Sa arkivole ju duhen, o shqiptarë?!

0
555
Lis Bukuroca
Lis Bukuroca

Nga Lis Bukuroca, 22 qershor 2019

Ju urreni Europën. Ju nuk e dëshironi Shqipërinë si gjithë Europa, por ju urreni atë, sepse Europa nuk është piskamë, nuk është kaos, por është emancipim, vetëdije, iluminizëm, zbatim i ligjit, respektim i tij, por kurrë jo rrëzimi i një qeverie që ka vjedhur dhe zëvendësimi i saj me një klan mafioz që ka vjedhur dhe që ka vrarë shqiptarë dje, kurse sot djeg shkolla! Në Europë nuk i jepet mundësia një klani mafioz që ka vjedhur nga autostrada dhe që ka vrarë shqiptarë, të kthehet në pushtet për të ndërtuar një shtet europian, sepse kriminelët nuk ndërtojnë shtet të së drejtës askund në botë. Ti po bërtet në rrugë për të rrëzuar hajnat e sotshëm dhe të zëvendësosh me kriminelët dhe hajnat e djeshëm.

Rama mund të ketë vjedhur vota, mund të ketë vjedhur para, por kjo qeveri nuk ka vrarë shqiptarë. Ju nëse doni Shqipërinë si gjithë Europa, duhet ta synoni me njerëz me integritet, dinjitet dhe sedër, jo me kriminelët e djeshëm, që patën nënshkruar edhe faljen e detit Greqisë.

Ju që gjoja dëshironi Shqipërinë si Europa, nuk kuptoni se jeni vetëm mashë e Putinit për interesat e Serbisë. Ju nuk kuptoni aftësinë e shërbimeve sekrete ruso-serbe, sepse ju pikërisht tani, i dërgoni botës një shembull tragjik se shqiptarët, tash e 100 vjet, nuk dinë të bëjnë shtet, e çfarë i duhet shteti Kosovës? Si do të bëhej shtet i së drejtës Kosova, kur këtë nuk e arrin Shqipëria për më shumë se një shekull?

Ju nuk kuptoni deklaratat e kryetarit të Shqipërisë dhe Kosovës. Ju nuk vlerësoni njerëzit në bazë të veprave, por në bazë të pallavrave të tyre. Ju nuk dëshironi, nuk synoni dhe nuk do të bëni kurrë vende europiane, derisa nuk shqyrtoni veprat e tyre, pasuritë e tyre dhe derisa të mos kuptoni makiavelizmin e politikanëve tanë.

Ata për pushtet falin territore. Jo vetëm troje, por edhe bythën! Ata për pushtet shtrihen dhe zvarriten. Ata me fjalë mbrojnë interesat nacionale, praktikisht luftojnë vetëm për bythët e veta dhe bythët e fisit të tyre. E pat nënshkruar pinjolli i Ramiz Alisë, Berisha, me Greqinë. E nënshkroi Ramushi me Malin e Zi dhe do ta bënte çdo politikan shqiptar, me kusht që t’i mundësohet mbetja në karrige apo avancohet.

Ju nuk dëshironi Shqipëri europiane, por Shqipëri anarkike. Shqipëri pa ligje! Ju mbështesni një klan mafioz, për të rrëzuar një klan mafioz tjetër. Ju kërcënoheni si komunistë, ju veproni dhe gjykoni me metoda revolucionare, ju nuk mund të merrni popullin me vete, por njerëzit pa bindje vetjake politike, njerëz që besojnë ide të huaja dhe që nuk janë në gjendje të prodhojnë të vetat. Ju po manipuloheni si kope nga mafia e djeshëm, për ta rrëzuar mafinë e sotshme. Ju nuk dëshiron Europë, por stabilizim të shtetit mafioz! Ju dëshironi mënjanimin e nje shtrese kriminale dhe zëvendësimin me një shtresë kriminale më të përgatitur dhe më të stërvitur.

