën dhe Ademin, si dhe dajën e tyre Osman Gecin, i atribuohet “UÇK-së”, e cila, atë ditë, madje, edhe disa muaj më vonë, ishte inekzistente, e pa qenë!

Ky falsifikim grotesk, vënë në dyshim edhe shumë ngjarje të tjera, të shpikura dhe të shpifura, nga “komandantët” falsifikatorë, hileqarë, haraçxhinj, uzurpatorë e grabitës të pasurive shtetërore e private, përdhnues, kidnapues, malltretues, torturues e deri edhe vrasës të shqiptarëve, sa të pambrojtur, aq edhe të pafajshëm.

Ndarja e vëllezërve Jashari, e qëllimshme

Ndarja e dhunshme, artificiale e vëllezërve Jashari, përkatësisht, e Hamzës nga Ademi, është një armiqësi kriminale karshi Familjes Jashari. Asnë plumb nuk e ka shkrepur Ademi më shumë se Hamza. Atëherë, pse të ndahet Hamza nga Ademi në vlerësime, kur janë të barasvlershëm?!

Qëllimi ishte përfitues për “komandantët” e rrejshëm dhe kriminelë. Ata e bënë bashkëluftëtarë e komandantë të tyre Ademin, edhe pse në 5-6 vitet e para luftës dhe gjatë luftës, nuk ishin parë asnjëherë! Duke e ndarë Hamzën nga Ademi, mendja kriminale e “komandantëve”, llogarisnin se është më lehtë t`ia kundërvinin Presidentit Rugova, duke synuar tejkalimin e Tij, edhe pse Ai ishte President, me zgjedhje plebishitare, kurse Ademi ushtar.

Ademin e quanin komandant, bilëz, edhe kryekomandant, edhe pse ai nuk komandonte as batalion dhe as brigadë, pasi as që ekzistonin organizime të tilla. Ai drejtonte një çetë prej 15 vetësh dhe se bashku me Hamzën ishin kryeçetanikë. Dhe, kjo për kohën, kur ata e krijuan çetën, ishte e mjaftueshme, e guximshme dhe madhore. Andaj, heronjtë nuk kanë nevojë për artifice të stisura, për nevoja të gjallëve, sa hileqarë, aq edhe falsifikatorë e kriminelë.

Me ngritjen e shtatoreve, me emërtimet e institucioneve dhe objekteve, vend e pavend, synohet ta bëjnë leckë Adem Jasharin, ashtu siç e bënë Adem Demaçin, në gjallje të tij. Në Skënderaj duhej ngritur shtatorja e përbashkët e Shaban Jasharit, me djemtë Hamzën dhe Ademin. I njëjti gabim po bëhet në lokacionin e ndarë në Prishtinë, për sheshin dhe shtatoren e Ademit, pa Hamzën!

Zgjidhja më e mirë dhe logjike do të ishte ngritja e një shtatoreje të përbashkët për Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin, si organizatorë të çetave luftarake, përkatësisht, në Dukagjin, Drenicë e Llap. Ndërsa shtatorja e vetmuar e Zahir Pajazitit, duhet bartur nga Prishtina në Podujevë, për të krijuar barazpeshën vlerësuese, siç është Sali Çekaj në Deçan, ajo e Ademit në Skënderaj, të cilës duhet t`i bashkohet edhe babai dhe vëllai, bashkëluftëtarë të tij.

Ishte një tallje e vrazhdët emërtimi i Aeroportit të Prishinës, me emrin e Ademit, kur dihet se aeroportetët e botës, mbajnë emrat e burrështetasëve, që kanë kaluar një pjesë të jetës në fluturake, në cilësinë e Presidentit, Kryeministrit.

Pallatin e Kulturës në Istog, “komandantët” e dhunshëm e emëruan me emrin e Ademit, edhe pse ai nuk ka pasur asnjë lidhje me kulturën. Ndërkohë që bashkëluftëtarët e mbijetuar të heroit Nazmi Muzlijaj, dëshironin ta pagëzonin me emrin e tij, meqë Nazmiu kishte qenë edhe sekretar i Rinisë Demokratike istogase, një artist i skenës, qysh si student. “Xhevahire” të tilla, në damkosjen e figures të Adem Jasharit, nuk janë të vetme.

Pa medyshje, shtylla bazë e Familjes Jashari, edhe në gjallje të vëllezëve, tashmë Heronj të Kosovës, ka qenë e mbetet vëllai i madh i tyre, Rifat Jashari. Ai ka pjekurinë dhe maturinë e nevojshme, për të shmangur, sfiduar e sikterisur, përzënë “komandantët” e vetëshpallur, duke stopuar e zhbërë vendimet e tyre, tallëse e çoroditëse, në trajtimin e rrëmujshëm të Familjes së tij.

“Komandantët” bulevardesk në Evropë dhe Tiranë, shfrytëzuan moshën rinore të djemëve të Jasharajve. Ata abuzuan me praninë e tyre, në tubimet përçarëse e sabotuese të luftës, duke mbledhur edhe para të majme, në emër të luftës dhe të Familjes Jashari, të cilat kurrë nuk u lëndëzuan, nuk arritën për destinimin e proklamuar, me aq pompë e bujë.

Me keqardhje, djathtizmin e gjyshit Shaban, të lënë si amanet-porosi, nipat e konvertuan në majtizmin stalinist të LPK-së. Edhe sot janë të rrethuar nga kriminelë, nën akuza të rënda, armiq të thekur të Kosovës, hafije të Serbisë, LDK-së dhe të Presidentit Rugova, të cilët, e luftuan, jo vetëm në gjallje, por, edhe në ditën e amëshimit hyjnor të Tij.