Ju nuk mund të doni Europën, sepse ju urreni Shqipërinë. Sikur të donit ju Shqipërinë, nuk do t’i bashkëngjiteshit një grupi që braktisë Kuvendin dhe del kaçak në rrugë me një dëshirë obsesive për të rrëzuar qeverinë dhe për të marrë pushtetin jo me vota, por me metoda komuniste revolucionare.

Ju jeni gati edhe të vdisni për liderin tuaj, që drejtohet nga stalinisti i fundit me pushtet në Europë, Sali Berisha! Nëse dëshironi Europën, atëherë pikë së pari duhet të kërkoni arrestimin e Berishës, që sakatoi Shqipërinë dhe që vrau shqiptarë dhe që shembi shtetin, kur i konvenonte Serbisë. Serbisë i konvenon edhe tani, sepse bota nuk duhet të merret vetëm me Kosovën, por problem më i madh tani po bëhet Shqipëria. Arrestoni njeriun që i shiti naftë Millosheviqit për ta ndihmuar Kosovën!

Ju ia dolët të pengonit fillimin e negociatave për aderim në BE, ju tani planifikoni dhe sakrifikimin e ithtarëve tuaj. Ju keni në plan të vrisni veta dhe tani mund të porositni arkivole, të përgatisni disa hoxhallarë dhe disa priftërinj për të varrosur disa shqiptarë, që ju, që gjakoni Europën, keni ndërmend me 30 prill t’i shndërroni në kufoma. Ju me gjak keni shumë përvojë dhe pa gjak nuk arrini pushtetin. Juve ju duhen “heronj” të demokracisë për të marrë pushtetin kriminelët e djeshëm! Demokracia nuk prodhon heronj me kufoma. Demokracisë nuk i duhen heronjtë, por komunizmit. Demokracia jeton në fazë postheroike! Demokracia është rend i kompromisit, i institucioneve, jo i rrugaçëve dhe rrugëve!

Ju edhe me kufoma keni përvojë të madhe. Ju varrosët diku 3000 veta, me 21 janar katër pse kërkonin Shqipërinë si Europa. Tani, ai matuf, si sufler, hakmerret përsëri dhe ka planifikuar kufomat e reja. Bëjeni, sepse Edi Rama sikur të kishte dashur shtetin ligjor, pikë së pari do t’ ishte marrë me vrasësit e djeshëm. Nuk e bëri, tani ata vrasës, po merren me Edi Ramën, në vend se të ishin në burg!

Sot, ata që kudo në Europë do t’ ishin në burg, kërkojnë Shqipëri si gjithë Europa. E në cilin vend europian drejton parti politike stalinisti i djeshëm apo durojnë kryetar mafioz që rrënon shtetin duke u pozicionuar në një anë.

Ju po rrënoni Shqipëri duke menduar se do ta rindërtoni. Jo, me mafiozët e djeshëm, nuk krijohet Shqipëria europiane! Ju jeni për keqardhje, sepse nuk vëreni se kryetarin e shtetin e keni mafioz, siç e keni edhe atë të opozitës! Europa është kompromis, jo rrugë, jo rrugaçëri. Europa kërkon njerëz me integritet dhe dinjitet që ulen dhe gjejnë kompromisin, jo kërcënues që rrezikojnë jetën e qytetarëve për të fituara ata pozita!

Ja gjendja jonë mjerane: shërbimi sekret serb vendosë të punësojë një agjent të vetin në presidencën e Kosovës dhe ia del. Pas tre viteve e zbulon gazeta Express. Tri vjet rresht ai paguhet nga Kosova. Një ngjarje e tillë kudo në Europë, do të kishte ndikuar në rrëzimin e kryetarit. Do të kishte rrëzuar shefin e shërbimit sekret! E në Kosovë? Nuk ndodh asgjë, kryetari nuk jep përgjegjësi, por hesht, edhe më keq, hesht edhe opozita. Një udbash u mor vesh nga media, por sa të tjerë gjenden në administratë, nuk e dinë askush, sepse Kosova edhe në Shërbimin Sekret, ka punësuar analfabetë, dudukë dhe njerëz të retarduar, por nga fara dhe fisi i politikanëve.

Ne nuk e duam as shtetin e Kosovës, as të Shqipërisë, sepse atë që donë njeriu, e mbron. Ne nuk i mbrojmë, por lejojmë vjedhjen e tyre deri në palcë, si nga opozita, si nga qeveritë. Ne nuk njohim interesa nacionale, por personale! Dhe ky qëndrim, kjo edukatë, nuk është europiane, por europiane është angazhimi për të mirën e përgjithshme, për interesa më të mëdha se sa ato egoiste, për ato nacionale.

Ti, që sot çaraveshesh rrugës me slogane se e donë Shqipërinë si Europa, je vegël, pajisje e Sali Berishës, që dëshiron të realizojë një hakmarrje personale ndaj Ramës. Atij nuk i hanë palla për Shqipërinë, përndryshe nuk do të kishte vrarë shqiptarë, nuk do të kishte falur pjesë të detit dhe ti që bëhesh ushtarë i tij, je për keqardhje: Europa nuk riciklon kriminelët. Europa i burgos ata! Rama mund të jetë bërë kriminel, por Lazarati u trashëgua nga Berisha dhe kanabisi në kohën e tij nuk qe luftuar nga Partia Demokratike! Sikur të ishte ajo vërtetë parti demokratike e jo staliniste, do të kishte hapur dosjet çnjerëzore të komunizmit. Jo, pinjolli i Ramiz Alisë, kishte për detyrë të shpëtojë bishat e djeshme dhe ia doli. Ata po vdesin në paqe të pashqetësuar!

Dhe ti, duke iu bashkangjitur Saliut, Bashës dhe Metës, mendon se dëshiron Europë? Jo, ti urren Europën! Mu si urrehet edhe në Kosovë derisa populli duron ministra të akuzuar dhe duke pasur kriminel në qeveri, çaraveshet për diskriminim dhe ankohet pse nuk i hiqen vizat. E si t’ i hiqen vizat një vendi që në qeveri ka kriminel? E si të mbështet Europa opozitën e Shqipërisë, kur ka të kaluar kriminele më të madhe se Qeveria e sotshme?

Ti e donë Shqipërinë dhe Kosovën si Europa, kur lufton krimin pikë së pari në partinë tënde, kur detyron fyrerët e partive të gjejnë kompromisin në tryezë, jo kur rrezikojnë jetën e qytetarëve. Nuk shihni se kemi dy shtete me dy kryetarë, që përçajnë popullin dhe janë kundër qeverive të tyre?

Çfarë duhet të bëjnë ata më shumë për të kuptuar ti se ata përfaqësojnë interesat e veta e jo të kombit? Nuk është pra çudi pse ata vjedhin apo pse rrënojnë shtetet tona, por tragjike është durimi jot prej gomari dhe pozicionimi dhe gatishmëria për t’u flijuar për njërën palë kriminele. Asnjë kriminel dhe asnjë i korruptuar dhe asnjë i akuzuar nuk meriton mbështetjen tënde, natyrisht, nëse nuk të kanë shndërruar trurin në koloni të veten! Nëse po, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër, pos të ikësh për ta fituar lirinë tënde dhe për nisur përdorimin e trurit për çfarë ta ka dhuruar edhe natyra! Deri atëherë, do të jesh viktimë ose vegël! Deri atëherë, do të përdoresh si kope, jo si popull!

Ti politikisht do të jesh i pjekur, kur detyron partitë të shtyhen zgjedhjet, të angazhohesh për fushatë korrekte dhe të kujdesesh për numërimin e drejtë të votave! Ky akt është heroizëm në demokraci: respektimi i votës së popullit! Lufto për politikë me dinjitet, jo për zëvendësimin e një hajni me një kriminel! /dritare.net